2010–2019
Sipas Qëllimit Hyjnor
Tetor 2017


Sipas Qëllimit Hyjnor

Dora e Zotit po ju udhërrëfen. Sipas “qëllimit hyjnor”, Ai është në hollësitë e vogla të jetës suaj si edhe në arritjet e mëdha.

Vëllezër e motra, ndërsa qëndroj këtu në këtë konferencë të përgjithshme mbarëbotërore frymëzuese dhe ndjej forcën tuaj e shpirtin tuaj, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të mendoj për fjalët e Apostullit Pjetër: “[Zot], për ne është mirë të rrijmë këtu”1.

Kjo nuk është saktësisht ajo që tha Alma pasi u predikoi njerëzve në Amoniha. Alma u largua nga qyteti për shkak të ligësisë së njerëzve. Pas pak, një engjëll iu shfaq Almës dhe i tha të “kthehe[j] në qytetin e Amonihës dhe të prediko[nte] përsëri mes popullit të qytetit”2.

Alma e bëri këtë “me të shpejtë”, duke hyrë në “qytet nga një udhë tjetër”3.

“Kur hyri në qytet, ai ishte i uritur dhe i tha një njeriu: A do t’i japësh një shërbëtori të përulur të Perëndisë diçka për të ngrënë?

Dhe njeriu i tha atij: Unë jam një Nefit dhe unë e di se ti je një profet i shenjtë i Perëndisë, pasi ti je njeriu për të cilin një engjëll më tha në një vegim: Ti do ta pranosh.”4

Ai burrë ishte Amuleku.

Tani, a ndodhi thjesht që Alma u takua me Amulekun? Jo, nuk ishte rastësi që ai hyri në qytet nga udha që do ta çonte atë te ky burrë besnik, i cili do të bëhej shoku i tij misionar.

Plaku Nil A. Maksuell një herë shpjegoi: “Asnjëri prej nesh kurrë nuk i shfrytëzon plotësisht mundësitë njerëzore që na sigurohen nëpërmjet rrethit të miqve tanë. Unë dhe ju mund t’i quajmë këto marrëdhënie ‘rastësi’. Është e kuptueshme që të vdekshmit ta përdorin këtë fjalë, por rastësi nuk është fjala e duhur për të përshkruar veprimet e një Perëndie të gjithëdijshëm. Ai nuk i bën gjërat sipas ‘rastësisë’, por … sipas ‘qëllimit hyjnor’.”5

Jeta jonë është si një fushë shahu dhe Zoti na lëviz nga një vend në tjetrin – nëse u përgjigjemi nxitjeve shpirtërore. Kur e hedhim vështrimin prapa, ne mund ta shohim dorën e Tij në jetën tonë.

Ne mund ta shohim një ndërhyrje të tillë qiellore kur Nefi kthehet për të marrë fletët nga Labani. Ai “[u] udhëh[oq] nga Shpirti, duke mos ditur më parë gjërat që [ai] duhe[j] të bë[nte].”6 Pak pas kësaj, Labani ishte përpara tij në gjendje të dehur dhe Nefi e vrau, i mori fletët dhe ia mbathi për te vëllezërit e tij. A ishte thjesht me fat që e takoi Labanin? Apo ishte sipas “qëllimit hyjnor”?

Në ungjill dhe në Kishë ndodhin ngjarje domethënëse që e çojnë më tej mbretërinë e Perëndisë në tokë. Ato nuk janë të rastit, por sipas planit të Perëndisë. Ai që i dha formë kësaj bote, mund të qetësojë dete me fjalën e Tij dhe mund ta udhëheqë si Almën ashtu edhe Amulekun, dhe Nefin e Labanin që të jenë në vendin e duhur pikërisht në kohën e duhur.

Po kështu, në jetën e secilit prej nesh ndodhin ngjarje dhe krijohen shoqëri që e çojnë më tej punën e Perëndisë në tokë.

I shtrenjti Plaku Jozef B. Uirthlin, foli për një rast kur Presidenti Tomas S. Monson i tha atij:“ Ka një dorë udhërrëfyese në të gjitha gjërat. Shpesh, kur gjërat ndodhin, nuk janë të rastit. Një ditë, kur ta hedhim vështrimin prapa, te rastësitë në dukje në jetën tonë, ne do të kuptojmë se ndoshta, tek e fundit, ato nuk ishin kaq të rastësishme”7.

Shumë shpesh, veprat tona të mira njihen vetëm nga pak njerëz. Sidoqoftë, ato shënohen në qiell. Një ditë, ne do të qëndrojmë si dëshmitar i përkushtimit tonë me gjithë zemër ndaj veprave të drejtësisë. Asnjë sprovë apo fatkeqësi nuk mund ta prishë planin e Perëndisë për lumturinë. Me të vërtetë, sipas “qëllimit hyjnor”, “në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi”8. “Unë erdha në botë për të bërë vullnetin e Atit tim”9, dha mësim Jezusi. Të dashur vëllezër e motra, edhe ne duhet ta bëjmë atë.

