2010–2019
Plani i Lavdishëm i Atit Tonë
Prill 2017


Plani i Lavdishëm i Atit Tonë

Për shkak të planit të shenjtë të Perëndisë, ne e dimë se lindja dhe vdekja janë në të vërtetë vetëm çaste kulmore në udhëtimin tonë drejt jetës së përjetshme me Atin tonë Qiellor.

Në fillimet e formimit tim si mjek, pata privilegjin të ndihmoja një nënë të re që po lindte fëmijën e saj të parë. Ajo ishte e qetë, e përqendruar dhe e lumtur. Kur fëmija lindi, ia dhashë të porsalindurin e çmuar asaj. Me lot gëzimi që i rridhnin në faqe, e mori atë fëmijë të porsalindur në krahët e saj dhe e këqyri nga koka deri te këmbët. Ajo e mbajti afër dhe e deshi atë ashtu siç vetëm një nënë mund të dojë. Ishte një privilegj të isha me të në atë dhomë.

E tillë ishte dhe fillesa e jetës për secilin prej nesh. Por a ishte lindja jonë vërtet fillesa? Bota e sheh lindjen dhe vdekjen si fillimin dhe mbarimin. Por për shkak të planit të shenjtë të Perëndisë, ne e dimë se lindja dhe vdekja janë në të vërtetë vetëm çaste kulmore në udhëtimin tonë drejt jetës së përjetshme me Atin tonë Qiellor.1 Ato janë pjesë thelbësore të planit të Atit tonë – çaste të shenjta ku puqen vdekshmëria dhe qielli. Sot, duke reflektuar mbi ato që kam mësuar nga vëzhgimi i lindjeve dhe vdekjeve përgjatë viteve të ushtrimit të mjekësisë dhe shërbimit në Kishë, dua të dëshmoj për planin e lavdishëm të Atit tonë.

“Përpara se të lindeshim, ne jetuam me Perëndinë, Atin e shpirtrave tanë. Të gjithë [ne] në tokë jemi me plot kuptimin e fjalës vëllezër e motra” në familjen e Tij2 dhe secili prej nesh është i çmuar për Të. Ne jetuam me Të për një kohë të stërgjatë përpara lindjes sonë në vdekshmëri – duke mësuar, zgjedhur dhe duke u përgatitur.

Për shkak se Ati Qiellor na do, Ai dëshiron që ne të kemi dhuratën më të madhe që Ai mund të japë, dhuratën e jetës së përjetshme.3 Ai nuk mundej që thjesht të na e jepte këtë dhuratë; ne duhej ta merrnim dhuratën duke e zgjedhur Atë dhe udhët e Tij. Kjo kërkonte që ne të largoheshim nga prania e Tij dhe të nisnim një udhëtim të mrekullueshëm e sprovues besimi, rritjeje dhe shndërrimi. Udhëtimi që Ati ynë e përgatiti për ne quhet plani i shpëtimit ose plani i lumturisë.4

Në këshillin e madh para lindjes, Ati ynë na tregoi për planin e Tij.5 Kur e kuptuam atë, ne ishim aq të lumtur saqë lëshuam britma gëzimi dhe “yjet e mëngjesit kënd[uan] të gjithë së bashku”6.

Ai plan është ndërtuar mbi tri shtylla të mëdha: shtyllat e përjetësisë7.

Shtylla e parë është Krijimi i tokës, mjedisi për udhëtimin tonë në vdekshmëri.8

Shtylla e dytë është Rënia e prindërve tanë të parë tokësorë, Adamit dhe Evës. Për shkak të Rënies, ne na u dhanë disa gjëra të mrekullueshme. Ne qemë në gjendje të vinim në jetë dhe të merrnim një trup fizik.9 Unë do t’i jem përherë mirënjohës nënës sime që i solli në jetë vëllezërit e mi dhe mua dhe që na mësoi rreth Perëndisë.

