2010–2019
A Mos Ka Pushuar Dita e Mrekullive?
Tetor 2017


A Mos Ka Pushuar Dita e Mrekullive?

Përqendrimi ynë më i lartë duhet të jetë te mrekullitë shpirtërore që janë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Një vit më parë, në një detyrë në shtetin e Kalifornisë, bashkë me një president kunji, shkova të takoja Klark e Holli Fejllsin me familjen në shtëpinë e tyre. Më kishin thënë se kohët e fundit ata kishin përjetuar një mrekulli. Kur mbërritëm, Klarku e pati të vështirë të ngrihej dhe të na përshëndeste sepse kishte vënë një mbajtëse shpine, një qafore dhe mbajtëse në krahët e tij.

Vetëm pak më shumë se para dy muajsh, Klarku, i biri i tij, Taji, dhe rreth 30 të rinj dhe udhëheqës të tjerë u nisën për një aktivitet kunji sfidues në natyrë, që të ngjiteshin në majën 4322 m të lartë të malit Shasta, një nga majat më të larta në Kaliforni. Në ditën e dytë të ngjitjes së lodhshme, shumica e alpinistëve e arritën majën – një arritje emocionuese e mundësuar nga muaj të tërë përgatitjeje.

Një nga njerëzit e parë që arritën në majë atë ditë, ishte Klarku. Pas një pushimi të shkurtër afër skajit të majës, ai u ngrit dhe filloi të ecte. Teksa po ecte, ai u pengua dhe ra me kurriz nga buza e një shkëmbi duke pësuar një rënie të lirë për rreth 12 m dhe pastaj një rrokullisje e pakontrolluar nëpër shpatin e veshur me akull për rreth 91 m të tjerë. Për çudi Klarku mbijetoi, por ishte plagosur rëndë dhe nuk mund të lëvizte.

Mrekullitë që Klarku përjetoi gjatë kësaj ngjarjeje tronditëse, ishin thjesht fillimi. Disa nga të parët që arritën tek ai, “rastisi” të ishin një grup alpinistësh që përfshinte udhërrëfyes shpëtimi malor dhe profesionistë mjekësorë të urgjencës. Ata menjëherë e trajtuan Klarkun për goditjen dhe siguruan pajisje për ta mbajtur ngrohtë. Ky grup gjithashtu “rastisi” që po vinte në provë një mjet të ri komunikimi dhe dërgoi një kërkesë urgjence për ndihmë nga një zonë ku telefonat celularë nuk mund të merrnin sinjal. Një helikopter i vogël u dërgua menjëherë për në malin Shasta nga [një vend] një orë larg. Pas dy përpjekjeve të pasuksesshme për t’u ulur në një lartësi që thuajse i kalonte aftësitë e mjetit dhe duke u munduar nga gjendja e rrezikshme e erërave, piloti nisi një përpjekje të tretë dhe përfundimtare. Ndërsa helikopteri u afrua nga një kënd i ndryshëm, “rastisi” që erërat ndryshuan dhe mjeti u ul në tokë vetëm aq kohë sa për t’i lejuar grupit të vogël që ta fuste Klarkun me ngut dhe dhembje në hapësirën e vogël pas ndenjëses së pilotit.

Kur gjendja e Klarkut u vlerësua në një qendër traume, analizat zbuluan se ai kishte pësuar thyerje të shumëfishta në qafë, kurriz, brinjë dhe kyçe, se kishte një mushkëri të shpuar dhe një mori prerjesh dhe gërvishtjesh. Një kirurg neurotraume i famshëm “rastisi” të ishte në shërbim atë ditë; ai shkon në këtë spital vetëm disa herë në vit. Ky mjek më vonë deklaroi se ai nuk kishte parë kurrë dikë të pësonte kaq shumë dëmtim në shtyllën kurrizore dhe arteriet karotide dhe të jetonte. Klarku pritej që jo vetëm të jetonte por edhe që të shërohej plotësisht. Duke e përshkruar veten si agnostik, kirurgu tha se rasti i Klarkut binte në kundërshtim me të gjithë njohurinë e tij shkencore mbi dëmtimet neurologjike dhe se mund të përshkruhej vetëm si një mrekulli.

Ndërsa Klarku dhe Holli mbaruan së rrëfyeri këtë tregim të gjallë, unë e pata të vështirë të flisja. Nuk ishte thjesht për shkak të mrekullive të dukshme, por për shkak të një mrekullie më të madhe. Pata një përshtypje të thellë – një dëshmi shpirtërore – se Holli dhe secili prej pesë fëmijëve të bukur që ishin ulur ne dhomën e ndenjjes rreth prindërve të tyre, kishin kaq shumë besim saqë ata mund ta kishin pranuar çfarëdo rezultati atë ditë dhe prapëseprapë do të kishin përparuar shpirtërisht. Klarku dhe Holli dhe dy fëmijët e tyre më të rritur, Taji dhe Porteri, janë me ne sot në Qendrën e Konferencave.

Duke përsiatur mbi përvojën e familjes Fejlls, kam menduar shumë për rrethanat e kaq shumë të tjerëve. Çfarë mund të themi për morinë e shenjtorëve e ditëve të mëvonshme të mbushur me besim, që kanë marrë bekim priftërie, për të cilët janë bërë një pafundësi lutjesh, që i mbajnë besëlidhjet, që janë plot me shpresë por për të cilët mrekullia nuk vjen kurrë? Të paktën ashtu si e kuptojnë ata mrekullinë. Të paktën në atë mënyrë siç duket se të tjerëve u ndodhin mrekulli.

