2010–2019
Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari
Prill 2018


Dhënia e Shërbesës Ashtu Siç e Jep Shpëtimtari

E tregofshim mirënjohjen dhe dashurinë tonë për Perëndinë duke u dhënë shërbesë me dashuri motrave dhe vëllezërve tanë të përjetshëm!

Çfarë bekimi i mrekullueshëm është të jetosh në një kohë zbulese të vazhdueshme nga Perëndia! Ndërkohë që mezi e presim dhe e pranojmë “ripërtëritje[n e] të gjitha gjërave”1, e cila ka ardhur dhe do të vijë nëpërmjet ngjarjeve të profetizuara për kohën tonë, ne po përgatitemi për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.2

Dhe ku ka mënyrë më të mirë për t’u përgatitur që ta takojmë Atë sesa të përpiqemi fort për t’u bërë si Ai nëpërmjet dhënies së shërbesës me dashuri ndaj njëri-tjetrit! Ashtu si Jezu Krishti u mësoi pasuesve të Tij në fillim të kësaj periudhe ungjillore: “Nëse më do[ni], duhet të më shërbe[ni]”3. Shërbimi ynë ndaj të tjerëve është një shprehje e dishepullimit, e mirënjohjes dhe e dashurisë sonë për Perëndinë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin.

Nganjëherë ne mendojmë se duhet të bëjmë diçka madhështore dhe heroike që të “llogaritet” si shërbim ndaj të afërmve tanë. Sidoqoftë, veprime të thjeshta të shërbimit mund të kenë një ndikim të thellë tek të tjerët – si edhe te ne vetë. Çfarë bëri Shpëtimtari? Nëpërmjet dhuratave të Tij hyjnore të Shlyerjes dhe Ringjalljes – të cilën ne e kremtojmë këtë të diel të bukur Pashke – “asnjë tjetër nuk ka pasur një ndikim kaq të thellë mbi të gjithë njerëzit që kanë jetuar dhe që ende do të jetojnë në tokë”4. Por Ai gjithashtu u buzëqeshi njerëzve, bisedoi me ta, eci me ta, i dëgjoi, gjeti kohë për ta, i nxiti, u dha mësim, i ushqeu dhe i fali ata. Ai u shërbeu njëlloj familjes dhe miqve, të afërmve dhe të huajve, dhe i ftoi të njohurit dhe njerëzit e dashur që të gëzonin bekimet e pasura të ungjillit të Tij. Ato veprime “të thjeshta” shërbimi dhe dashurie japin një model për dhënien e shërbesës sonë sot.

Ndërsa keni privilegjin ta përfaqësoni Shpëtimtarin në përpjekjet tuaja për të dhënë shërbesë, pyeteni veten tuaj: “Si mund ta ndaj dritën e ungjillit me këtë individ apo familje? Çfarë po më frymëzon Shpirti të bëj?”

Dhënia e shërbesës mund të bëhet në një llojshmëri të madhe mënyrash të individualizuara. Pra, cilët janë disa shembuj të dhënies së shërbesës?

Shembuj të dhënies së shërbesës janë kur presidenca e kuorumit të pleqve dhe presidenca e Shoqatës së Ndihmës këshillohen plot lutje rreth detyrave. Në vend që thjesht të shpërndajnë fleta letre, udhëheqësit, kur të caktojnë vëllezër dhe motra shërbestare, mund të këshillohen me ta rreth individëve e familjeve. Dhënia e shërbesës mund të jetë të bëni një shëtitje, të mblidheni së bashku për një mbrëmje lojërash, të ofroni shërbim ose madje të shërbeni së bashku. Mund të jetë të bëni një vizitë ose të flisni në telefon apo të bisedoni nëpërmjet internetit ose me mesazhe në celular. Mund të jetë të dërgoni një kartolinë ditëlindjeje dhe të bëni tifozllëk në një lojë futbolli. Mund të jetë të ndani një shkrim të shenjtë apo citim nga një bisedë konference që do të ishte domethënëse për atë individ. Mund të jetë të diskutoni për një pyetje mbi ungjillin dhe të jepni dëshmi për të sjellë qartësi e paqe. Mund të jetë të bëheni pjesë e jetës së dikujt dhe të kujdeseni për të. Mund të jetë një intervistë për dhënien e shërbesës në të cilën diskutohen nevojat dhe anët e forta me ndjeshmëri dhe në mënyrën e duhur. Mund të jetë organizimi i këshillit të lagjes për t’iu përgjigjur një nevoje më të madhe.

