2010–2019
Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë
Prill 2018


Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë

Në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.

Çfarë privilegji i lavdishëm ka qenë të kremtojmë Pashkën me ju në këtë të diel të konferencës së përgjithshme! Asgjë nuk mund të jetë më e përshtatshme sesa të përkujtojmë ngjarjen më të rëndësishme që ndodhi ndonjëherë në këtë tokë, nëpërmjet adhurimit të qenies më të rëndësishme që eci ndonjëherë në këtë tokë. Në këtë, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne adhurojmë Atë që e filloi Shlyerjen e Tij të pafundme në Kopshtin e Gjetsemanit. Ai ishte i gatshëm të vuante për mëkatet dhe dobësitë e secilit prej nesh, vuajtje e cila e bëri Atë t’i “d[ilte] gjak nga çdo por”1. Ai u kryqëzua në kryqin e Kalvarit (Kafkës)2 dhe u ngrit në ditën e tretë si qenia e parë e ringjallur e fëmijëve të Atit tonë Qiellor. Unë e dua Atë dhe dëshmoj se Ai jeton! Është Ai që e udhëheq dhe udhërrëfen Kishën e Tij.

Pa Shlyerjen e pafundme të Shpëtimtarit tonë, as edhe njëri prej nesh nuk do të kishte shpresë që të kthehej ndonjëherë tek Ati ynë Qiellor. Pa Ringjalljen, vdekja do të ishte fundi. Shlyerja e Shpëtimtarit tonë e bëri jetën e përjetshme një mundësi dhe pavdekësinë një realitet për të gjithë.

Është për shkak të misionit të Tij të jashtëzakonshëm dhe paqes që Ai u jep pasuesve të Tij, që bashkëshortja ime, Uendi, dhe unë ndiem ngushëllim natën e 2 janarit 2018, kur u zgjuam nga një telefonatë që na tha se Presidenti Tomas S. Monson kishte kaluar përmes velit.

Pamja
Presidenti RasëllM. Nelson dhe Presidenti Tomas S. Monson

Sa na merr malli, Presidenti Monson! Ne e nderojmë jetën e tij dhe trashëgiminë e tij. Si një gjigant shpirtëror, ai la një gjurmë të pashlyeshme mbi të gjithë ata që e njihnin dhe mbi Kishën që ai e donte.

Të dielën, më 14 janar 2018, në dhomën e sipërme të Tempullit të Solt-Lejkut, Presidenca e Parë u riorganizua sipas modelit të thjeshtë, prapëseprapë të shenjtë, të vendosur nga Zoti. Më pas, në kuvendin solemn dje në mëngjes, anëtarët e Kishës anembanë botës ngritën duart e tyre që të konfirmonin veprimin e mëparshëm, të ndërmarrë nga Apostujt. Jam përulësisht mirënjohës për përkrahjen tuaj mbështetëse.

Gjithashtu jam mirënjohës për ata, mbi supet e të cilëve unë qëndroj. Ka qenë privilegji im të shërbej në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve për 34 vjet dhe të njihja personalisht 10 nga 16 Presidentët e mëparshëm të Kishës. Mësova shumë nga secili prej tyre.

Gjithashtu u detyrohem shumë paraardhësve të mi. Që të tetë stërgjyshërit dhe stërgjyshet e mia ishin të kthyer në besimin në Kishë nga Europa. Secili prej këtyre njerëzve guximtarë sakrifikoi gjithçka që të vinte në Sion. Gjithsesi, gjatë brezave pasues, jo të gjithë paraardhësit e mi mbetën kaq të zotuar. Si rrjedhojë, unë nuk u rrita në një shtëpi që ishte e përqendruar tek ungjilli.

Pamja
Prindërit e Presidentit Nelson
Pamja
Familja e Presidentit Nelson kur ishin të rinj

I adhuroja prindërit e mi. Ata ishin jashtëzakonisht të shtrenjtë për mua dhe më dhanë mësime vendimtare. Nuk mund t’i falënderoj sa duhet për jetën e lumtur familjare që krijuan për mua, për vëllanë tim dhe për motrat e mia. Dhe prapëseprapë, edhe si djalosh, e dija se më mungonte diçka. Një ditë hipa në një tramvaj dhe shkova në një dyqan shdm për të gjetur një libër rreth Kishës. Më pëlqente shumë të mësoja për ungjillin.