Perëndia na ka dhënë edhe lirinë morale të zgjedhjes – aftësinë dhe privilegjin për të zgjedhur dhe vepruar për veten tonë.10 Për të na ndihmuar që të bëjmë zgjedhje të mira, Ati Qiellor na dha urdhërime. Çdo ditë, teksa i zbatojmë urdhërimet e Tij, ne i tregojmë Perëndisë se e duam Atë dhe se Ai e bekon jetën tonë.11

Duke e ditur se ne nuk do të bënim gjithnjë zgjedhje të mira – ose me fjalë të tjera, do të mëkatonim – Ati na dha shtyllën e tretë: Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij. Nëpërmjet vuajtjes së Tij, Krishti e pagoi çmimin si për vdekjen fizike ashtu edhe për mëkatin.12 Ai dha mësim: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”13.

Jezu Krishti jetoi një jetë të përkryer, duke i zbatuar gjithmonë urdhërimet e Atit të Tij. “Ai eci rrugëve të Filistisë”, duke dhënë mësim të vërtetat e përjetësisë, “duke shëruar të sëmurët, duke u kthyer dritën të verbërve dhe duke ngritur të vdekurit”14. Ai “e përshkoi vendin duke bërë mirë”15 dhe “i luti të gjithë të ndiqnin shembullin e Tij”16.

Në fund të jetës së Tij në vdekshmëri, Ai u gjunjëzua dhe u lut, duke thënë:

“O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti. …

Dhe ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë.”17

Krishti na ndihmoi t’i kuptonim më mirë përmasat e vuajtjes së Tij kur i tha Profetit Jozef Smith:

“Unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen;

Por nëse nuk do të pendohen, ata duhet të vuajnë po aq sa unë;

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt.”18

Atje në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai filloi të paguante çmimin për mëkatet tona dhe sëmundjet tona, dhembjet tona dhe dobësitë tona.19 Për shkak se Ai e bëri [këtë], ne nuk do të jemi kurrë vetëm në ato dobësi nëse zgjedhim të ecim me Të. “Ai u arrestua e u dënua me akuza të rreme, u fajësua për të kënaqur një turmë dhe u dënua të vdiste në kryqin e Kalvarit.” Në kryq “Ai dha jetën e Tij për të shlyer mëkatet e gjithë njerëzimit [me] një dhuratë madhështore e dhënë për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë në tokë”.20

Ai shpalli:

“Vini re, unë jam Jezu Krishti, për të cilin profetët dëshmuan se do të vinte në botë.

Dhe vini re, unë jam drita dhe jeta e botës; dhe unë kam pirë nga ajo kupë e hidhur që Ati më dha dhe kam lartësuar Atin, duke marrë përsipër mëkatet e botës.”21

Pastaj, në ditën e parë të javës22, Ai u ngrit nga varri me një trup të ringjallur e të përsosur, për të mos vdekur më kurrë. Dhe për shkak se Ai u ngjall, kështu do të ndodhë dhe me ne.

Unë dëshmoj se Krishti u ngrit me të vërtetë nga varri. Por për t’u ngritur nga varri, Ai duhej të vdiste më parë. Dhe kështu duhet të ndodhë edhe me ne.

Një tjetër bekim i madh i jetës sime ka qenë të ndieja afërsinë e qiellit gjatë atyre çasteve kur ulem në anën e shtratit të njerëzve që janë duke ndërruar jetë. Një mëngjes herët disa vite më parë, unë hyra në dhomën e spitalit të një vejusheje besnike, shenjtore e ditëve të mëvonshme që kishte kancer. Dy bijat e veta ishin ulur pranë saj. Teksa po shkoja në anën e shtratit të saj, shpejt zbulova se ajo nuk po vuante më sepse sapo kishte ndërruar jetë.

Në atë çast vdekjeje, dhoma ishte e mbushur me paqe. Bijat e saj kishin një trishtim të ëmbël, por zemrat e tyre ishin mbushur me besim. Ato e dinin se nëna e tyre nuk ishte larguar por ishte rikthyer në shtëpi.23 Edhe në çastet tona të trishtimit më të madh, në çastet kur koha ndalet dhe jeta duket kaq e padrejtë, ne mund të gjejmë ngushëllim te Shpëtimtari ynë sepse edhe Ai vuajti.24 Ishte një privilegj për mua të ndodhesha në atë dhomë.

