2010–2019
Më i Madhi prej Jush
Prill 2017


Më i Madhi prej Jush

Shpërblimi më i madh prej Perëndisë u shkon atyre që shërbejnë pa pritur shpërblim.

Vëllezërit e mi të dashur, miq të dashur, sa mirënjohës jam që jam me ju në këtë mbledhje frymëzuese mbarëbotërore të priftërisë. Presidenti Monson, të falenderojmë për mesazhin dhe bekimin tënd. Ne do t’i marrim gjithnjë seriozisht fjalët e tua drejtuese, këshilluese e të urta. Ne të duam e të mbështetim dhe lutemi gjithnjë për ty. Ti je me të vërtetë profeti i Zotit. Ti je Presidenti ynë. Ne të mbështetim, ne të duam.

Pothuajse dy dekada më parë, Tempulli i Madridit në Spanjë u përkushtua dhe e filloi shërbimin e tij si një shtëpi e shenjtë e Zotit. Unë dhe Herieta e mbajmë mend mirë, sepse po shërbeja në Presidencën e Zonës së Europës në atë kohë. Së bashku me shumë të tjerë, kaluam orë të tëra duke u kujdesur për hollësitë e planifikimit dhe organizimit të ngjarjeve që do të ndodhnin deri në përkushtim.

Teksa afrohej data e përkushtimit, vura re se nuk kisha marrë ende një ftesë për të marrë pjesë. Kjo ishte paksa e papritur. Në fund të fundit, në përgjegjësinë time si President i Zonës, isha përfshirë tej mase në këtë projekt për tempullin dhe ndieja një lloj zotërimi të vogël ndaj tij.

E pyeta Herietën a kishte parë ndonjë ftesë. S’kishte parë gjë.

Ditët kalonin dhe ankthi im shtohej. Vrisja mendjen se mos kishte humbur ftesa jonë – ndoshta qe futur mes jastëkëve të divanit tonë. Ndoshta që përzier me postën ku vijnë reklamat dhe e kishim hedhur tutje. Fqinjët kishin një maçok gërmues dhe fillova ta shihja edhe atë me dyshim.

Më së fundi u detyrova ta pranoja faktin: Nuk më kishin ftuar.

Por si ishte e mundur kjo? Kisha bërë ndonjë gjë fyese? A hamendësoi dikush thjesht që ishte shumë larg për ne si udhëtim? Më kishin harruar?

Përfundimisht, e kuptova se ky lloj të menduari të çonte diku ku nuk dëshiroja të zija vend.

Herieta dhe unë i kujtuam vetes se përkushtimi i tempullit nuk kishte të bënte me ne. Nuk kishte të bënte me faktin se kush meritonte të ftohej ose jo. Dhe nuk kishte të bënte me ndjenjat tona apo ndjesinë tonë se na takonte të ishim.

Kishte të bënte me përkushtimin e një ndërtese të shenjtë, një tempulli për Më të Lartin Perëndi. Ishte një ditë ngazëllimi për anëtarët e Kishës në Spanjë.

Po të më kishin ftuar të merrja pjesë, do ta kisha bërë me kënaqësi. Por, nëse nuk do të na ftonin, gëzimi im nuk do të ishte më pak i thellë. Herieta dhe unë do të gëzoheshim me miqtë tanë, vëllezërit dhe motrat tona të dashura, për së largu. Ne do ta përlëvdonim Perëndinë për këtë bekim të mrekullueshëm me po aq entuziazëm nga shtëpia jonë në Frankfurt, sa do ta bënim nga Madridi.

Bij të Bubullimës

Midis Të Dymbëdhjetëve që Jezusi thirri dhe shuguroi, ishin dy vëllezër, Jakobi dhe Gjoni. A ua mbani mend nofkat që Ai u vuri atyre?

Bij të Bubullimës (Boanerges). 1

Nuk të vihet një nofkë e tillë pa një sfond intrigues. Për fat të keq, shkrimet e shenjta nuk japin shumë shpjegime rreth origjinës së nofkës. Megjithatë, ne krijojmë njëfarë ideje rreth karakterit të Jakobit dhe Gjonit. Këta qenë po ata dy vëllezër që sugjeruan zbritjen e zjarrit nga qielli mbi një fshat në Samari ngaqë nuk u pranuan në qytezë. 2

Jakobi dhe Gjoni ishin peshkatarë – ndoshta pak të ashpër në dukje – por ma merr mendja se dinin shumë rreth elementeve të natyrës. Sigurisht, ata ishin burra të veprave.

