2010–2019
Të Kthehemi dhe të Marrim
Prill 2017


Të Kthehemi dhe të Marrim

Të kthehemi në prani të Perëndisë dhe të marrim bekimet e përjetshme që vijnë nga bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve, janë synimet më të rëndësishme që mund të vendosim.

Vëllezër dhe motra të miat, është detyra ime tani që t’ju flas juve, dhe detyra juaj është që të dëgjoni. Synimi im është që ta mbaroj detyrën time përpara se ju ta mbaroni tuajën. Do të bëj më të mirën që mundem.

Përgjatë viteve, kam vërejtur se ata që arrijnë më shumë në këtë botë, janë ata që kanë një përfytyrim për jetën e tyre, me synime për t’i mbajtur të përqendruar në përfytyrimin e tyre dhe plane taktike për mënyrën se si t’i arrijnë ato. Ta dish se ku je duke shkuar dhe mënyrën se si pret të mbërrish atje mund t’i japë kuptim, qëllim dhe përmbushje jetës.

Disa kanë vështirësi që ta bëjnë dallimin midis një synimi dhe një plani, derisa mësojnë se një synim është një vendmbërritje apo një përfundim, ndërkohë që një plan është rruga me anë të së cilës ti mbërrin atje. Për shembull, ne mund të kemi një synim që të shkojmë me makinë në një vendndodhje të caktuar, të panjohur dhe, ashtu si disa nga ju motra të dashura e dini, ne burrat shpesh mendojmë se e dimë se si të mbërrijmë atje – që shpesh rezulton në thënien tonë: “E di, duhet të jetë diku këtu pranë”. Bashkëshortja ime duhet të jetë duke buzëqeshur. Synimi ishte i qartë, por nuk pati një plan të mirë me qëllim që të arrinim në vendmbërritje.

Të vendosësh synime, në thelb, do të thotë të fillosh duke pasur fundin në mendje. Dhe planifikim do të thotë të hartosh një mënyrë që të mbërrish në atë fund. Një çelës drejt lumturisë qëndron në të kuptuarin se cilat vendmbërritje kanë me të vërtetë rëndësi – dhe më pas ta shpenzojmë kohën, përpjekjen dhe vëmendjen tonë për gjërat që përbëjnë një udhë të sigurt për të mbërritur atje.

Perëndia, Ati ynë Qiellor, na ka dhënë shembullin e përkryer të vendosjes së synimeve dhe të planifikimit. Synimi i Tij është që të “bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”1 dhe mënyra e Tij për ta realizuar atë është plani i shpëtimit.

Plani i Atit tonë të dashur Qiellor përfshin që të na japë një vdekshmëri fizike që na rrit, na tendos, na mëson, nëpërmjet së cilës ne mund të bëhemi më shumë si Ai. Veshja e shpirtrave tanë të përjetshëm me trupa fizikë, të jetuarit sipas mësimeve dhe urdhërimeve të Birit të Tij, Zotit Jezu Krisht, dhe formimi i familjeve të përjetshme na lejon që, nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit, ta përmbushim synimin e Perëndisë për pavdekësi dhe jetë të përjetshme për fëmijët e Tij me Të në mbretërinë e Tij çelestiale.

Vendosja në mënyrë të mençur e synimeve përfshin të kuptuarin se synimet afatshkurtra janë të efektshme vetëm nëse ato na çojnë drejt synimeve më afatgjata të kuptuara qartë. Unë besoj se një çelës i rëndësishëm drejt lumturisë është që të mësojmë se si t’i vendosim synimet tona dhe të krijojmë vetë planet tona brenda kornizës së planit të përjetshëm të Atit tonë Qiellor. Nëse përqendrohemi te kjo udhë e përjetshme, ne do të kualifikohemi në mënyrë të pashmangshme për t’u kthyer në prani të Tij.

Është gjë e mirë të kemi synime dhe plane për karrierën tonë, për shkollimin tonë, madje edhe për lojën tonë të golfit. Është gjithashtu e rëndësishme të kemi synime për martesat tona, familjet tona dhe këshillat e thirrjet tona në Kishë; kjo është veçanërisht e vërtetë për misionarët. Por synimet tona më të mëdha dhe me më shumë përparësi duhet të përshtaten me planin e përjetshëm të Atit Qiellor. Jezusi tha: “Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen”2.

Specialistët për vendosjen e synimeve na thonë se, sa më i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë të jetë një synim, aq më shumë fuqi do të ketë ai. Kur ne mund ta thjeshtojmë një synim në një imazh të qartë apo në një ose dy fjalë të fuqishme dhe simbolike, ai synim mund të bëhet më pas pjesë e jona dhe të udhëheqë praktikisht çdo gjë që ne e mendojmë dhe bëjmë. Besoj se ka dy fjalë që, në këtë kontekst, simbolizojnë synimet e Perëndisë për ne dhe synimet tona më të rëndësishme për veten tonë. Fjalët janë të kthehemi dhe të marrim.

kthehemi në prani të Tij dhe të marrim bekimet e përjetshme që vijnë nga bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve, janë synimet më të rëndësishme që mund të vendosim.

