2010–2019
Kreu-Perëndi dhe Plani i Shpëtimit
Prill 2017


Kreu-Perëndi dhe Plani i Shpëtimit

Për shkak se e kemi të vërtetën rreth Kreut-Perëndi dhe marrëdhënies sonë me Ta, ne kemi hartën më të mirë rrugore për rrugëtimin tonë nëpër vdekshmëri.

I.

Neni ynë i parë i besimit shpall: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë”. Ne u bashkohemi të krishterëve të tjerë në këtë bindje në një Atë dhe një Bir, dhe te një Frymë e Shenjtë, por ajo që ne besojmë rreth Tyre, është e ndryshme nga bindjet e të tjerëve. Ne nuk besojmë në atë që bota e krishterë e quan “doktrina e Trinitetit të Shenjtë”. Në Vegimin e tij të Parë, Jozef Smithi pa dy persona të ndryshëm, dy qenie, duke e qartësuar kështu që bindjet mbizotëruese të asaj kohe lidhur me Perëndinë dhe Kreun-Perëndi, nuk ishin të vërteta.

Në kundërshtim me bindjen se Perëndia është një mister i pakuptueshëm dhe i panjohshëm, është e vërteta se natyra e Perëndisë dhe marrëdhënia jonë me Të është e njohshme dhe është çelësi i gjithçkaje tjetër në doktrinën tonë. Bibla shënon Lutjen madhështore Ndërmjetësuese të Jezusit, ku ai shpalli se “kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).

Pamja
Bibla e Shenjtë

Përpjekja për ta njohur Perëndinë dhe veprën e Tij filloi përpara vdekshmërisë dhe nuk do të mbarojë këtu. Profeti Jozef Smith dha mësim: “Do të kalojë shumë kohë pasi të keni kaluar përtej velit [të keni vdekur] para se t’i mësoni [të gjitha parimet e ekzaltimit]”1. Ne ndërtojmë mbi njohurinë që fituam në botën e shpirtrave para lindjes. Kështu, duke u përpjekur që t’u mësonte izraelitëve natyrën e Perëndisë dhe marrëdhënien e Tij me fëmijët e Tij, profeti Isaia shpalli, siç shënohet në Bibël:

“Kujt dëshironi t’i përngjajë Perëndia dhe çfarë figure do t’i vinit përballë? …

Por nuk e dini, nuk e keni dëgjuar? A nuk ju është njoftuar që në fillim? Nuk e keni kuptuar nga themelet e tokës?” (Isaia 40:18, 21.)

Ne e dimë se të tre anëtarët e Kreut-Perëndi janë qenie të ndara e të ndryshme. Ne e dimë këtë nga udhëzimi që u dha përmes Profetit Jozef Smith: “Ati ka një trup prej mishi e kockash, po aq të prekshëm sa edhe të një njeriu; Biri gjithashtu; por Fryma e Shenjtë nuk ka një trup prej mishi e kockash, por është një personazh i Shpirtit. Po të mos ishte kështu, Fryma e Shenjtë nuk mund të banonte në ne” (DeB 130:22).

Për sa i përket pozitës supreme të Perëndisë, Atit, brenda Kreut-Perëndi, si dhe roleve përkatëse që kryen secili, Profeti Jozef shpjegoi:

Pamja
Profeti Jozef Smith

“Cilido person që ka parë qiejt të hapen e di se ka tre personazhe në qiej që mbajnë çelësat e fuqisë dhe një kryeson mbi të gjithë. …

… Këta personazhe … quhen Perëndia i pari, Krijuesi; Perëndia i dytë, Shëlbuesi; dhe Perëndia i tretë, Dëshmitari ose Dëshmuesi.

[Është] kompetenca e Atit të kryesojë si Kryetari ose Presidenti, Jezusi si Ndërmjetësuesi, dhe Fryma e Shenjtë si Dëshmuesi ose Dëshmitari.”2

II. Plani

Ne e kuptojmë marrëdhënien tonë me anëtarët e Kreut-Perëndi nga ajo që është zbuluar rreth planit të shpëtimit.

