2010–2019
Tri Motra
Tetor 2017


Tri Motra

Ne jemi përgjegjës për vetë dishepullimin tonë dhe kjo ka pak lidhje – nëse ka ndonjë – me mënyrën se si na trajtojnë të tjerët.

Të dashura motra, të dashura mikesha, ta fillojmë konferencën e përgjithshme me një sesion mbarëbotëror të motrave është e rëndësishme dhe e mrekullueshme. Thjesht përfytyroni: motra nga të gjitha moshat, prejardhjet shoqërore, kombësitë dhe gjuhët, të bashkuara me besim dhe dashuri për Zotin Jezu Krisht.

Herën e fundit që u takuam me profetin tonë të dashur, Presidentin Tomas S. Monson, ai na shprehu se sa shumë e do Zotin. Dhe unë e di që Presidenti Monson është shumë mirënjohës për dashurinë tuaj, lutjet tuaja dhe përkushtimin tuaj ndaj Zotit.

Shumë kohë më parë, në një vend të largët, jetonte një familje me tri motra.

Motra e parë ishte e trishtuar. Gjithçka, që nga hunda deri te mjekra dhe nga koka deri te gishtat e këmbëve të saj, nuk i dukej mjaft e mirë. Kur fliste, nganjëherë fjalët i dilnin me vështirësi dhe njerëzit qeshnin. Kur dikush e kritikonte ose “harronte” ta ftonte në diçka, ajo do të skuqej, do të largohej dhe do të gjente një vend të fshehtë ku do të lëshonte një psherëtimë të trishtuar dhe do ta pyeste veten përse jeta, si përfundim, i ishte bërë kaq e zymtë dhe e pahareshme.

Motra e dytë ishte e zemëruar. Mendonte për veten se ishte shumë e zgjuar, por gjithmonë gjendej dikush tjetër që merrte nota më të mira në provimet e shkollës. Ajo e konsideronte veten zbavitëse, bukuroshe, moderne dhe mahnitëse. Por gjithmonë dukej se gjendej një tjetër që ishte më zbavitëse, më bukuroshe, më moderne dhe më mahnitëse.

Ajo s’qe kurrë e para në ndonjë gjë dhe këtë nuk mund ta duronte. Jeta nuk duhej të ishte kështu!

Nganjëherë u kthehej me inat të tjerëve dhe dukej se ishte gjithmonë një grimë larg prej të ndierit e fyer nga një gjë apo një tjetër.

Sigurisht, kjo nuk e bëri atë më të pëlqyeshme apo më të njohur. Nganjëherë shtrëngonte dhëmbët, mblidhte grushtet e mendonte: “Jeta është kaq e padrejtë!”

Më pas vinte motra e tretë. Ndryshe nga motra e saj e trishtuar dhe motra e saj e zemëruar, ajo ishte – pra, e gëzuar. Dhe kjo nuk ndodhte ngaqë ajo ishte më e mençur apo më e bukur, ose më e zonja se motrat e saj. Jo, nganjëherë njerëzit i shmangeshin ose e shpërfillnin edhe atë. Nganjëherë bënin shaka me gjërat që kishte veshur apo gjërat që po thoshte. Nganjëherë thonin gjëra të këqija rreth saj. Por ajo nuk e linte asgjë të tillë që ta shqetësonte shumë.

Kësaj motre i pëlqente shumë të këndonte. Nuk këndonte dhe aq mirë dhe njerëzit qeshnin për këtë, por kjo s’e ndalte atë. Ajo do të thoshte: “Nuk do t’i lejoj njerëzit e tjerë dhe opinionet e tyre që të më ndalojnë të këndoj!”

Pikërisht fakti që ajo vazhdonte të këndonte, e bënte të trishtuar motrën e saj të parë dhe të zemëruar motrën e saj të dytë.

Shumë vite kaluan dhe më së fundi secila motër mbërriti në mbarimin e jetës së saj në tokë.

Motra e parë, e cila zbuloi herë pas here se nuk ka mungesë zhgënjimesh në jetë, përfundimisht vdiq e trishtuar.

E dyta, e cila çdo ditë gjeti diçka të re për të mos e pëlqyer, vdiq e zemëruar.

Dhe motra e tretë, e cila e kaloi jetën e vet duke e kënduar këngën e saj me gjithë fuqinë e saj dhe me një buzëqeshje plot vetëbesim në fytyrë, vdiq e gëzuar.