Në një rast, teksa Shpëtimtari përgatitej për të bërë udhëtimin e Tij të fundit drejt Jerusalemit, Jakobi dhe Gjoni iu afruan Atij me një kërkesë të veçantë – një kërkesë të denjë ndoshta për nofkën e tyre.

“Ne dëshirojmë që ti të bësh për ne atë që do të të kërkojmë”, thanë ata.

Mund ta përfytyroj Jezusin duke u buzëqeshur atyre teksa u përgjigj: “Çfarë doni të bëj për ju?”

“Na lejo që të ulemi njëri në të djathtën tënde dhe tjetri në të majtën tënde në lavdinë tënde.”

Shpëtimtari tani i sfidoi ata të mendonin pak më thellë rreth asaj që po kërkonin, dhe tha: “Nuk më takon mua të vë dikë të ulet në të djathtën time ose në të majtën time, por është për ata për të cilët është përgatitur” 3 .

Me fjalë të tjera, nuk mund të marrësh nder në mbretërinë e qiellit duke bërë fushatë për këtë. As nuk mund të të hapet me “miq të fuqishëm” udha drejt lavdisë së përjetshme.

Kur dhjetë Apostujt e tjerë dëgjuan për këtë kërkesë nga Bijtë e Bubullimës, nuk qenë fare të lumtur. Jezusi e dinte se kohës së Tij në vdekshmëri po i vinte fundi dhe, të shihte grindje mes atyre që do ta vazhdonin punën e Tij, duhet ta ketë shqetësuar.

Ai u foli Të Dymbëdhjetëve rreth natyrës së pushtetit dhe rreth mënyrës se si i prek ai ata që e kërkojnë dhe e mbajnë atë. “Njerëzit me ndikim në botë”, tha Ai, “e përdorin pozitën e tyre të autoritetit për të ushtruar pushtet mbi të tjerët.”

Mundem thuajse ta shikoj Shpëtimtarin, duke i parë me dashuri të pafundme fytyrat e atyre dishepujve besnikë e besues. Mundem thuajse ta dëgjoj zërin e Tij lutës: “Kjo s’duhet të ndodhë midis jush; madje ai nga ju që do të dojë të bëhet i madh, do të jetë shërbëtori juaj; dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve” 4 .

Në mbretërinë e Perëndisë, madhështi dhe udhëheqje do të thotë t’i shohim të tjerët siç janë në të vërtetë – siç i sheh Perëndia – dhe më pas t’iu afrohemi e t’u japim shërbesë atyre. Do të thotë të gëzohemi me ata që janë të lumtur, të vajtojmë me ata që hidhërohen, të ngremë moralisht ata që vuajnë dhe ta duam të afërmin tonë sikurse na do Krishti. Shpëtimtari i do të gjithë fëmijët e Perëndisë pavarësisht nga rrethana e tyre shoqëroro-ekonomike, raca, gjuha, orientimi politik apo kombësia. Dhe kështu duhet të bëjmë ne!

Shpërblimi më i madh prej Perëndisë u shkon atyre që shërbejnë pa pritur shpërblim. U shkon atyre që shërbejnë pa bujë; atyre që ecin pa zhurmë duke kërkuar mënyra për t’i ndihmuar të tjerët; atyre që u japin shërbesë të tjerëve thjesht ngaqë e duan Perëndinë dhe fëmijët e Perëndisë. 5

Mos t’Ju Rritet Mendja

Pak pas thirrjes sime si një Autoritet i Përgjithshëm i ri, pata privilegjin ta shoqëroja Presidentin Xhejms E. Faust për riorganizimin e një kunji. Teksa i jepja makinës drejt detyrës sonë në Jutën e bukur Jugore, Presidenti Faust ishte aq dashamirës sa e përdori kohën për të më udhëzuar e mësuar. Një mësim që nuk do ta harroj kurrë. Ai tha: “Anëtarët e Kishës janë të dashur me Autoritetet e Përgjithshme. Ata do të të trajtojnë me dashamirësi dhe do të thonë gjëra të këndshme për ty.” Pastaj ndaloi për pak dhe tha: “Diter, ji gjithnjë falënderues për këtë, por mos të të rritet mendja”.