Pyetjet si: “Nga erdhëm?” “Pse jemi këtu?” dhe “Ku po shkojmë?” marrin përgjigje në atë që shkrimet e shenjta e quajnë “plani … i shpëtimit”, “plani [i] madh [i] lumturisë” ose “plani [i] shëlbimit” (Alma 42:5, 8, 11). Ungjilli i Jezu Krishtit është në qendër të planit.

Si fëmijë shpirtërorë të Perëndisë, në një ekzistencë përpara vdekshmërisë, ne e dëshiruam fatin tonë të jetës së përjetshme, por kishim përparuar aq sa mundeshim pa një përvojë në vdekshmëri me një trup fizik. Për ta siguruar atë mundësi, Ati ynë Qiellor kryesoi mbi Krijimin e kësaj bote, ku, me kujtesë të fshirë për ato që i paraprinë lindjes sonë në vdekshmëri, ne mund ta vërtetonim gatishmërinë tonë për t’i zbatuar urdhërimet e Tij dhe të përjetonim e të rriteshin nëpërmjet sfidave të tjera të jetës në vdekshmëri. Por në rrjedhën e asaj përvoje në vdekshmëri dhe si pasojë e Rënies së prindërve tanë të parë, ne do të vuanim vdekje shpirtërore duke u shkëputur nga prania e Perëndisë, duke u ndotur nga mëkati dhe duke iu nënshtruar vdekjes fizike. Plani i Atit parashikoi dhe siguroi mënyra për t’i kapërcyer të gjitha ato pengesa.

III. Kreu-Perëndi

Duke e ditur qëllimin e planit madhështor të Perëndisë, ne tani i marrim në shqyrtim rolet përkatëse të të tre anëtarëve të Kreut-Perëndi në atë plan.

E fillojmë me një mësim nga Bibla. Në mbyllje të letrës së tij të dytë drejtuar korintasve, Apostulli Pal bën këtë përmendje thuajse rastësore të Kreut-Perëndi për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë: “Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia [ose “shoqërimi”3] e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë” (2 Korintasve 13:13).

Ky shkrim i shenjtë biblik përfaqëson Kreun-Perëndi dhe përmend dashurinë gjithëpërshkuese dhe shtysëdhënëse të Perëndisë, Atit, misionin mëshirëplotë dhe shpëtues të Jezu Krishtit dhe shoqërimin e Frymës së Shenjtë.

Perëndia, Ati

Gjithçka fillon me Perëndinë, Atin. Ndërkohë që dimë relativisht pak për Të, ajo që dimë, është vendimtare për ta kuptuar pozitën e Tij supreme, marrëdhënien tonë me Të dhe rolin e Tij mbikëqyrës në planin e shpëtimit, Krijimin dhe gjithçka tjetër që pasoi.

Sikurse shkroi Plaku Brus R.Mek-Konki pikërisht përpara vdekjes së tij: “Në kuptim më themelor dhe përfundimtar të fjalës, ka vetëm një Perëndi të vërtetë e të gjallë. Ai është Ati, Elohimi i Plotfuqishëm, Qenia Supreme, Krijuesi dhe Sunduesi i Universit.”4 Ai është Perëndia dhe Ati i Jezu Krishtit, si edhe i të gjithëve ne. Presidenti Dejvid O. Mek-Kei dha mësim se “e vërteta e parë themelore e mbrojtur nga Jezu Krishti ishte kjo: që prapa, përtej dhe mbi gjithçka është Perëndia, Ati, Zot i qiellit dhe i tokës”5.

Ajo që dimë për natyrën e Perëndisë, Atit, është më së shumti ajo që mund të mësojmë nga shërbesa dhe mësimet e Birit të Tij të Vetëmlindur, Jezu Krishtit. Siç ka dhënë mësim Plaku Xhefri R. Holland, një nga qëllimet madhore të shërbesës së Jezusit ishte që t’u zbulonte të vdekshmëve “si është Perëndia, Ati ynë i Amshuar… të na zbulonte dhe të na e bënte personale natyrën e vërtetë të Atit të Tij, të Atit tonë në Qiell”6. Bibla përmban një dëshmi apostullore që Jezusi ishte “vula e qenies” së vetë Atit të Tij (Hebrenjve 1:3), që shtjellon thjesht mësimin e vetë Jezusit se “kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9).