Ne kthehemi dhe marrim duke pasur “besim të patundur në [Zotin Jezu Krisht], duke u mbështetur tërësisht në” meritat e Tij, duke shkuar “përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për të gjithë njerëzit … , duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit dhe [duke] dur[uar] deri në fund”3.

Luciferi nuk e pranoi planin e Atit tonë që na lejonte të ktheheshim në prani të Tij dhe të merrnim bekimet e Tij. Në fakt, Luciferi ngriti krye dhe u orvat që ta ndryshonte plotësisht planin e Atit tonë, duke dashur që ta merrte vetë lavdinë, nderin dhe fuqinë e Perëndisë. Si rrjedhojë, ai me puthadorët e tij u dëbuan nga prania e Perëndisë dhe [ai] “u bë Satani, po, madje djalli, ati i gjithë gënjeshtrave, për të mashtruar e verbuar njerëzit dhe për t’i çuar ata në robërinë e vullnetit të tij, madje të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin zërit [të Zotit]”4.

Për shkak të zgjedhjeve të tij paratokësore, Satani as nuk mund të kthehet e as nuk mund të marrë. E vetmja gjë që i ka mbetur, është ta kundërshtojë planin e Atit duke përdorur çdo joshje dhe tundim të mundshëm për të na mposhtur dhe për të na bërë të mjeruar siç është vetë ai.5 Plani i Satanit për të realizuar synimin e tij djallëzor gjen zbatim për çdo individ, brez, kulturë dhe shoqëri. Ai përdor zëra të lartë – zëra që përpiqen ta mbytin zërin e ulët dhe të qetë të Shpirtit të Shenjtë, i cili mund të na tregojë “të gjitha gjërat” që duhet të bëjmë për t’u kthyer e për të marrë6.

Këto zëra u përkasin atyre që e shpërfillin të vërtetën e ungjillit dhe e përdorin internetin, median shoqërore dhe të shtypur, radion, televizionin e filmat për t’i paraqitur në një mënyrë joshëse pamoralshmërinë, dhunën, gjuhën e pahijshme, ndyrësinë dhe fëlliqësinë, në një mënyrë që na shpërqendron nga synimet tona dhe planet që kemi për përjetësinë.

Këto zëra mund të përfshijnë edhe individë që kanë qëllime të mira, të cilët janë verbuar nga filozofitë laike të burrave e grave dhe që kërkojnë ta shkatërrojnë besimin e ta devijojnë përqendrimin e përjetshëm të atyre që janë thjesht duke u përpjekur të kthehen në praninë e Perëndisë e të marrin “gjithçka që Ati [ynë] ka”7.

Kam zbuluar se, që të qëndroj i përqendruar në kthimin dhe marrjen e bekimeve të premtuara, unë duhet të gjej kohë rregullisht që ta pyes veten time: “Si po ia kalon?”

Është si të kesh një intervistë personale, vetjake me veten tënde. Dhe nëse kjo tingëllon e pazakontë, mendoni këtë: Kush në këtë botë ju njeh më mirë sesa e njihni ju veten tuaj? Ju i dini mendimet tuaja, veprimet tuaja vetjake, dëshirat tuaja, dhe ëndrrat, synimet e planet tuaja. Dhe ju e dini më mirë se çdokush tjetër mënyrën se si po përparoni gjatë rrugës së kthimit dhe të marrjes.

Si një udhërrëfyes për mua gjatë kësaj interviste vetjake, personale, më pëlqen të lexoj e të përsiat mbi fjalët vetëshqyrtuese që gjenden te kapitulli i pestë i Almës, ku Alma pyet: “A keni lindur shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë? A keni marrë shëmbëlltyrën e tij në pamjen tuaj? A e keni provuar këtë ndryshim të madh në zemrat tuaja?”8 Pyetjet e Almës janë një kujtues i asaj që duhet të përfshijnë synimet dhe planet tona me qëllim që të kthehemi e të marrim.

Mbajeni mend ftesën e Shpëtimtarit: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”9

Ndërsa e shtojmë besimin tonë në fuqinë e Zotit Jezu Krisht për t’u dhënë prehje shpirtrave tanë duke na i falur mëkatet, duke shëlbuar marrëdhënie të papërsosura, duke na shëruar plagë shpirtërore që i zënë frymën rritjes, dhe duke na forcuar e mundësuar që të zhvillojmë cilësitë e Krishtit, ne do ta vlerësojmë më thellësisht gjerësinë e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht.10

Gjatë javëve të ardhshme, gjeni kohë t’i rishikoni synimet e jetës suaj e planet tuaja dhe sigurohuni që ato të përputhen me planin madhështor të Atit tonë Qiellor për lumturinë tonë. Nëse keni nevojë të pendoheni e të ndryshoni, atëherë merreni parasysh ta bëni këtë gjë tani. Gjeni kohë të mendoni plot lutje se çfarë përshtatjesh duhen bërë, për t’ju ndihmuar që ta mbani “syrin drejtuar vetëm te lavdia e Perëndisë”11.

