2010–2019
Kërkoni nga Librat më të Mirë
Tetor 2017


Kërkoni nga Librat më të Mirë

Kur studiojmë nga librat më të mirë, ne mbrohemi kundrejt nofullave kërcënuese të atyre që kërkojnë t’i brejnë rrënjët tona shpirtërore.

Herët një mëngjes, pashë një vemje të uritur dhe të maskuar mirë në një shkurre të bukur trëndafilash. Nga pamja e disa prej kërcejve pa gjethe, ishte e qartë edhe për vëzhguesin e pavëmendshëm që ajo e kishte brejtur udhën e vet përmes gjetheve të njoma me nofullat e saj dëmtuese. Në mënyrë alegorike, nuk mund të mos mendoja se ka disa njerëz që janë si kjo vemje; ata gjenden anembanë botës dhe disa maskohen me kaq zgjuarsi sa ne mund t’i lejojmë të hyjnë në jetën tonë dhe përpara se ta kuptojmë, ata do t’i kenë ngrënë rrënjët tona shpirtërore dhe rrënjët e pjesëtarëve të familjes sonë dhe të miqve tanë.

Ne jetojmë në një kohë në të cilën po lulëzon keqinformimi ndaj gjërave që ne besojmë. Në kohë si këto, dështimi në mbrojtjen dhe forcimin e rrënjëve tona shpirtërore është një ftesë për t’i lënë ato rrënjë të brehen nga ata që përpiqen ta shkatërrojnë besimin tonë te Krishti dhe të besuarin tonë te Kisha e Tij e rivendosur. Në kohët e Librit të Mormonit, ishte Zizromi që u përpoq ta shkatërronte besimin e besimtarëve.

Veprimet dhe fjalët e tij ishin “një grackë e kundërshtarit, që e … v[uri] për t[a] zënë … popull[in], që të mund [ta] nënshtro[nte], që të mund [ta] rretho[nte] me zinxhirët e tij” (Alma 12:6). Po ato graca ekzistojnë sot dhe nëse nuk jemi vigjilentë shpirtërisht dhe nuk ndërtojmë një themel të sigurt mbi Shëlbuesin tonë (shih Helamani 5:12), ne mund ta gjejmë veten të lidhur me zinxhirët e Satanit dhe duke u çuar me kujdes nëpër shtigje të ndaluara, për të cilat flitet në Librin e Mormonit (shih 1 Nefi 8:28).

Apostulli Pal dha një paralajmërim në kohën e tij, që është i zbatueshëm në kohën tonë: “Në fakt unë e di se, … vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt” (Veprat e Apostujve 20:29–30).

Paralajmërimi i tij dhe paralajmërimet e profetëve dhe apostujve tanë na kujtojnë se duhet të bëjmë gjithçka mundemi për ta fuqizuar veten tonë shpirtërisht kundrejt fjalëve të kundërshtimit dhe mashtrimit. Teksa vizitoj lagje e kunja të Kishës, lartësohem moralisht nga ajo që shoh, dëgjoj e ndiej teksa shenjtorët u përgjigjen pozitivisht e besnikërisht mësimeve të Shpëtimtarit dhe të shërbëtorëve të Tij.

Shtimi i respektimit të ditës së Shabatit është vetëm një shembull i anëtarëve që po e fuqizojnë veten e tyre shpirtërisht duke ua vënë veshin ftesave profetike. Forcim i mëtejshëm është vënë re në shtimin e punës në tempull dhe për historinë familjare, teksa familjet i mbledhin së bashku paraardhësit e tyre nëpërmjet ordinancave të tempullit. Rrënjët tona shpirtërore futen më thellë kur lutjet e sinqerta vetjake dhe familjare bëhen fortesat e besimit tonë dhe kur pendohemi çdo ditë, kërkojmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë, mësojmë për Shpëtimtarin tonë dhe tiparet e Tij, dhe përpiqemi fort të bëhemi si Ai (shih 3 Nefi 7:27).

Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, është Drita e Botës dhe Ai na bën thirrje ta ndjekim Atë. Ne duhet të shohim tek Ai në të gjitha kohët dhe veçanërisht kur ka net të zymta e të stuhishme, kur furtuna e dyshimit dhe e pasigurisë, si një mjegull e dendur, hyn vjedhurazi. Nëse gishtat e drejtuar “nga ana tjetër e lumit të ujit, [ku qëndron] një ndërtesë [e] gjerë dhe [e] madhe” (1 Nefi 8:26) do të shfaqen të treguar drejt jush me një qëndrim përqeshës, poshtërues e ndjellës, ju kërkoj që të largoheni menjëherë, që të mos t’ju mbushet mendja nga mjetet djallëzore dhe dinake për t’u larguar nga e vërteta dhe bekimet e saj.

Megjithatë, vetëm kjo gjë nuk do të jetë e mjaftueshme në këtë kohë kur gjëra të çoroditura po fliten, shkruhen e portretizohen. Plaku Robert D. Hejls na mësoi: “Në qoftë se nuk jeni tërësisht të përfshirë në të jetuarin e ungjillit – duke e jetuar atë me gjithë ‘zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën’ tuaj – ju nuk mund të prodhoni mjaft dritë shpirtërore për ta davaritur errësirën” (“Out of Darkness into His Marvelous Light”, Liahona, korrik 2002, f. 78). Sigurisht, dëshira jonë për ta ndjekur Krishtin, i cili është Drita e Botës (shih Gjoni 8:12), do të thotë që ne duhet të veprojmë sipas mësimeve të Tij. Ne forcohemi, fuqizohemi dhe mbrohemi shpirtërisht kur veprojmë sipas fjalës së Perëndisë.

Sa më e madhe drita në jetën tonë, aq më të pakta hijet e dyshimit. Sidoqoftë, edhe në një bollëk drite, ne ndeshemi me njerëz e komente që i keqinterpretojnë bindjet tona dhe e vënë në provë besimin tonë. Apostulli Jakob shkroi se “sprova e besimit [tonë] sjell qëndrueshmëri” (Jakob [Bibël] 1:3). Me këtë këndvështrimin, Plaku Nil A. Maksuell dha mësim: “Një dishepull i qëndrueshëm … nuk do të habitet, as nuk do të shkatërrohet kur Kisha paraqitet në mënyrë të gabuar” (“Patience” [takim shpirtëror në Universitetin “Brigam Jang”, 27 nëntor 1979], speeches.byu.edu).

Patjetër që do të dalin pyetje rreth historisë së Kishës sonë dhe bindjeve tona. Vendi se ku shkojmë për t’i gjetur përgjigjet e sakta, kërkon kujdes të madh. Nuk fitohet asgjë nga shqyrtimi i pikëpamjeve dhe opinioneve të njerëzve më pak të informuar apo të zhgënjyer. Këshilla më e mirë u dha nga Apostulli Jakob: “Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5).

Kërkimi nga Perëndia duhet të paraprihet nga një studim i kujdesshëm, sepse ne kemi marrë porosi nga shkrimi i shenjtë që të kërkojmë “nga librat më të mirë fjalët e urtësisë” dhe të “kërko[jmë] të mëso[jmë], madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118). Ka një pasuri të madhe të këtyre librave, të shkruar nga udhëheqës të Kishës, të frymëzuar nga qielli, dhe nga studiues të mirënjohur, të sigurt e të besueshëm të historisë dhe doktrinës së Kishës. Pavarësisht nga kjo, asnjëri prej këtyre librave nuk e kapërcen madhështinë e fjalës së zbuluar nga Perëndia në shkrimin e shenjtë të kanonizuar. Nga ato fletë të holla, por të mbushura me ide shpirtërore, ne e mësojmë të vërtetën nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe, si rrjedhojë, na shtohet drita.

Presidenti Tomas S. Monson na është përgjëruar “që me lutje ta studiojmë dhe ta përsiatim Librin e Mormonit çdo ditë” (“Fuqia e Librit të Mormonit”, Liahona, maj 2017, f. 87).

