2010–2019
Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi
Prill 2018


Historia Familjare dhe Puna në Tempull: Vulosja dhe Shërimi

Kur i mbledhim historitë tona familjare dhe shkojmë në tempull në emër të paraardhësve tanë, Perëndia përmbush bekime të premtuara njëkohësisht në të dyja anët e velit.

Marrëdhëniet familjare mund të jenë disa prej përvojave më shpërblyese por edhe më sfiduese që mund të hasim. Shumë prej nesh janë ndeshur me një mosmarrëveshje të njëfarë lloji brenda familjeve tona. Një mosmarrëveshje e tillë u zhvillua midis dy heronjve të Rivendosjes së Kishës së Jezu Krishtit në këto ditë të mëvonshme. Parli dhe Orson Prati ishin vëllezër, të kthyer të hershëm në besim dhe Apostuj të shuguruar. Secili u përball me një sprovë besimi, por doli prej saj me dëshmi të patundur. Që të dy sakrifikuan shumë dhe dhanë ndihmesë të madhe për kauzën e së vërtetës.

Pamja
ParliP. Prati

Gjatë epokës së Navusë marrëdhënia e tyre u bë e tendosur, duke arritur kulmin në një kundërvënie të ashpër, publike në vitin 1846. U zhvillua një përçarje e thellë dhe e zgjatur. Fillimisht Parli i shkroi Orsonit që t’i jepnin zgjidhje përçarjes, por Orsoni nuk u përgjigj. Parli hoqi dorë, duke menduar se letërkëmbimi kishte marrë fund përgjithmonë, në qoftë se nuk fillohej nga Orsoni.1

Pamja
OrsonPrati

Disa vite më vonë, në mars 1853, Orsoni mësoi rreth një projekti për të botuar një libër mbi pasardhësit e Uilliam Pratit, paraardhësit të më hershëm amerikan të vëllezërve. Orsoni filloi të derdhte lot “si fëmijë i vogël” teksa i hodhi një sy këtij thesari të çmuar të historisë familjare. Zemra e tij u zbut dhe ai vendosi ta ndreqte ndarjen me vëllanë e tij.

Orsoni i shkroi Parlit: “Tani, vëllai im i dashur, nuk ka asnjë mes gjithë pasardhësve të Paraardhësit tonë, Kolonelit Uilliam Prat, që ka interes kaq të madh në kërkimin e pasardhësve të tij sesa ne”. Orsoni ishte një prej të parëve që e kuptoi se shenjtorët e ditëve të mëvonshme kanë detyrim që të bëjnë kërkime dhe t’i grumbullojnë historitë familjare, me qëllim që të mund të kryejmë ordinanca mëkëmbëse për paraardhësit tanë. Letra e tij vazhdoi: “E dimë se Perëndia i etërve tanë ka pasur dorë në gjithë këtë gjë. … Të kërkoj vërtet falje që kam qenë kaq i gabuar dhe nuk të kam shkruar. … Shpresoj që do të më falësh.”2 Pavarësisht nga dëshmitë e tyre të palëkundura, dashuria e tyre për paraardhësit e tyre ishte përshpejtuesi për të zgjidhur një përçarje, për të shëruar një plagë dhe për të kërkuar e dhënë falje.3

Kur Perëndia na udhëzon të bëjmë një gjë, Ai shpesh ka shumë qëllime në mendje. Historia familjare dhe puna në tempull nuk është vetëm për të vdekurit, por i bekon edhe të gjallët. Orsonit dhe Parlit, ajo ia ktheu zemrat te njëri-tjetri. Historia familjare dhe puna në tempull siguruan fuqinë për të shëruar atë që kishte nevojë për shërim.

Si anëtarë të Kishës ne kemi vërtet një përgjegjësi të caktuar në mënyrë hyjnore për t’i kërkuar paraardhësit tanë dhe për t’i grumbulluar historitë familjare. Kjo është shumë më tepër sesa një hobi për të cilin nxitemi, sepse ordinancat e shpëtimit janë të nevojshme për të gjithë fëmijët e Perëndisë.4 Ne duhet t’i përcaktojmë vetë paraardhësit tanë të cilët vdiqën pa i marrë ordinancat e shpëtimit. Ne mund t’i kryejmë ordinancat në mënyrë mëkëmbëse në tempuj dhe paraardhësit tanë mund të zgjedhin t’i pranojnë ordinancat.5 Ne nxitemi gjithashtu që t’i ndihmojmë anëtarët e lagjeve dhe të kunjeve me emrat e familjeve të tyre. Është mahnitëse aq sa të lë pa frymë fakti që, nëpërmjet historisë familjare dhe punës në tempull, ne mund të ndihmojmë për t’i shëlbuar të vdekurit.

