2010–2019
A Jam Unë Fëmijë i Perëndisë?
Prill 2018


A Jam Unë Fëmijë i Perëndisë?

Si mund ta përjetojë secili prej nesh fuqinë e të kuptuarit të identitetit tonë hyjnor? Kjo fillon duke kërkuar ta njohim Perëndinë, Atin tonë.

Kohët e fundit shkova në kishë me mamanë time të dashur në godinën tonë të vjetër, të ndërtuar prej guri. I tërhequr nga zërat e njomë që vinin nga po e njëjta dhomë e Fillores në të cilën merrja pjesë dekada më parë, hyra në fund të dhomës dhe vështrova udhëheqëse të kujdesshme duke dhënë mësim temën e këtij viti: “Unë Jam Fëmijë i Perëndisë”1. Buzëqesha teksa kujtova mësuese të duruara dhe të dashura, të cilat gjatë kohës së këngës në ato kohë, do të shikonin shpesh nga unë – ai vogëlush i panënshtruar në fund të radhës – si për të thënë: “A është ai me të vërtetë fëmijë i Perëndisë? Dhe kush e dërgoi atë këtu?”2

E ftoj secilin prej nesh që ta hapë zemrën ndaj Frymës së Shenjtë i cili “… i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë”3.

Fjalët e Presidentit Bojd K. Paker janë të qarta e të çmueshme: “Ti je fëmijë i Perëndisë. Ai është ati i shpirtit tënd. Nga ana shpirtërore ti je me një prejardhje fisnike, pasardhësi i Mbretit të Qiellit. Ngulite atë të vërtetë në mendjen tënde dhe mbahu tek ajo. Pavarësisht nga brezat e shumtë të paraardhësve të tu në vdekshmëri, pavarësisht se cilën racë apo popull përfaqëson, prejardhja e shpirtit tënd mund të shkruhet në një rresht të vetëm. Ti je fëmijë i Perëndisë!”4

“Kur ta … shihni Atin tuaj”, përshkroi Brigam Jangu, “ju do të shihni një qenie me të cilin jeni njohur prej shumë kohësh, dhe Ai do t’ju marrë në krahët e Tij, dhe ju do të jeni gati për ta shtrënguar në përqafim dhe për ta puthur Atë”5.

Lufta e Madhe mbi Identitetin Hyjnor

Moisiu mësoi për trashëgiminë e tij hyjnore duke folur ballë për ballë me Zotin. Pas kësaj përvoje, “Satani erdhi ta tundonte” me qëllim dinak, por prapëseprapë të egër për të shtrembëruar identitetin e Moisiut, “duke thënë: Moisi, biri i njeriut, adhuromë mua. Dhe … Moisiu hodhi vështrimin mbi Satanin dhe tha: Kush je ti? Sepse, vër re, unë jam një bir i Perëndisë6.

Kjo luftë e madhe mbi identitetin hyjnor tërbohet egërsisht teksa arsenali në shumëfishim i Satanit ka si qëllim ta shkatërrojë besimin tonë dhe njohurinë tonë për marrëdhënien tonë me Perëndinë. Fatmirësisht ne jemi bekuar me një kuptueshmëri dhe vizion të qartë të identitetit tonë të vërtetë që nga fillimi: “Pastaj Perëndia tha: ‘Ta bëjmë njeriun sipas [vetë] shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne’”7 dhe profetë të gjallë shpallin: “Secil[a] [qënie njerëzore] është një bir ose bijë shpirtërore e dashur e prindërve qiellorë dhe, si i tillë, secili ka një natyrë dhe destinacion hyjnor”8.

Arritja për t’i ditur këto të vërteta me siguri9 na ndihmon të mposhtim sprova, shqetësime dhe vuajtje të çdo lloji.10 Kur e pyetën: “Si mund t’i ndihmojmë ata që janë duke u ndeshur me [një sfidë vetjake]?”, një Apostull i Zotit udhëzoi: “Mësojuni identitetin e tyre dhe qëllimin e tyre”11.

