2010–2019
Të Keni Shpirtin e Tij me Ju
Prill 2018


Të Keni Shpirtin e Tij me Ju

Lutem me gjithë zemër që ju do ta dëgjoni zërin e Shpirtit, që iu dërgohet me kaq bujari.

Vëllezërit dhe motrat e mia, jam mirënjohës për mundësinë që kam t’ju flas në ditën e Shabatit të Zotit, në konferencën e përgjithshme të Kishës së Tij, në këtë stinë Pashke. Falënderoj Atin tonë Qiellor për dhuratën e Birit të Tij të Dashur, i cili erdhi në tokë vullnetarisht që të bëhej Shëlbuesi ynë. Jam mirënjohës të di se Ai shleu për mëkatet tona dhe u ngrit sërish në Ringjallje. Çdo ditë bekohem të di se, për shkak të Shlyerjes së Tij, unë mund të ringjallem një ditë që të jetoj përgjithnjë në një familje të dashur.

I di ato gjëra me anë të së vetmes mënyrë që mund t’i dijë secili prej nesh. Fryma e Shenjtë më ka folur në mendjen dhe zemrën time se ato janë të vërteta – jo thjesht një herë, por shpesh. Kam pasur nevojë për atë ngushëllim të vazhdueshëm. Ne të gjithë përjetojmë tragjedi gjatë së cilës kemi nevojë për t’u siguruar sërish nga Shpirti. E ndjeva një ditë teksa qëndroja me babanë tim në spital. E pamë nënën time duke bërë disa frymëmarrje të lehta – dhe më pas asnjë. Teksa e vështruam fytyrën e saj, ajo po buzëqeshte ndërkohë që dhimbja u largua. Pas disa çastesh heshtjeje, babai foli i pari. Ai tha: “Një vajzë e vogël u kthye në shtëpi”.

E tha butësisht. Dukej se ishte në paqe. Po thoshte diçka që e dinte se ishte e vërtetë. Qetësisht filloi të mblidhte gjërat vetjake të nënës. Doli në korridorin e spitalit që të falënderonte çdo ndihmësmjeke dhe mjek që i kishin shërbyer asaj për ditë të tëra.

Babai im kishte shoqërimin e Frymës së Shenjtë në atë çast që të ndiente, të dinte dhe të bënte çfarë bëri atë ditë. Ai kishte marrë premtimin që e kanë marrë shumë veta: “Që të mund të kenë Shpirtin e tij me ta” (DeB 20:79).

Shpresa ime sot është që ta shtoj dëshirën tuaj dhe aftësinë tuaj për ta marrë Frymën e Shenjtë. Mbani mend, Ai është anëtari i tretë i Kreut-Perëndi. Ati dhe Biri janë qenie të ringjallura. Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit. (Shih DeB 130:22.) Është zgjedhja juaj që ta merrni Atë dhe ta mirëpritni Atë në zemrën dhe mendjen tuaj ose jo.

Kushtet sipas të cilave ne mund ta marrim atë bekim të jashtëzakonshëm bëhen të qarta në fjalët që fliten çdo javë, por që ndoshta nuk futen thellë përherë në zemrat e mendjet tona. Që të na dërgohet Shpirti, ne duhet “gjithmonë ta kujtoj[më]” Shpëtimtarin dhe t’i “zbatoj[më] urdhërimet” e Tij (DeB 20:77).

Kjo kohë e vitit na ndihmon të kujtojmë flijimin e Shpëtimtarit dhe ngritjen e Tij nga varri si një qenie e ringjallur. Shumë prej nesh ruajnë në kujtesë pamje të atyre skenave. Dikur qëndrova me gruan time jashtë një varri në Jerusalem. Shumë njerëz besojnë se ai ishte varri nga i cili Shpëtimtari i kryqëzuar u ngrit si një Perëndi i ringjallur dhe i gjallë.

Atë ditë udhërrëfyesi plot respekt bëri një lëvizje me dorë dhe na tha: “Ejani, shihni një varr të zbrazët”.

U përkulëm që të hynim. Pamë një stol guri të mbështetur te një mur. Por në mendjen time erdhi një figurë tjetër, po aq e vërtetë sa ajo që pamë atë ditë. Ishte Maria, e cila u la nga Apostujt te varri. Kjo është ajo që Shpirti më lejoi të shoh dhe madje të dëgjoj në mendjen time, po aq qartë sikur të kisha qenë atje:

“Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

Ata i thanë: ‘O grua, pse po qan?’. Ajo u përgjigj atyre: ‘Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë’.

Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

Jezusi i tha: ‘O grua, pse po qan? Kë kërkon?’ Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ‘Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr’.

