2010–2019
Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë
Prill 2018


Dhënia e Shërbesës me Fuqinë dhe Autoritetin e Perëndisë

Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.

Vëllezërit e mi të dashur, ju falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj Zotit dhe punës së Tij të shenjtë. Është vërtet gëzim të jem me ju. Si një Presidencë e Parë e re, ne ju falënderojmë për lutjet tuaja dhe përpjekjet tuaja mbështetëse. Jemi mirënjohës për jetën tuaj dhe për shërbimin tuaj ndaj Zotit. Përkushtimi juaj ndaj detyrës dhe shërbimi juaj vetëmohues janë po aq të rëndësishëm në thirrjet tuaja sa janë përkushtimi dhe shërbimi ynë në thirrjet tona. Nëpërmjet një jete të tërë shërbimi në këtë Kishë, unë kam mësuar se me të vërtetë nuk ka rëndësi vendi se ku shërben dikush. Ajo për të cilën interesohet Zoti është mënyra se si shërben dikush.

Unë shpreh mirënjohje të thellë për Presidentin Tomas S. Monson, që ishte shembull për mua për më shumë se 50 vjet. Dhe për këshilltarët e tij, Presidentin Henri B. Ajring dhe Presidentin Diter F. Uhtdorf, shpreh admirim të thellë. I përgëzoj për shërbimin e tyre ndaj Zotit dhe profetëve të Tij. Që të dy këta shërbëtorë të devotshëm kanë marrë detyra të reja. Ata vazhdojnë të shërbejnë me fuqi dhe zotim. I nderoj dhe i dua ata që të dy.

Është bekim i mrekullueshëm të shërbesh në Kishën e vërtetë dhe të gjallë të Zotit, me autoritetin dhe fuqinë e Tij. Rivendosja e priftërisë së Perëndisë, përfshirë çelësat e priftërisë, u hap shenjtorëve të denjë të ditëve të mëvonshme bekimet më të mëdha të të gjitha bekimeve shpirtërore. Ne i shohim ato bekime të derdhen mbi gratë, burrat dhe fëmijët anembanë botës.

Ne shohim gra besnike, të cilat e kuptojnë fuqinë e qenësishme në thirrjet e tyre dhe në dhurimin [indaumentin] e tyre si dhe ordinanca të tjera të tempullit. Këto gra e dinë se si t’u bëjnë thirrje fuqive të qiellit për t’i mbrojtur e forcuar bashkëshortët e tyre, fëmijët e tyre dhe njerëzit e tjerë që ato i duan. Këto janë gra të forta shpirtërisht, të cilat udhëheqin, japin mësim dhe shërbesë pa frikë në thirrjet e tyre me fuqi dhe autoritet nga Perëndia!1 Sa mirënjohës jam për to!

Po ashtu, shohim burra besnikë të cilët jetojnë denjësisht për privilegjet e tyre si mbajtës të priftërisë. Ata udhëheqin dhe shërbejnë duke sakrifikuar sipas mënyrës së Zotit, me dashuri, mirësi dhe durim. Ata i bekojnë, udhërrëfejnë, mbrojnë dhe forcojnë të tjerët me anë të fuqisë së priftërisë që mbajnë. Ata u sjellin mrekulli atyre të cilëve u shërbejnë, ndërkohë që i mbajnë të sigurta vetë martesat dhe familjet e tyre. Ata i japin fund ligësisë dhe janë pleq të fuqishëm në Izrael.2 Jam jashtëzakonisht mirënjohës për ta!

Tani, a mund të shpreh një shqetësim? Është ky: Tepër shumë prej vëllezërve dhe motrave tona nuk e kuptojnë tërësisht konceptin e fuqisë dhe autoritetit të priftërisë. Ata veprojnë sikur më tepër do të donin të kënaqnin dëshirat dhe orekset e veta egoiste në vend që ta përdornin fuqinë e Perëndisë për t’i bekuar fëmijët e Tij.

Kam frikë se tepër shumë prej vëllezërve dhe motrave tona nuk ua rrok mendja privilegjet që mund të jenë të tyret.3 Disa nga vëllezërit tanë, për shembull, veprojnë sikur nuk e kuptojnë se çfarë është priftëria dhe se çfarë ajo i aftëson ata të bëjnë. Më lejoni t’ju jap disa shembuj të veçantë.