Por teksa marrim pjesë në historinë familjare dhe punën në tempull sot, ne gjithashtu kualifikohemi për bekimet “shëruese” të premtuara nga profetët dhe apostujt.6 Këto bekime janë gjithashtu mahnitëse dhe befasuese për shkak të qëllimit, veçantisë dhe rrjedhojës së tyre në vdekshmëri. Kjo listë e gjatë përfshin këto bekime:

  • Kuptueshmëri më të madhe për Shpëtimtarin dhe flijimin e Tij shlyes;

  • Ndikim më të madh të Frymës së Shenjtë7 për të ndier forcë dhe drejtim për vetë jetën tonë;

  • Besim më të madh, në mënyrë që kthimi në besim te Shpëtimtari të bëhet i thellë dhe i qëndrueshëm;

  • Aftësi dhe shtysë më të madhe për të mësuar e për t’u penduar8 për shkak të një kuptueshmërie se cilët jemi, nga vijmë dhe një pamjeje më të qartë se ku po shkojmë;

  • Ndikime më të mëdha përmirësuese, shenjtëruese dhe pajtuese në zemrat tona;

  • Gëzim më të madh nëpërmjet një aftësie më të madhe për ta ndier dashurinë e Zotit;

  • Bekime më të mëdha familjare, pavarësisht nga gjendja jonë familjare e tanishme, e shkuar apo e ardhshme, apo nga sa e papërsosur mund të jetë pema jonë familjare;

  • Dashuri dhe vlerësim më të madh për paraardhësit dhe të afërmit e gjallë, prandaj ne nuk ndihemi më të vetëm;

  • Fuqi më të madhe për të dalluar ato gjëra që kanë nevojë për shërim dhe si rrjedhojë, me ndihmën e Zotit, për t’u shërbyer të tjerëve;

  • Mbrojtje më të madhe nga tundimet dhe ndikimi në shtim e sipër i kundërshtarit; dhe

  • Ndihmë më të madhe për t’i shëruar zemrat e shqetësuara, të thyera apo të merakosura dhe për t’i shëruar të lënduarit.9

Nëse jeni lutur për ndonjë prej këtyre bekimeve, merrni pjesë në historinë familjare dhe punën në tempull. Kur ta bëni këtë, lutjet tuaja do të marrin përgjigje. Kur kryhen ordinanca në emër të të vdekurve, fëmijët e Perëndisë në tokë shërohen. Nuk është për t’u habitur përse Presidenti Rasëll M. Nelson, në mesazhin e tij të parë si President i Kishës, shpalli: “Adhurimi juaj në tempull dhe shërbimi juaj atje për paraardhësit tuaj do t’ju bekojnë me zbulesë dhe paqe të shtuar vetjake dhe do ta forcojnë zotimin tuaj për të qëndruar në shtegun e besëlidhjeve”10.

Edhe një profet i hershëm parashikoi bekime si për të gjallët, ashtu edhe për të vdekurit.11 Një lajmëtar qiellor i tregoi Ezekielit një vegim të një tempulli me ujë duke gulçuar jashtë prej tij. Ezekielit iu tha:

“Këto ujëra drejtohen … [dhe] zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det[in e vdekur]; … [dhe] ujërat e tij do të shëndoshen.

Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; … sepse [do të] shëndosh[en] … [dhe] kudo që arrin lumi gjithçka ka për t’u gjallëruar.”12

Dy karakteristika të ujit ia vlen të përmenden. Së pari, edhe pse rrëkeja e vogël nuk kishte rrjedhje të tjera, ajo u rrit në një lumë të fuqishëm, duke u bërë më e gjerë dhe më e thellë sa më larg që rridhte. Diçka e ngjashme ndodh me bekimet që rrjedhin nga tempulli ndërkohë që individët vulosen si familje. Rritje domethënëse ndodh duke shkuar para e mbrapa përmes brezave teksa ordinancat vulosëse i lidhin familjet së bashku.