Perëndia, Ati, është Ati i shpirtrave tanë. Ne jemi fëmijët e Tij. Ai na do dhe gjithçka që bën, është për dobinë tonë të përjetshme. Ai është autori i planit të shpëtimit dhe është me anë të fuqisë së Tij që plani i arrin qëllimet e veta për lavdinë përfundimtare të fëmijëve të Tij.

Biri

Për të vdekshmit, anëtari më i dukshëm i Kreut-Perëndi është Jezu Krishti. Një pohim madhështor doktrinor nga Presidenca e Parë në vitin 1909 shpall se Ai është “i parëlindur mes të gjithë bijve të Perëndisë – i parëlinduri në shpirt dhe i vetëmlinduri në mish”7. Biri, më i madhi i të gjithëve, u zgjodh nga Ati që të përmbushte planin e Atit – të ushtronte fuqinë e Atit për të krijuar botë pa numër (shih Moisiu 1:33) dhe për t’i shpëtuar fëmijët e Perëndisë nga vdekja me anë të Ringjalljes së Tij dhe nga mëkati me anë të Shlyerjes së Tij. Kjo sakrificë hyjnore quhet me të vërtetë “vepra qendrore e gjithë historisë njerëzore”8.

Pamja
Zoti Jezu Krisht

Në ato raste të pashembullta e të shenjta kur Perëndia, Ati, e paraqiti vetë Birin, Ai ka thënë: “Ky është Biri im i dashur, dëgjojeni” (Marku 9:7; Lluka 9:35; shih edhe 3 Nefi 11:7; Joseph Smith—Historia 1:17). Pra, është Jezu Krishti, Jehova, Zoti, Perëndi i Izraelit, që u flet profetëve dhe flet nëpërmjet tyre.9 Ja pse kur Jezusi iu shfaq nefitëve pas Ringjalljes së Tij, e paraqiti Veten si “Perëndia i tërë tokës” (3 Nefi 11:14). Ja pse Jezusi u flet shpesh profetëve të Librit të Mormonit dhe shenjtorëve të ditëve të mëvonshme si “Ati dhe Biri”, një titull i shpjeguar në shtjellimin e frymëzuar doktrinor nga Presidenca e Parë vetëm 100 vjet më parë.10

Fryma e Shenjtë

Anëtari i tretë i Kreut-Perëndi është Fryma e Shenjtë, të cilin e përmendim edhe si Shpirti i Shenjtë, Shpirti i Zotit dhe Ngushëlluesi. Ai është anëtari i Kreut-Perëndi, i cili është mjeti i zbulesës vetjake. Si personazh i shpirtit (shih DeB 130:22), Ai mund të banojë në ne dhe të kryejë rolin thelbësor të komunikuesit midis Atit e Birit dhe fëmijëve të Perëndisë në tokë. Shumë shkrime të shenjta na mësojnë se misioni i Tij është të dëshmojë për Atin dhe Birin (shih Gjoni 15:26; 3 Nefi 28:11; DeB 42:17). Shpëtimtari premtoi se Ngushëlluesi do të na mësonte çdo gjë, do të na i kujtonte të gjitha gjërat dhe do të na printe në çdo të vërtetë (shih Gjoni 14:26; 16:13). Pra, Fryma e Shenjtë na ndihmon të bëjmë dallimin midis së vërtetës dhe së rremes, na udhërrëfen në vendimet tona madhore dhe na ndihmon gjatë sfidave të vdekshmërisë.11 Ai është edhe mjeti me anë të të cilit ne shenjtërohemi, që do të thotë, pastrohemi dhe bëhemi të panjollë nga mëkati (shih 2 Nefi 31:17; 3 Nefi 27:20; Moroni 6:4).

IV.

Pra, si na ndihmon të kuptuarit e kësaj doktrine të zbuluar hyjnisht rreth Kreut-Perëndi dhe planit të shpëtimit për sfidat tona sot?