Disa vite më parë, ndërkohë që po shërbeja si president i Misionit të Suvës në Fixhi, disa misionarë patën një përvojë që e përforcoi tek ata fuqinë e Librit të Mormonit për t’i kthyer njerëzit në besim. Në një ditë të nxehtë e të lagësht, dy misionarë mbërritën te një shtëpi në një koloni të vogël të Labasës.

Trokitjes në derë iu përgjigj një burrë i rrahur nga jeta, i cili dëgjonte teksa misionarët dëshmonin për vërtetësinë e Librit të Mormonit. Ata i dhanë një kopje dhe e ftuan që ta lexonte e të lutej për të ditur, sikurse ata, se ai libër është fjala e Perëndisë. Përgjigjja e tij ishte e shkurtër: “Nesër do të shkoj sërish të peshkoj. Do ta lexoj kur të jem në det dhe kur të kthehem, ju mund të më vizitoni përsëri.”

Ndërkohë që ai ishte i larguar, u bënë transferimet e misionarëve dhe, disa javë më vonë, një dyshe e re misionarësh u kthye për ta vizituar peshkatarin. Gjatë kësaj kohe, ai e kishte lexuar të gjithë Librin e Mormonit, kishte marrë një pohim për vërtetësinë e tij dhe dëshironte të mësonte më shumë.

Ky burrë ishte kthyer në besim nëpërmjet Frymës së Shenjtë, që i dëshmoi për të vërtetën e fjalëve të çmuara në çdo faqe ngjarjesh dhe për doktrinën e dhënë mësim shumë kohë më parë dhe të ruajtur për kohën tonë në Librin e Mormonit. Po ai bekim është në dispozicion për secilin prej nesh.

Shtëpia është një vend i përsosur për familjet që të studiojnë e diskutojnë ide të vlefshme nga shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve dhe që të përdorin materiale të Kishës tek LDS.org. Atje do të gjeni një bollëk informacioni rreth temave të ungjillit, të tilla si rrëfimet e Vegimit të Parë. Kur studiojmë nga librat më të mirë, ne mbrohemi kundrejt nofullave kërcënuese të atyre që kërkojnë t’i brejnë rrënjët tona shpirtërore.

Pavarësisht nga gjithë lutja, studimi e përsiatja jonë, mund të mbeten akoma disa pyetje që ende nuk kanë përgjigje, por ne nuk duhet ta lejojmë këtë gjë që të na e shuajë flakën e besimit që regëtin brenda nesh. Pyetje të tilla janë një ftesë për ta ngritur besimin tonë dhe nuk duhet ta ushqejnë një çast kalimtar të dyshimit mashtrues. Është vetë thelbi i fesë që të mos kemi një përgjigje të sigurt ndaj çdo pyetjeje, sepse ky është një nga qëllimet e besimit. Lidhur me këtë, Plaku Xhefri R. Holland na ka dhënë mësim se “kur ato çaste vijnë dhe shqetësimet shfaqen, zgjidhja e të cilave nuk po afrohet menjëherë, mbahuni fort tek ajo që tashmë e dini dhe qëndroni të paepur derisa të vijë dija e mëtejshme” (“Unë Besoj, o Zot”, Liahona, maj 2013, f. 94).

Ne shohim përreth nesh gëzimin e kaq shumë njerëzve që qëndrojnë të paepur, duke i ushqyer vazhdimisht rrënjët e tyre shpirtërore. Besimi dhe bindja e tyre janë të mjaftueshme për t’iu dhënë shpresë të madhe te Shpëtimtari i tyre dhe nga ajo buron lumturi e madhe. Ata nuk shpallin se i dinë të gjitha gjërat, por e kanë paguar çmimin që të dinë aq sa të kenë paqe e të jetojnë me durim, ndërkohë që përpiqen të dinë më shumë. Rresht pas rreshti, besimi i tyre çimentohet te Krishti dhe ata qëndrojnë të paepur si bashkëqytetarë me shenjtorët.

Jetoftë secili prej nesh në mënyrë të tillë që nofullat kërcënuese të vemjeve të maskuara të mos gjejnë vend, as tani e as kurrë, në jetën tonë që ne të mbetemi “të vendosur në besimin e Krishtit, madje deri në fund” (Alma 27:27). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.