2010–2019
Drejtuar Miqve dhe Kërkuesve të Kishës
Prill 2017


Drejtuar Miqve dhe Kërkuesve të Kishës

Nëse e paguani çmimin për zbulesë, e përulni veten, lexoni, luteni dhe pendoheni, qiejt do të hapen dhe ju do ta dini se Jezusi është Krishti.

Një të premte pasdite, më 16  shtator 1988, në shtëpinë e mbledhjeve të lagjes Vinsente Lopez në Buenos-Ajres të Argjentinës, unë u pagëzova si anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Një mik shumë i mirë, Alin Spanaus, më pagëzoi atë ditë, dhe unë u ndjeva i lumtur, më i lehtë dhe i etur për të mësuar më shumë.

Pamja
Pagëzimi i Plakut Kosta

Sot do të doja të jepja disa mësime që i mësova gjatë udhës time drejt pagëzimit – mësime që shpresoj se mund t’i ndihmojnë ata prej jush që po dëgjojnë, të cilët nuk janë ende anëtarë të Kishës. Unë lutem që zemrat tuaja të mund të preken nga Shpirti ashtu siç u prek e imja.

E Para, Takimi me Misionarët

Përse do të ishte i interesuar një njeri pa sfida, nevoja apo pyetje shtrënguese që të takohej me misionarët dhe t’i dëgjonte mësimet e tyre? Epo, në rastin tim ishte dashuria – dashuria për një vajzë, një vajzë që quhet Rene. Unë rashë në dashuri dhe desha të martohesha me të. Ajo ishte ndryshe dhe kishte standarde të ndryshme nga shumica e të rejave që unë njihja. Por rashë në dashuri me të dhe i kërkova që të martohej me mua – dhe ajo tha “jo”!

Pamja
Plaku dhe Motra Kosta

Isha i hutuar. Mendoja se isha goxha djalë! Isha i pashëm, 24 vjeç dhe i diplomuar nga kolegji me një punë shumë të mirë. Ajo foli për synimet e saj – për t’u martuar vetëm me dikë që mund ta çonte në tempull, për të pasur një familje të përjetshme – dhe ajo nuk e pranoi ofertën time. Unë doja ta vazhdoja marrëdhënien, kështu që rashë dakord t’i dëgjoja misionarët. A është kjo një arsye e mirë për t’u takuar me misionarët? Epo, ishte për mua.

Kur u takova për herë të parë me misionarët, nuk kuptova shumë nga ajo që ata thanë, dhe t’ju them të drejtën, mund të mos u kem kushtuar shumë vëmendje. Zemra ime ishte e mbyllur ndaj një feje të re. Unë doja vetëm të provoja që ata e kishin gabim dhe të fitoja kohë për ta bindur Renenë të martohej me mua gjithsesi.

Sot fëmijët e mi kanë shërbyer dhe po shërbejnë në misione, dhe unë i kuptoj sakrificat që këta të rinj dhe këto të reja bëjnë për ta dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit. Tani do të doja t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje Plakut Riçardson, Plakut Farëll dhe Plakut Hajlland, misionarëve të mrekullueshëm të cilët më dhanë mësim.

Pra, nga mësimi im i parë, unë ju them juve miqve dhe kërkuesve të Kishës: pasi të takoheni me misionarët, ju lutem merrini seriozisht; ata po heqin dorë nga vite të rëndësishme të jetës së tyre enkas për ju.

E Dyta, Të Shkuarit në Kishë

Herën e parë që mora pjesë në një mbledhje të Kishës, unë dëgjova shumë fjalë që nuk kishin kuptim për mua. Kush ishin Kosheret? Çfarë ishte Priftëria Aarone? Shoqata e Ndihmës?

Nëse kjo është hera e parë që keni marrë pjesë në një mbledhje të Kishës dhe ndiheni të hutuar nga diçka që nuk e kuptoni, mos u shqetësoni! Edhe unë nuk ia kisha idenë. Por akoma i mbaj mend mbresat, ndjenjat e reja të paqes dhe gëzimit që përjetova. Nuk e dija në atë kohë, por Fryma e Shenjtë po pëshpëriste në veshët e mi dhe në zemrën time: “Kjo është e drejtë”.

Pra, më lejoni ta përmbledh këtë mësim në një fjali: Nëse jeni të hutuar, mos u shqetësoni; kujtojini ndjenjat që keni përjetuar; ato vijnë nga Perëndia.

E Treta, Leximi i Librit të Mormonit

Pas disa takimesh me misionarët, unë nuk po përparoja shumë. Ndieja se nuk kisha marrë një konfirmim të vërtetësisë së ungjillit.

Një ditë Reneja më pyeti: “A po e lexon Librin e Mormonit?”

Unë iu përgjigja: “Jo”. Unë po i dëgjoja misionarët; a nuk mjaftonte kjo?

Me lot në sy, Reneja më siguroi se ajo e dinte që Libri i Mormonit është i vërtetë dhe më shpjegoi që, nëse doja ta dija nëse ai ishte i vërtetë, e vetmja mënyrë është – e gjeni dot – ta lexoja atë! Dhe pastaj të pyesja!

