2010–2019
Bariu Ynë i Mirë
Prill 2017


Bariu Ynë i Mirë

Jezu Krishti, Bariu ynë i Mirë, gjen gëzim duke i parë delet e Tij të sëmura të përparojnë drejt shërimit.

Ne marrim një ide rreth karakterit të Atit tonë Qiellor kur e dallojmë dhembshurinë e pakufishme që Ai ka për mëkatarët, dhe e vlerësojmë dallimin që Ai bën midis mëkatit dhe atyre që mëkatojnë. Kjo ide na ndihmon të kemi një “[kuptueshmëri më] të saktë të karakterit, përsosmërive dhe tipareve të tij”1 dhe është themelore për ushtrimin e besimit tek Ai dhe te Biri i Tij, Jezu Krishti. Dhembshuria e Shpëtimtarit përballë papërsosurive tona na tërheq drejt Tij dhe na nxit në vështirësitë tona të përsëritura që të pendohemi dhe t’i përngjasim Atij. Teksa bëhemi më shumë si Ai, ne mësojmë se si t’i trajtojmë të tjerët ashtu siç i trajton Ai, pavarësisht nga ndonjë karakteristikë apo sjellje e jashtme.

Ndikimi i bërjes së dallimit midis karakteristikave të jashtme të një individi dhe vetë individit është thelbësor në romanin “Të Mjerët” të autorit francez Viktor Hygo.2 Teksa romani fillon, autori paraqet Bienvëny Mirielin, ipeshkvin e Dinjës, dhe diskuton një mëdyshje me të cilën ndeshet ipeshkvi. A duhet ta vizitojë një burrë që është një ateist i shpallur dhe është i përbuzur në komunitet për shkak të sjelljes së tij në të shkuarën gjatë Revolucionit Francez?3

Tregimtari thotë që ipeshkvi natyrisht mund të ndiente një mospëlqim të thellë për burrin. Më pas tregimtari ngre një pyetje të thjeshtë: “Sidoqoftë, a duhet që zgjebja e deles ta zmbrapsë bariun?”4 Duke u përgjigjur për ipeshkvin, tregimtari jep një përgjigje vendimtare “Jo” – dhe më pas shton një koment me humor: “Por çfarë deleje ishte ai!”5

Në këtë fragment, Hygoja e krahason “ligësinë” e burrit me sëmundjen e lëkurës së deleve dhe e krahason ipeshkvin me një bari që nuk zmbrapset kur përballet me një dele që është e sëmurë. Ipeshkvi është mirëkuptues dhe më vonë në roman tregon dhembshuri të ngjashme për një burrë tjetër, protagonistin kryesor në roman, një ish të burgosur të rrënuar, Zhan Valzhanin. Mëshira dhe mirëdashja e ipeshkvit e nxitin Zhan Valzhanin ta ndryshojë drejtimin e jetës së tij.

Përderisa Perëndia e përdor sëmundjen si metaforë për mëkatin kudo në shkrimet e shenjta, është e arsyeshme të pyesim: “Si reagon Jezu Krishti kur përballet me sëmundjet tona metaforike – mëkatet tona?” Në fund të fundit, Shpëtimtari tha se Ai “nuk mund ta shoh[ë] mëkatin as me shkallën më të vogël të lejimit”6; prandaj si mund të na shohë Ai ne, të papërsosur siç jemi, pa u zmbrapsur me tmerr e neveri?

Përgjigjja është e thjeshtë dhe e qartë. Si Bariu i Mirë7, Jezu Krishti e sheh sëmundjen në delet e Tij si një gjendje që ka nevojë për trajtim, përkujdesje e dhembshuri. Ky bari, Bariu ynë i Mirë, gjen gëzim duke i parë delet e Tij të sëmura të përparojnë drejt shërimit.

