2010–2019
Veças, por Ende Një
Tetor 2017


Veças, por Ende Një

Në Kishë, pavarësisht dallimeve tona, Zoti pret që ne të jemi një!

Në qershor 1994, po ngisja makinën me ankth për t’u kthyer nga puna në shtëpi për të parë në televizor kombëtaren tonë të futbollit që do luante për Kupën e Botës. Pak pasi nisa udhëtimin tim, pashë nga larg në trotuar një burrë që po bënte përpara me nxitim në një karrige me rrota që vura re se ishte e zbukuruar me flamurin tonë brazilian. E dija se edhe ai po shkonte në shtëpi për të parë ndeshjen.

Kur rrugët tona u kryqëzuan dhe ne u pamë në sy, për një çast të shkurtër u ndjeva i bashkuar fuqishëm me atë burrë! Ne po shkonim në drejtime të ndryshme, nuk e njihnim njëri-tjetrin, kishim rrethana shoqërore dhe fizike qartësisht të ndryshme, por pasioni ynë i njëjtë për futbollin dhe dashuria për vendin tonë na bëri të ndiheshim një në atë çast! Nuk e kam parë atë burrë që nga ajo kohë, por sot, dekada më pas, mund t’i shoh ende ata sy dhe të ndjej atë lidhje të fortë me atë burrë. Në fund të fundit, ne e fituam ndeshjen dhe Kupën e Botës atë vit!

Në Kishë, pavarësisht nga dallimet tona, Zoti pret që ne të jemi një! Ai tha në Doktrina e Besëlidhje: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”1.

Ndërsa të gjithë ne hyjmë në një godinë kishtare për të adhuruar si grup, ne duhet t’i lëmë pas dallimet tona, duke përfshirë racën, pozitën shoqërore, parapëlqimet politike, arritjet akademike e profesionale dhe në vend të kësaj të përqendrohemi tek objektivat tona shpirtërore të përbashkëta. Së bashku ne këndojmë himne, meditojmë për të njëjtat besëlidhje gjatë sakramentit dhe themi njëkohësisht me zë një “amen” pas bisedave, mësimeve dhe lutjeve – që do të thotë se jemi dakord bashkërisht me atë që u tha.

Këto gjëra që ne bëjmë bashkërisht, ndihmojnë për të krijuar një ndjesi të fortë uniteti përbrenda bashkësisë.

Sidoqoftë, ajo që me të vërtetë e përcakton, forcon apo shkatërron unitetin tonë, është mënyra se si ne sillemi kur jemi veças anëtarëve tanë të Kishës. Siç e dimë të gjithë, është e pashmangshme dhe normale që përfundimisht ne do të flasim për njëri-tjetrin.

Në varësi të asaj që vendosim të themi për njëri-tjetrin, fjalët tona ose do bëjnë që “zemrat [tona të] thur[en] në bashkim”2, siç u dha mësim Alma atyre që u pagëzuan në ujërat e Mormonit, ose ato do t’i gërryejnë dashurinë, mirëbesimin dhe dashamirësinë që duhet të ekzistojë mes nesh.

Ka komente që pa u kuptuar e shkatërrojnë unitetin, të tilla si: “Po, ai është një peshkop i mirë; o, por duhet ta kishit parë atë kur ishte i ri!”

Një variant më dobiprurës i kësaj mund të jetë: “Peshkopi është kaq i mirë dhe ai është rritur kaq shumë në pjekuri dhe urtësi gjatë viteve”.

Shpesh herë ne vendosim etiketa të përhershme mbi njerëzit duke thënë diçka si: “Me presidenten tonë të Shoqatës së Ndihmës është e kotë; ajo është kaq kokëfortë!” Në të kundërt, ne mund të themi: “Presidentja e Shoqatës së Ndihmës ka qenë më pak elastike së fundmi; ndoshta po kalon një kohë të vështirë. Le ta ndihmojmë dhe mbështesim atë!”

Vëllezër dhe motra, ne nuk kemi asnjë të drejtë ta paraqesim dikë, përfshirë nga rrethi ynë i Kishës, si një produkt i shkuar dëm! Përkundrazi, fjalët tona rreth bashkëqenieve tona duhet të pasqyrojnë besimin tonë në Jezu Krisht dhe në Shlyerjen e Tij dhe se në Të dhe me anë të Tij, ne gjithmonë mund të ndryshojmë për më mirë!

