2010–2019
Si Ju Ndihmon Fryma e Shenjtë?
Prill 2017


Si Ju Ndihmon Fryma e Shenjtë?

Fryma e Shenjtë paralajmëron, Fryma e Shenjtë ngushëllon dhe Fryma e Shenjtë dëshmon.

Një të hënë në mbrëmje, jo shumë kohë më parë, unë dhe gruaja ime, Lisa, vizituam shtëpinë e një familjeje të re në fqinjësinë tonë. Ndërsa ishim atje, familja na ftoi që të qëndronim për mbrëmje familjare, duke na treguar se mësimin e kishte përgatitur djali i tyre nëntëvjeçar. Sigurisht që qëndruam!

Pas këngës së hapjes, lutjes dhe punëve familjare, nëntëvjeçari filloi të lexojë një pyetje të mprehtë të përfshirë në mësimin e tij të shkruar me shkrim dore: “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?” Kjo pyetje zgjoi një diskutim kuptimplotë familjar ku gjithkush shprehu ide dhe pikëpamje. Mua më la mbresa përgatitja e mësimit nga mësuesi ynë dhe pyetja e tij shumë e mirë, e cila më ngjalli vazhdimisht mendime.

Pamja
Mësimi i mbrëmjes familjare i shkruar me shkrim dore

Që nga ajo kohë, unë kam vazhduar ta pyes veten: “Si [të] ndihmon Fryma e Shenjtë?” – një pyetje veçanërisht domethënëse për fëmijët e Fillores që mbushin tetë vjeç e po përgatiten për pagëzimin dhe për ata fëmijë që janë pagëzuar kohët e fundit dhe e kanë marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ajo është gjithashtu domethënëse për mijërat e të kthyerve në besim.

E ftoj secilin prej nesh, veçanërisht fëmijët e Fillores, të marrin parasysh [pyetjen]: “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?” Ndërsa përsiatja për këtë pyetje, mendova menjëherë rreth një përvoje nga rinia ime. Kjo është një histori që ia kam treguar Plakut Robert D. Hejls, pak pas thirrjes sime në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe të cilën ai e përfshiu në një artikull të një reviste të Kishës që ai shkroi për jetën time. 1 Disa nga ju mund ta kenë dëgjuar këtë histori, por shumë njerëz mund të mos e kenë dëgjuar.

Kur isha rreth 11 vjeç, unë dhe im atë shkuam për alpinizëm në një ditë të nxehtë vere në malet pranë shtëpisë sonë. Ndërsa babai ngjiste shtegun e pjerrët, unë kërceja nga një shkëmb i madh në tjetrin përgjatë anëve të shtegut. Me qëllimin për të hipur në një nga shkëmbinjtë e mëdhenj, fillova të ngjitesha drejt majës së tij. Ndërsa e bëra këtë, u habita kur im atë më kapi nga rripi dhe me shpejtësi më tërhoqi poshtë, duke thënë: “Mos u ngjit në atë shkëmb. Le të qëndrojmë në shteg.”

Minuta më vonë, ndërsa po shikonim teposhtë nga një pikë më e lartë e shtegut, ne u shastisëm kur pamë një gjarpër të madh me zile që po ngrohej në diell pikërisht në majën e shkëmbit tek i cili pata ndërmend të ngjitesha.

Më vonë, ndërsa po ngitnim makinën për në shtëpi, e dija se im atë po priste që unë ta pyesja: “Si e dije që gjarpri ishte atje?” Kështu që e pyeta, dhe pyetja ime çoi në një diskutim rreth Frymës së Shenjtë dhe mënyrës se si Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë. Unë kurrë nuk e kam harruar atë çfarë mësova atë ditë.

A mund ta shikoni se si më ndihmoi Fryma e Shenjtë? Unë jam përgjithmonë mirënjohës që im atë e dëgjoi zërin e qetë, të ulët të Frymës së Shenjtë, pasi mund të më ketë shpëtuar jetën.

Ajo Çfarë Dimë rreth Frymës së Shenjtë

Para se ta shqyrtojmë më tej pyetjen “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?”, le të rishikojmë disa nga gjërat që Zoti ka zbuluar rreth Frymës së Shenjtë. Ka shumë të vërteta të përjetshme që mund të këqyrim, por sot unë do të theksoj vetëm tre.

Së pari, Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ne e mësojmë këtë të vërtetë në nenin e parë të besimit: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin dhe në Frymën e Shenjtë” 2 .