Shpëtimtari parashikoi se Ai do ta “kullosë kopenë e tij [ashtu] si një bari”8 do ta “kërkoj[ë] të humburën, do ta kthej[ë] të hutuarën, … do t’i lidh[ë] plagën [dhe] do ta forcoj[ë] të sëmurën”9. Edhe pse Izraeli braktisës u përshkrua si të ishte i pushtuar nga “plagë, vurrata dhe plagë të hapura”10 mëkatare, Shpëtimtari nxiti, këshilloi dhe premtoi shërim.11

Shërbesa në vdekshmëri e Shpëtimtarit në të vërtetë karakterizohet nga dashuria, dhembshuria dhe mirëdashja. Ai nuk eci plot përçmim nëpër rrugët me pluhur të Galilesë e Judesë, duke u zmbrapsur nga pamja e mëkatarëve. Ai nuk iu shmang atyre me tmerr të plotë. Jo, Ai hëngri me ta.12 Ai i ndihmoi dhe i bekoi, i lartësoi dhe i ngriti shpirtërisht dhe e zëvendësoi frikën e dëshpërimin me shpresë e gëzim. Si bariu i vërtetë që Ai është, Ai na kërkon dhe na gjen për të na ofruar ndihmë e shpresë.13 Të kuptuarit e dhembshurisë dhe të dashurisë së Tij na ndihmon të ushtrojmë besim tek Ai – të pendohemi e të shërohemi.

Ungjilli sipas Gjonit e shënon efektin e mirëdashjes së Shpëtimtarit te një mëkatar. Skribët e farisenjtë sollën te Shpëtimtari një grua të zënë duke shkelur kurorën. Akuzuesit lanë të kuptohej se ajo duhej të vritej me gurë, në përputhje me ligjin e Moisiut. Jezusi, në përgjigje të kërkesës këmbëngulëse, më së fundi u tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj”.

Akuzuesit u larguan dhe “Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes.

[Kur] Jezusi … duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: ‘O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?’

Dhe ajo u përgjigj: ‘Askush, Zot’. Atëherë Jezusi i tha: ‘As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më’.”14

Sigurisht, Shpëtimtari nuk e shfajësoi shkeljen e kurorës. Por Ai gjithashtu nuk e dënoi gruan. Ai i dha asaj kurajë për ta ndryshuar jetën e vet. Ajo u nxit të ndryshonte për shkak të dhembshurisë dhe mëshirës së Tij. Përkthimi i Biblës prej Joseph Smith-it dëshmon për kthimin e saj, si rrjedhojë, në një dishepulle: “Dhe gruaja e përlëvdoi Perëndinë që nga ajo kohë, dhe besoi në emrin e Tij”15.

Ndërkohë që Perëndia është mirëdashës, ne nuk duhet të besojmë në mënyrë të gabuar se Ai po e pranon mëkatin dhe është i gatshëm të pranojë ide të reja rreth mëkatit. Ai nuk e pranon. Shpëtimtari erdhi në tokë për të na shpëtuar nga mëkatet tona dhe, e rëndësishme, nuk do të na shpëtojë mëkatet tona.16 Një burrë i zoti për të marrë në pyetje, Zizromi, u përpoq njëherë që ta zinte në kurth Amulekun duke e pyetur: “A do ta shpëtojë [Mesia që po vjen] popullin e tij në mëkatet e tyre? Dhe Amuleku u përgjigj dhe i tha atij: Unë të them se jo, pasi është e pamundur për të që të mohojë fjalën e tij. … Ai nuk mund t’i shpëtojë ata në mëkatet e tyre.”17 Amuleku shprehu një të vërtetë themelore që, për t’u shpëtuar nga mëkatet tona, ne duhet t’u bindemi “kushteve të pendimit”, të cilat e çlirojnë fuqinë e Shëlbuesit për t’i shpëtuar shpirtrat tanë.18