Kur arrita ta kuptoj Fjalën e Urtësisë, doja që prindërit e mi ta jetonin atë ligj. Prandaj, një ditë kur isha shumë i vogël, shkova në bodrum dhe i theva mbi dyshemenë prej betoni të gjitha shishet e pijeve alkoolike. Prisja që babai të më ndëshkonte, por ai kurrë nuk tha asnjë fjalë.

Kur u rrita dhe fillova të kuptoj madhështinë e planit të Atit Qiellor, shpesh i thashë vetes: “Nuk dua asnjë dhuratë tjetër për Krishtlindje! Dua vetëm të jem i vulosur me prindërit e mi.” Ajo ngjarje që e prisja me shumë dëshirë, nuk ndodhi gjersa prindërit e mi i kishin kaluar të 80-at, dhe atëherë ajo vërtet ndodhi. Nuk mund ta shpreh plotësisht gëzimin që ndieva atë ditë3 dhe çdo ditë e ndiej atë gëzim të vulosjes së tyre dhe vulosjes sime me ta.

Pamja
Rasëll dhe Denzel Nelsoni

Në vitin 1945, ndërsa isha në shkollën e mjekësisë, u martova me Denzel Uajtin në Tempullin e Solt-Lejkut. Ajo dhe unë u bekuam me nëntë bija të shkëlqyera dhe një bir të çmuar. Sot familja jonë gjithnjë në rritje është një nga gëzimet më të mëdha të jetës sime.

Pamja
Presidenti dhe Motra Nelson me disa nga bijat e tyre
Pamja
Presidenti Nelson dhe biri i tij

Në vitin 2005, pas gati 60 vjet martese, Denzeli im e dashur u thirr papritur në shtëpi. Për njëfarë kohe, pikëllimi im ishte pothuajse paralizues. Por mesazhi i Pashkës dhe premtimi i ringjalljes më mbështetën.

Pamja
Uendi dhe RasëllNelsoni

Më pas Zoti solli Uendi Uatsonin përkrah meje. Ne u vulosëm në Tempullin e Solt-Lejkut më 6 prill 2006. Sa shumë e dua atë! Ajo është një grua e jashtëzakonshme – një bekim i madh për mua, për familjen time dhe për të gjithë Kishën.

Secili prej këtyre bekimeve ka ardhur si rrjedhojë e kërkimit të nxitjeve të Frymës së Shenjtë dhe të bindjes ndaj tyre. Tha Presidenti Lorenco Snou: “Ky është privilegji i madh i çdo shenjtori të ditëve të mëvonshme … se është e drejta jonë të kemi shfaqje të Shpirtit në çdo ditë të jetës sonë”4.

Një prej gjërave që Shpirti ma ka sjellë si mbresë në mënyrë të përsëritur në mendjen time që nga thirrja ime e re si Presidenti i Kishës, është sesa i gatshëm është Zoti për ta zbuluar mendjen dhe vullnetin e Tij. Privilegji i marrjes së zbulesës është një nga dhuratat më të mëdha të Perëndisë për fëmijët e Tij.

Me anë të shfaqjeve të Frymës së Shenjtë, Zoti do të na ndihmojë në të gjitha përpjekjet tona të drejta. Më kujtohet në një sallë operacioni, kam qëndruar mbi një pacient – i pasigurt për mënyrën se si ta kryeja një procedurë që nuk ishte bërë kurrë më parë – dhe e kam përjetuar Frymën e Shenjtë duke ma skicuar teknikën në mendjen time.5

Që ta forcoja propozimin që i bëra Uendit, i thashë asaj: “Di për zbulesën dhe di se si ta marr atë”. Për meritën e saj – dhe, siç kam arritur të mësoj, tipike për të – ajo tashmë e kishte kërkuar dhe e kishte marrë zbulesën e vet për ne, gjë që i dha kurajën të thoshte “po”.

Si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, lutesha çdo ditë për zbulesë dhe e falënderoja Zotin çdo herë që Ai i fliste zemrës dhe mendjes sime.

Përfytyrojeni mrekullinë e saj! Cilado qoftë thirrja jonë në Kishë, ne mund t’i lutemi Atit tonë Qiellor dhe të marrim udhërrëfim e drejtim, të paralajmërohemi për rreziqet e shpërqendrimet dhe të aftësohemi për të përmbushur gjëra që thjesht nuk mund t’i bënim vetë. Nëse me të vërtetë do ta marrim Frymën e Shenjtë dhe do të mësojmë t’i dallojmë e kuptojmë nxitjet e Tij, ne vërtet do të udhërrëfehemi në çështje të mëdha e të vogla.

