2010–2019
“Jini me Ta e Forcojini Ata”
Prill 2018


“Jini me Ta e Forcojini Ata”

Lutja jonë sot është që çdo burrë e çdo grua do të largohet nga kjo konferencë e përgjithshme i/e zotuar më thellësisht për një përkujdesje të përzemërt ndaj njëri-tjetrit.

Për të parafrazuar Ralf Ualdo Emersonin, “Çastet më të paharrueshme në jetë janë ato në të cilat ndiejmë një mësymje zbulesash”1. President Nelson, nuk e di edhe sa “mësymje” të tjera mund të durojmë këtë fundjavë. Disa prej nesh kanë zemra të dobëta. Por tani që e mendoj, ti mund të kujdesesh edhe për këtë gjithashtu. Çfarë profeti!

Në të njëjtën frymë të shpalljeve dhe dëshmive të mrekullueshme të Presidentit Nelson natën e kaluar dhe këtë mëngjes, unë jap dëshminë time që këto përshtatje janë shembuj të zbulesave që e kanë udhëhequr këtë Kishë që prej fillimit të saj. Ato janë sidoqoftë prova të mëtejshme se Zoti po e përshpejton punën e Tij në kohën e vet.2

Për të gjithë ata që mezi po presin të mësojnë hollësi për këto çështje, ju lutemi dijeni se menjëherë pas përfundimit të këtij sesioni të konferencës, do të fillojë një sekuencë që përfshin, jo domosdoshmërisht sipas kësaj radhe, dërgimin e një letre nga Presidenca e Parë çdo anëtari/eje të Kishës të cilit/ës i kemi një adresë të postës elektronike. Një dokument shtatë faqesh pyetjesh dhe përgjigjesh do t’i bashkëngjitet [letrës] për të gjithë udhëheqësit e priftërisë dhe të organizatave ndihmëse. Së fundmi, këto materiale po afishohen menjëherë në faqen ministering.lds.org. “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni”3.

Tani [do flas] rreth detyrës së mrekullueshme që Presidenti Nelson na ka dhënë mua dhe Motrës Xhin B. Bingham. Vëllezër e motra, ndërsa puna e kuorumeve dhe organizatave ndihmëse bëhet më e pjekur nga ana institucionale, del që ne duhet të piqemi personalisht po ashtu – duke u ngritur individualisht mbi çdo rutinë mekanike e të përsëritur të bërë pa ndjenjë te një dishepullim i bërë me zemër, të shprehur qartësisht nga Shpëtimtari në përmbylljen e shërbesës së Tij tokësore. Ndërsa përgatitej ta linte grupin e Tij të vogël, ende të pafajshëm dhe disi të pështjelluar të pasuesve, Ai nuk renditi një duzinë hapash administrativë që ata duhej të ndërmerrnin ose nuk u dorëzoi një tufë raportesh që duheshin plotësuar në tri kopje. Jo, Ai e përmblodhi detyrën e tyre në një urdhërim themelor: “Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur … Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”4.

Në përpjekje për të na afruar më pranë atij ideali të ungjillit, ky koncept i saposhpallur i dhënies së shërbesës nga priftëria dhe Shoqata e Ndihmës do të përfshijë, mes të tjerash, elementët vijues, disa prej të cilave Shoqata e Ndihmës i ka zbatuar tashmë me një sukses të mahnitshëm5.

  • Nuk do të përdorim më terminologjinë mësim shtëpie dhe vizitë mësimore. Kjo bëhet pjesërisht sepse shumë prej përpjekjes sonë për të dhënë shërbesë do të jetë në mjedise të tjera përveçse shtëpisë dhe pjesërisht sepse kontaktet tona nuk do të përcaktohen nga mësime të përgatitura për t’u dhënë mësim, edhe pse një mësim sigurisht që mund të jepet nëse ka nevojë për një të tillë. Qëllimi kryesor i kësaj ideje për dhënien e shërbesës do të jetë, ashtu siç u tha për njerëzit në kohën e Almës, që të “kujdes[e]n për njerëzit e tyre dhe [të] ushq[eh]en me gjëra që kishin të bënin me drejtësinë”6.

  • Ne do të vazhdojmë t’i vizitojmë shtëpitë kur të jetë e mundur, por rrethana vendore të tilla si një numër i madh vizitash, largësi të mëdha, siguria vetjake dhe kushte të tjera sfiduese mund ta pengojnë të bërit e një vizite në çdo shtëpi çdo muaj. Ashtu si Presidenca e Parë na këshilloi vite më parë, bëni më të mirën që mundeni.7 Përveçse çfarëdo orari që vendosni për vizitat aktuale, ai kalendar mund të plotësohet me telefonata, shënime të shkruara, mesazhe me celular, postë elektronike, biseda me video, bashkëbisedime në mbledhjet e Kishës, projekte shërbimi të përbashkëta, veprimtari shoqërore dhe një mori mundësish në botën e mjeteve shoqërore. Megjithatë, duhet të theksoj se kjo pamje e re e zgjeruar nuk përfshin ndjesinë e keqardhjes që e pashë kohët e fundit në një ngjitëse që ishte vendosur në një makinë. Ajo thoshte: “Nëse unë i bie borisë, ti e ke marrë mësimin e shtëpisë.” Ju lutemi, ju lutemi, vëllezër (motrat nuk do të jenë kurrë fajtore për këtë – i drejtohem vëllezërve të Kishës), me këto përshtatje ne duam më shumë përkujdesje dhe interesim, jo më pak.