Së dyti, Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit, siç përshkruhet në shkrimin e shenjtë bashkëkohor: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne.” 3 Kjo do të thotë se Fryma e Shenjtë ka një trup shpirtëror, ndryshe nga Perëndia, Ati, dhe Jezu Krishti, që kanë trupa fizikë. Kjo e vërtetë i shpjegon emrat e tjerë që i janë vënë Frymës së Shenjtë dhe që janë të njohur për ne, përfshirë Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Perëndisë, Shpirti i Zotit, Shpirti i Shenjtë i Premtimit dhe Ngushëlluesi. 4

Së treti, dhurata e Frymës së Shenjtë vjen me anë të vënies së duarve. Kjo ordinancë, pas pagëzimit, na kualifikon për shoqërimin e vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë. 5 Për ta kryer këtë ordinancë, mbajtës të denjë të Priftërisë Melkizedeke i vendosin duart e tyre mbi kokën e individit, 6 e thërrasin atë në emër, shpallin autoritetin e tyre të priftërisë dhe në emër të Jezu Krishtit e konfirmojnë atë një anëtar ose anëtare të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe shqiptojnë frazën e rëndësishme: “Merre Frymën e Shenjtë”.

Si Ju Ndihmon Fryma e Shenjtë?

Me atë rishikim të thjeshtë të tri të vërtetave kyçe rreth Frymës së Shenjtë, i kthehemi pyetjes sonë të parë: “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?”

Fryma e Shenjtë Paralajmëron

Siç e përshkrova në përvojën time të fëmijërisë, Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë duke ju paralajmëruar qysh më përpara për rreziqet fizike dhe shpirtërore. Unë mësova përsëri rreth rolit të rëndësishëm paralajmërues të Frymës së Shenjtë ndërkohë që po shërbeja në Presidencën e Zonës në Japoni.

Gjatë kësaj kohe, unë punova nga afër me Presidentin Rid Tateoka të Misionit të Japonisë – Sendai. Si pjesë e rutinës së tij të zakonshme të misionit, Presidenti Tateoka planifikoi një mbledhje për udhëheqësit misionarë në pjesën jugore të misionit të tij. Pak ditë përpara mbledhjes, Presidenti Tateoka mori një mbresë, një ndjenjë në zemrën e tij, që t’i ftonte të gjithë misionarët e asaj zone në mbledhjen e udhëheqësve, në vend të numrit të vogël të përcaktuar të pleqve [elldrave] dhe motrave udhëheqëse.

Kur e bëri të ditur synimin e tij, atij iu vu në dukje se kjo mbledhje nuk ishte planifikuar për të gjithë misionarët, por vetëm për udhëheqësit e misionit. Megjithatë, duke e lënë mënjanë planin tradicional në mënyrë që të ndiqte nxitjen që kishte marrë, ai i ftoi në mbledhje të gjithë misionarët që shërbenin në disa qytete bregdetare, përfshirë qytetin e Fukushimës. Në ditën e caktuar, më 11 mars 2011, misionarët u bashkuan për mbledhjen e zgjeruar të misionit në qytetin e Korijamës që shtrihet më në brendësi [të Japonisë].

Gjatë kësaj mbledhjeje, një tërmet prej 9,0-ballësh dhe një cunam goditën zonën e Japonisë ku ndodhet Misioni i Japonisë, Sendai. Tragjikisht, shumë qytete bregdetare – përfshirë ato prej të cilave qenë mbledhur misionarët – u rrënuan dhe pësuan humbje të mëdha në njerëz. Dhe qyteti i Fukushimës pësoi për pasojë një incident bërthamor.

Ndonëse shtëpia e mbledhjeve ku misionarët u mblodhën atë ditë u dëmtua nga tërmeti, nëpërmjet ndjekjes së nxitjeve të Frymës së Shenjtë, Presidenti dhe Motra Tateoka dhe të gjithë misionarët u grumbulluan të sigurt. Ata qenë jashtë rrezikut dhe kilometra larg rrënimit të shkaktuar nga cunami dhe ndotja bërthamore.

Teksa ua vini veshin nxitjeve nga Fryma e Shenjtë – mbresave më së shpeshti të buta e të qeta – ju mund të largoheni, pa e marrë vesh ndonjëherë, nga rreziku shpirtëror dhe fizik.

Vëllezër dhe motra, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë duke ju paralajmëruar, ashtu siç e ndihmoi tim atë dhe Presidentin Tateoka.