Ne duhet ta mbajmë doktrinën dhe ungjillin e Jezu Krishtit në qendër të synimeve dhe planeve tona. Pa Të, asnjë synim i përjetshëm nuk është i mundur dhe planet tona për t’i arritur synimet tona të përjetshme me siguri do të dështojnë.

Pamja
Dokumenti “Krishti i Gjallë”

Një ndihmë shtesë është “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”12, e cila iu paraqit Kishës më 1 janar 2000. Vëreni një kopje atje ku mund ta shihni dhe gjeni kohë ta rishikoni secilën prej thënieve që gjenden në këtë dëshmi të frymëzuar për Krishtin nga dëshmitarët e Tij të veçantë që e firmosën atë.

Pamja
“Krishti i Gjallë” dhe proklamata e familjes

Do t’ju nxitja ta studioni atë së bashku me dokumentin “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”. Ne flasim shpesh rreth proklamatës së familjes por, ju lutem, mbajeni mend ta lexoni atë në dritën e fuqisë shpëtuese të Krishtit të gjallë. Pa Krishtin e gjallë, pritshmëritë tona më të mëdha do të jenë të papërmbushura. Ashtu siç thotë proklamata e familjes: “Plani hyjnor i lumturisë bën të mundur që marrëdhëniet familjare të vazhdojnë përtej varrit. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që janë në dispozicion në tempujt e shenjtë, bëjnë të mundur që individët të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që familjet të bashkohen përjetësisht.”13

Kjo mund të ndodhë vetëm sepse Krishti i gjallë është Shpëtimtari shlyes dhe Shëlbuesi i botës.

Në këtë pikëpamje, ju mund të merrni gjithashtu parasysh që të kërkoni në shkrimet e shenjta, për ta zgjeruar kuptueshmërinë tuaj mbi të vërteta të veçanta që gjenden te dokumenti “Krishti i Gjallë”.

Ta lexosh plot lutje dokumentin “Krishti i Gjallë” është si të lexosh dëshmitë e Mateut, Markut, Llukës, Gjonit dhe të profetëve të Librit të Mormonit. Kjo do ta shtojë besimin tuaj te Shpëtimtari dhe do t’ju ndihmojë të qëndroni të përqendruar tek Ai, ndërkohë që ndiqni planet tuaja për të arritur synimet tuaj të përjetshme.

Pavarësisht gabimeve, mangësive, largimeve nga udha dhe mëkateve tona, Shlyerja e Jezu Krishtit na lejon të pendohemi, duke qenë të përgatitur që të kthehemi e të marrim bekimet e pashoqe që ka premtuar Perëndia – të jetojmë përgjithmonë me Atin dhe Birin në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale14.

Tani, siç të gjithë ju e dini, askush nuk do t’i shpëtojë vdekjes; prandaj, synimi dhe plani ynë afatgjatë duhet të jetë që, kur të kthehemi tek Ati ynë Qiellor, ne do të marrim gjithçka që Ai ka planifikuar për secilin prej nesh.15

Dëshmoj se nuk ka synim më të madh në vdekshmëri sesa të jetojmë përjetësisht me Prindërit tanë Qiellorë dhe Shpëtimtarin tonë të dashur, Zotin Jezu Krisht. Por ky është më shumë sesa thjesht synimi ynë – është synimi i Tyre gjithashtu. Ata kanë një dashuri të përsosur për ne, më të fuqishme madje sesa ne mund të fillojmë ta kuptojmë. Ata janë tërësisht, plotësisht, përjetësisht në përputhje me ne. Ne jemi vepra e Tyre. Lavdia jonë është lavdia e Tyre. Më shumë se çdo gjë tjetër, Ata duan që ne të shkojmë në shtëpi – të kthehemi e të  marrim lumturi të përjetshme në prani të Tyre.

Vëllezër dhe motra të mia të dashura, pas një jave, ne do të festojmë të dielën e Palmave – duke përkujtuar hyrjen ngadhënjimtare të Krishtit në Jerusalem. Pas dy javësh do të festojmë të dielën e Pashkës – duke përkujtuar ngadhënjimin e Shpëtimtarit mbi vdekjen.

Ndërsa e përqendrojmë vëmendjen tonë te Shpëtimtari gjatë këtyre dy të dielave të veçanta, le ta kujtojmë Atë dhe le ta përtërijmë zotimin tonë të përjetshëm për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Le të shohim thellë në vetë jetën tonë, duke i vendosur vetë synimet tona dhe duke i përqendruar planet tona që të përputhen me planin e Perëndisë, në një mënyrë që do të na çojë përfundimisht drejt privilegjit tonë të çmuar që të kthehemi e të marrim – që është lutja ime e përulur në emrin e Jezu Krishtit, amen.