2010–2019
Sikundër Krishti Ju Fal, Ashtu Bëni Edhe Ju
Prill 2018


Sikundër Krishti Ju Fal, Ashtu Bëni Edhe Ju

Të gjithë ne mund të marrim paqe të papërshkrueshme dhe partneritet me Shpëtimtarin tonë ndërsa mësojmë t’i falim falas ata që kanë mëkatuar ndaj nesh.

“Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.

Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.

Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.

Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.

Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur përdhe, ata u thanë: ‘Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?

Ai nuk është këtu, por është ringjallur.’”1

Nesër, në Shabatin e Pashkës, ne do të kujtojmë në një mënyrë të veçantë atë që Jezu Krishti ka bërë për ne: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme”2. Përfundimisht, ne do të ringjallemi ashtu siç u ringjall Ai, për të jetuar përgjithmonë.

Nëpërmjet mrekullisë së Shlyerjes së shenjtë të Jezu Krishtit, ne mund të marrim gjithashtu dhuratën e faljes për mëkatet dhe mbrapshtitë tona, nëse e pranojmë mundësinë dhe përgjegjësinë e pendimit. Dhe, duke i marrë ordinancat e nevojshme, duke i mbajtur besëlidhjet dhe duke iu bindur urdhërimeve, ne mund të fitojmë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin.

Sot, dua të përqendrohem te falja, një dhuratë thelbësore dhe e çmuar që na ofrohet nga Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti.

Një natë dhjetori në vitin 1982, unë dhe bashkëshortja ime, Terri, u zgjuam nga një telefonatë në shtëpinë tonë në Pokatelo të Ajdahos. Kur iu përgjigja telefonit, dëgjova vetëm të qara me ngashërim. Më në fund, motra ime më tha me gjysmë zëri: “Tomi vdiq”.

Një shofer i dehur 20-vjeçar, me shpejtësi më shumë se 135 km në orë, në mënyrë të shkujdesur kaloi pa ndaluar në dritën e kuqe të semaforit, në një periferi të Denverit në Kolorado. Ai u përplas fuqishëm me makinën që po drejtohej nga vëllai im më i vogël, Tomi, duke e lënë të vdekur menjëherë atë dhe gruan e tij, Xhoanën. Ata po ktheheshin në shtëpi te vajza e tyre e vogël pas një feste Krishtlindjeje.

Unë dhe bashkëshortja ime udhëtuam menjëherë me avion për në Denver dhe shkuam në morg. U mblodhëm me prindërit dhe vëllezërit e motrat e mia dhe vajtuam humbjen e Tomit dhe të Xhoanës sonë të dashur. I kishim humbur ata nga një vepër e pakuptimtë kriminale. Zemrat tona ishin të thyera dhe zemërimi ndaj kundërvajtësit të ri filloi të ziente brenda meje.

Tomi kishte shërbyer si avokat në Departamentin e Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara dhe ishte në udhë e sipër për të qenë një mbrojtës i fortë për mbrojtjen e tokave të amerikanëve vendës dhe burimeve natyrore për vitet që do të vinin.

Pasi kishte kaluar njëfarë kohe, në gjykatë u mbajt një seancë dëgjimore për të riun, i cili u shpall përgjegjës për vrasje nga pakujdesia në drejtimin e automjetit. Ndërkohë që po ndienin ende hidhërim e pikëllim, prindërit e mi dhe motra më e madhe, Kejti, morën pjesë në seancën dëgjimore. Prindërit e shoferit të dehur ishin atje gjithashtu dhe, pasi përfundoi dëgjesa, ata u ulën në një stol dhe qanë. Prindërit dhe motra ime ishin ulur pranë tyre ndërkohë që ata përpiqeshin t’i mbanin nën kontroll emocionet e tyre. Pas një çasti, prindërit dhe motra ime u ngritën dhe ecën drejt prindërve të shoferit dhe u ofruan fjalë ngushëlluese dhe faljeje. Burrat shtrënguan duart; gratë i mbajtën duart [njëra-tjetrës]; kishte pikëllim të madh e lot të shumtë për të gjithë dhe një pranim se të dyja familjet kishin vuajtur pa masë. Mamaja, babai dhe Kejti hapën udhën me forcën dhe kurajën e tyre të heshtur dhe i treguan familjes sonë se ç’pamje ka falja.