Dhembshuria, dashuria dhe mëshira e Shpëtimtarit na tërheqin drejt Tij.19 Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, ne nuk mund të kënaqemi më me gjendjen tonë mëkatare.20 Perëndia është i qartë rreth asaj që është e drejtë dhe e pranueshme për Të, dhe asaj që është e gabuar dhe mëkatare. Kjo nuk ndodh ngaqë Ai dëshiron të ketë pasues të bindur e që nuk mendojnë. Jo, Ati ynë Qiellor dëshiron që fëmijët e Tij të zgjedhin me vetëdije e gatishmëri që të bëhen si Ai21 dhe të kualifikohen për llojin e jetës që gëzon Ai.22 Duke e bërë këtë, fëmijët e Tij e përmbushin fatin e tyre hyjnor dhe bëhen trashëgimtarë të gjithçkaje që ka Ai.23 Për këtë arsye, udhëheqësit e Kishës nuk mund t’i ndryshojnë urdhërimet ose doktrinën e Perëndisë në të kundërt të vullnetit të Tij, që të jenë të volitshme apo të pëlqyeshme nga njerëzit.

Megjithatë, në përpjekjen tonë gjatë gjithë jetës për ta ndjekur Jezu Krishtin, shembulli i Tij për mirësinë ndaj atyre që mëkatojnë, është veçanërisht udhëzues. Ne, që jemi mëkatarë, duhet, sikurse Shpëtimtari, t’iu drejtohemi të tjerëve me dhembshuri e dashuri. Roli ynë është gjithashtu të ndihmojmë e bekojmë, të lartësojmë e të ngremë shpirtërisht dhe ta zëvendësojmë frikën e dëshpërimin me shpresë e gëzim.

Shpëtimtari i qortoi individët që zmbrapseshin nga të tjerët, të cilët i shihnin si të papastër, dhe individët që i gjykonin të tjerët me drejtësi të vetëshpallur si më mëkatarë sesa ata.24 Ky është pikërisht mësimi drejt të cilit na udhëhoqi Shpëtimtari, për ata që “pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët”. Ai tha këtë shëmbëlltyrë:

“Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.

Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: ‘O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.

Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam.’

Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: ‘O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit’.”

Atëherë Jezusi e mbylli duke thënë: “Unë po ju them se ky [tagrambledhësi], dhe jo tjetri [fariseu], u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar. Sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”25

Mesazhi për ne është i qartë: një mëkatar i penduar afrohet më pranë Perëndisë sesa afrohet njeriu i vetëshpallur i drejtë, i cili e dënon atë mëkatar.

Prirja njerëzore për të vetëshpallur drejtësi dhe për të qenë paragjykues ishte e pranishme edhe në kohën e Almës. Teksa njerëzit “filluan ta organizonin kishën më plotësisht … kish[a] fill[oi] të krenohe[j]… [dhe] njerëzit e kishës filluan të ngriheshin në krenarinë e syve të tyre, … filluan të trajtonin me përbuzje njëri-tjetrin dhe filluan të persekutonin ata që nuk besonin sipas vullnetit dhe dëshirës së tyre”26.

Ky persekutim ishte veçanërisht i ndaluar: “Tani, kishte një ligj të rreptë mes njerëzve të kishës, që askush që i përkiste kishës, nuk do të ngrihej dhe të persekutonte ata që nuk i përkisnin kishës dhe se nuk do të kishte as persekutim mes tyre”27. Parimi udhëzues për shenjtorët e ditëve të mëvonshme është i njëjtë. Ne nuk duhet të jemi përgjegjës për persekutimin e dikujt brenda ose jashtë Kishës.

Ata që janë persekutuar për çfarëdo arsye, e dinë se çfarë ndjenje krijon padrejtësia dhe fanatizmi. Si një adoleshent që jetoja në Europë në vitet 1960, ndjeva se po ngacmohesha dhe keqtrajtohesha në mënyrë të përsëritur ngaqë isha amerikan dhe ngaqë isha anëtar i Kishës. Disa prej shokëve të shkollës më trajtonin sikur të isha unë vetë përgjegjës për politikat e jashtme të papëlqyera të SHBA-së. Gjithashtu më trajtonin sikur feja ime ishte një fyerje ndaj kombeve në të cilat jetoja, sepse ishte e ndryshme nga feja e përkrahur nga shteti. Më vonë, në vende të ndryshme anembanë botës, kam pasur mundësinë t’i hedh një sy shëmtisë së paragjykimit dhe diskriminimit të përjetuar nga ata që janë vënë në shënjestër për shkak të racës ose etnisë së tyre.