Kur ne vdesim, shpirtrat tanë e lënë trupin tonë dhe ne kalojmë në fazën tjetër të udhëtimit tonë, në botën e shpirtrave. Ajo është një vend mësimi, pendimi, faljeje dhe shndërrimi25 ku ne presim Ringjalljen.26

Në ndonjë ditë të shënuar të ardhshme, çdokush i cili ka lindur ndonjëherë këtu do të ngrihet nga varri. Shpirtrat tanë dhe trupat tanë fizikë do të ribashkohen në formën e tyre të përkryer. Çdokush do të ringjallet, “si pleq dhe të rinj, … si meshkuj dhe femra, si për të këqijtë ashtu dhe për të drejtët” dhe “çdo gjë do të ribashkohet në vendin e vet të përkryer.”27

Pas Ringjalljes ne do të kemi bekimin suprem që të gjykohemi nga Shpëtimtari ynë i cili tha:

“Unë do t’i tërheq të gjithë njerëzit tek unë, që ata të gjykohen sipas veprave të tyre.

Dhe do të ndodhë që kushdo që pendohet dhe pagëzohet në emrin tim, do të mbushet; dhe në qoftë se duron gjer në fund, vini re, atë do ta konsideroj të pafajshëm para Atit tim, në atë ditë kur do të qëndroj të gjykoj botën.”28

Dhe më pas, nëpërmjet Krishtit dhe Shlyerjes së Tij, të gjithë ata që zgjedhin ta ndjekin Atë nëpërmjet besimit, pendimit, pagëzimit, duke marrë Frymën e Shenjtë dhe duke duruar deri në fund29, do të zbulojnë se fundi i udhëtimit të tyre është që të marrin “destinacionin e tyre hyjnor si trashëgimtarë të jetës së përjetshme”30. Ata do të rikthehen në praninë e Atit të tyre për të jetuar me Të përgjithmonë. Bëfshim zgjedhje të mira!

Ka shumë më tepër rreth ekzistencës sonë sesa thjesht ajo që ndodh ndërmjet lindjes dhe vdekjes. Unë ju ftoj të vini e ta ndiqni Krishtin.31

Unë i ftoj të gjithë anëtarët e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme që, çdo ditë, të “[vijnë] te Krishti dhe [të] përsos[en] në të dhe [t’i] moho[jnë] vetes çdo ligësi; … [që] nëpërmjet derdhjes së gjakut të Krishtit, … ju [të mund] të bëheni të shenjtë, pa njollë”32.

Unë i ftoj ata që nuk janë ende anëtarë të kësaj Kishe që të vijnë dhe ta lexojnë Librin e Mormonit dhe t’i dëgjojnë misionarët. Ejani dhe kini besim e pendohuni për mëkatet tuaja. Ejani e pagëzohuni dhe merreni Frymën e Shenjtë. Ejani dhe jetoni një jetë të lumtur, të plotësuar nga Krishti. Teksa vini tek Ai dhe i zbatoni urdhërimet e Tij, unë ju premtoj se ju mund të gjeni paqe dhe qëllim në këtë përvojë në vdekshmëri shpesh të trazuar dhe “jetë të përjetshme në botën që vjen”33.

Ata që i kanë përjetuar këto të vërteta dhe që për çfarëdolloj arsyeje janë larguar nga Kisha, i ftoj që të kthehen sërish. Kthehuni sërish sot. Ati ynë dhe Shpëtimtari ju duan. Unë dëshmoj se Krishti ka fuqinë për t’iu përgjigjur pyetjeve tuaja, për t’i shëruar dhembjet e hidhërimet tuaja dhe për t’i falur mëkatet tuaja. E di se kjo është e vërtetë. Unë e di se të gjitha këto gjëra janë të vërteta. Krishti jeton! Kjo është Kisha e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.