  • Me këtë koncept më të ri të dhënies së shërbesës, më të bazuar në ungjill, mendoj se po fillon t’ju zërë ankthi rreth asaj që llogaritet në raport. Epo, qetësohuni, sepse nuk ka asnjë raport – të paktën nuk ka raport të datës 31 të muajit që thotë: “Mezi ia dola mbanë t’u hyj në derë”. Edhe këtu gjithashtu po përpiqemi të piqemi. I vetmi raport që do të bëhet është numri i intervistave që udhëheqësit patën me dyshet shërbestare në lagje për atë tremujor. Ashtu të thjeshta si duken, miqtë e mi, ato intervista janë absolutisht vendimtare. Pa atë informacion, peshkopi nuk do të ketë asnjë mënyrë ta marrë informacionin që i nevojitet në lidhje me kushtet shpirtërore dhe materiale të njerëzve të tij. Mbajeni mend: vëllezërit shërbestarë përfaqësojnë peshkopatën dhe presidencën e kuorumit të pleqve; ata nuk i zëvendësojnë ato. Çelësat e një peshkopi dhe presidentit të kuorumit shkojnë përtej këtij parimi të dhënies së shërbesës.

  • Për shkak se ky raport është ndryshe nga çdo gjë që keni dorëzuar më parë, më lejoni të theksoj se ne në zyrat qendrore të Kishës nuk kemi nevojë të dimë se si ose se ku apo se kur u vutë në kontakt me njerëzit tuaj; neve thjesht na nevojitet ta dimë dhe të kujdesemi që ju një mend ta bëni atë dhe që t’i bekoni ata në çdo mënyrë që mundeni.

Vëllezër e motra, ne kemi një mundësi qiellore si një Kishë e tërë të tregojmë “fe [të] pastër … pa njollë përpara Perëndisë”8 – “të mba[jmë] barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta” dhe “të ngushëllo[jmë] ata që kanë nevojë të ngushëllohen”9, t’u shërbejmë të vejave dhe jetimëve, të martuarve dhe beqarëve, të fuqishmëve dhe të shqetësuarve, të shtypurve dhe të shëndetshmëve, të lumturve dhe të trishtuarve – me pak fjalë, të gjithëve ne, secilit prej nesh, sepse ne të gjithë kemi nevojë ta ndiejmë dorën e ngrohtë të miqësisë dhe të dëgjojmë një shpallje të palëkundur të besimit. Sidoqoftë, ju paralajmëroj, një emër i ri, një përshtatshmëri e re dhe më pak raporte nuk do të sjellin asnjë grimë ndryshimi në shërbimin tonë, nëse nuk e shohim këtë si një ftesë për t’u përkujdesur për njëri-tjetrin në një mënyrë guximtare, të re dhe më të shenjtë, ashtu siç sapo tha Presidenti Nelson. Ndërsa i ngremë sytë tanë shpirtërorë drejt të jetuarit të ligjit të dashurisë në mënyrë më tërësore, ne i nderojmë brezat që kanë shërbyer në atë mënyrë për vite të tëra. Më lejoni të tregoj një shembull të kohëve të fundit të një përkushtimi të tillë, me shpresën se legjione më shumë do ta rrokin urdhërimin e Zotit që “të je[mi] me ta e t’i forcojmë”10 vëllezërit e motrat tona.

Në 14 janar të këtij viti, një të diel, pak pas orës 17:00, miqtë e mi të rinj në moshë, Bret dhe Kristina Hamblin, po bisedonin në shtëpinë e tyre në Tempi të Arizonës, pasi Breti e kishte kaluar ditën duke shërbyer në peshkopatë dhe Kristina duke pasur një ditë të zënë me përkujdesjen për pesë fëmijët e tyre.

Papritur Kristina, një e mbijetuar në dukje e suksesshme e kancerit të gjirit gati një vit më parë, ra pa ndjenja. Një telefonatë që iu bë urgjencës solli një ekip të ndihmës së shpejtë që u përpoq dëshpërimisht për ta sjellë në vete. Ndërsa Breti lutej dhe përgjërohej, ai me të shpejtë bëri vetëm dy telefonata të tjera: njëra ishte për nënën e tij duke i kërkuar që ta ndihmonte me fëmijët, tjetra ishte për Eduin Poterin, mësuesin e tij të shtëpisë. Biseda e dytë në tërësinë e saj vijoi si më poshtë:

Eduini, duke vënë re emrin që u shfaq në telefon, tha: “Po, Bret, ç’kemi?”