Sigurisht, jeta nuk është kurrë kaq e thjeshtë dhe njerëzit nuk janë kurrë kaq të pandryshueshëm si tri motrat në këtë tregim. Por edhe shembuj të skajshëm si këta mund të na mësojnë diçka rreth vetvetes. Nëse jeni si shumica prej nesh, mund të keni dalluar pjesë të vetes suaj tek një, dy apo ndoshta që të tri motrat. Le ta shohim më nga afër secilën.

Viktima

Motra e parë e pa veten e saj si një viktimë – si dikë mbi të cilën vepronin të tjerët.1 Dukej se asaj vazhdonin t’i ndodhnin njëra pas tjetrës gjëra që e bënin të mjeruar. Me këtë qëndrim ndaj jetës, ajo po u jepte të tjerëve kontroll mbi mënyrën se si ndihej e sillej. Kur e bëjmë këtë gjë, ne vihemi në lëvizje nga çdo erë opinioni – dhe në këtë kohë të mjeteve të gjithëpranishme shoqërore të informimit, ato erëra fryjnë me fuqinë e një uragani.

Motra të dashura, përse duhet t’ia dorëzoni lumturinë tuaj dikujt, apo një grupi dikujt-ësh, që tregon shumë pak interes për ju ose lumturinë tuaj?

Nëse shqetësoheni se çfarë thonë për ju njerëzit e tjerë, lejomëni të sugjeroj këtë kundërhelm: kujtoni se cila jeni. Mbani mend që jeni nga shtëpia mbretërore e mbretërisë së Perëndisë, bija të Prindërve Qiellorë, të cilët mbretërojnë anekënd gjithësisë.

Ju keni ADN-në shpirtërore të Perëndisë. Keni dhunti të pashoqe që e patën zanafillën në krijimin tuaj shpirtëror dhe që u zhvilluan gjatë një shtrirjeje të gjerë në jetën tuaj para lindjes. Ju jeni fëmija i Atit tonë të mëshirshëm dhe të përjetshëm në Qiell, Zotit të Ushtrive, Atij që krijoi gjithësinë, përhapi yjet rrotullues përmes një shtrirjeje të gjerë të hapësirës dhe i vendosi planetët në orbitat e tyre të caktuara.

Ju jeni në duart e Tij.

Duar shumë të mira.

Duar të dashura.

Duar përkujdesëse.

Dhe asgjë që thotë për ju kushdo, kurdoqoftë, nuk mund ta ndryshojë atë. Fjalët e tyre janë pa domethënie kur krahasohen me atë që Perëndia ka thënë rreth jush.

Ju jeni fëmija i Tij i çmuar.

Ai ju do.

Edhe kur pengoheni, edhe kur largoheni prej Tij, Perëndia ju do. Nëse ndiheni të humbura, të braktisura apo të harruara – mos kini frikë. Bariu i Mirë do t’ju gjejë. Do t’ju ngrejë mbi supet e Tij. Dhe do t’ju çojë në shtëpi.2

Motrat e mia të dashura, ju lutem, lejojini këto të vërteta hyjnore të nguliten thellë në zemrat tuaja. Dhe do të gjeni se ka shumë arsye për të mos qenë të trishtuara, sepse ju keni për të përmbushur një të ardhme të përjetshme.

Shpëtimtari i dashur i botës e dha jetën e Tij me qëllim që ju të mund të zgjidhnit që ta bëni atë të ardhme një realitet. Keni marrë mbi vete emrin e Tij; jeni dishepullet e Tij. Dhe për shkak të Tij, ju mund të visheni me rroba lavdie të përjetshme.

Urryesja

Motra e dytë ishte e inatosur me botën. Sikurse motra e saj e trishtuar, ajo ndiente se problemet në jetën e saj ishin të gjitha të shkaktuara nga dikush tjetër. Ua hodhi fajin familjes së saj, miqve të saj, drejtorit dhe kolegëve të saj, policisë, fqinjëve, udhëheqësve të Kishës, prirjeve bashkëkohore të modës, madje fuqisë së stuhive diellore dhe thjesht fatit të keq. Dhe iu kthehej me inat atyre të gjithave.

Nuk mendonte për veten e saj si një njeri të keq. Përkundrazi, e ndiente se vetëm po mbronte vetveten. Kushdo tjetër, besonte ajo, merrte shtysë nga egoizmi, vogëlsirat dhe urrejtja. Ajo, nga ana tjetër, shtyhej nga qëllime të mira – drejtësia, integriteti moral dhe dashuria.