Ky mësim i rëndësishëm rreth shërbimit në Kishë gjen zbatim për çdo mbajtës të priftërisë në çdo kuorum të Kishës. Gjen zbatim për ne të gjithë në këtë Kishë.

Kur Presidenti J. Ruben Klark i këshillonte ata që thirreshin në pozicione autoriteti në Kishë, ai u thoshte të mos e harronin rregullën numër gjashtë.

Në mënyrë të pashmangshme, personi pyeste: “Cila është rregulla numër gjashtë?”

“Mos e merr veten kaq seriozisht”, thoshte ai.

Patjetër, kjo çonte në një pyetje vijuese: “Cilat janë pesë rregullat e tjera?”

Me sytë që i shkëlqenin, Presidenti Klark thoshte: “Nuk ka të tjera” 6 .

Për të qenë udhëheqës të efektshëm të Kishës, ne duhet të nxjerrim këtë mësim vendimtar: udhëheqja në Kishë nuk ka të bëjë dhe aq me drejtimin e të tjerëve, sesa ka të bëjë me gatishmërinë tonë për t’u drejtuar nga Perëndia.

Thirrjet si Mundësi për Shërbim

Si Shenjtorë të Më të Lartit Perëndi, ne duhet t’i “kujto[jmë] në gjithçka të varfërit dhe nevojtarët, të sëmurët dhe të brengosurit, sepse ai që nuk i bën këto gjëra, po ai nuk është dishepulli im” 7 . Mundësitë për të ecur duke bërë mirë dhe për t’u shërbyer të tjerëve, janë të pakufizuara. Ne mund t’i gjejmë ato në komunitetet tona, në lagjet dhe degët tona dhe sigurisht në shtëpitë tona.

Përveç këtyre, çdo anëtari të Kishës i jepen mundësi të posaçme zyrtare për të shërbyer. Ne iu drejtohemi këtyre mundësive si “thirrje” – një term që duhet të na kujtojë se kush na thërret për të shërbyer. Nëse i marrim thirrjet tona si mundësi për t’i shërbyer Perëndisë dhe për t’u dhënë shërbesë të tjerëve me besim e përulësi, çdo vepër shërbimi do të jetë një hap në shtegun e dishepullimit. Në këtë mënyrë, Perëndia jo vetëm e ngre Kishën e Tij, por i ngre edhe shërbëtorët e Tij. Kisha është projektuar për të na ndihmuar të bëhemi dishepuj të vërtetë e besnikë të Krishtit, bij e bija të mira dhe fisnike të Perëndisë. Kjo nuk ndodh vetëm kur shkojmë nëpër mbledhje dhe dëgjojmë biseda, por edhe kur dalim jashtë vetvetes sonë dhe shërbejmë. Kjo është mënyra se si bëhemi “të mëdhenj” në mbretërinë e Perëndisë.

Ne i pranojmë thirrjet me hir, përulësi dhe mirënjohje. Kur lirohemi nga këto thirrje, ne e pranojmë ndryshimin me po atë hir, përulësi dhe mirënjohje.

Në sytë e Perëndisë, nuk ka asnjë thirrje në mbretëri që të jetë më e rëndësishme se një tjetër. Shërbimi ynë – qoftë i madh apo i vogël – i pasuron shpirtrat tanë, i hap pragjet e qiellit dhe i derdh bekimet e Perëndisë jo vetëm mbi ata të cilëve u shërbejmë, por edhe mbi ne. Kur iu afrohemi të tjerëve, ne mund ta dimë me vetëbesim të përulur që Perëndia e pranon shërbimin tonë me miratim e pëlqim. Ai na buzëqesh nga lart teksa i ofrojmë këto vepra të përzemërta dhembshurie, veçanërisht veprat që nuk shihen dhe nuk vihen re nga të tjerët. 8

 Sa herë që u japim nga vetja të tjerëve, ne hedhim një hap më pranë drejt bërjes dishepuj të mirë e të vërtetë të Atij që dha gjithçka të Tijën për ne: Shpëtimtarit tonë.

Nga Kryesimi në Paradë

Gjatë përvjetorit të 150-të të mbërritjes së pionierëve në Luginën e Solt-Lejkut, vëllai Majron Riçins po shërbente si president kunji në Henefër të Jutës. Kremtimi përfshinte një rivënie në skenë të kalimit të pionierëve nëpër qytezën e tij.