Nëpërmjet përvojës së udhëtimit të vetë jetës sime, unë e di se Zoti do të na lëvizë në atë fushë shahu në dukje për të bërë punën e Tij. Ajo që mund të duket se është një rastësi, në fakt po mbikëqyret nga një Atë i dashur në Qiell, i cili mund të numërojë fijet e flokut të çdo koke.10 As edhe një harabel nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tonë.11 Zoti është në hollësitë e vogla të jetës sonë, dhe ato ngjarje e mundësi janë që të na përgatitin për t’i lartësuar familjet tona dhe të tjerët, ndërsa e ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë në tokë. Mbajeni mend atë që Zoti i tha Abrahamit: “E njoh mbarimin që nga fillimi; si rrjedhim dora ime do të jetë mbi ty”12.

Zoti më vendosi në një shtëpi me prindër të drejtë. Sipas standardeve të botës, ata ishin njerëz shumë të zakonshëm; babai im, një njeri i përkushtuar, ishte shofer kamioni; nëna ime engjëllore, ishte shtëpiake. Zoti më ndihmoi të gjej bashkëshorten time të dashur, Melaninë; Ai e nxiti një sipërmarrës, i cili u bë një mik i shtrenjtë, të më jepte një mundësi punësimi. Zoti më thirri të shërbej në fushën e misionit, edhe si i ri edhe si president misioni; Ai më thirri në Kuorumin e Të Shtatëdhjetëve dhe tani Ai më ka thirrur si Apostull. Kur e hedh vështrimin prapa, kuptoj se nuk isha unë që i planifikova ato lëvizje; Zoti i planifikoi, ashtu siç po planifikon lëvizje të rëndësishme për ju dhe ata që ju i doni.

Çfarë duhet të jeni duke kërkuar në vetë jetën tuaj? Cilat janë mrekullitë e Perëndisë që ju kujtojnë se Ai është pranë, duke thënë: “Jam këtu”? Mendoni për ato raste, disa edhe të përditshme, kur Zoti ka vepruar në jetën tuaj – dhe më pas veproi sërish. Çmojini ato si çaste kur Zoti ka treguar besim te ju dhe zgjedhjet tuaja. Por lëreni Atë t’ju bëjë një njeri më të mrekullueshëm sesa mund të bëheni vetë. Çmojeni përfshirjen e Tij. Nganjëherë ne i gjykojmë ndryshimet në planet tona si hapa të gabuar në udhëtimin tonë. Shikojini ato më shumë si hapa të parë të qenit në “pun[ën] e Zotit”13.

Disa muaj më parë, mbesa jonë iu bashkua një grupi të rinjsh për të vizituar disa vende historike të Kishës. Itinerari përfundimtar tregonte se ajo do të kalonte pikërisht përmes zonës ku po shërbente vëllai i saj misionar, nipi ynë. Mbesa jonë nuk kishte ndër mend që ta shihte vëllanë e saj në mision. Megjithatë, kur autobusi hyri në qytetin ku po shërbente i vëllai, mund të shiheshin dy misionarë që po ecnin në rrugë. Njëri prej misionarëve ishte vëllai i saj.

Padurimi e mbushi autobusin ndërsa të rinjtë i kërkuan shoferit që të ndalonte, në mënyrë që ajo të mund ta përshëndeste të vëllanë. Në më pak se një minutë, pas lotëve dhe fjalëve të dashura, vëllai i saj vazhdoi rrugën për të përmbushur detyrat e tij misionare. Më vonë ne mësuam se vëllai i saj kishte qenë në atë rrugë për më pak se pesë minuta, duke u kthyer nga një takim për te makina e tij.

Pamja
Nipi dhe mbesa e Plakut Rasband ribashkohen

Ati Qiellor mund të na vendosë në situata me një qëllim të veçantë në mendje. Ai e ka bërë këtë në jetën time dhe Ai po e bën këtë në jetën tuaj, ashtu siç Ai e bëri në jetën e nipit dhe të mbesës sonë të dashur.

Secili prej nesh është i çmuar dhe i dashur për Zotin, i cili shqetësohet, pëshpërit dhe kujdeset në mënyra të pashoqe për secilin prej nesh. Ai është pafundësisht më i mençur dhe më i fuqishëm se burrat dhe gratë e vdekshme. Ai i di sfidat tona, fitoret tona dhe dëshirat e drejta të zemrave tona.

Mbi një vit më parë, ndërsa kaloja përmes Sheshit të Tempullit, një nga motrat misionare m’u afrua dhe më pyeti: “A më mbani mend? Jam nga Florida.” Më tha emrin e saj, Motra Aida Çilan. Po, m’u kujtua që e kisha takuar atë dhe familjen e saj. Presidenti i saj i kunjit kishte sugjeruar që ta vizitonim familjen e saj. U bë e qartë se ne ishim atje për vajzën e tyre, Aidën, e cila nuk ishte pagëzuar. Pas vizitës sonë dhe pas më shumë se një viti mësimdhënieje dhe shoqërimi, Aida u pagëzua.