Jo shumë kohë më parë mora pjesë në një mbledhje sakramenti në të cilën një foshnjeje të re do t’i jepej një emër dhe një bekim nga babai. Babai i ri në moshë e mbajti foshnjën e tij të çmuar në krahët e vet, i dha asaj një emër dhe më pas ofroi një lutje të bukur. Por ai nuk i dha asaj fëmije një bekim. Ajo foshnjë e ëmbël vajzë mori një emër, por jo bekim! Ai plak i dashur nuk e dinte ndryshimin midis një lutjeje dhe një bekimi të priftërisë. Me autoritetin dhe fuqinë e tij të priftërisë, ai mund ta kishte bekuar foshnjën e tij, por nuk e bëri. Mendova: “Çfarë mundësie e humbur!”

Më lejoni të përmend disa shembuj të tjerë. Ne dimë për vëllezër të cilët i veçojnë motrat si udhëheqëse dhe mësuese të Fillores, të Të Rejave ose të Shoqatës së Ndihmës, por nuk arrijnë t’i bekojnë ato – t’i bekojmë ato me fuqinë për t’i përmbushur thirrjet e tyre. Ata japin vetëm këshilla dhe udhëzime. Shohim një atë të denjë i cili nuk arrin që t’u japë bekime të priftërisë gruas së tij dhe fëmijëve të tij kur ajo është pikërisht gjëja që u nevojitet. Fuqia e priftërisë i është rivendosur tokës dhe prapëseprapë jashtëzakonisht shumë vëllezër e motra kalojnë përmes sprovave të tmerrshme në jetë pa marrë ndonjëherë një bekim të vërtetë të priftërisë. Çfarë tragjedie! Ajo është një tragjedi që ne mund ta mënjanojmë.

Vëllezër, ne mbajmë priftërinë e shenjtë të Perëndisë! Kemi autoritetin e Tij për t’i bekuar njerëzit e Tij. Thjesht mendoni për sigurinë mbresëlënëse që Zoti na e dha kur tha: “Këdo që ti do ta bekosh, unë do ta bekoj”4. Është privilegji ynë që të veprojmë në emrin e Jezu Krishtit për t’i bekuar fëmijët e Perëndisë sipas vullnetit të Tij për ta. Presidentë të kunjeve dhe peshkopë, ju lutemi sigurohuni që çdo anëtar i kuorumeve nën kujdestarinë tuaj e kupton se si të japë një bekim priftërie – përfshirë denjësinë vetjake dhe përgatitjen shpirtërore që kërkohet për t’i bërë thirrje plotësisht fuqisë së Perëndisë.5

Të gjithë ju vëllezër që mbani priftërinë, ju ftoj t’i frymëzoni anëtarët që t’i mbajnë besëlidhjet e tyre, të agjërojnë e të luten, t’i studiojnë shkrimet e shenjta, të adhurojnë në tempull dhe të shërbejnë me besim si burra e gra të Perëndisë. Ne mund t’i ndihmojmë të gjithë që të shohin me syrin e besimit se bindja dhe drejtësia do t’i sjellin më pranë Jezu Krishtit, do t’i lejojnë të gëzojnë shoqërimin e Frymës së Shenjtë dhe të përjetojnë gëzim në jetë!

Një tipar dallues i Kishës së vërtetë dhe të gjallë të Zotit do të jetë gjithmonë një përpjekje e organizuar, e drejtuar për t’u dhënë shërbesë fëmijëve individualë të Perëndisë dhe familjeve të tyre.6 Ngaqë kjo është Kisha e Tij, ne si shërbëtorë të Tij do t’i japim shërbesë individit, pikërisht siç bëri Ai.7 Ne do të japim shërbesë në emër të Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij dhe me mirësinë e Tij plot dashuri.

Një përvojë që e pata më shumë se 60 vjet më parë në Boston, më mësoi pikërisht se sa i fuqishëm mund të jetë privilegji i dhënies së shërbesës një‑për‑një. Unë isha në atë kohë një kirurg stazhier në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit – në detyrë çdo ditë, një natë po një natë jo dhe një fundjavë po një fundjavë jo. Kisha kohë të kufizuar për gruan time, katër fëmijët tanë dhe aktivitetin në Kishë. Gjithsesi, presidenti i degës sonë më caktoi të vizitoja shtëpinë e Uillbër dhe Leonora Koksit me shpresën që Vëllai Koks mund të kthehej në aktivitet në Kishë. Ai dhe Leonora ishin vulosur në tempull.8 Megjithëkëtë Uillbëri nuk kishte marrë pjesë prej shumë vitesh.

Unë dhe shoqëruesi im shkuam te shtëpia e tyre. Teksa hymë, Motra Koks na mirëpriti ngrohtësisht9, por Vëllai Koks shkoi vrazhdë në një dhomë tjetër dhe e mbylli derën.

Shkova te dera e mbyllur dhe trokita. Pas një çasti, dëgjova një “Hyr” të mbytur. Hapa derën dhe e gjeta Vëllanë Koks të ulur pranë një grumbulli pajisjesh të një radioamatori. Në atë dhomë të vogël, ai ndezi një puro. Ishte e qartë, vizita ime nuk ishte aspak e mirëpritur.

