2010–2019
Dashuria e Pastër: Shenja e Vërtetë e Çdo Dishepulli të Vërtetë të Jezu Krishtit
Prill 2018


Dashuria e Pastër: Shenja e Vërtetë e Çdo Dishepulli të Vërtetë të Jezu Krishtit

Ungjilli i Jezu Krishtit përqendrohet te dashuria e Atit dhe e Shpëtimtarit për ne dhe te dashuria jonë për Ata dhe njëri-tjetrin.

Ne e duam Presidentin Monson dhe na ka marrë malli për të dhe, e duam dhe e mbështetim Presidentin Rasëll M. Nelson. Presidenti Nelson zë një vend të veçantë në zemrën time.

Kur isha baba i ri në moshë, djali ynë i vogël, i cili ishte pesë vjeç, një ditë erdhi në shtëpi nga shkolla dhe e pyeti nënën e tij: “Çfarë pune bën babi?” Ai më pas shpjegoi se shokët e tij të rinj të klasës filluan të debatonin rreth punës së baballarëve të tyre. Njëri tha se babai i tij ishte drejtori i policisë së qarkut, ndërsa një tjetër shprehu me krenari se babai i tij ishte drejtori i një kompanie të madhe.

Kështu që kur e pyetën për babanë e tij, im bir thjesht u përgjigj: “Babi im punon në një zyrë me kompjuter”. Më pas, duke vërejtur se përgjigjja e tij nuk u bëri shumë përshtypje shokëve të tij të rinj të vegjël, ai shtoi: “Dhe meqë ra fjala, babi im është drejtori i universit”.

Ma mori mendja se ky ishte fundi i diskutimit.

I thashë bashkëshortes sime: “Ka ardhur koha që t’i mësojmë atij disa hollësi më shumë për planin e shpëtimit dhe se kush kryeson në të vërtetë”.

Por ndërsa ua mësonim fëmijëve tanë planin e shpëtimit, dashuria e tyre për Atin Qiellor dhe Shpëtimtarin u rrit teksa mësuan se ai është një plan dashurie. Ungjilli i Jezu Krishtit përqendrohet te dashuria e Atit dhe e Shpëtimtarit për ne dhe te dashuria jonë për Ata dhe njëri-tjetrin.

Plaku Xhefri R. Holland tha: “Urdhërimi i parë i madh i gjithë përjetësisë është që ta duam Perëndinë me të gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë – ai është urdhërimi i parë i madh. Por e vërteta e parë e madhërishme e gjithë përjetësisë është që Perëndia na do me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën e Tij. Ajo dashuri është guri themeltar i përjetësisë dhe duhet të jetë guri themeltar i jetës sonë të përditshme.”1

Duke qenë guri themeltar i jetës sonë të përditshme, dashuria e pastër është një kusht për çdo dishepull të vërtetë të Jezu Krishtit.

Profeti Mormon dha mësim: “Prandaj, vëllezër të mi të dashur, lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij, Jezu Krisht”.2

Dashuria njëmend është shenja e vërtetë e çdo dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit.

Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë të shërbejnë. Ata e dinë se shërbimi është një shenjë e dashurisë së vërtetë dhe e një besëlidhjeje që kanë bërë në pagëzim3. Pavarësisht thirrjeve të tyre në Kishë apo rolit të tyre në komunitet, ata ndiejnë një dëshirë më shumë për ta dashur Zotin dhe për t’i shërbyer [Atij] dhe njëri-tjetrit.

Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë të falin. Ata e dinë se Shlyerja e Shpëtimtarit i përfshin të gjitha mëkatet dhe gabimet e çdonjërit prej nesh. Ata e dinë se çmimi që Ai pagoi është një “çmim gjithëpërfshirës”. Taksat, tarifat, komisionet dhe detyrimet shpirtërore që lidhen me mëkatet, gabimet apo keqbërjet janë të gjitha të përfshira. Dishepujt e vërtetë janë të shpejtë për të falur dhe për të kërkuar falje.

Vëllezërit e motrat e mia të dashura, nëse po hasni vështirësi që të gjeni forcën për të falur, mos mendoni për atë që të tjerët kanë bërë ndaj jush, por mendoni për atë që Zoti ka bërë për ju, dhe do të gjeni paqe nga bekimet shëlbuese të Shlyerjes së Tij.

Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë t’ia nënshtrojnë veten Zotit me paqe në zemrën e tyre. Ata janë të përulur dhe të nënshtruar për shkak se e duan Atë. Ata kanë besim aq sa ta pranojnë plotësisht vullnetin e Tij, jo vetëm tek ajo që Ai bën, por edhe te mënyra dhe koha. Dishepujt e vërtetë e dinë se bekimet e vërteta nuk janë gjithnjë ato që ata dëshirojnë, por përkundrazi, ato që Zoti dëshiron për ta.

Dishepujt e vërtetë e duan Zotin më shumë sesa botën dhe janë të qëndrueshëm dhe të palëkundur në besimin e tyre. Ata qëndrojnë të fortë e të patundur brenda një bote që po ndryshon dhe po [bëhet] pështjelluese. Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë ta dëgjojnë zërin e Shpirtit dhe të profetëve dhe nuk hutohen nga zërat e botës. Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë të “qëndrojnë në vende të shenjta”4 dhe duan shumë t’i bëjnë të shenjta vendet ku ata qëndrojnë. Kudo që shkojnë, ata sjellin dashurinë e Zotit dhe paqe në zemrën e të tjerëve. Dishepujt e vërtetë dëshirojnë shumë t’u binden urdhërimeve të Zotit dhe ata binden për shkak se e duan Zotin. Teksa i duan shumë besëlidhjet e tyre dhe i mbajnë ato, zemra e tyre ripërtërihet dhe vetë natyra e tyre ndryshon.