Jezusi i tha: ‘Mari!’. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ‘Rabboni!’, që do të thotë: Mësues.

Jezusi i tha: ‘Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj’” (Gjoni 20:11–17).

Jam lutur që të lejohesha të ndieja diçka si ajo që ndjeu Maria te varri dhe ajo që ndien dy dishepujt e tjerë rrugës për në Emaus teksa ecnin me Shpëtimtarin e ringjallur, duke menduar për Të si një vizitor nga Jerusalemi:

“Por ata e detyruan duke thënë: ‘Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron’. Edhe ai hyri që të rrijë me ta.

Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.

Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.

Dhe ata i thanë njëri-tjetrit: ‘Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?’” (Lluka 24:29–32).

Disa prej atyre fjalëve u përsëritën në një mbledhje sakramenti që e ndoqa më shumë se 70 vjet më parë. Në ato ditë mbledhjet e sakramentit mbaheshin në mbrëmje. Jashtë ishte errësirë. Bashkësia këndoi këto fjalë të mirënjohura. I kisha dëgjuar shumë herë. Por kujtimi im mbresëlënës është i një ndjenje në një natë të veçantë. Më afron më shumë me Shpëtimtarin. Ndoshta, nëse i recitoj fjalët, do të na vijë të gjithëve sërish:

Me mua rri; ësht’ muzg tani.

Dita mbaroi e shkoi;

Terri i mbrëmjes po afron;

Nata sapo fillon.

Ti mik zemre i mir’pritur,

Në shtëpin’ time rri.

Me mua rri; ësht’ muzg tani.

Tek ecja sot me Ty,

Zemra më digjej n’kraharor,

Kur flisnim ne të dy.

Me t’vlefshmet fjal’ shpirtin ma mbush,

Pran’ Teje dua t’rri.

O Shpëtu’s, pran’ k’të nat’ më rri;

Shiko, ësht’ muzg tani.”

O Shpëtu’s, pran’ k’të nat’ më rri;

Shiko, ësht’ muzg tani.1

Më i çmuar se një kujtim i ngjarjeve është kujtimi i Frymës së Shenjtë duke i prekur zemrat tona dhe pohimi i Tij i vazhdueshëm për të vërtetën. Më e çmuar se të parit me sytë tanë ose të kujtuarit e fjalëve që u thanë e u lexuan, është sjellja në mendje e ndjenjave që e shoqëruan zërin e qetë të Shpirtit. Rrallë kam ndier pikërisht atë që ndien udhëtarët rrugës për në Emaus – një si djegie të butë por të pagabueshme në zemër. Më shpesh ajo është një ndjenjë drite dhe sigurie të qetë.

Ne kemi premtimin e paçmuar të Frymës së Shenjtë si shoqërues dhe kemi gjithashtu udhëzime të vërteta se si ta marrim atë dhuratë. Këto fjalë thuhen nga shërbëtori i autorizuar i Zotit me duart e veta mbi kokën tonë: “Merr Frymën e Shenjtë”. Në atë çast unë dhe ju kemi sigurinë se Ai do të dërgohet. Por detyrimi ynë është të zgjedhim që t’i hapim zemrat tona për ta marrë shërbesën e Shpirtit gjatë gjithë jetës.

Përvojat e Profetit Jozef Smith ofrojnë udhërrëfim. Ai e filloi dhe e vazhdoi shërbesën e tij me vendimin se vetë urtësia e tij nuk ishte e mjaftueshme që të dinte se cilën udhë duhej të ndiqte. Ai zgjodhi të ishte i përulur përpara Perëndisë.

Më pas, Jozefi zgjodhi të kërkonte nga Perëndia. U lut me besimin se Perëndia do t’i përgjigjej. Përgjigjja erdhi kur ishte një djalosh. Ato mesazhe erdhën kur i nevojitej të dinte se si do ta ngrinte Perëndia Kishën e Tij. Fryma e Shenjtë e ngushëlloi dhe e udhërrëfeu atë gjatë gjithë jetës së vet.

Ai iu bind frymëzimit kur ai ishte i vështirë. Për shembull, ai mori udhëzim që t’i dërgonte Të Dymbëdhjetët në Angli kur ai kishte më shumë nevojë për ta. I dërgoi.

Ai pranoi korrigjim dhe ngushëllim nga Shpirti kur u burgos dhe shenjtorët ishin tmerrësisht të shtypur. Dhe u bind kur shkoi në udhën drejt Karthixhit, edhe pse e dinte se do të përballej me një rrezik vdekjeprurës.

Profeti Jozef dha një shembull për ne se si të marrim udhëzim dhe ngushëllim të vazhdueshëm shpirtëror nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Zgjedhja e parë që bëri, qe të ishte i përulur përpara Perëndisë.