Për fat të keq, mënyra e të menduarit e motrës së zemëruar është e gjitha tepër e zakontë. Kjo u vu në dukje nga një studim i kohëve të fundit që bëri kërkime mbi konfliktin midis grupeve kundërshtare. Si pjesë e studimit, hulumtuesit intervistuan palestinezë dhe izraelitë në Lindjen e Mesme dhe republikanë e demokratë në Shtetet e Bashkuara. Ata zbuluan që “secila palë mendonte se grupi i tyre shtyhej nga dashuria më shumë sesa urrejtja, por, kur i pyetën përse grupi i tyre kundërshtar përfshihej në konflikt, [ata] vunë në dukje urrejtjen si faktorin kryesor shtytës të grupit [tjetër]”3.

Me fjalë të tjera, secili grup mendoi për veten e vet si “njerëzit e mirë” – të drejtët, dashamirësit dhe të vërtetët. Nga ana tjetër, ata i panë kundërshtarët e tyre si “njerëzit e këqij” – të painformuarit, fgtë pandershmit, madje të ligjtë.

Vitin kur u linda unë, bota u zhyt në një luftë të tmerrshme që i solli botës dëshpërim pikëllues dhe hidhërim shkatërrues. Kjo luftë u shkaktua nga një grup njerëzish prej vetë kombit tim – nga një grup njerëzish që i përcaktuan grupe të tjera të caktuara si të ligj dhe nxitën urrejtje ndaj tyre.

Ata i bënë të heshtnin njerëzit që nuk i pëlqenin. I turpëruan dhe i paraqitën ata si të këqij. I konsideruan të një klase më të ulët – madje më pak se njerëzorë. Pasi ta nënçmosh një grup njerëzish, ka më shumë të ngjarë që të shfajësosh fjalët dhe veprimet e dhunës kundër tyre.

Rrëqethem kur mendoj rreth asaj që ndodhi në Gjermaninë e shekullit të 20-të.

Kur dikush na kundërshton ose nuk bie dakord me ne, është tunduese që të hamendësojmë se duhet të ketë diçka që nuk shkon tek ata. Dhe nga ajo pikë është fare e lehtë t’iu bashkëngjitësh shtysat më të këqija fjalëve dhe veprimeve të tyre.

Sigurisht, gjithmonë duhet të mbrojmë atë që është e drejtë dhe ka raste kur duhet t’i ngremë zërat tanë për atë kauzë. Megjithatë, kur e bëjmë këtë me zemërim ose urrejtje në zemrat tona – kur u kthehemi me inat të tjerëve për t’i lënduar e turpëruar ata, apo për t’ua mbyllur gojën atyre – ka të ngjarë që nuk po e bëjmë këtë gjë me drejtësi.

Çfarë dha mësim Shpëtimtari?

“Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin,

për të qenë bij të Atit tuaj që është në qiej’.”4

Kjo është mënyra e Shpëtimtarit. Është hapi i parë në shembjen e pengesave që krijojnë kaq shumë zemërim, urrejtje, përçarje dhe dhunë në botë.

“Po”, mund të thoni ju, “do të jem i gatshëm t’i dua armiqtë e mi – sikur vetëm ata të jenë të gatshëm të bëjnë të njëjtën gjë.”

Por kjo nuk ka rëndësi vërtet, apo jo? Ne jemi përgjegjës për vetë dishepullimin tonë dhe kjo ka pak lidhje – nëse ka ndonjë – me mënyrën se si na trajtojnë të tjerët. Ne sigurisht shpresojmë që ata do të jenë të mirëkuptueshëm e dashamirës ndaj nesh, por dashuria jonë për ta është e pavarur nga ndjenjat e tyre ndaj nesh.

Ndoshta përpjekja jonë për t’i dashur armiqtë tanë do t’i zbutë zemrat e tyre dhe do të ndikojë për mirë tek ata. Ndoshta jo. Por kjo nuk e ndryshon zotimin tonë për ta ndjekur Jezu Krishtin.

Prandaj, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit, ne vërtet do t’i duam armiqtë tanë.

Vërtet do ta mposhtim zemërimin ose urrejtjen.

Vërtet do t’i mbushim zemrat tona me dashuri për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Vërtet do të ndihmojmë për t’i bekuar të tjerët dhe për t’u dhënë shërbesë atyre – edhe atyre që mund të na “keqtrajtojnë dhe [na] përndjekin”5.