Kjo lloj shërbese e forcoi një motër që u shpërngul shumë larg shtëpisë, kur bashkëshorti i saj filloi shkollën pasuniversitare. Ngaqë nuk kishte një telefon funksional dhe me një foshnjë të vogël për t’u kujdesur, ajo u ndje e çorientuar në vendndodhjen e re, krejtësisht e humbur dhe e vetme. Pa njoftim paraprak, një motër e Shoqatës së Ndihmës erdhi në derë duke i sjellë një palë këpucë për foshnjën, i futi të dyja në makinën e vet dhe i çoi për të gjetur dyqanin e ushqimeve. Motra mirënjohëse raportoi: “Ajo ishte mjeti im i shpëtimit!”

Dhënia e vërtetë e shërbesës ilustrohet nga një motër e moshuar në Afrikë, e cila u caktua të kërkonte një motër që nuk i kishte ndjekur mbledhjet e Kishës për një kohë të gjatë. Kur shkoi në shtëpinë e motrës, ajo mësoi se gruaja ishte rrahur e grabitur, kishte shumë pak për të ngrënë dhe nuk zotëronte asnjë veshje që mendonte se ishin të përshtatshme për mbledhjet e së dielës në Kishë. Gruaja që u caktua t’i shërbente asaj, solli dëshirën për të mbajtur vesh, prodhime nga kopshti i saj, shkrime të shenjta për të lexuar dhe miqësi. Motra “e humbur” shpejt u kthye në kishë dhe tani mban një thirrje, sepse ajo e di që të tjerët e duan dhe e çmojnë.

Ndërthurja e përpjekjeve të tilla të Shoqatës së Ndihmës me kuorumin e pleqve tashmë të ristrukturuar do të sjellë një unitet që mund të prodhojë rezultate të mahnitshme. Dhënia e shërbesës bëhet një përpjekje e bashkërenduar për të përmbushur detyrën e priftërisë që të “vizitojë shtëpinë e çdo anëtari” dhe të “vëzhgojë mbi kishën gjithmonë dhe të jetë me ta e t’i forcojë ata”5, si dhe për të arritur qëllimin e Shoqatës së Ndihmës që ta ndihmojmë njëri-tjetrin të përgatitemi për bekimet e jetës së përjetshme.6 Duke punuar së bashku nën drejtimin e peshkopit, presidencat e kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës mund të frymëzohen ndërsa kërkojnë mënyrat më të mira për të vëzhguar e për t’u kujdesur për çdo individ e familje.

Më lejoni t’ju jap një shembull. Një nënë u diagnostikua me kancer. Shpejt ajo filloi trajtimin dhe menjëherë motrat e Shoqatës së Ndihmës iu futën punës, duke planifikuar se si të ndihmonin më së miri me vaktet, transportin në takimet mjekësore dhe përkrahje në forma të tjera. Ato e vizitonin atë rregullisht, duke i dhënë shoqërim plot hare. Në të njëjtën kohë, kuorumi i Priftërisë Melkizedeke u hodh në veprim. Ata punuan duke shtuar një dhomë gjumi dhe tualet të rimodeluar që ta bënin më të lehtë përkujdesjen për motrën e sëmurë. Të rinjtë iu futën punës fizikisht për të marrë pjesë në atë përpjekje të rëndësishme. U përfshinë edhe të rejat: ato u organizuan me gëzim që ta nxirrnin me besnikëri qenin çdo ditë për shëtitje. Ndërsa koha kalonte, lagjja e vazhdoi shërbimin e saj, duke e shtuar dhe duke e përshtatur aty ku ishte e nevojshme. Ishte dukshëm një punë dashurie, ku secili anëtar dha nga vetja, duke treguar në mënyrë të bashkuar përkujdesje në mënyra individuale, që bekuan jo vetëm motrën që po vuante por secilin pjesëtar të familjes së saj.