Së dyti, lumi e ripërtëriu gjithçka që preku. Po ashtu bekimet e tempullit kanë një aftësi çudibërëse për të shëruar. Bekimet e tempullit mund të shërojnë zemrën, jetën dhe familjet.

Pamja
Biri i Betit, Todi

Më lejoni ta ilustroj. Në vitin 1999 një i ri i quajtur Tod u rrënua nga një enë gjaku që u këput në trurin e tij. Edhe pse Todi dhe familja e vet ishin anëtarë të Kishës, aktivizimi i tyre kishte qenë me hope dhe askush nuk i kishte përjetuar bekimet e tempullit. Natën e fundit të jetës së Todit, nëna e tij, Beti, u ul pranë shtratit të tij duke ia prekur dorën dhe tha: “Tod, nëse vërtet duhet të ikësh, të premtoj se do të kujdesem që të bëhet puna jote në tempull”. Të nesërmen në mëngjes u bë e ditur se truri i Todit nuk funksiononte më. Kirurgët e transplantuan zemrën e Todit te pacienti im, një njeri i mrekullueshëm, i quajtur Rod.

Disa muaj pas transplantimit, Rodi mësoi se kush ishte familja e dhuruesit të zemrës së tij dhe filloi një letërkëmbim me ta. Gati dy vjet më pas, nëna e Todit, Beti, e ftoi Rodin që të ishte i pranishëm kur ajo shkoi në tempull për herë të parë. Rodi dhe Beti u takuan për herë të parë ballë për ballë në dhomën çelestiale të Tempullit të Seint-Xhorxhit në Jutë.

Pak kohë më pas vdiq babai i Todit – bashkëshorti i Betit. Dy vjet më pas, Beti e ftoi Rodin të përfaqësonte në mënyrë mëkëmbëse birin e saj të vdekur në marrjen e ordinancave të tij të tempullit. Rodi ishte mirënjohës që ta bënte këtë dhe puna mëkëmbëse arriti kulmin në një dhomë vulosjeje në Tempullin e Seint-Xhorxhit në Jutë. Beti u vulos me bashkëshortin e saj të vdekur, duke qëndruar tek altari përballë nipit të saj, i cili shërbeu si mëkëmbës. Më pas, me lot që i rridhnin nëpër faqe, ajo i kërkoi Rodit të bashkohej me ta tek altari. Rodi ra në gjunjë pranë tyre, duke vepruar si mëkëmbës për birin e saj, Todin, zemra e të cilit ende po rrihte brenda kraharorit të Rodit. Dhuruesi i zemrës së Rodit, Todi, më pas u vulos me prindërit e tij për gjithë përjetësinë. Nëna e Todit e kishte mbajtur premtimin që ia bëri vite më parë birit të saj që po vdiste.

Pamja
Rodi dhe Kimi në ditën e dasmës së tyre

Por historia nuk mbaron atje. Pesëmbëdhjetë vjet pas transplantimit të zemrës së tij, Rodi u fejua, do të martohej dhe më kërkoi që të kryeja vulosjen në Tempullin e Provos në Jutë. Në ditën e dasmës u takova me Rodin dhe nusen e tij të mrekullueshme, Kimin, në një dhomë ngjitur me dhomën e vulosjes, ku po prisnin familjet dhe miqtë e tyre më të ngushtë. Pas një takimi të shkurtër me Rodin dhe Kimin, i pyeta nëse kishin ndonjë pyetje.

Rodi tha: “Po. Familja që më dhuroi zemrën është këtu dhe do të donte të takohej me ju.”

U kapa në befasi dhe pyeta: “Do të thuash që janë këtu? Pikërisht tani?”

Rodi u përgjigj: “Po”.

Hodha hapat drejt dhomës dhe i kërkova familjes të dilte nga dhoma e vulosjes. Beti, bija e saj dhe dhëndri i saj u bashkuan me ne. Rodi e përshëndeti Betin me një përqafim, e falënderoi për ardhjen dhe më pas më njohu me të. Rodi tha: “Beti, ky është Plaku Renland. Ai ishte mjeku që u kujdes për zemrën e birit tënd për kaq shumë vite.” Ajo kaloi përmes dhomës dhe më përqafoi. Dhe për disa minuta në vazhdim pati përqafime dhe lot gëzimi nëpër dhomë.

