2010–2019
Udhëtimi i Vështirë Vazhdon!
Tetor 2017


Udhëtimi i Vështirë Vazhdon!

Një udhëtim i vështirë kthimi për tek Ati ynë Qiellor është udhëtimi i vështirë më i rëndësishëm në jetën tonë.

Njëqind e shtatëdhjetë vjet më parë, Brigam Jangu e hodhi vështrimin për herë të parë mbi luginën e Solt-Lejkut dhe shpalli: “Ky është vendi i duhur!”1 Ai e njohu vendin ngaqë Zoti ia kishte zbuluar atij.

Deri në vitin 1869, më shumë se 70000 shenjtorë kishin bërë një udhëtim të ngjashëm, të vështirë. Pavarësisht nga ndryshimet e shumta në gjuhë, kulturë e kombësi, ata kishin të përbashkët një dëshmi për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit dhe një dëshirë për ta ndërtuar Sionin – një vend paqeje, lumturie dhe bukurie, në përgatitje për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.

Pamja
Xhejn Mening Xhejmsi

Mes atyre shenjtorëve të parë që mbërritën në Juta, ishte Xhejn Mening Xhejmsi – bija e një skllavi që i ishte dhënë liria, një e kthyer në besim në Kishën e rivendosur dhe një dishepulle e jashtëzakonshme, e cila u përball me sfida të vështira. Motra Xhejms qëndroi një shenjtore besnike e ditëve të mëvonshme deri në vdekjen e saj, në vitin 1908.

Ajo shkroi: “Dua ta them pikërisht tani, që besimi im në ungjillin e Jezu Krishtit, siç m’u mësua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, është po aq i fortë sot, jo, ai është, nëse është e mundur, më i fortë sesa në ditën kur u pagëzova fillimisht. I paguaj të dhjetat dhe ofertat e mia, e mbaj fjalën e urtësisë, shkoj në shtrat herët dhe ngrihem herët, përpiqem në pafuqinë time fizike që të jap një shembull të mirë për të gjithë.”2

Motra Xhejms, ashtu si shumë shenjtorë të tjerë të ditëve të mëvonshme, jo vetëm që e ndërtoi Sionin me gjak, djersë e lot, por i kërkoi gjithashtu bekimet e Zotit duke i jetuar parimet e ungjillit në mënyrën më të mirë që mundte, duke u mbajtur ndërkohë te besimi në Jezu Krishtin – shëruesin e madh për të gjithë ata që e kërkojnë Atë me çiltërsi.

Shenjtorët e hershëm nuk ishin të përsosur, por ata ngritën një themel mbi të cilin ne po ndërtojmë familjet dhe një shoqëri që i do dhe i mban besëlidhjet, gjë e cila del në pah në histori të ndryshme lajmesh kudo në botë për shkak të zotimit tonë ndaj Jezu Krishtit dhe përpjekjeve tona vullnetare për t’i ndihmuar ata që janë pranë dhe larg.3

Presidenti Ajring, më lejoni të shtoj vlerësimin tim për dhjetëra mijëra engjëj të veshur me bluzë të verdhë që po shërbejnë në Teksas, Meksikë e në vende të tjera dhe për ndihmesën tuaj.

Kam bindjen e thellë që, nëse i humbasim lidhjet tona me ata që janë larguar përpara nesh, përfshirë etërit dhe nënat tona pioniere, ne do të humbasim një thesar shumë të çmuar. Kam folur rreth “Besimit në Çdo Hap” në të kaluarën dhe do të vazhdoj të flas në të ardhmen, ngaqë e di se brezat e rinj duhet të ketë të njëjtin lloj besimi që e patën shenjtorët e hershëm te Zoti Jezu Krisht dhe ungjilli i Tij i rivendosur.4

Vetë stërgjyshërit dhe stërgjyshet e mia pioniere ishin mes atyre pionierëve besnikë që i tërhoqën karrocat e dorës, nganë karrot dhe ecën në këmbë për në Juta. Ata, sikurse Motra Xhejn Mening Xhejmsi, kishin besim të thellë në çdonjërin prej hapave të tyre teksa vazhdonin udhën e tyre të vështirë.

Ditarët e tyre janë të mbushur me përshkrime të vështirësive, urisë e sëmundjes dhe gjithashtu me dëshmi të besimit të tyre në Perëndinë dhe në ungjillin e rivendosur të Jezu Krishtit.