Për shkak se e kemi të vërtetën rreth Kreut-Perëndi dhe marrëdhënies sonë me Ta, qëllimit të jetës dhe natyrës së fatit tonë të përjetshëm, ne kemi hartën më të mirë rrugore dhe siguri për rrugëtimin tonë nëpër vdekshmëri. Ne e dimë kë adhurojmë dhe pse e adhurojmë. E dimë cilët jemi dhe cilët mund të bëhemi (shih DeB 93:19). E dimë se kush e bën të mundur gjithçka dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë për t’i gëzuar bekimet më të mëdha që vijnë nëpërmjet planit të Perëndisë për shpëtimin. Nga i dimë të gjitha këto? Ne i dimë nga zbulesat e Perëndisë dhënë profetëve të Tij dhe secilit prej nesh më vete.

Marrja e asaj që Apostulli Pal e përshkroi si “masën e shtatit të plotësisë së Krishtit” (Efesianëve 4:13) kërkon shumë më tepër se marrje të njohurisë. Madje nuk mjafton që të jemi të bindur për ungjillin; ne duhet të veprojmë e të mendojmë në mënyrë që të kthehemi në besim me anë të tij. Në kundërshtim me institucionet e botës, të cilat na mësojnë të dimë diçka, plani i shpëtimit dhe ungjilli i Jezu Krishtit na sfidojnë që të bëhemi diçka.

Pamja
Presidenti TomasS. Monson

Ashtu sikurse na mësoi Presidenti Tomas S. Monson në konferencën tonë të përgjithshme të fundit:

“Thelbësor për planin [e shpëtimit] është Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti. Pa flijimin e Tij shlyes, të gjithë do të humbnin. Sidoqoftë, nuk është e mjaftueshme që thjesht të besojmë në Të dhe në misionin e Tij. Duhet të punojmë e të mësojmë, të kërkojmë e të lutemi, të pendohemi e të përmirësohemi. Kemi nevojë që t’i njohim ligjet e Perëndisë dhe të jetojmë sipas tyre. Kemi nevojë që t’i marrim ordinancat e Tij shpëtuese. Vetëm duke e bërë këtë, ne do të marrim lumturinë e vërtetë, të përjetshme. …

Nga thellësia e shpirtit tim dhe me gjithë përulësi”, shpalli Presidenti Monson, “unë dëshmoj për dhuratën e madhërishme që është plani i Atit tonë për ne. Është i vetmi shteg i përsosur drejt paqes dhe lumturisë, si këtu dhe në botën që do të vijë.”12

Ia bashkëngjit dëshminë time asaj të Profetit e Presidentit tonë të dashur. Dëshmoj se kemi një Atë Qiellor që na do. Dëshmoj se kemi një Frymë të Shenjtë që na udhërrëfen. Dhe dëshmoj për Jezu Krishtin, Shpëtimtarin tonë, që i bën të gjitha të mundura, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 284.

  2. Mësimet: Jozef Smith, f. 44.

  3. Ky ishte një kuptim i zakonshëm i fjalës bashkësi kur ajo fjalë u zgjodh nga përkthyesit e Mbretit Xhejms (shih The Oxford Universal Dictionary, bot. i 3-të, redaktuar 1955, f. 352).

  4. Bruce R. McConkie, A New Witness for the Articles of Faith (1985), f. 51.

  5. David O. McKay, në Conference Report, tetor 1935, f. 100.

  6. Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 70.

  7. First Presidency, “The Origin of Man”, Ensign, shkurt 2002, f. 26, 29.

  8. Shih, për shembull Russell M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40; “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”,Liahona, prill 2000, f. 2.

  9. Shih Joseph Fielding Smith, Doctrines of Salvation, përmb. Bruce R. McConkie (1954), 1:27.

  10. Shih First Presidency and Quorum of the Twelve Apostles, “The Father and the Son”, Ensign, prill 2002, f. 13–18.

  11. Shih Robert D. Hejls, “Fryma e Shenjtë”, Liahona, maj 2016, f. 105–107.

  12. Tomas S. Monson, “Shtegu i Përsosur drejt Lumturisë”, Liahona, nëntor 2016, f. 80–81.