“Njohuria më e Fuqishme që Unë Zotëroj”

Këto të vërteta të fuqishme ishin jetëndryshuese për shoqen time, Xhenin12, e cila kur ishte adoleshente shkaktoi një aksident të rëndë me makinë. Edhe pse trauma e saj fizike ishte e rëndë, ajo ndjeu vuajtje kaq therëse sepse shoferja tjetër kishte humbur jetën. “Dikush humbi nënën dhe ishte faji im”, thotë ajo. Xheni, e cila vetëm pak ditë më parë u ngrit në këmbë dhe recitoi: “Ne jemi bija të Atit tonë Qiellor, i cili na do”13, tani pyeste veten: “Si mund të më dojë Ai mua?”

“Vuajtja fizike kaloi”, thotë ajo, “por nuk mendoja se do të shërohesha ndonjëherë nga plagët emocionale dhe shpirtërore.”

Në mënyrë që të mbijetonte, Xheni i fshehu ndjenjat e saj thellësisht, duke u bërë e largët dhe e mpirë. Pas një viti, kur më në fund ajo ishte në gjendje që të fliste rreth aksidentit, një këshilltar i frymëzuar e ftoi të shkruante frazën “Unë jam fëmijë i Perëndisë” dhe ta thoshte atë 10 herë në ditë.

“Të shkruaja fjalët ishte e lehtë”, kujton ajo, “por unë nuk mund t’i thosha ato. … Kjo e bëri të vështirë dhe unë nuk besoja se Perëndia më donte mua si fëmijën e Tij. Unë kruspullohesha dhe qaja.”

Pas disa muajsh, Xheni më në fund qe në gjendje ta përmbushte detyrën çdo ditë. “E derdha gjithë shpirtin tim”, tha ajo, “duke iu përgjëruar Perëndisë. … Atëherë fillova t’u besoja fjalëve.” Ky besim e lejoi Shpëtimtarin që të fillonte ta shëronte shpirtin e saj të plagosur. Libri i Mormonit solli ngushëllim dhe kurajë për Shlyerjen e Tij.14

“Krishti i ndjeu dhembjet e mia, brengat e mia, fajin tim”, përfundon Xheni. “Unë ndjeva dashurinë e pastër të Perëndisë dhe nuk kisha përjetuar kurrë asgjë aq të fuqishme! Të di se unë jam fëmijë i Perëndisë është njohuria më e fuqishme që unë zotëroj!”

Kërkimi për ta Njohur Perëndinë, Atin Tonë

Vëllezër dhe motra, si mund ta përjetojë secili prej nesh fuqinë e të kuptuarit të identitetit tonë hyjnor? Kjo fillon me kërkimin për ta njohur Perëndinë, Atin tonë.15 Presidenti Rasëll M. Nelson dëshmoi: “Diçka e mrekullueshme ndodh kur një fëmijë i Perëndisë kërkon të dijë më shumë rreth Tij dhe Birit të Tij të Dashur”16.

Të mësuarit për Shpëtimtarin dhe ndjekja e Tij na ndihmojnë të njohim Atin. “Duke qenë … vula e qenies së [Atit të] tij”17, Jezusi dha mësim: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati”18. Çdo fjalë dhe veprim i Krishtit zbulon natyrën e vërtetë të Perëndisë dhe marrëdhënien tonë me Të.19 Plaku Xhefri R. Holland dha mësim: “Me gjak që shfaqej nga çdo por dhe një thirrje ankthi në buzët e Tij, Krishti [e] kërkoi Atë, të cilin Ai kishte kërkuar gjithmonë – Atin e Tij. ‘Abba’, thirri Ai, ‘Baba’”20.

Ashtu si Jezusi e kërkoi me zell Atin e Tij në Gjetseman, në të njëjtën mënyrë i riu Jozef Smith, në 1820‑ën, e kërkoi me lutje Perëndinë në Korijen e Shenjtë. Pasi lexoi: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia”21, Jozefi shkoi mënjanë për t’u lutur.