Kur kohët e fundit u përballa me detyrën e vështirë të zgjedhjes së dy këshilltarëve, pyesja veten se si mund të zgjidhja vetëm dy prej dymbëdhjetë burrave që i dua dhe i respektoj.

Ngaqë e di se frymëzimi i mirë bazohet mbi informacion të mirë, unë plot lutje u takova një e nga një me secilin Apostull.6 Më pas e izolova veten në një dhomë private në tempull dhe kërkova vullnetin e Zotit. Unë dëshmoj se Zoti më udhëzoi të përzgjidhja Presidentin Dallin H. Ouks dhe Presidentin Henri B. Ajring që të shërbejnë si këshilltarët e mi në Presidencën e Parë.

Në mënyrë të ngjashme, unë dëshmoj se Zoti e frymëzoi thirrjen e Plakut Gerrit W. Gong dhe të Plakut Ulises Soares që të shuguroheshin si Apostuj të Tij. Unë dhe ne i mirëpresim ata në këtë vëllazëri të pashoqe shërbimi.

Kur mblidhemi si Këshill i Presidencës së Parë dhe i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dhomat tona të mbledhjeve bëhen dhoma zbulese. Shpirti është i pranishëm në mënyrë të dukshme. Teksa ndeshemi me çështje të ndërlikuara, një proces emocionues shpaloset ndërkohë që secili Apostull shpreh lirisht mendimet dhe pikëpamjen e tij. Edhe pse mund të ndryshojmë në këndvështrimet tona fillestare, dashuria që ndiejmë për njëri-tjetrin është e pandryshueshme. Uniteti ynë na ndihmon të dallojmë vullnetin e Zotit për Kishën e Tij.

Në mbledhjet tona, shumica nuk sundon kurrë! Ne e dëgjojmë plot lutje njëri-tjetrin dhe flasim me njëri-tjetrin derisa jemi të njëzëshëm. Më pas kur kemi arritur të jemi tërësisht të një zëri, ndikimi bashkues i Frymës së Shenjtë është tepër rrëqethës! Ne provojmë atë që Profeti Jozef Smith e dinte kur dha mësim: “Nga uniteti i ndjenjës ne marrim fuqi nga Perëndia”7. Asnjë anëtar i Presidencës së Parë ose i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve nuk do t’ia lërë kurrë vendimet për Kishën e Zotit gjykimit të vet më të mirë!

Vëllezër e motra, si mund të bëhemi burrat dhe gratë – shërbëtorët si Krishti – që Zoti ka nevojë që ne të bëhemi? Si mund të gjejmë përgjigje për pyetje që na pështjellojnë? Nëse përvoja e pashoqe e Jozef Smithit në Korijen e Shenjtë na mëson ndonjë gjë, është se qiejt janë hapur dhe se Perëndia u flet fëmijëve të Tij.

Profeti Jozef Smith caktoi një model për ne që ta ndjekim në zgjidhjen e pyetjeve tona. I tërhequr drejt premtimit të Jakobit që, në qoftë se na mungon urtia, ne mund të kërkojmë nga Perëndia8, djaloshi Jozef e çoi pyetjen e tij drejtpërsëdrejti tek Ati Qiellor. Ai kërkoi zbulesë vetjake dhe kërkimi i tij e hapi këtë periudhë të fundit ungjillore.

Në mënyrë të ngjashme, çfarë do të hapë kërkimi juaj për ju? Çfarë urtësie ju mungon? Çfarë mendoni se keni nevojë të ngutshme për të ditur ose kuptuar? Ndiqni shembullin e Profetit Jozef. Gjeni një vend të qetë ku mund të shkoni rregullisht. Përuleni veten përpara Perëndisë. Hapjani zemrën Atit tuaj Qiellor. Drejtojuni Atij për përgjigje e ngushëllim.

Lutuni në emrin e Jezu Krishtit për shqetësimet tuaja, frikën tuaj, dobësitë tuaja – po, pikërisht dëshirat e zemrës suaj. Dhe më pas dëgjoni! Shkruajini mendimet që ju vijnë në mendje. Shënojini ndjenjat dhe pasojini me veprimet që nxiteni t’i bëni. Kur e përsëritni këtë proces ditë pas dite, muaj pas muaji, vit pas viti, ju do të “rriteni drejt parimit të zbulesës”9.