Persekutimi bëhet në shumë forma: përqeshje, ngacmim, keqtrajtim, mospërfshirje dhe izolim, ose urrejtje ndaj një tjetri. Duhet të jemi vigjilentë ndaj fanatizmit që e ngre zërin e tij të shëmtuar ndaj atyre që kanë opinione të ndryshme. Fanatizmi e shfaq vetveten, pjesërisht, në mungesën e gatishmërisë për të lejuar liri të barabartë të shprehjes.28 Gjithë njerëzit, përfshirë njerëzit e fesë, kanë të drejtën për t’i shprehur mendimet e tyre haptazi. Por askujt nuk i lejohet që të jetë plot urrejtje ndaj të tjerëve teksa shprehen ato mendime.

Historia e Kishës jep prova të shumta të anëtarëve tanë që janë trajtuar me urrejtje e fanatizëm. Në mënyrë ironike sa e trishtueshme do të ishte nëse ne do t’i trajtonim të tjerët ashtu si na kanë trajtuar ne. Shpëtimtari na mësoi: “Gjithçka, pra, që ju dëshironi t’ju bëjnë njerëzit, ua bëni edhe ju atyre”29. Që të kërkojmë respekt, ne duhet të jemi plot respekt. Për më tepër, kthimi ynë i çiltër në besim sjell “bindje dhe përulësi në zemër”, që e ftojnë “Frymë[n e] Shenjtë [dhe na mbushin me] dashuri të pastër”30, një “dashuri vëllazërore pa hipokrizi”31 për të tjerët.

Bariu ynë i Mirë është i pandryshueshëm dhe ndihet sot rreth mëkatit dhe mëkatarëve në të njëjtën mënyrë siç u ndie kur eci në tokë. Ai nuk zmbrapset prej nesh ngaqë mëkatojmë, edhe nëse Atij me raste i duhet të mendojë: “Por çfarë deleje ishte ai!” Ai na do kaq shumë, sa na siguroi mënyrën që të pendohemi dhe bëhemi të pastër, që të mund të kthehemi tek Ai dhe Ati ynë Qiellor.32 Duke e bërë këtë, Jezu Krishti gjithashtu dha shembullin për ne që ta ndjekim – për të treguar respekt për të gjithë dhe urrejtje për askënd.

Si dishepujt e Tij, e pasqyrofshim tërësisht dashurinë e Tij dhe paçim dashuri për njëri-tjetrin kaq hapur e plotësisht saqë askush të mos ndihet i braktisur, i vetmuar apo i pashpresë. Unë dëshmoj se Jezu Krishti është Bariu ynë i Mirë, i cili na do dhe kujdeset për ne. Ai na njeh dhe e dha jetën e Tij për delet e Tij.33 Ai gjithashtu jeton për ne dhe dëshiron që ne ta njohim Atë dhe të ushtrojmë besim tek Ai. Unë e dua dhe e adhuroj Atë dhe jam thellësisht mirënjohës për Të, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lectures on Faith (1985), f. 38.

  2. Romani “Të Mjerët”, i Viktor Hygosë (1802–1885), tregon historinë e Zhan Valzhanit që bëri një krim të vogël duke vjedhur një çyrek buke për të ushqyer familjen e tij. I dënuar me një kohë burgimi prej 5 vitesh, Valzhani kaloi 19 vjet duke bërë punë të rëndë për shkak të katër përpjekjeve të dështuara për t’u arratisur. Ai doli nga burgu një burrë më i ashpër dhe më i hidhëruar.