Lexoni, përsiatni në zemrat tuaja dhe “pyesni Perëndinë, Atin e Amshuar, në emrin e Krishtit, … me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht” (Moroni 10:4) nëse Libri i Mormonit është i vërtetë, nëse kjo është Kisha e vërtetë.

Pra, mësimi i tretë, në një fjali: Kur ju t’i merrni këto gjëra – Librin e Mormonit – dhe këshilloheni të lexoni dhe të pyesni Perëndinë nëse ato janë të vërteta,ju lutem thjesht bëjeni atë!

E Fundit, Të Pendohemi

Përvoja e fundit që do të doja të ndaja ka të bëjë me pendimin. Pasi kisha mbaruar së marri të gjitha mësimet nga misionarët, nuk isha ende i bindur se duhej të ndryshoja ndonjë gjë në jetën time. Ishte plaku Katllër, një misionar i ri e i sigurt në vetvete me një spanjishte të kufizuar, i cili një ditë tha: “Hoakin, le të lexojmë së bashku tek Alma 42 dhe do të përfshijmë emrin tënd teksa e lexojmë atë”.

Mendova se ishte budallallëk, por bëra siç kërkoi plaku Katllër dhe lexova vargun 1: “Dhe tani, biri im [Hoakin], shikoj se ke diçka tjetër që ta trazon mendjen, që ti nuk e kupton dot”. O! Libri po fliste për mua.

Dhe ne lexuam vargun 2: “Tani vër re, biri im [Hoakin], do ta shpjegoj këtë gjë” dhe më pas u përshkrua Rënia e Adamit.

Dhe më pas te vargu 4: “Dhe kështu shohim se kishte një kohë të dhënë ndaj [Hoakinit] për t’u penduar”.

Ne vazhduan të lexonim me ngadalë, varg pas vargu, derisa arritëm te tre vargjet e fundit. Më pas u godita nga një forcë e fuqishme. Libri më foli mua drejtpërsëdrejti, dhe unë fillova të qaja teksa lexoja: “Dhe tani, [Hoakin] biri im, dëshiroj që këto gjëra të mos të të shqetësojnë ty më dhe vetëm mëkatet e tua të të shqetësojnë me atë shqetësim që do të të sjellë në pendim”(vargu 29).

Tani e kuptoj se kisha pritur të merrja zbulesë pa e paguar çmimin. Deri në atë kohë nuk kisha folur kurrë me të vërtetë me Perëndinë dhe ideja që të flisja me dikë që nuk ishte i pranishëm më dukej marrëzi. M’u desh ta përulja veten dhe të bëja atë që po më kërkohej të bëja edhe pse, në mendjen time njerëzore, tingëllonte si budallallëk.

Atë ditë unë ia hapa zemrën Shpirtit, dëshirova të pendohem dhe desha të pagëzohesha. Para atij çasti, e kisha menduar pendimin si diçka negative, që shoqërohej vetëm me mëkatin dhe keqbërjen, por papritur e pashë atë nga një tjetër këndvështrim – si diçka pozitive që hap rrugën drejt rritjes dhe lumturisë.

Plaku Katllër ndodhet këtu sot dhe dua ta falënderoj që m’i hapi sytë. Çdo zgjedhje që kam bërë në jetën time që nga ajo kohë, ka qenë ndikuar nga ai çast kur unë e përula veten dhe u luta për falje dhe Shlyerja e Jezu Krishtit në emrin tim u bë pjesë e jetës sime.

Pra mësimi i fundit, në një shprehje: përjetojeni pendimin; asgjë nuk ju afron më shumë me Zotin Jezu Krisht sesa dëshira për të ndryshuar.

Kërkuesi im i dashur, mik i Kishës, nëse po dëgjon sot, ti je shumë afër arritjes së gëzimit më të madh. Je afër!

Më lejo të të ftoj, me gjithë fuqinë e zemrës sime, dhe nga thellësia e shpirtit tim: shko dhe pagëzohu! Është gjëja më e mirë që do të bësh ndonjëherë. Do të ndryshojë jo vetëm jetën tënde por gjithashtu jetën e fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tu.

Pamja
Dita e Martesës të Plakut dhe Motrës Kosta

Zoti më ka bekuar me një familje. U martova me Renenë dhe ne kemi katër fëmijë të bukur. Dhe për shkak të pagëzimit tim, unë mundem, ashtu si profeti Lehi i lashtësisë, t’i ftoj ata të hanë nga fruti i pemës së jetës, që është dashuria e Perëndisë (shih 1 Nefi 8:15; 11:25). Unë mund t’i ndihmoj ata të vijnë te Krishti.

Pra ju lutem, merrini parasysh përvojat e mia dhe 1) merrini misionarët shumë seriozisht, 2) shkoni në Kishë dhe kujtojini ndjenjat shpirtërore, 3) lexojeni Librin e Mormonit dhe pyeteni Zotin nëse është i vërtetë dhe 4) përjetojeni pendimin dhe pagëzohuni.

Unë ju dëshmoj se nëse e paguani çmimin për zbulesë, e përulni veten, lexoni, luteni dhe pendoheni, qiejt do të hapen dhe ju do ta dini, siç unë e di, se Jezusi është Krishti, Ai është Shpëtimtari im dhe i juaji. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.