“Rashë në gjunjë”, shkroi ai, “dhe fillova t’i tregoj dëshirat e zemrës sime Perëndisë. …

… Unë pashë një shtyllë drite tamam mbi kokën time. …

… Unë pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: [Jozef], Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!22

Kur i ndjekim shembujt e Shpëtimtarit dhe të Profetit Jozef dhe e kërkojmë me zell Perëndinë, ne do të arrijmë të kuptojmë në një mënyrë të vërtetë, ashtu si Xheni bëri, se Ati ynë na njeh me emër, se ne jemi fëmijët e Tij.

Nënave, veçanërisht nënave të reja, që shpesh ndiheni të mposhtura ose të mbytura teksa përpiqeni fort të rritni “një brez që i bën ballë mëkatit”23, kurrë mos e nënvlerësoni rolin tuaj qendror në planin e Perëndisë. Në çaste stresuese – ndoshta kur jeni duke ndjekur të vegjlit dhe një erë e djegur nga kuzhina ju njofton se darka që po e përgatitnit me dashuri, është tashmë një ofertë e djegur – dijeni se Perëndia i shenjtëron ditët tuaja më të vështira.24 “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty”25, na siguron Ai paqësisht. Ne ju nderojmë ndërsa ju e përmbushni shpresën e Motrës Xhoi D. Xhons, e cila shpalli: “Fëmijët tanë e meritojnë të kuptojnë identitetin e tyre hyjnor”26.

E ftoj secilin prej nesh ta kërkojë Perëndinë dhe Birin e Tij të Dashur. “Askund tjetër”, drejtoi Presidenti Nelson, “nuk jepen mësim më qartë dhe më fuqishëm këto të vërteta sesa në Librin e Mormonit”27. Hapini faqet e tij dhe mësoni se Perëndia i bën “të gjitha gjërat për mirëqenien dhe për lumturinë [tonë]”28; se Ai është “i dhembshur dhe i hirshëm, i ngadalshëm në zemërim, i duruar dhe plot mirësi”29 dhe se “të gjithë janë njësoj para [Tij]”30. Kur ndiheni të lënduar, të humbur, të frikësuar, të zemëruar, të mërzitur, të uritur ose të braktisur pa shpresë në skajet e jetës31 – hapeni Librin e Mormonit dhe ju do të arrini të dini që “[Perëndia] nuk do të na braktisë kurrë. Ai kurrë nuk na ka braktisur dhe kurrë nuk do të na braktisë. Ai nuk mund të na braktisë. Nuk është në karakterin e Tij [që të na braktisë]”32.

Të arrijmë ta njohim Atin tonë ndryshon gjithçka, veçanërisht zemrën tonë, teksa shpirti i Tij i butë na pohon identitetin tonë të vërtetë dhe vlerën tonë të madhe në sytë e Tij.33 Perëndia ecën me ne përgjatë shtegut të besëlidhjes kur ne e kërkojmë Atë nëpërmjet përgjërimeve plot lutje, kërkimit në shkrimet e shenjta dhe përpjekjeve të bindura.

Shkëlqimi i Karakterit të Perëndisë – Dëshmia ime

Unë e dua Perëndinë e etërve të mi,34 “Perëndinë e Plotfuqishëm”35, i cili vajton me ne në brengat tona, e qorton me durim padrejtësinë tonë dhe gëzohet kur ne përpiqemi t’i “braktis[im] të gjitha mëkatet [tona] për ta njohur [Atë]”36. Unë e adhuroj Atë, i cili është gjithmonë “babai i jetimëve”37 dhe shoqëruesi i të pashoqëruarve. Me mirënjohje dëshmoj se kam arritur ta njoh Perëndinë, Atin tim, dhe jap dëshmi të përsosurive, cilësive dhe të “shkëlqimit të karakterit të [Tij]”38.

Që secili prej nesh të mund ta kuptojë me të vërtetë “trashëgiminë [tonë] fisnike”39 si fëmijë i Perëndisë duke arritur ta njohim Atë, “të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që [Ai e] k[a] dërguar”40 është lutja ime e zjarrtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.