Presidenti Riçins u përfshi ndjeshëm në planet për kremtimin dhe mori pjesë në shumë mbledhje me Autoritetet e Përgjithshme dhe të tjerë për të diskutuar veprimtaritë. Ai ishte tërësisht i angazhuar në këtë veprimtari.

Pikërisht përpara vetë kremtimit, kunji i Presidentit Riçins u riorganizua dhe ai u lirua nga detyra si president. Një të diel pasuese, ai po ndiqte mbledhjen e priftërisë në lagjen e tij kur udhëheqësit kërkuan vullnetarë për të ndihmuar për kremtimin. Presidenti Riçins, së bashku me të tjerë, ngriti dorën dhe iu dhanë udhëzime që të vishte rroba pune dhe të sillte kamionin e tij dhe një lopatë.

Më në fund, mëngjesi i ngjarjes së madhe erdhi dhe Presidenti Riçins u paraqit në detyrën e vullnetarit.

Vetëm pak javë më parë, ai kishte qenë një ndihmës me ndikim për planifikimin dhe mbikëqyrjen e kësaj ngjarjeje me rëndësi. Megjithatë, atë ditë, puna e tij ishte të ndiqte kuajt në paradë dhe të pastronte papastërtitë e lëna pas.

Presidenti Riçins e bëri këtë me kënaqësi dhe gëzim.

Ai e kuptonte se një lloj shërbimi nuk është mbi një lloj tjetër.

Ai i dinte dhe i vuri në jetë fjalët e Shpëtimtarit: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj” 9 .

Kryerja e Dishepullimit siç Duhet

Nganjëherë, si Bijtë e Bubullimës, ne dëshirojmë pozita të spikatura. Përpiqemi fort që të na vlerësojnë. Kërkojmë të udhëheqim e të japim një ndihmesë të paharrueshme.

Nuk ka asgjë të gabuar te dëshira për t’i shërbyer Zotit por, kur kërkojmë të fitojmë ndikim në Kishë për interesin tonë – me qëllim që të marrim lavdërimin dhe admirimin e njerëzve – ne e kemi shpërblimin tonë. Kur “na rritet mendja” nga lavdërimi i të tjerëve, ai lavdërim do të jetë shpërblimi ynë.

Cila është thirrja më e rëndësishme në Kishë? Është ajo që keni aktualisht. Nuk ka rëndësi sa e përulur apo e spikatur mund të duket se është, thirrja që keni pikërisht tani, është ajo që do t’ju lejojë, jo vetëm që t’i ngrini të tjerët shpirtërisht, por edhe të bëheni njeriu i Perëndisë që u krijuat të ishit.

Miqtë e mi të dashur dhe vëllezër në priftëri, ngrini moralisht atje ku ndodheni!

Pali u mësoi filipianëve: “Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten” 10 .

Shërbimi me Nder

Kërkimi i nderit dhe i famës në Kishë në kurriz të shërbimit të vërtetë e të përulur kundrejt të tjerëve, është si shkëmbimi që bëri Esau. 11  Ne mund të marrim një shpërblim tokësor, por ai vjen me një shpenzim të madh – humbjen e miratimit qiellor.

Le ta ndjekim shembullin e Shpëtimtarit tonë, që ishte zemërbutë dhe i përulur, që nuk kërkoi lavdërimin nga njerëzit, por kërkoi të bënte vullnetin e Atit të Tij. 12

U shërbefshim të tjerëve përulësisht – me energji, mirënjohje dhe nder! Ndonëse veprat tona të shërbimit mund të duken të vogla, të thjeshta ose me pak vlerë, ata që u afrohen të tjerëve me mirësi e dhembshuri, një ditë do ta dinë vlerën e shërbimit të tyre me anë të hirit të përjetshëm e të bekuar të Perëndisë së Plotfuqishëm. 13

Vëllezërit e mi të dashur, miq të dashur, e meditofshim, e kuptofshim dhe e jetofshim këtë mësim madhor të udhëheqjes në Kishë e qeverisjes së priftërisë: “Më i madhi prej jush le të jetë shërbëtori juaj”. Kjo është lutja dhe bekimi im, në emrin e shenjtë të Mësuesit, Shëlbuesit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.