Disa fillojnë të kritikojnë dhe të bëhen të veçuar nga udhëheqësit dhe anëtarët e Kishës për gjëra që janë kaq të vogla.

I tillë qe rasti i një burri të quajtur Simonds Ryder, i cili u bë anëtar i Kishës në 1831-in. Pasi lexoi një zbulesë që i përkiste atij, ai u hutua kur pa se mbiemri i tij ishte shkruar gabimisht Rider, me shkronjën i në vend të shkronjës y. Reagimi i tij ndaj kësaj ngjarjeje kontribuoi në vënien në dyshim të profetit prej tij dhe përfundimisht çoi në përndjekjen e Jozefit dhe në largimin nga Kisha3.

Gjithashtu ka gjasa që të gjithë ne do të përjetojmë ndonjë korrigjim nga udhëheqësit tanë kishtarë, gjë e cila do të jetë një provë ndaj asaj se sa të bashkuar jemi ne me ta.

Isha vetëm 11 vjeç, por mbaj mend që 44 vite më parë, shtëpia e mbledhjeve ku shkonte në kishë familja ime, do t’i nënshtrohej një rimodelimi madhor. Përpara se të niste ajo sipërmarrje, pati një mbledhje në të cilën udhëheqësit vendorë dhe zonalë diskutuan se si anëtarët do të merrnin pjesë me punë në atë përpjekje. Babai im, i cili më parë kishte kryesuar në atë njësi për vite, shprehu mendimin e tij të fortë se kjo punë duhej bërë nga një kontraktues dhe jo nga amatorë.

Jo vetëm që mendimi i tij u hodh poshtë, por ne dëgjuam se atë e qortuan rreptësisht dhe publikisht në atë rast. Tani, ky ishte një burrë i cili ishte shumë i përkushtuar ndaj Kishës dhe kishte qënë një ushtar i luftës së Dytë Botërore në Europë, i cili ishte i mësuar të rezistonte dhe të luftonte për atë që ai besonte! Dikush mund të pyeste veten se cili do të ishte reagimi i tij pas këtij incidenti. A do të këmbëngulte në mendimin e tij dhe do të vazhdonte ta kundërshtonte vendimin që tashmë ishte marrë?

Ne kishim parë familje në lagjen tonë, të cilat ishin bërë më të dobëta në ungjill dhe kishin reshtur së marri pjesë në mbledhjet sepse nuk mund të ishin një me ata që po drejtonin. Unë vetë gjithashtu dëshmova shumë prej miqve të mi nga fillorja që nuk qëndruan besnikë në rininë e tyre, për shkak se prindërit e tyre vazhdimisht gjenin gabime te njerëzit brenda Kishës.

Im atë, sidoqoftë, vendosi të qëndronte një me bashkëshenjtorët tanë. Disa ditë më vonë, kur anëtarët po mblidheshin për të ndihmuar në ndërtim, ai “e ftoi” familjen tonë që ta ndiqte atë drejt shtëpisë së mbledhjeve, ku ne do të viheshim në dispozicion për të ndihmuar në çfarëdolloj mënyrë.

Isha shumë i inatosur. Unë desha ta pyesja: “Babi, përse vallë po shkojmë të ndihmojmë në ndërtim nëse ti ishe kundra që ta bënin anëtarët këtë gjë?” Por shikimi në fytyrën e tij më shkurajoi nga të bërit këtë. Unë desha të isha shëndosh e mirë për ripërkushtimin. Pra, fatmirësisht, unë vendosa të heshtja dhe thjesht të shkoja dhe të ndihmoja në ndërtim!

Babai nuk e pa dot godinën kishtare të re, pasi ai ndërroi jetë përpara përfundimit të kësaj pune. Por ne në familje, tani të udhëhequr nga mamaja ime, vazhduam ta bënim pjesën tonë derisa puna mbaroi dhe kjo na mbajti të bashkuar me babin tim, me anëtarët e Kishës,me udhëheqësit tanë dhe, më e rëndësishmja, me Zotin!

Vetëm pak çaste përpara përvojës së Tij torturuese në Gjetseman, kur Jezusi po i lutej Atit për Apostujt e Tij dhe për të gjithë ne, shenjtorët, Ai tha: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty”4.

Vëllezër dhe motra, unë dëshmoj se, ndërsa vendosim të jemi një me anëtarët dhe udhëheqësit e Kishës – si kur jemi të mbledhur së bashku dhe veçanërisht kur jemi veças – do të ndihemi gjithashtu më përsosurisht të bashkuar me Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.