Ata kishin pak të mira materiale, por gëzonin një bollëk të bekimeve nga vëllazëria dhe motëria që e gjetën në Kishën e Jezu Krishtit. Kur mundeshin, ata iu jepnin zemër të shtypurve dhe i bekonin të sëmurët nëpërmjet shërbimit ndaj njëri-tjetrit dhe me anë të priftërisë së Perëndisë.

Motrat në luginën Kash, në Juta, u shërbyen shenjtorëve në frymën e Shoqatës së Ndihmës që të “punonin në unitet për t’i ndihmuar ata njerëz që ishin në nevojë”5. Stërgjyshja ime, Margarita Mek-Nill Ballardi shërbeu përkrah bashkëshortit të saj, Henrit, kur ai kryesoi si peshkop në lagjen e dytë të Loganit për dyzet vjet. Gjatë asaj kohe, Margarita ishte presidentja e Shoqatës së Ndihmës për lagjen për 30 vjet. Ajo i merrte në shtëpinë e saj të varfrit, të sëmurët dhe të vejat e jetimët dhe madje i vishte të vdekurit me rrobat e tyre të pastra të tempullit.

Megjithëse është e përshtatshme dhe e rëndësishme që ta kujtojmë udhëtimin e vështirë historik të pionierëve mormonë të shekullit të 19-të, ne kemi nevojë të kujtojmë se “udhëtimi i vështirë përmes jetës vazhdon” për secilin prej nesh ndërsa e provojmë vetë “besimin [tonë] në çdo hap”.

Pamja
Anëtarët mblidhen në bashkësitë e tyre vendore

Të kthyerit e rinj në besim nuk mblidhen më në kolonitë pioniere në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara Në vend të kësaj, të kthyerit në besim mblidhen në bashkësitë e tyre vendore, ku shenjtorët e adhurojnë Atin tonë Qiellor në emrin e Jezu Krishtit. Me më shumë se 30000 bashkësi të ngritura anembanë botës, të gjithë mblidhen në vetë Sionin e tyre. Siç shënohet në shkrimet e shenjta: “Sepse ky është Sioni – të kulluarit në zemër”6.

Ndërkohë që ecim në rrugën e jetës, ne vihemi në provë për të parë nëse do të “bëj[m]ë gjithçka që [Zoti ka] urdhëruar”7.

Shumë prej nesh janë në udhëtime të mahnitshme zbuluese – që çojnë drejt përmbushjes vetjake dhe ndriçimit shpirtëror. Sidoqoftë, disa prej nesh janë në udhëtimin e vështirë që çon drejt pikëllimit, mëkatit, ankthit e dëshpërimit.

Lidhur me këtë, ju lutem pyeteni veten tuaj: Cila është vendmbërritja juaj përfundimtare? Ku po ju çojnë hapat tuaj? Dhe a po ju çon udhëtimi juaj drejt asaj “shumëllojshmëri[e] bekimesh” që ka premtuar Shpëtimtari?8

Një udhëtim i vështirë kthimi për tek Ati ynë Qiellor është udhëtimi i vështirë më i rëndësishëm në jetën tonë dhe vazhdon çdo ditë, çdo javë, çdo muaj dhe çdo vit ndërsa e shtojmë besimin tonë tek Ai dhe Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti.

Duhet të jemi të kujdesshëm se ku na çojnë hapat tanë. Duhet të jemi syçelë dhe t’ia vëmë veshin këshillës së Jezusit dhënë dishepujve të Tij kur Ai iu përgjigj këtyre pyetjeve: “‘Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?’

Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: ‘Ruhuni se mos ju mashtron ndokush’.”9

Sot po përsërit një këshillë të hershme të dhënë nga udhëheqësit e Kishës.

  • Vëllezër e motra, mbajeni të pastër doktrinën e Krishtit dhe kurrë mos u mashtroni nga ata që e ndryshojnë doktrinën. Ungjilli i Atit dhe i Birit u rivendos nëpërmjet Jozef Smithit, profeti për këtë periudhë të fundit ungjillore.

  • Mos i dëgjoni ata që nuk janë shuguruar dhe/ose veçuar në thirrjet e tyre në Kishë dhe që nuk pranohen me anë të miratimit të përbashkët të anëtarëve të Kishës.10

  • Jini në dijeni për organizata, grupe apo individë që pretendojnë se kanë përgjigje sekrete ndaj pyetjeve doktrinore, që ata thonë se apostujt dhe profetët e sotëm nuk i kanë apo nuk i kuptojnë ato.