Pas një përpjekjeje plot kurajë, motra më në fund vdiq dhe gjeti prehje nga kanceri. A nxori lagjja një psherëtimë lehtësuese dhe a e konsideroi punën të bërë mirë dhe të marrë fund një herë e mirë? Jo, të rejat vazhduan ta nxirrnin qenin çdo ditë për shëtitje, kuorumet e priftërisë vazhduan t’i jepnin shërbesë babait dhe familjes së tij dhe motrat e Shoqatës së Ndihmës vazhduan t’i ndihmonin me dashuri për të përcaktuar anët e forta dhe nevojat. Vëllezër e motra, kjo është dhënia e shërbesës – kjo është të duash ashtu siç do Shpëtimtari!

Një bekim tjetër i këtyre shpalljeve të frymëzuara është mundësia që kanë të rejat e moshave 14–18 vjeç të marrin pjesë në dhënien e shërbesës si shoqëruese të motrave të Shoqatës së Ndihmës, ashtu si të rinjtë e të njëjtës moshë shërbejnë si shoqërues shërbestarë për vëllezërit e Priftërisë Melkizedeke. Të rinjtë dhe të rejat mund t’i përdorin dhuntitë e tyre të pashoqe dhe të rriten shpirtërisht teksa shërbejnë së bashku me të rriturit në punën e shpëtimit. Përfshirja e rinisë në detyrat e shërbesës mund ta zgjerojë gjithashtu shtrirjen përkujdesëse të Shoqatës së Ndihmës dhe të kuorumit të pleqve për të tjerët duke e shtuar numrin e anëtarëve që marrin pjesë.

Ndërsa mendoj për të rejat e mahnitshme që kam njohur, emocionohem për ato motra të Shoqatës së Ndihmës të cilat do të kenë privilegjin të bekohen nga entuziazmi, talentet dhe ndjeshmëria shpirtërore e një të reje teksa shërbejnë krah për krah me to apo ndërsa marrin shërbesë prej tyre. Dhe jam po aq e kënaqur nga mundësia që të rejat do të kenë për t’u këshilluar, mësuar e forcuar nga motrat e tyre në Shoqatën e Ndihmës. Kjo mundësi për të marrë pjesë në ndërtimin e mbretërisë së Perëndisë do të jetë një përfitim i jashtëzakonshëm për të rejat, duke i ndihmuar ato që të përgatiten më mirë për t’i përmbushur rolet e tyre si udhëheqëse në Kishë e komunitet dhe si partnere kontribuese në familjet e tyre. Ashtu siç u shpreh Motra Boni L. Oskarson dje, të rejat “duan të jenë në shërbim. Ato duhet ta dinë se janë të çmueshme dhe thelbësore në punën e shpëtimit”7.

Në fakt, të rejat tashmë po u japin shërbesë të tjerëve, pa qenë caktuar ose pa bërë bujë. Unë njoh një familje që u shpërngul qindra kilometra në një vend të ri ku nuk njihnin askënd. Brenda javës së parë, një vajzë 14-vjeçare nga lagjja e tyre e re u shfaq në pragun e derës me një pjatë me biskota, duke i mirëpritur ata në atë zonë. Nëna e saj qëndronte duke buzëqeshur pas saj si një shofere e gatshme, duke e përkrahur dëshirën e vajzës së saj për të dhënë shërbesë.

Një tjetër nënë u shqetësua një ditë që vajza e saj 16-vjeçare nuk ishte në shtëpi në orën e zakonshme. Kur vajza mbërriti më në fund, nëna e saj paksa e irrituar, i bëri disa pyetje se ku kishte qenë. 16-vjeçarja gati me ndrojtje iu përgjigj se i kishte çuar lule një vejushe që jetonte aty pranë. Ajo kishte vënë re se motra e moshuar dukej e vetmuar dhe pati nxitjen ta vizitonte atë. Me miratimin e plotë të nënës së saj, e reja vazhdoi ta vizitonte gruan e moshuar. Ato u bënë mikesha të mira dhe shoqëria e tyre e ëmbël vazhdoi me vite.

Secila prej këtyre të rejave dhe shumë më tepër si ato, e vënë re nevojën e dikujt dhe punojnë për ta përmbushur atë. Të rejat kanë një dëshirë të natyrshme për t’u kujdesur e për të dhënë, e cila mund të drejtohet mirë nëpërmjet dhënies së shërbesës në bashkëpunim me një motër të rritur.