Pamja
Plaku Rasband me Aida Çilanin dhe shoqen e saj

Pasi biseduam në Sheshin e Tempullit, ajo më shkroi një letër. Ajo tha: “E di me gjithë zemrën time se Ati Qiellor e njeh secilin prej nesh dhe se Ai vazhdon të na vendosë në shtigjet e njëri-tjetrit për një arsye. Faleminderit që ishe një nga misionarët e mi, që më ndihmove dhe më gjete pesë vite më parë.”14 Aida më dërgoi edhe historinë e saj të kthimit në besim, duke përshkruar “rastësitë hyjnore” që kanë ndodhur në jetën e saj, të cilat çuan drejt pagëzimit e konfirmimit të saj, shërbimit të një misioni në Sheshin e Tempullit dhe martesës së saj së fundi në tempull.15

A ishte thjesht rastësi që presidenti i kunjit na kishte drejtuar te shtëpia Çilan apo që unë dhe ajo do të takoheshim më vonë në Sheshin e Tempullit? Dëshmia e Aidës dëshmon se e gjitha kjo ishte pjesë e “qëllimit hyjnor” të Perëndisë.

Zotit i pëlqen shumë të jetë me ne. Nuk është rastësi që, kur ju po e ndieni Shpirtin e Tij dhe po veproni sipas nxitjeve të para, ju e ndieni Atë ashtu siç premtoi: “Unë do të shkoj përpara fytyrës suaj. Unë do të jem në të djathtën e në të majtën tuaj dhe Shpirti im do të jetë në zemrat tuaja e engjëjt e mi përreth jush, për t’ju ngritur lart.”16

Ne të gjithëve na kanë ndodhur gjëra të ngjashme në jetën tonë. Ne mund të takojmë dikë që na duket i njohur, të përtërijmë një njohje apo të gjejmë gjëra të përbashkëta me një të huaj. Kur ato gjëra ndodhin, ndoshta Zoti po na kujton se ne të gjithë jemi me të vërtetë vëllezër e motra. Ne përfshihemi me të vërtetë në të njëjtën kauzë – në atë që Jozef Smithi e quajti “kauz[a] e Krishtit”17.

Si gjen vend liria jonë e zgjedhjes në një “qëllim hyjnor”? Ne kemi zgjedhjen ta ndjekim ose jo Shpëtimtarin tonë dhe udhëheqësit e Tij të zgjedhur. Modeli është i qartë në Librin e Mormonit, kur nefitët ishin larguar prej Zotit. Mormoni vajtoi:

“Dhe ata panë … se Shpirti i Zotit nuk i ruante më; po, ishte larguar prej tyre, pasi Shpirti i Zotit nuk banon në tempuj jo të shenjtë –

Prandaj, Zoti nuk i ruajti më me fuqinë e tij mrekulluese dhe të pashembullt, pasi kishin rënë në një gjendje mosbesimi dhe ligësie të tmerrshme.”18

Jo gjithçka që na kërkon Zoti është rrjedhojë e asaj se sa të fortë jemi, sa besnikë jemi apo çka mund të dimë. Mendoni për Saulin, të cilin Zoti e ndaloi rrugës për në Damask. Ai po shkonte në drejtimin e gabuar në jetën e vet dhe kjo nuk kishte të bënte fare me veriun apo jugun. Saulit iu ndryshua drejtimi në mënyrë hyjnore. Kur më vonë ai u bë i njohur si Pali, shërbesa e tij apostolike pasqyroi atë që Zoti e dinte tashmë se ai qe në gjendje të bënte dhe të bëhej, jo atë që ai kishte vendosur të bënte si Saul. Në të njëjtën mënyrë, Zoti e di atë që secili prej nesh është i aftë të bëjë dhe të bëhet. Çfarë dha mësim Apostulli Pal? “Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.”19

Kur jemi të drejtë, të gatshëm e të aftë, kur përpiqemi fort të jemi të denjë e të kualifikuar, ne përparojmë drejt vendeve që kurrë nuk i kishim përfytyruar dhe bëhemi pjesë e “qëllimit hyjnor” të Atit Qiellor. Secili prej nesh e ka natyrën hyjnore brenda vetes. Kur e shohim Perëndinë të veprojë përmes nesh dhe me ne, qofshim të nxitur, madje mirënjohës për atë udhërrëfim. Kur Ati ynë në Qiell tha: “Kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”20, Ai po fliste për të gjithë fëmijët e Tij – ju në veçanti.

Dora e Zotit po ju udhërrëfen. Sipas “qëllimit hyjnor”, Ai është në hollësitë e vogla të jetës suaj si edhe në arritjet e mëdha. Ashtu siç thuhet te Fjalët e Urta: “Ki besim te Zoti me gjithë zemër … dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua”21. Dëshmoj se Ai do t’ju bekojë, do t’ju mbështetë e do t’ju sjellë paqe. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.