    Për shkak se ishte dënuar si kriminel, Valzhani nuk ishte i aftë të gjente punësim, ushqim e vendbanim. I rraskapitur dhe i ligështuar, më së fundi ai gjeti vendbanim tek ipeshkvi i Dinjës, i cili i tregoi Valzhanit mirësi e dhembshuri. Gjatë natës, Valzhani u pushtua nga një ndjenjë dëshpërimi, vodhi kompletin e takëmeve prej argjendi të ipeshkvit dhe u largua.

    Valzhanin e kapën dhe e kthyen tek ipeshkvi. Në mënyrë të pashpjegueshme dhe në kundërshtim me atë që priste Valzhani, prifti i tha policit se ia kishte dhënë vetë Valzhanit takëmet e argjendta dhe nguli këmbë që Valzhani të merrte edhe dy shandanë të argjendtë. (Shih Hygo, Të Mjerët, libri 2, kapitujt 10–12, [1983], Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, përkthyer nga Misto Treska.)

  3. Shih Hygo, Të Mjerët, libri 1, kapitulli 10, [1983], Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, përkthyer nga Misto Treska.

  4. Tregimtari pyet: “Toutefois, la gale de la brebis doit-elle faire reculer le pasteur?” (Hygo, Të Mjerët, libri 1, kapitulli  10, [1983], Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, përkthyer nga Misto Treska.) Gale, në patologjinë veterinare i drejtohet çdonjërës prej një larmie të sëmundjeve të lëkurës, të shkaktuara nga morra parazitarë dhe të karakterizuara nga humbja e qimeve dhe shpërthime të kromës (“zgjebe” në shqip). Kjo frazë është përkthyer në mënyra të ndryshme në botime të ndryshme të romanit.

  5. Komenti redaktorial me humor i tregimtarit rreth konvensionarit është: Mais quelle brebis! Në disa raste është përkthyer si “Po çfarë deleje ishte ai”.

  6. Doktrina e Besëlidhje 1:31.

  7. Shih Gjoni 10:11, 14; Alma 5:38; Doktrina e Besëlidhje 50:44.

  8. Isaia 40:11.

  9. Ezekiel 34:16.

  10. Isaia 1:6.

  11. Shih Isaia 1:18.

  12. Shih Lluka 15:1–2.

  13. Shih Mateu 18:11.

  14. Shih Gjoni 8:3–11.

  15. Përkthimi prej Joseph Smith-it, Gjoni 8:11 (në Gjoni 8:11, shënimi c në fund të faqes).

  16. Shih D. Todd Kristoferson, “Qëndroni në Dashurinë Time”, Liahona, nëntor 2016, f. 48.

  17. Alma 11:34, 37.

  18. Shih Helamani 5:10–11.

  19. Shih 3 Nefi 27:14–15.

  20. Në kohët moderne, Shpëtimtari sqaroi: “Çfarë thyen një ligj dhe nuk përputhet me ligjin, por kërkon të bëhet ligj në vetvete dhe është i gatshëm të qëndrojë në mëkat e tërësisht qëndron në mëkat, nuk mund të shenjtërohet me anë të ligjit, as me anë të mëshirës, drejtësisë, as gjykimit. Si rrjedhim, ata duhet të vazhdojnë të mbeten të fëlliqur” (Doktrina e Besëlidhje 88:35).

  21. Shih 2 Nefi 2:26–27.

  22. Shih Doktrina e Besëlidhje 14:7; 132:19–20, 24, 55.

  23. Shih Romakëve 8:16–17; Doktrina e Besëlidhje 84:38.

  24. Shih Mateu 23:13.

  25. Lluka 18:9–14.

  26. Alma 4:4, 6, 8.

  27. Alma 1:21.

  28. Shih Oxford English Dictionary, “bigotry” [fanatizëm] dhe “intolerance” [mungesë tolerance], oed.com.

  29. Mateu 7:12.

  30. Moroni 8:26.

  31. 1 Pjetër 1:22.

  32. Shih Nenet e Besimit 1:13.

  33. Shih Gjoni 10:11–15.