Pavarësisht nga mosha jonë, kur marrim në shqyrtim se si të japim shërbesë në mënyrë më të efektshme, ne pyetim: “Çfarë i nevojitet asaj [ose atij]?” Duke e bashkuar atë pyetje me një dëshirë të sinqertë për të shërbyer, atëherë ne udhëhiqemi nga Shpirti për të bërë atë që do ta lartësonte dhe forconte individin. Kam dëgjuar histori të panumërta të vëllezërve dhe motrave që u bekuan nga një gjest i thjeshtë i përfshirjes dhe mirëpritjes në kishë, nga një mesazh elektronik apo nga një mesazh në celular i menduar, nga një kontakt vetjak në një kohë të vështirë, nga një ftesë për të marrë pjesë në një veprimtari në grup apo nga një ofertë për të ndihmuar në një situatë sfiduese. Prindërit e vetëm, të kthyerit e rinj në besim, anëtarët më pak aktivë, të vejat dhe vejanët, apo të rinjtë e të rejat që po hasin vështirësi, mund të kenë nevojë për vëmendje shtesë dhe ndihmë me përparësi prej vëllezërve dhe motrave shërbestare. Bashkërendimi midis presidencave të kuorumit të pleqve dhe të Shoqatës së Ndihmës lejon pikërisht që të caktohen detyrat e duhura.

Pasi gjithçka të jetë thënë e bërë, dhënia e vërtetë e shërbesës arrihet një e nga një, me dashurinë si shtysë. Vlera, merita dhe mrekullia e dhënies së sinqertë të shërbesës është që ajo e ndryshon vërtet jetën! Kur zemrat tona janë të hapura dhe të gatshme për të dashur e për të përfshirë, për të nxitur e për të ngushëlluar, fuqia e dhënies së shërbesës sonë do të jetë magjepsëse. Me dashurinë si shtysë, do të ndodhin mrekulli, dhe ne do të gjejmë mënyra për t’i sjellë motrat dhe vëllezërit e “humbur” në përqafimin gjithëpërfshirës të ungjillit të Jezu Krishtit.

Shpëtimtari është shembulli ynë për çdo gjë – jo vetëm për atë që duhet të bëjmë, por edhe për arsyen përse duhet ta bëjmë atë gjë.8 “Jeta e Tij në tokë ishte [një] ftesë për ne – që ta ngremë vështrimin tonë pak më lartë, për t’i harruar problemet tona e për t’i ndihmuar tjerët.”9 Ndërsa e pranojmë mundësinë që t’u japim shërbesë me gjithë zemër motrave dhe vëllezërve tanë, ne bekohemi që të bëhemi më të pastruar shpirtërisht, më në harmoni me vullnetin e Perëndisë dhe më në gjendje për ta kuptuar planin e Tij që e ndihmon secilin prej nesh të kthehet tek Ai. Ne do t’i njohim më shpejt bekimet e Tij dhe do të jemi më të zellshëm që t’ua shtrijmë ato bekime të tjerëve. Zemrat tona do të këndojnë njëzëri me zërat tanë:

Shpëtimtar, ta dua vëllan’

Siç e di se më do Ti,

Tek Ti forcën time të gjej

Që për Ty të jap shërbim.

Shpëtimtar, ta dua vëllan’ –

Zot, un’ Ty do të t’ndjek.10

E tregofshim mirënjohjen dhe dashurinë tonë për Perëndinë duke u dhënë shërbesë me dashuri motrave dhe vëllezërve tanë të përjetshëm!11 Përfundimi do të jetë një unitet ndjenjash i tillë si ai që përjetuan njerëzit në Amerikën e lashtë 100 vjet pas shfaqjes së Shpëtimtarit në tokën e tyre.

“Dhe ndodhi që nuk pati grindje …, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve.

… Nuk pati zili, as luftime, … dhe me siguri nuk mund të kishte një popull më të lumtur mes gjithë njerëzve të krijuar nga dora e Perëndisë.”12

Me gëzim jap dëshminë time vetjake që këto ndryshime të zbuluara janë të frymëzuara nga Perëndia dhe që, ndërsa i pranojmë me zemra të gatshme, ne do të bëhemi më të përgatitur për ta takuar Birin e Tij, Jezu Krishtin, në ardhjen e Tij. Ne do të jemi më afër bërjes një popull i Sionit dhe do të ndiejmë gëzim të jashtëzakonshëm me ata që kemi ndihmuar përgjatë shtegut të dishepullimit. Që ne të mund ta bëjmë këtë është lutja ime e zjarrtë dhe e përulur, në emrin e Jezu Krishtit, amen.