E dyta ishte që të lutej me besim në Zotin Jezu Krisht.

E treta ishte që të bindej me përpikëri. Bindja mund të nënkuptojë që të veprojmë shpejt. Mund të nënkuptojë që të përgatitemi. Ose mund të nënkuptojë që të presim me durim për frymëzim të mëtejshëm.

Dhe e katërta është të lutemi që të dimë nevojat dhe zemrën e njerëzve të tjerë dhe mënyrën se si t’i ndihmojmë ata për Zotin. Jozefi u lut për shenjtorët në vuajtje, kur ishte në burg. Ka qenë mundësia ime t’i vëzhgoj profetët e Perëndisë kur luten, kërkojnë frymëzim, marrin udhëzim dhe veprojnë sipas tij.

Kam parë se sa shpesh lutjet e tyre janë për njerëzit që i duan dhe të cilëve u shërbejnë. Shqetësimi i tyre për të tjerët duket se i hap zemrat e tyre që të marrin frymëzim. Kjo mund të jetë e vërtetë për ju.

Frymëzimi do të na ndihmojë t’u japim shërbesë të tjerëve për Zotin. E keni parë atë në përvojën tuaj, sikurse e kam parë unë. Peshkopi im dikur më tha – në një kohë kur bashkëshortja ime ishte shumë e stresuar në vetë jetën e saj – “Sa herë që dëgjoj për dikë në lagje që ka nevojë për ndihmë, kur shkoj atje për të ndihmuar, mësoj se gruaja jote ishte atje përpara meje. Si e bën ajo këtë gjë?”

Ajo është si të gjithë ata që janë shërbestarë të mëdhenj në mbretërinë e Zotit. Duket se ka dy gjëra që ata i bëjnë. Shërbestarët e mëdhenj janë kualifikuar që ta kenë Frymën e Shenjtë si një shoqërues pothuajse të vazhdueshëm. Dhe ata janë kualifikuar për dhuratën e dashurisë hyjnore, që është dashuria e pastër e Krishtit. Ato gjëra janë rritur brenda tyre ndërkohë që i kanë përdorur duke shërbyer për shkak të dashurisë për Zotin.

Mënyra se si lutja, frymëzimi dhe dashuria për Zotin veprojnë së bashku në shërbimin tonë përshkruhet për mua në mënyrë të përsosur në këto fjalë:

“Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.

Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,

Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.

Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.

Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.

Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.

Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij” (Gjoni 14:14–21).

Jap dëshminë time vetjake se Ati është në këtë çast i vetëdijshëm për ju, për ndjenjat tuaja dhe për nevojat shpirtërore dhe materiale të çdo njeriu përreth jush. Jap dëshmi se Ati dhe Biri po e dërgojnë Frymën e Shenjtë tek të gjithë ata që e kanë atë dhuratë, që e kërkojnë atë bekim dhe përpiqen të jenë të denjë për të. As Ati, as Biri, as Fryma e Shenjtë nuk hyjnë në jetën tonë me detyrim. Ne jemi të lirë të zgjedhim. Zoti u ka thënë të gjithëve:

“Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.

Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.

Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma” (Zbulesa 3:20–22).

Lutem me gjithë zemër që ju do ta dëgjoni zërin e Shpirtit, që iu dërgohet me kaq bujari. Dhe lutem që ju do ta hapni zemrën tuaj gjithmonë që ta merrni Atë. Nëse kërkoni frymëzim me qëllim të vërtetë dhe me besim te Jezu Krishti, ju do ta merrni atë sipas mënyrës së Zotit dhe në kohën e Zotit. Perëndia e bëri këtë gjë për të riun Jozef Smith. E bën atë sot për profetin tonë të gjallë, Presidentin Rasëll M. Nelson. Ai ju ka vendosur në udhën e fëmijëve të tjerë të Perëndisë që t’u shërbeni atyre për Të. E di këtë gjë jo vetëm nëpërmjet asaj që e kam parë me sytë e mi, por më fuqishëm nëpërmjet asaj që Shpirti më ka pëshpëritur në zemrën time.

E kam ndier dashurinë e Atit dhe të Birit të Tij të Dashur për të gjithë fëmijët e Perëndisë në botë dhe për fëmijët e Tij në botën e shpirtrave. E kam ndier ngushëllimin dhe udhëzimin nga Fryma e Shenjtë. Lutem që ju të mund të keni gëzim në pasjen e Shpirtit me ju si shoqërues vazhdimisht. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim

  1. “Me Mua Rri; Ësht’ Muzg Tani”, Himne, nr. 93.