Po ata që vuajnë nga pikëllime të thella – fizikisht, mendërisht, emocionalisht – për vite ose dekada apo për të gjithë jetën e tyre të vdekshme? Po ata që vdesin kaq të rinj?

Vetëm dy muaj më parë, dy çifte të martuara që mbanin rekomandim tempulli, me tre fëmijë misionarë me kohë të plotë dhe pesë fëmijë të tjerë, u nisën me një aeroplan të vogël për një fluturim të shkurtër. Jam i sigurt se ata u lutën për siguri përpara fluturimit dhe se u lutën me zell kur aeroplani i tyre hasi probleme serioze mekanike përpara se të përplasej. Askush nuk mbijetoi. Po ata?

A kanë arsye njerëzit e mirë dhe të dashurit e tyre të bëjnë pyetjen që bëri Mormoni: “A mos ka pushuar dita e mrekullive?”1

Njohuria ime e kufizuar nuk mund ta shpjegojë se përse disa herë ka një ndërhyrje hyjnore dhe herë të tjera jo. Por ndoshta neve na mungon kuptueshmëria e asaj çfarë përbën një mrekulli.

Shpesh ne e përshkruajmë një mrekulli si shërim pa një shpjegim të plotë nga shkenca mjekësore ose si shmangien e një rreziku katastrofik duke i vënë veshin një nxitjeje të qartë. Sidoqoftë, ta përkufizosh një mrekulli si “një ngjarje mirëbërëse e cila ndodh nëpërmjet fuqisë hyjnore që të vdekshmit nuk e kuptojnë”2 jep një pikëpamje të zgjeruar mbi çështje me natyrë më të përjetshme. Ky përkufizim na lejon gjithashtu që të mendojmë mbi rolin jetësor të besimit në marrjen e një mrekullie.

Moroni dha mësim: “Dhe asnjëherë në ndonjë kohë ndonjë njeri nuk ka bërë mrekulli vetëm pas besimit të tij”3. Amoni shpalli: “Perëndia ka dhënë një mjet që njeriu, nëpërmjet besimit, të mund të punojë mrekulli të mëdha” (4). Zoti i zbuloi Jozef Smithit: “Sepse unë jam Perëndi, … dhe unë do t’u tregoj mrekulli … gjithë atyre që besojnë në emrin tim”5.

Mbreti Nebukadnetsar kërkoi që Shadraku, Meshaku dhe Abednegoja të adhuronin imazhin e artë që ai e kishte vendosur si një perëndi, duke i kërcënuar: “Në rast se nuk do ta adhuroni, do t’ju hedhin … në mes të një furre të ndezur”. Më pas ai i përqeshi ata duke iu thënë: “Dhe cila është ajo perëndi që do të mund t’ju çlirojë nga duart e mia?”6

Këta tre dishepuj besnikë thanë: “Ja, Perëndia ynë, të cilit i shërbejmë, është në gjendje të na çlirojë nga furra e ndezur. … Por edhe sikur të mos e bënte, dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua.”7

Ata zotëronin mirëbesim të plotë se Perëndia mund t’i shpëtonte ata, “por edhe sikur të mos e bënte”, ata kishin besim të plotë në planin e Tij.

Në mënyrë të ngjashme, Plaku Dejvid A. Bednar e pyeti njëherë një të ri i cili kishte kërkuar një bekim priftërie: “Nëse vullneti i Atit tonë Qiellor është që ti të dërgohesh përmes vdekjes në rini në botën e shpirtrave për të vazhduar shërbesën tënde, a e ke besimin për t’iu nënshtruar vullnetit të Tij dhe për të mos u shëruar?”8 A e kemi ne besimin “për të mos u shëruar” nga pikëllimet tona tokësore në mënyrë që të shërohemi përjetësisht?

Një pyetje vendimtare për ta përsiatur është: “Ku e vendosim besimin tonë?” A është besimi ynë i përqendruar thjesht në dëshirën për të qenë të lehtësuar nga dhembja dhe vuajtja, apo është i përqendruar vendosmërisht mbi Perëndinë, Atin, dhe planin e Tij të shenjtë dhe mbi Jezu Krishtin dhe në Shlyerjen e Tij? Besimi tek Ati dhe Biri na lejon ta kuptojmë dhe ta pranojmë vullnetin e Tyre ndërsa përgatitemi për përjetësinë.

Sot unë dëshmoj për mrekullitë. Të jesh një fëmijë i Perëndisë është një mrekulli.9 Të marrësh një trup sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij, është një mrekulli.10 Dhurata e Shpëtimtarit është një mrekulli.11 Shlyerja e Jezu Krishtit është një mrekulli.12 Mundësia për jetën e përjetshme është një mrekulli.13

Ndërkohë që është mirë të lutemi dhe të punojmë për mbrojtje fizike dhe për shërim gjatë ekzistencës sonë në vdekshmëri, përqendrimi ynë më i lartë duhet të jetë te mrekullitë shpirtërore që janë në dispozicion për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Pavarësisht etnisë sonë, pavarësisht kombësisë tonë, pavarësisht asaj që kemi bërë nëse pendohemi, pavarësisht asaj që mund të na jetë bërë – të gjithë ne kemi qasje të barabartë te këto mrekulli. Ne po jetojmë një mrekulli dhe mrekulli të tjera na presin përpara. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.