Pasi e mblodhëm veten, shkuam në dhomën e vulosjes ku Rodi dhe Kimi u vulosën për kohën dhe gjithë përjetësinë. Rodi, Kimi, Beti dhe unë mund të dëshmojmë se qielli ishte shumë pranë, se atje atë ditë pati të tjerë me ne, të cilët kishin kaluar më parë përmes velit të vdekshmërisë.

Perëndia, në aftësinë e Tij të pafundme, vulos dhe shëron individë e familje pavarësisht nga tragjedia, humbja dhe vështirësia. Ne nganjëherë i krahasojmë ndjenjat që i përjetojmë në tempuj me përjetimin e një vështrimi kalimthi të qiellit.13 Atë ditë në Tempullin e Provos në Jutë, kjo thënie e C. S. Ljuisit kumboi brenda meje: “[Njerëzit e vdekshëm] thonë për disa vuajtje të përkohshme: ‘Asnjë gëzim i ardhshëm nuk mund t’ia shlyejë ato’, duke mos e ditur se Qielli, pasi e ke arritur, do të punojë në drejtimin e kundërt dhe do ta kthejë edhe atë agoni në lavdi. … Të Bekuarit do të thonë: ‘Ne nuk kemi jetuar kurrë diku tjetër përveçse në Qiell’.”14

Perëndia do të na forcojë, ndihmojë dhe mbajë;15 dhe Ai do të na i shenjtërojë vuajtjet më të mëdha.16 Kur i mbledhim historitë tona familjare dhe shkojmë në tempull në emër të paraardhësve tanë, Perëndia i përmbush shumë nga këto bekime të premtuara njëherësh në të dyja anët e velit. Në mënyrë të ngjashme, ne bekohemi kur i ndihmojmë të tjerët në lagjet dhe kunjet tona për të bërë të njëjtën gjë. Anëtarët që nuk jetojnë pranë një tempulli, gjithashtu i marrin këto bekime duke marrë pjesë në punën e historisë familjare, duke i mbledhur emrat e paraardhësve të tyre që t’iu kryhen ordinancat e tempullit.

Gjithsesi Presidenti Nelson na paralajmëroi: “Ne mund të frymëzohemi gjithë ditën rreth përvojave të tempullit dhe të historisë familjare që i kanë pasur të tjerët. Por duhet të bëjmë diçka që ta përjetojmë vetë me të vërtetë gëzimin.” Ai vazhdoi: “Ju ftoj që me lutje të merrni parasysh se çfarë lloj sakrifice – mundësisht një sakrifikim të kohës suaj – mund të bëni me qëllim që të bëni më shumë punë në tempull dhe punë për historinë familjare”17. Kur e pranoni ftesën e Presidentit Nelson, ju do të zbuloni, mblidhni dhe lidhni së bashku familjen tuaj. Përveç kësaj, bekime do të rrjedhin drejt jush dhe familjes suaj ashtu si lumi për të cilin foli Ezekieli. Ju do të gjeni shërim për ato gjëra që kanë nevojë të shërohen.

Orson dhe Parli Prati përjetuan ndikimet shëruese dhe vulosëse të historisë familjare dhe punës në tempull në fillim të kësaj periudhe ungjillore. Beti, familja e saj dhe Rodi e përjetuan atë. Edhe ju mund ta përjetoni atë. Nëpërmjet flijimit të Tij shlyes, Jezu Krishti i ofron këto bekime për të gjithë, si për të vdekurit edhe për të gjallët. Për shkak të këtyre bekimeve, ne do të zbulojmë se, në mënyrë metaforike, “nuk kemi jetuar kurrë diku tjetër përveç … Qiell[it]”18. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Parley P. Pratt to Orson Pratt, 25 maj 1853, Orson Pratt Family Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; në Terryl L. Givens dhe Matthew J. Grow, Parley P. Pratt: The Apostle Paul of Mormonism (2011), f. 319.

  2. Orson Pratt to Parley P. Pratt, 10 mars 1853, Parley P. Pratt Collection, Biblioteka e Historisë së Kishës, Solt-Lejk-Siti; në Givens dhe Grow, Parley P. Pratt, f. 319.

  3. Në mënyrë domethënëse, Orson Prati jo vetëm që ndihmoi në botimin e librit për pasardhësit e Uilliam Pratit, por disa vite më vonë, në 1870-ën, ai dhe familja e tij kryen mbi 2 600 pagëzime mëkëmbëse në Shtëpinë e Dhurimit [Indaumentit] në Solt-Lejk-Siti për individët e vdekur në libër, (shih Breck England, The Life and Thought of Orson Pratt [1985], f. 247).