Fryma e Shenjtë Ngushëllon

Që të vazhdojmë t’i përgjigjemi pyetjes “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?”, le të shqyrtojmë tani rolin e Tij si Ngushëllues. Ngjarje të papritura në jetën e të gjithëve ne shkaktojnë trishtim, dhembje dhe zhgënjim. Megjithatë, në mes të këtyre sprovave, Fryma e Shenjtë na shërben në një nga rolet e Tij të rëndësishme, – si Ngushëllues, i cili është në fakt një nga emrat e Tij. Këto fjalë paqësore, shpresëdhënëse nga Jezu Krishti e përshkruajnë këtë rol të shenjtë: “Unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju” 7 .

Për ta ilustruar më tej këtë, po tregoj rrëfimin e vërtetë të një familjeje me pesë djem që disa vite më parë, u shpërngulën nga Los Anxhelosi i Kalifornisë në SHBA, për në një komunitet të vogël. Dy djemtë më të mëdhenj filluan të luanin në sporte për shkollën e tyre të mesme dhe të shoqëroheshin me shokë, udhëheqës e trajnerë – shumë prej të cilëve ishin anëtarë besnikë të Kishës. Këto marrëdhënie ndihmuan [e] çuan në pagëzimin e Fernandos, djalit më të madh, dhe të vëllait pas tij në moshë.

Fernando më vonë u shpërngul larg nga shtëpia, ku ai vijoi me shkollimin e tij dhe luajti futboll amerikan në kolegj. Ai u martua në tempull me të dashurën e tij të shkollës së mesme, Beillin. Kur Fernando dhe Beilli e përfunduan shkollimin e tyre, ata po pritnin me padurim lindjen e fëmijës së tyre të parë – një foshnje vajzë. Por ndërkohë që Fernando dhe Beilli po ndihmoshin nga familjet e tyre për t’u kthyer sërish në shtëpi, Beilli dhe motra e saj po udhëtonin me makinë në autostradë dhe pësuan një aksident tragjik që përfshiu shumë automjete. Beilli dhe e bija e saj e palindur humbën jetën.

Pamja
Fernando dhe Beilli

Sidoqoftë, aq e thellë sa ishte dhembja e Fernandos, si edhe ajo e prindërve dhe vëllezërve e motrave të Beillit, po ashtu ishte edhe thellësia e paqes dhe e ngushëllimit që u derdh mbi ta thuajse menjëherë, në dallim nga dhembja. Fryma e Shenjtë në rolin e Tij si Ngushëllues e mbështeti vërtet Fernandon përmes kësaj vuajtjeje të papërfytyrueshme. Shpirti komunikoi një paqe të qëndrueshme që e bëri Fernandon të kishte një qëndrim faljeje dhe dashurie ndaj kujtdo që ishte përfshirë në përplasjen tragjike.

Prindërit e Beillit i telefonuan vëllait të saj, i cili po shërbente si misionar në kohën e aksidentit. Ai i përshkroi në një letër ndjenjat e tij, me të marrë vesh lajmin e rëndë për motrën e tij të dashur: “Ishte e mahnitshme të dëgjoje zërat tuaj kaq të qetë në mes të një stuhie. Nuk dija se çfarë të thosha. … Gjithçka që munda të mendoj është që motra ime mund të mos jetë aty kur unë të vij në shtëpi. … Unë u ngushëllova nga dëshmitë tuaja të qëndrueshme për Shpëtimtarin dhe planin e Tij. Po i njëjti shpirt i ëmbël që më sjell në prag të lotëve kur studioj dhe jap mësim, e mbushi zemrën time. Atëherë unë u ngushëllova dhe m’u kujtuan gjërat që unë i di.” 8

Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë duke ju ngushëlluar, ashtu siç veproi me Fernandon dhe familjen e Beillit.

Fryma e Shenjtë Dëshmon

Fryma e Shenjtë gjithashtu dëshmon dhe jep dëshmi për Atin dhe Birin dhe për gjithë të vërtetën. 9 Zoti duke i folur dishepujve të Tij, tha: “Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, … ai do të dëshmojë për mua” 10 .

Në mënyrë që të përshkruaj rolin e çmuar të Frymës së Shenjtë si dëshmitar, unë do të vazhdoj historinë e Fernandos dhe të Beillit. Nëse ju kujtohet, unë tregova se Fernando dhe vëllai i tij ishin pagëzuar, por prindërit e tij dhe tre vëllezërit më të vegjël jo. Dhe, pavarësisht se morën ftesa të shumta për t’u takuar me misionarët për gjatë viteve, çdo herë familja refuzoi.