Dishepullja e Vërtetë

Motra e tretë përfaqëson dishepullen e vërtetë të Jezu Krishtit. Ajo bëri diçka që mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë për t’u bërë: i mirëbesoi Perëndisë edhe kur u përball me përqeshje dhe vështirësi. Në njëfarë mënyre ajo e ruajti besimin dhe shpresën e saj, pavarësisht nga përçmimi dhe cinizmi përreth saj. Jetoi plot gëzim jo ngaqë rrethanat e saj ishin plot gëzim, por ngaqë ajo ishte plot gëzim.

Askush prej nesh nuk ia del përmes udhëtimit të jetës pa hasur kundërshtim. Me kaq shumë forca që përpiqen të na largojnë, si ta mbajmë këndvështrimin tonë të përqendruar te lumturia e lavdishme që u premtohet besnikëve?

Besoj se përgjigjja mund të gjendet në një ëndërr që e pati një profet mijëra vjet më parë. Emri i profetit është Lehi dhe ëndrra e tij shënohet në Librin e shtrenjtë dhe të mrekullueshëm të Mormonit.

Në ëndrrën e tij, Lehi pa një fushë të gjerë dhe në të gjendej një pemë e mrekullueshme, e bukur përtej çdo përshkrimi. Ai gjithashtu pa grupe të mëdha njerëzish duke ecur drejt pemës. Ata donin ta shijonin frytin e saj të lavdishëm. Menduan e mirëbesuan se do t’iu jepte lumturi të madhe dhe paqe të qëndrueshme.

Pati një shteg të ngushtë që çonte drejt pemës dhe përgjatë tij ishte një shufër e hekurt, e cila i ndihmoi të qëndronin në shteg. Por pati gjithashtu një mjegull errësire që ua pengoi të shikuarin si të shtegut ashtu edhe të pemës. Dhe ndoshta madje më i rrezikshëm ishte tingulli i të qeshurës dhe talljes së fortë që vinte nga një ndërtesë e gjerë dhe e madhe aty pranë. Në mënyrë befasuese, përqeshja madje i bindi disa njerëz, të cilët e kishin arritur pemën dhe e kishin shijuar frytin e mrekullueshëm, që të fillonin të ndiheshin të turpëruar dhe të largoheshin duke u endur.6

Ndoshta filluan të dyshonin që pema ishte vërtet aq e bukur sa ç’e kishin menduar dikur. Ndoshta filluan ta vinin në pikëpyetje realitetin e asaj që kishin përjetuar.

Mbase menduan se, në qoftë se do të largoheshin nga pema, jeta do të ishte më e lehtë. Mbase nuk do t’i tallnin apo përqeshnin më.

Dhe ndërkohë, njerëzit që po i përçmonin, dukeshin si njerëz që ishin mjaft të lumtur dhe po ia kalonin mirë. Prandaj ndoshta po ta braktisnin pemën, do të mirëpriteshin në bashkësinë e ndërtesës së gjerë dhe të madhe dhe do të merrnin duartrokitje për gjykimin, inteligjencën dhe sofistikimin e tyre.

Qëndroni në Shteg

Motra të dashura, mikesha të dashura, nëse e shihni të vështirë që të mbaheni fort te shufra e hekurt dhe të ecni pa u lëkundur drejt shpëtimit; nëse e qeshura dhe tallja e atyre që duken me shumë besim te vetja, ju bëjnë që të lëkundeni; nëse shqetësoheni nga pyetjet pa përgjigje apo doktrinat që ende s’i kuptoni; nëse ndiheni të trishtuara për shkak të zhgënjimeve, unë ju nxit të kujtoni ëndrrën e Lehit.

Qëndroni në shteg!

Kurrë mos e lëshoni shufrën e hekurt – fjalën e Perëndisë!

Dhe kur dikush përpiqet t’ju bëjë të ndiheni të turpëruara ngaqë merrni prej dashurisë së Perëndisë, mos ua vini veshin.

Kurrë mos harroni se ju jeni fëmijë i Perëndisë; bekime prisni përherë; po të mësoni të bëni vullnetin e Tij, me Të do të rroni edhe njëherë!7

Premtimet e lavdërimit dhe të pranimit nga bota janë të pasigurta, të pavërteta dhe të pakënaqshme. Premtimet e Perëndisë janë të sigurta, të vërteta dhe të gëzueshme – tani e përgjithmonë.

Ju ftoj ta merrni parasysh fenë dhe besimin nga një këndvështrim më i lartë. Asgjë që ofrohet në godinën e gjerë dhe të madhe, nuk mund të krahasohet me frytin e të jetuarit të ungjillit të Jezu Krishtit.