Përgjigjja e Bretit që u tha gati duke bërtitur ishte: “Të dua këtu – tani!”

Sa hap e mbyll sytë, shoku i Bretit në priftëri ishte duke qëndruar përkrah tij, duke e ndihmuar me fëmijët dhe më pas duke e çuar Vëllanë Hamblin në spital prapa ambulancës që po transportonte bashkëshorten e tij. Atje, në më pak se 40 minuta pasi ajo fillimisht i kishte mbyllur sytë, mjekët e shpallën Kristinën të vdekur.

Ndërsa Breti qante me dënesë, Eduini e mbajti në krahët e tij dhe qau me të – për një kohë mjaft të gjatë. Pastaj, duke e lënë Bretin të vajtonte me pjesëtarë të tjerë të familjes që ishin mbledhur, Eduini shkoi me makinë te shtëpia e peshkopit për t’i treguar atë që sapo kishte ndodhur. Një peshkop i mrekullueshëm u nis menjëherë për në spital ndërkohë që Eduini shkoi për në shtëpinë e familjes Hamblin. Atje, ai dhe bashkëshortja e tij, Sharlota, e cila kishte ardhur gjithashtu duke vrapuar, luajtën me të pesë fëmijët tani pa nënë të familjes Hamblin, të moshës 12 deri në 3 vjeç. Ata u dhanë vaktin e mbrëmjes, bënë një koncert muzikor të improvizuar dhe i ndihmuan që të bëheshin gati për të fjetur.

Breti më vonë më tha: “Pjesa e mahnitshme e kësaj historie nuk është se Eduini erdhi kur i telefonova. Një një rast të ngutshëm, ka gjithmonë njerëz që janë të gatshëm të ndihmojnë. Jo, pjesa e mahnitshme e kësaj historie është se ai qe i vetmi për të cilin mendova. Kishte njerëz të tjerë përreth. Kristina ka një vëlla dhe një motër që janë më pak se pesë kilometra larg. Ne kemi një peshkop të mrekullueshëm, më të mrekullueshmin. Por marrëdhënia midis meje dhe Eduinit është e tillë saqë ndjeva instinktivisht t’i telefonoja kur kisha nevojë për ndihmë. Kisha na siguron një mënyrë të strukturuar për ta jetuar më mirë urdhërimin e dytë – t’i duam, t’u shërbejmë dhe të zhvillojmë marrëdhënie me vëllezërit dhe motrat tona të cilat na ndihmojnë të afrohemi më pranë Perëndisë.”11

Eduin tha për përvojën: “Plaku Holland, ironia e gjithë kësaj është se Breti kishte qenë mësuesi ynë i shtëpisë për më shumë kohë sesa kisha qenë unë mësuesi i tyre. Gjatë asaj kohe, ai na ka vizituar më shumë si mik se sa nga detyra. Ai ka qenë një shembull i mrekullueshëm, mishërimi i asaj që duhet të jetë një mbajtës aktiv dhe i përfshirë i priftërisë. Bashkëshortja ime, djemtë tanë – ne nuk e shohim atë si një njeri që detyrohet të na sjellë një mesazh në fund të çdo muaji; ne e shohim atë si një mik i cili jeton pak metra më tutje dhe në kthesë të rrugës, i cili do të bënte çdo gjë në këtë botë për të na bekuar. Jam i lumtur që munda të shlyej fare pak nga borxhi që i detyrohem atij.”12

Vëllezër e motra, bashkohem me ju për të përshëndetur çdo mësues të bllokut dhe çdo mësues të lagjes dhe të shtëpisë, si dhe çdo mësuese vizitore që ka dashur dhe ka shërbyer kaq besnikërisht gjatë gjithë historisë sonë. Lutja jonë sot është që çdo burrë e çdo grua – dhe të rinjtë e të rejat tona më të rritura – do të largohen nga kjo konferencë e përgjithshme të zotuar më thellësisht për një përkujdesje të përzemërt ndaj njëri-tjetrit, të shtyrë vetëm nga dashuria e pastër e Krishtit për ta bërë këtë gjë. Pavarësisht se çfarë ne të gjithë ndiejmë se janë kufizimet dhe papërshtatshmëritë tona – dhe të gjithë kemi sfida – megjithatë, punofshim krah për krah me Zotin e vreshtit,13 për t’i dhënë Perëndisë dhe Atit tonë një dorë ndihmuese në këtë detyrë shumë kërkuese të Tij për t’iu përgjigjur lutjeve, për të dhënë ngushëllim, për të tharë lot dhe për të forcuar gjunjët e këputur.14 Nëse do ta bëjmë atë, ne do të jemi më shumë si dishepujt e vërtetë të Krishtit që kemi për qëllim të jemi. Këtë të dielë Pashke, le ta duam njëri-tjetrin ashtu si na ka dashur Ai15, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.