Pas vdekjes së dhimbshme të Beillit dhe foshnjës së saj vajzë, familja e Fernandos ishte e pangushëllueshme. Ndryshe nga Fernando dhe ndryshe nga familja e Beillit, ata nuk gjenin aspak qetësi apo paqe. Ata nuk mund ta kuptonin se si vetë djali i tyre, së bashku me familjen e Beillit, mund ta mbanin barrën e tyre të rëndë.

Përfundimisht, ata arritën në konkluzionin se ajo çka zotëronte i biri dhe që ata nuk e kishin, ishte ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit dhe ky duhet të ishte burimi i tij i paqes dhe ngushëllimit. Pasi e kuptuan këtë, ata i ftuan misionarët që t’ia mësonin ungjillin familjes së tyre. Për pasojë, ata morën dëshmimin dhe dëshminë e tyre vetjake për planin e madh të lumturisë, i cili u solli atyre paqen e ëmbël dhe ngushëllimin qetësues që po e kërkonin dëshpërimisht.

Pamja
Pagëzimi i familjes së Fernandos

Dy muaj pas humbjes së Beillit dhe mbesës së tyre të palindur, prindërit e Fernandos si edhe dy nga vëllezërit e tij më të vegjël u pagëzuan dhe u konfirmuan dhe morën dhuratën e Frymës së Shenjtë. Vëllai më i vogël i Fernandos mezi po pret për pagëzimin e tij kur të mbushë tetë vjeç. Secili prej tyre dëshmon se Shpirti, Fryma e Shenjtë, u dha dëshmi për vërtetësinë e ungjillit, duke i bërë ata të dëshironin të pagëzoheshin dhe të merrnin dhuratën e Frymës së Shenjtë.

Vëllezër dhe motra, Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë duke ju dëshmuar ashtu siç i dëshmoi familjes së Fernandos.

Përmbledhja

Le ta përmbledhim tani. Ne kemi përcaktuar tri të vërteta të zbuluara që na sjellin në një njohuri të Frymës së Shenjtë. Ato janë se Fryma e Shenjtë është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi, Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit dhe dhurata e Frymës së Shenjtë vjen me anë të vënies së duarve. Ne gjithashtu përcaktuam tri përgjigje për pyetjen “Si ju ndihmon Fryma e Shenjtë?” Fryma e Shenjtë paralajmëron, Fryma e Shenjtë ngushëllon dhe Fryma e Shenjtë dëshmon.

Denjësia për ta Mbajtur Dhuratën

Për ata prej jush të cilët po përgatiten për t’u pagëzuar e konfirmuar, për ata të cilët janë pagëzuar e konfirmuar kohët e fundit apo edhe para shumë kohësh, është jetike për sigurinë tonë fizike dhe shpirtërore që ne ta mbajmë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ne fillojmë ta bëjmë këtë duke u përpjekur që t’i zbatojmë urdhërimet, duke bërë lutje vetjake dhe familjare, duke i lexuar shkrimet e shenjta dhe duke u përpjekur për marrëdhënie të përzemërta e falëse me familjen dhe njerëzit e dashur. Ne duhet t’i mbajmë mendimet, veprimet dhe fjalët tona të virtytshme. Ne duhet ta adhurojmë Atin tonë Qiellor në shtëpitë tona, në kishë dhe, sa herë që është e mundur, në tempullin e shenjtë. Qëndrojini pranë Shpirtit dhe Shpirti do t’ju qëndrojë pranë.

Dëshmia

Unë tani e mbyll me një ftesë dhe dëshminë time të sigurt. Unë ju ftoj që t’i jetoni më plotësisht fjalët e kënduara aq shpesh nga fëmijët tanë të Fillores, fjalë që jam i sigurt se ata i njohin: “Dëgjo, dëgjo. Fryma e Shenjt’ do të t’pëshpërit’. Dëgjo, dëgjo zërin e qet’ dhe të ulët!” 11

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, të mëdhenj e të vegjël, unë jap dëshminë time për ekzistencën e lavdishme të qenieve hyjnore që përbëjnë Kreun-Perëndi: Perëndinë, Atin, Jezu Krishtin dhe Frymën e Shenjtë. Unë jap dëshmi se një nga privilegjet që ne e gëzojmë si shenjtorë të ditëve të mëvonshme që jetojmë në plotësinë e kohëve, është dhurata e Frymës së Shenjtë. Unë e di se Fryma e Shenjtë ju ndihmon me të vërtetë dhe do t’ju ndihmojë ju. Unë gjithashtu shtoj dëshminë time të veçantë për Jezu Krishtin dhe rolin e Tij si Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë dhe për Perëndinë si Atin tonë Qiellor. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.