Dashuria e pastër është shenja e vërtetë e çdo dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit.

Unë mësova për dashurinë e pastër nga nëna ime. Ajo nuk ishte anëtare e Kishës.

Një ditë, shumë vite më parë, unë i shkova për vizitë nënës sime, e cila po luftonte me kancerin. E dija se ajo do të vdiste, por isha i shqetësuar se po vuante. Nuk i thashë asgjë, por ajo duke më njohur mirë, tha: “Shoh se je i shqetësuar”.

Më pas, si për çudi, ajo më pyeti me një zë të pafuqishëm: “A mund të më mësosh se si të lutem? Dua të lutem për ty. E di se ju e nisni duke thënë: ‘Atë i dashur Qiellor’, po më pas çfarë duhet të them?”

Kur u gjunjëzova pranë shtratit të saj dhe ajo u lut për mua, unë ndjeva një dashuri që nuk e kisha ndier më parë. Ajo ishte e thjeshtë, e vërtetë, dashuri e pastër. Ndonëse nuk kishte njohuri për planin e shpëtimit, ajo kishte në zemrën e vet planin e saj vetjak për dashurinë, planin e dashurisë së një nëne për birin e vet. Ajo kishte dhembje, e prapë u mundua të gjente forcën për t’u lutur. Mezi ia dëgjoja zërin, por pa dyshim e ndjeva dashurinë e saj.

Më kujtohet që mendova: “Si mund të lutet për dikë tjetër dikush që po vuan kaq shumë? Është ajo që ka nevojë për ndihmë”.

Më pas përgjigjja më erdhi qartësisht në mendjen time: Nga dashuria e pastër. Ajo më deshi kaq shumë saqë e harroi veten. Në çastin e saj më të vështirë, ajo më deshi më shumë se veten.

Tani, vëllezër e motra të dashura, a nuk është kjo ajo që bëri Shpëtimtari? Sigurisht, në një këndvështrim të përjetshëm e shumë më të gjerë. Por në mes të vuajtjes së Tij më të madhe, në kopsht atë natë, ishte Ai që kishte nevojë për ndihmë, duke vuajtur në një mënyrë që as nuk mund ta përfytyrojmë apo ta kuptojmë. Por në fund, Ai e harroi Veten dhe u lut për ne derisa e pagoi çmimin e plotë. Si mundi Ai ta bënte atë? Për shkak të dashurisë së Tij të pastër për Atin, i cili e dërgoi Atë, dhe për ne. Ai e deshi Atin dhe ne më shumë se Veten.

Ai pagoi për diçka që nuk e kishte bërë. Ai pagoi për mëkate që nuk i kishte kryer. Përse? Nga dashuria e pastër. Duke qenë se e pagoi çmimin e plotë, Ai ishte gati të na i jepte bekimet për të cilat Ai pagoi, nëse do të pendoheshim. Përse e ofroi Ai këtë? Sërish dhe përherë nga dashuria e pastër.

Dashuria e pastër është shenja e vërtetë e çdo dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit.

Presidenti Tomas S Monson tha: “Ju mund të filloni tani, pikërisht sot, të shprehni dashuri për gjithë fëmijët e Perëndisë, qofshin ata pjesëtarët e familjeve tona, miqtë tanë, thjesht të njohur apo krejtësisht të panjohur. Kur ngrihemi çdo mëngjes, ne duhet të marrim vendim që t’i përgjigjemi me dashuri dhe mirësi çfarëdo gjëje që mund të na ndodhë.”5

Vëllezër e motra, ungjilli i Jezu Krishtit është ungjill dashurie. Urdhërimi më i madh ka të bëjë me dashurinë. Për mua, gjithçka ka të bëjë me dashurinë. Dashurinë e një Ati, që sakrifikoi Birin e Tij për ne. Dashurinë e Shpëtimtarit, që i sakrifikoi të gjitha për ne. Dashurinë e një nëne apo të një ati, që do të jepte gjithçka për fëmijët e vet. Dashurinë e atyre që shërbejnë pa u ndier dhe shumica prej nesh nuk i njeh, por Zoti i njeh më së miri. Dashurinë e atyre që i falin të gjithë dhe përherë. Dashurinë e njerëzve që japin më shumë se sa marrin.

Unë e dua Atin tim Qiellor. E dua Shpëtimtarin tim. E dua ungjillin. E dua këtë Kishë. E dua familjen time. E dua këtë jetë të mrekullueshme. Për mua, gjithçka ka të bëjë me dashurinë.

Qoftë kjo ditë përkujtimore për Ringjalljen e Shpëtimtarit një ditë ripërtëritjeje shpirtërore për secilin prej nesh! Qoftë kjo ditë fillimi i një jete të mbushur me dashuri, “guri themeltar i jetës sonë të përditshme”!

Qoftë zemra jonë e mbushur me dashurinë e pastër të Krishtit, shenjën e vërtetë të çdo dishepulli të vërtetë të Jezu Krishtit! Kjo është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.