A do Perëndia vërtet të flasë me ju? Po! “Po aq sa njeriu mundet ta shtrijë krahun e tij të dobët për të ndaluar lumin Misuri në udhën e tij të përcaktuar … aq mund të pengohet i Plotfuqishmi nga derdhja e diturisë së tij prej qiellit mbi kokat e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.”10

Nuk keni përse ta pyesni veten se çfarë është e vërtetë.11 Nuk keni përse ta pyesni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë.

Ju nxit të shtriheni përtej aftësisë suaj të tanishme shpirtërore për të marrë zbulesë vetjake, sepse Zoti ka premtuar që “në qoftë se do të kërkosh, ti do të marrësh zbulesë pas zbulese, dituri pas diturie, që të mund të dish misteret dhe gjërat paqësore – ato që sjellin gëzim, ato që sjellin jetë të përjetshme”12.

O, ka shumë më tepër që Ati juaj në Qiell dëshiron që ju të dini. Siç na mësoi Plaku Nil A. Maksuell: “Atyre që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, është e qartë se Ati dhe Biri po ua zbulojnë të fshehtat e gjithësisë!”13

Asgjë nuk i hap qiejt ashtu si ndërthurja e pastërtisë më të madhe, bindjes së përpiktë, kërkimit të zellshëm, ushqimit me bollëk me fjalët e Krishtit në Librin e Mormonit14 dhe kohës së vazhdueshme, të zotuar për punën në tempull dhe punën e historisë familjare.

Sigurisht mund të ketë raste kur ndieni sikur qiejt janë mbyllur. Por ju premtoj se kur vazhdoni të jeni të bindur, duke shprehur mirënjohje për çdo bekim që ju jep Zoti, dhe kur e nderoni me durim kohën e Zotit, juve do t’ju jepet dituria dhe kuptueshmëria që kërkoni. Çdo bekim që Zoti e ka për ju – madje mrekullitë – do të pasojnë. Kjo është çfarë do të bëjë për ju zbulesa vetjake.

Unë jam optimist për të ardhmen. Do të jetë e mbushur me mundësi për secilin prej nesh që të përparojë, të japë ndihmesë dhe ta çojë ungjillin në çdo cep të tokës. Por gjithashtu nuk jam naiv për ditët përpara nesh. Jetojmë në një botë që është e ndërlikuar dhe gjithnjë e më shumë kundërshtuese. Aftësia e vazhdueshme e mediave shoqërore dhe cikli 24-orësh i lajmeve na bombardojnë me mesazhe të pamëshirshme. Nëse duam të kemi ndonjë shpresë për ta shoshitur morinë e zërave dhe filozofive të njerëzve që e sulmojnë të vërtetën, ne duhet të mësojmë të marrim zbulesë.

Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi. Por në ditët e ardhshme, nuk do të jetë e mundur të mbijetojmë shpirtërisht pa ndikimin udhërrëfyes, drejtues, ngushëllues dhe të vazhdueshëm të Frymës së Shenjtë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem që ta rritni aftësinë tuaj shpirtërore për të marrë zbulesë. Qoftë kjo e diel Pashke një çast përcaktues në jetën tuaj. Zgjidhni të bëni punën shpirtërore që kërkohet për ta pasur dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe për ta dëgjuar zërin e Shpirtit më shpesh e më qartë.

Sikurse bëri Moroni, unë ju këshilloj këtë Shabat Pashke “të vini te Krishti dhe të merrni çdo dhuratë të mirë”15, duke filluar me dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhuratë e cila mund dhe do ta ndryshojë jetën tuaj.

Ne jemi pasues të Jezu Krishtit. E vërteta më e rëndësishme që Fryma e Shenjtë do t’ju dëshmojë ndonjëherë është se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë. Ai jeton! Ai është Avokati ynë me Atin, Shembulli ynë dhe Shëlbuesi ynë. Këtë të diel Pashke, ne përkujtojmë flijimin e Tij shlyes, Ringjalljen e Tij të mirëfilltë dhe hyjninë e Tij.

Kjo është Kisha e Tij, e rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith. Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë time për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.