Me të vërtetë, “ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”8.

Unë vetë kam mësuar se shtegu i dishepullimit në ungjillin e Jezu Krishtit është udha drejt gëzimit. Është udha drejt sigurisë e paqes. Është udha drejt së vërtetës.

Unë dëshmoj që, nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë, ju mund ta mësoni këtë gjë për veten tuaj.

Ndërkohë, nëse shtegu bëhet i vështirë për ju, shpresoj që do të gjeni strehë e forcë në organizatat tona të mrekullueshme të Kishës: në Filloren, Të Rejat dhe Shoqatën e Ndihmës. Ato janë si vendpushime përgjatë shtegut, ku mund të ripërtërini vetëbesimin dhe besimin tuaj për udhëtimin përpara jush. Janë një shtëpi e sigurt, ku mund të provoni një ndjenjë përkatësie dhe mund të merrni nxitje nga motrat dhe bashkëdishepullet tuaja.

Gjërat që i mësoni në Fillore, ju përgatitin për të vërtetat shtesë që i mësoni si vajza të reja. Shtegu i dishepullimit në të cilin ecni në klasat tuaja të Të Rejave, ju çon drejt shoqërimit dhe motërisë në Shoqatën e Ndihmës. Me çdo hap përgjatë udhës, juve ju jepen mundësi shtesë për ta treguar dashurinë tuaj për të tjerët nëpërmjet veprimeve të besimit, dhembshurisë, dashurisë hyjnore, virtytit dhe shërbimit.

Zgjedhja e këtij shtegu të dishepullimit do të çojë drejt lumturisë dhe përmbushjes së patreguar të natyrës sonë hyjnore.

Nuk do të jetë e lehtë. Do të kërkojë më të mirën që keni – gjithë inteligjencën, aftësinë krijuese, besimin, integritetin moral, forcën, vendosmërinë dhe dashurinë tuaj. Por një ditë do ta hidhni vështrimin pas te përpjekjet tuaja dhe o, sa mirënjohëse do të jeni që qëndruat të forta, që besuat dhe që nuk u larguat nga shtegu!

Ecni Përpara

Mund të ketë shumë gjëra në jetë që janë përtej kontrollit tuaj. Por në fund të fundit, ju keni fuqinë që të zgjidhni si fatin tuaj ashtu edhe shumë prej përvojave tuaja përgjatë shtegut. Nuk janë dhe aq shumë aftësitë tuaja, por zgjedhjet tuaja që do ta sjellin ndryshimin në jetë.9

Nuk mund t’i lejoni rrethanat që t’ju bëjnë të trishtuara.

Nuk mund t’i lejoni ato t’ju bëjnë të zemëruara.

Mund të gëzoheni se jeni një bijë e Perëndisë. Mund të gjeni gëzim e lumturi në hirin e Perëndisë dhe në dashurinë e Jezu Krishtit.

Mund të jeni të gëzuara.

Unë ju nxit që t’i mbushni zemrat tuaja me mirënjohje për mirësinë e begatë dhe të pakufishme të Perëndisë. Motrat e mia të dashura, ju mund ta bëni këtë! Lutem me të gjithë dhembshurinë e shpirtit tim që ju do të bëni zgjedhjen për të ecur përpara drejt pemës së jetës. Lutem që do të zgjidhni ta ngrini zërin tuaj dhe ta bëni jetën tuaj një simfoni të lavdishme përlëvdimi, duke u ngazëllyer në atë që dashuria e Perëndisë, mrekullitë e Kishës së Tij dhe ungjilli i Jezu Krishtit mund t’ia sjellin botës.

Kënga e dishepullimit të vërtetë mund të tingëllojë e stonuar apo madje paksa e fortë për dikë. Që prej fillimit të kohëve, kjo ka qenë kështu.

Por për Atin tonë Qiellor dhe ata që e duan dhe e nderojnë Atë, ajo është kënga më e çmuar dhe më e bukur – kënga madhështore dhe shenjtëruese e dashurisë shëlbuese dhe e shërbimit ndaj Perëndisë e bashkëqenieve.10

Ju lë bekimin tim si Apostull i Zotit që ju do të gjeni forcën e kurajën për t’u ngazëllyer plot gëzim si një bijë e Perëndisë, ndërkohë që ecni me gëzim çdo ditë në shtegun e lavdishëm të dishepullimit. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.