  • Mos i dëgjoni ata që ju joshin me skema mashtruese për t’u pasuruar. Anëtarët tanë kanë humbur tepër shumë para, prandaj jini të kujdesshëm.

Në disa vende, shumë nga njerëzit tanë janë duke parë përtej shenjës dhe duke kërkuar njohuri të fshehta në praktika të shtrenjta e të pasigurta për të gjetur shërim e mbështetje.

Një deklaratë zyrtare e Kishës, e lëshuar një vit më parë, thotë: “Ne i nxitim anëtarët e Kishës të jenë të kujdesshëm rreth pjesëmarrjes në ndonjë grup që premton – në këmbim të parave – shërime mrekullibërëse apo që pretendon se ka metoda të veçanta në përdorimin e fuqisë shëruese përtej mbajtësve të shuguruar siç duhet të priftërisë”11.

Manuali i Kishës këshillon: “Anëtarët nuk duhet të përdorin praktika mjekësore apo shëndetësore që janë të pasigurta etikisht apo ligjërisht. Udhëheqësit vendorë duhet t’i këshillojnë anëtarët që kanë probleme shëndetësore, që të këshillohen me mjekë të aftë profesionistë, të cilët janë të licencuar në vendet ku e ushtrojnë shërimin.”12

Vëllezër dhe motra, jini të mençur dhe të vetëdijshëm që praktika të tilla mund të jenë emocionalisht joshëse, por përfundimisht provojnë se janë të dëmshme shpirtërisht e fizikisht.

Për paraardhësit tanë pionierë, pavarësia dhe mbështetja te vetja ishin jetike, por ndjesia e tyre e komunitetit ishte po aq e rëndësishme. Ata punonin së bashku dhe e ndihmonin njëri-tjetrin që t’i kapërcenin sfidat fizike dhe emocionale të kohës së tyre. Për burrat ishte kuorumi i priftërisë dhe grave u shërbehej nëpërmjet Shoqatës së Ndihmës. Këto rezultate nuk kanë ndryshuar në kohën tonë.

Shoqata e Ndihmës dhe kuorumet e priftërisë sigurojnë për mirëqenien shpirtërore dhe materiale të anëtarëve tanë.

Qëndroni në shtegun e ungjillit duke pasur “besim në çdo hap”, në mënyrë që ju të ktheheni të sigurt në praninë e Atit Qiellor dhe të Zotit Jezu Krisht. Zoti është Shpëtimtari ynë i çmuar. Ai është Shëlbuesi i botës. Ne duhet ta nderojmë emrin e Tij të shenjtë dhe të mos e keqpërdorim atë në asnjë mënyrë, duke u përpjekur gjithmonë fort për t’i zbatuar urdhërimet e Tij. Nëse e bëjmë këtë, Ai do të na bekojë dhe do të na kthejë të sigurt në shtëpi.

E ftoj këdo që e dëgjon tingullin e zërit tim, që ta mirëpresë e përqafojë çdo njeri që po bën sot udhëtimin e tij apo të saj të vështirë, pavarësisht se ku janë në udhëtimin e tyre.

Ju lutem, mbajeni mend se nuk ka bekim më të madh që ndonjë njeri mund të japë, sesa mesazhi i Rivendosjes, i cili, kur pranohet dhe jetohet, premton gëzim dhe paqe të përhershme – madje jetë të përjetshme. Le t’i përdorim energjinë, forcën e dëshmitë tona për t’i ndihmuar misionarët tanë që të gjejnë, t’u japin mësim dhe t’i pagëzojnë fëmijët e Perëndisë, që fuqia e doktrinës së ungjillit të mund ta udhëheqë jetën e tyre të përditshme.

Ne kemi nevojë që t’i përqafojmë me dhembshuri fëmijët e Perëndisë dhe ta largojmë çdo paragjykim, përfshirë racizmin, seksizmin dhe nacionalizmin. Le të jetë e qartë se ne me të vërtetë besojmë se bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit janë për çdo fëmijë të Perëndisë.

Dëshmoj se “udhëtimi i vështirë vazhdon” dhe ju ftoj të qëndroni në shtegun e ungjillit ndërsa vazhdoni të ecni përpara duke i ndihmuar të gjithë fëmijët e Perëndisë me dashuri e dhembshuri, që bashkërisht të mund t’i bëjmë zemrat tona të kulluara dhe duart tona të pastra, për të marrë “shumëllojshmëri[në] e bekimeve” që i presin të gjithë ata që e duan me të vërtetë Atin tonë Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, për të cilat unë lutem përulësisht në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.