Kjo dhënie e faljes në ato çaste bëri që zemra ime të zbutej dhe i hapi një shteg shërimit. Me kalimin e kohës mësova se si të kisha një zemër falëse. Barra ime e dhimbshme u lehtësua vetëm me ndihmën e Princit të Paqes. Do të më marrë malli gjithmonë për Tomin dhe Xhoanën, por tani falja më lejon që t’i kujtoj ata me gëzim të çlirët. Dhe e di se ne do të jemi sërish së bashku si familje.

Nuk po sugjeroj që ta lëmë të kalojë sjelljen e paligjshme. E dimë plotësisht mirë se individët duhet të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre kriminale dhe keqbërjet civile. Megjithatë, ne gjithashtu e dimë se, si bij dhe bija të Perëndisë, i ndjekim mësimet e Jezu Krishtit. Duhet të falim edhe kur duket sikur të tjerët mund të mos e meritojnë faljen tonë.

Shpëtimtari dha mësim:

“Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;

por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.”3

Të gjithë ne mund të marrim paqe të papërshkrueshme dhe partneritet me Shpëtimtarin tonë ndërsa mësojmë t’i falim falas ata që kanë mëkatuar ndaj nesh. Ky partneritet e sjell fuqinë e Shpëtimtarit në jetën tonë në një mënyrë të pagabueshme dhe të paharrueshme.

Apostulli Pal këshilloi:

“Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, … me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,

duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, …; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.4

Vetë Zoti shpalli:

“Prandaj, unë ju them se ju duhet ta falni njëri-tjetrin; sepse ai që nuk ia fal shkeljet vëllait të tij, mbetet i dënuar përpara Zotit; sepse atij i ngelet mëkati më i madh.

Unë, Zoti, do të fal kë do të fal, por nga ju kërkohet t’i falni të gjithë njerëzit.”5

Mësimet e Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit, janë të qarta; mëkatari duhet të jetë i gatshëm që t’i falë të tjerët nëse ai ose ajo shpreson të marrë falje.6

Vëllezër e motra, a ka njerëz në jetën tonë që na kanë lënduar? A i ushqejmë ato që quhen ndjenja plotësisht të justifikuara mërie dhe zemërimi? A po e lejojmë krenarinë që të na pengojë të falim dhe t’i lëmë gjërat të shkojnë? E ftoj gjithsecilin prej nesh që të falë plotësisht dhe ta lërë shërimin të ndodhë së brendshmi. Por edhe nëse falja nuk vjen sot, dijeni se ashtu siç e dëshirojmë dhe punojmë për të, ajo do të vijë – ashtu siç bëri më në fund për mua pas vdekjes së vëllait tim.

Ju lutem, kujtoni gjithashtu se një element thelbësor i faljes përfshin faljen e vetvetes.

“Ai që është penduar për mëkatet e tij”, tha Zoti, “po ai falet dhe unë, Zoti, nuk i kujtoj më ato”7.

Lutem që të gjithë ne në këtë ditë ta kujtojmë dhe ta ndjekim shembullin e Jezu Krishtit. Mbi kryq në Golgota, në ankthin e Tij, Ai shqiptoi këto fjalë: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”8.

Duke pasur një frymë faljeje dhe duke vepruar sipas saj, ashtu si prindërit dhe motra ime më e madhe, ne mund ta kuptojmë premtimin e Shpëtimtarit: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë”9.

Dëshmoj se kjo paqe do të vijë në jetën tonë ndërsa ua vëmë veshin mësimeve të Jezu Krishtit dhe e ndjekim shembullin e Tij duke i falur të tjerët. Ndërsa falim, unë premtoj se Shpëtimtari do të na forcojë, dhe fuqia e gëzimi i Tij do të vërshojnë në jetën tonë.

Varri është bosh. Krishti jeton. Unë e njoh Atë. Unë e dua Atë. Jam mirënjohës për hirin e Tij, që është fuqia forcuese e që mjafton për t’i shëruar të gjitha gjërat. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.