Hodha vështrimin nëpër dhomë plot habi dhe thashë: “Vëllai Koks, gjithmonë kam dashur të mësoj më shumë rreth punës së radioamatorizmit. A do të jesh i gatshëm të më mësosh për të? Më vjen keq që s’mund të qëndroj më gjatë sonte, por a mund të vij një herë tjetër?”

Ai ngurroi për një çast dhe pastaj tha “po”. Ky ishte fillimi i asaj që u bë një miqësi e mrekullueshme. U ktheva dhe ai më mësoi. Fillova ta dua dhe respektoj atë. Nëpërmjet vizitave tona pasuese, doli në pah madhështia e këtij burri. U bëmë miq shumë të mirë, sikurse u bënë edhe shoqërueset tona të përjetshme. Më pas, me kalimin e kohës, familja jonë u shpërngul. Udhëheqësit vendorë vazhduan ta ushqenin shpirtërisht familjen Koks.10

Gati tetë vjet pas asaj vizite të parë, u krijua Kunji i Bostonit.11 A e merrni dot me mend se kush ishte presidenti i parë i kunjit? Po! Vëllai Koks! Gjatë viteve pasuese, ai shërbeu gjithashtu si president misioni dhe president tempulli.

Vite më vonë, unë, si anëtar i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, u caktova të krijoja një kunj të ri në kontenë Sanpit të Jutës. Gjatë intervistave të zakonshme, u habita plot gëzim tek takova sërish mikun tim të dashur, Vëllanë Koks! Pata mbresën ta thërrisja si patriarkun e kunjit të ri. Pasi e shugurova, ne u përqafuam dhe derdhëm lot. Njerëzit në dhomë pyesnin veten përse po qanin këta burra në moshë. Por ne e dinim. Dhe Motra Koks e dinte. Lotët tanë ishin lot gëzimi! Në heshtje kujtuam udhëtimin e pabesueshëm të dashurisë e pendimit që filloi më shumë se 30 vjet më parë, një natë në shtëpinë e tyre.

Rrëfimi nuk mbaron atje. Familja e Vëllait dhe Motrës Koks u zmadhua duke përfshirë 3 fëmijë, 20 nipër e mbesa dhe 54 stërnipër e stërmbesa. Shtojini kësaj ndikimin e tyre mbi qindra misionarë, mbi mijëra të tjerë në tempull dhe mbi qindra të tjerë që kanë marrë bekime patriarkale nga duart e Uillbër Koksit. Ndikimi i Tij dhe i Leonorës do të vazhdojë të përhapet përmes shumë brezave anekënd botës.

Përvoja si kjo me Uillbër dhe Leonora Koksin ndodhin çdo javë – shpresoj, çdo ditë – brenda kësaj Kishe. Shërbëtorë të përkushtuar të Zotit Jezu Krisht e kryejnë punën e Tij, me fuqinë dhe autoritetin e Tij.

Vëllezër, ka dyer që mund t’i hapim, bekime të priftërisë që mund t’i japim, zemra që mund t’i shërojmë, barrë që mund t’i lehtësojmë, dëshmi që mund t’i forcojmë, jetë që mund t’i shpëtojmë dhe gëzim që mund ta sjellim në shtëpitë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme – të gjitha ngaqë mbajmë priftërinë e Perëndisë. Ne jemi burra që jemi “thirrur dhe … përgatitur, që nga krijimi i botës sipas paraditurisë së Perëndisë, për shkak të besimit [tonë] të jashtëzakonshëm” për ta bërë këtë punë.12

Sonte unë ju ftoj vërtet të çoheni me mua në vëllazërinë tonë të madhërishme dhe të përjetshme. Kur të them detyrën tuaj të priftërisë, ju lutem, çohuni dhe qëndroni në këmbë. Dhjakët, ju lutem ngrihuni! Mësuesit, ngrihuni! Priftërinjtë! Peshkopët! Pleqtë! Priftërinjtë e lartë! Patriarkët! Të Shtatëdhjetët! Apostujt!

Tani, vëllezër, ju lutem të qëndroni në këmbë dhe të bashkoheni me korin tonë për të kënduar që të treja strofat e himnit “Burra t’Per’ndis’ Ço’uni!”13 Ndërkohë që këndoni, mendoni për detyrën tuaj si ushtria e fuqishme e Perëndisë, që ndihmon për ta përgatitur botën për Ardhjen e Dytë të Zotit. Kjo është detyra jonë. Ky është privilegji ynë. Unë dëshmoj kështu, në emrin e Jezu Krishtit, amen.