  4. Shih Joseph Smith, History of the Church, 6:312–313.

  5. Shih “Names Submitted for Temple Ordinances”, letër e Presidencës së Parë, 29 shkurt 2012. Paraardhësit emrat e të cilëve dorëzohen për ordinanca mëkëmbëse në tempull, duhet të jenë të lidhur me dorëzuesin. Pa përjashtim, anëtarët e Kishës nuk duhet të dorëzojnë emra nga ndonjë grup i paautorizuar, të tillë si njerëz të famshëm dhe viktima të Holokaustit të hebrenjve.

  6. Shih Dallin H. Oaks, “In Wisdom and Order”, Tambuli, dhjetor 1989, f. 18–23; D. Todd Christofferson, “The Redemption of the Dead and the Testimony of Jesus”, Liahona, janar 2001, f. 10–13; Boyd K. Packer, “Your Family History: Getting Started”, Liahona, gusht 2003, f. 12–17; Tomas S. Monson, “Të Vërteta të Qëndrueshme për Kohë të Ndryshueshme”, Liahona, maj 2005, f. 19–22; Henri B. Ajring, “Me Zemra të Bashkuara”, Liahona, maj 2005, f. 77–80; M. Rasëll Ballard, “Fe, Familje, Fakte dhe Fryte”, Liahona, nëntor 2007, f. 25–27; Rasëll M. Nelson, “Shpëtimi dhe Ekzaltimi”, Liahona, maj 2008, f. 7–10; Rasëll M. Nelson, “Breza të Lidhur me Dashuri”, Liahona, maj 2010, f. 91–94; Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve do të Kthehen”, Liahona, nëntor 2011, f. 24–27; Riçard G. Skot, “Gëzimi i Shëlbimit të të Vdekurve”, Liahona, nëntor 2012, f. 93–95; Kuentin L. Kuk, “Rrënjët dhe Degët”, Liahona, maj 2014, f. 44–48; Tomas S. Monson, “Përshpejtimi i Punës”, Liahona, qershor 2014, f. 4–5; Henry B. Eyring, “The Promise of Hearts Turning”, Liahona, korrik 2014, f. 4–5; Dejvid A. Bednar, “Puna Misionare, Puna e Historisë Familjare dhe Puna në Tempull”, Liahona, tetor 2014, f. 14–19; Neil L. Andersen, “‘My Days’ of Temples and Technology”, Liahona, shkurt 2015, f. 26–33; Neil L. Andersen, “Sharing the Temple Challenge”, Family Discovery Day, shkurt 2015, LDS.org; Quentin L. Cook, “The Joy of Family History Work”, Liahona, shkurt 2016, f. 22–27; Geri E. Stivenson, “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?Liahona, maj 2016, f. 29–32; Diter F. Uhtdorf, “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Liahona, maj 2016, f. 77–80; Kuentin L. Kuk, “Shikojeni Veten Tuaj në Tempull”, Liahona, maj 2016, f. 97–101; Dale G. Renlund, Ruth L. Renlund dhe Ashley R. Renlund, “Family History and Temple Blessings”, Liahona, shkurt 2017, f. 34–39; Dallin H. Oaks dhe Kristen M. Oaks, “Connected to Eternal Families”, Family Discovery Day, mars 2018, LDS.org.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 109:15.

  8. Shih Doktrina e Besëlidhje 109:21.

  9. Shih Boyd K. Packer, “Balm of Gilead”, Ensign, nëntor 1987, f. 16–18; Jeremia 8:22; 51:8.

  10. Rasëll M. Nelson, “Teksa Ecim Përpara së Bashku”, Liahona, prill 2018, f. 7.

  11. Shih Ezekiel 40–47; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Ezekiel”.

  12. Ezekiel 47:8–9.

  13. Shih Spencer W. Kimball, “Glimpses of Heaven”, Ensign, dhjetor 1971, f. 36–37.

  14. C. S. Lewis, The Great Divorce: A Dream (2001), f. 69.

  15. Shih Isaia 41:10.

  16. Shih “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.

  17. Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Hapini Qiejt nëpërmjet Punës së Tempullit dhe Historisë Familjare”, Liahona, tetor 2017, f. 19.

  18. Lewis, The Great Divorce, f. 69.