2010–2019
Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë
Prill 2018


Deri Shtatëdhjetë Herë Shtatë

Në një jetë mes pengesash e papërsosurisë, ne të gjithë jemi mirënjohës për mundësitë e dyta.

Gabimet janë fakte të jetës. Është e pamundur në thelb që të mësosh të luash në piano me mjeshtëri pa bërë mijëra gabime – ndoshta madje një milion. Për të mësuar një gjuhë të huaj, dikush duhet të përballet me turpërimin nga bërja e mijëra gabimeve – ndoshta madje një milion. Edhe atletët më të mirë të botës nuk reshtin kurrë së bëri gabime.

Është thënë: “Suksesi nuk është mungesa e dështimit, por kalimi nga dështimi në dështim pa e humbur asnjëherë entuziazmin”1.

Gjatë shpikjes së llambës elektrike, Tomas Edisoni jo më kot tha: “Nuk dështova 1000 herë. Llamba ishte një shpikje me 1000 hapa.”2 Çarls. F. Keteringu i quajti dështimet “tabela orientuese të rrugës drejt arritjes”.3 Me shpresë, çdo gabim që bëjmë bëhet një mësim urtësie, duke i kthyer gurët pengues në gurë kalldrëmi.

Besimi i palëkundur i Nefit e ndihmoi atë të kalonte nga dështimi në dështim derisa më në fund i mori fletët prej tunxhi. Moisiut iu deshën 10 orvatje përpara se të kishte më në fund sukses për të dalë nga Egjipti me izraelitët.

Ne mund ta pyetim veten – nëse edhe Nefi, edhe Moisiu ishin në punën e Zotit, pse Zoti nuk ndërhyri e nuk i ndihmoi të kishin sukses që me përpjekjen e parë? Pse i lejoi Ai ata – dhe pse na lejon ne – të ngecim e të dështojmë në orvatjet tona për t’ia dalë mbanë? Ndër shumë përgjigje të rëndësishme për atë pyetje, ja tek janë disa:

  • E para është që Zoti e di se “të gjithë këto gjëra do të [na] japin përvojë dhe do të jenë për të mirën t[onë]”.4

  • E dyta, që të na lejojë ta “provoj[m]ë hidhësinë, që të mund të di[m]ë ta çmoj[m]ë të mirën”5.

  • E treta, për të vërtetuar se “përfundimi i betejës varet nga Zoti”6 dhe është vetëm nëpërmjet hirit të Tij që ne mund ta përmbushim punën e Tij dhe të bëhemi si Ai.7

  • E katërta, për të na ndihmuar të zhvillojmë e të përvetësojmë një sërë tiparesh të ngjashme me të Krishtit që nuk mund të rafinohen përveçse nëpërmjet kundërshtimit8 dhe “në furrën e pikëllimit”9.

Ndaj, në një jetë mes pengesash e papërsosurisë, ne të gjithë jemi mirënjohës për mundësitë e dyta.

Në vitin 1970, kur isha student i vitit të parë në UBJ, u regjistrova në një lëndë për fillestarët në bazat e fizikës, e cila jepej nga Xhei Belif, një profesor i jashtëzakonshëm. Pas përfundimit të çdo kapitulli të lëndës, ai na bënte provim. Nëse një student merrte notën 6 dhe dëshironte një notë më të mirë, profesori Belif e lejonte studentin të bënte një provim të ndryshuar që trajtonte të njëjtin material. Nëse studenti/ja merrte 9 në orvatjen e dytë dhe ishte prapë i pakënaqur, ai ose ajo mund ta bënte provimin për herë të tretë e të katërt e kështu me radhë. Duke më lejuar shumë mundësi të dyta, ai më ndihmoi të shkëlqeja dhe të merrja më në fund një 10 në lëndën e tij.

Pamja
Profesori Xhei Belif

Ai ishte një profesor i rrallë dhe i urtë i cili i frymëzonte dhe studentët e tij që të vazhdonin të përpiqeshin – ta konsideronin dështimin si një mësues, jo si një tragjedi dhe të mos i druheshin dështimit, por të mësonin prej tij.

Kohët e fundit e mora në telefon këtë njeri të shkëlqyer 47 vjet pasi ndoqa lëndën e tij të fizikës. E pyeta pse ishte i gatshëm t’i lejonte studentët të bënin orvatje të pakufizuara për ta përmirësuar notën. Përgjigja e tij qe: “Doja të isha nga ana e studentëve”.

Ndërkohë jemi mirënjohës për mundësitë e dyta pas gabimeve ose dështimeve të mendjes, ne qëndrojmë plot habi përpara hirit të Shpëtimtarit kur na jep mundësi të dyta për ta mposhtur mëkatin ose dështimet e zemrës.

Askush nuk është nga ana jonë më shumë përveçse Shpëtimtarit. Ai na lejon t’i bëjmë dhe të vazhdojmë t’i bëjmë sërish provimet e Tij. Për t’u bërë si Ai do të na duhen mundësi të dyta të panumërta, në betejat tona ditë pas dite me njeriun e natyrshëm, të tilla si kontrollimi i orekseve, mësimi i durimit dhe i faljes, kapërcimi i plogështisë dhe shmangia e mëkateve nga mosveprimi, për të përmendur vetëm disa. Nëse të gabosh është pjesë e natyrës njerëzore, sa dështime do të duhen derisa natyra jonë të mos jetë më njerëzore por hyjnore? Mijëra? Ka të ngjarë që një milion.

Duke e ditur që shtegu i ngushtë e i ngushtuar do të ishte plot me sprova dhe që dështimet do të ishin një dukuri e përditshme për ne, Shpëtimtari pagoi një çmim të pafundmë për të na dhënë aq mundësi sa do të na duheshin për ta kaluar me sukses provën tonë në vdekshmëri. Kundërshtimi që Ai lejon, shpesh mund të duket i pakapërcyeshëm dhe pothuajse i pamundur për t’u duruar, sidoqoftë Ai nuk na lë pa shpresë.

Hiri i Shpëtimtarit është kurdoherë i gatshëm dhe kurdoherë i pranishëm që të na e mbajë shpresën të ndezur teksa përballemi me sprovat e jetës. Ky hir është “një ndihmë ose forcë [hyjnore] … një fuqi ndihmuese që i lejon burrat dhe gratë të marrin bekime në këtë jetë dhe të fitojnë jetë të përjetshme dhe ekzaltim, pasi të kenë bërë përpjekjet më të mira”.10 Hiri i Tij dhe syri i Tij i dashur janë mbi ne gjatë gjithë rrugëtimit tonë teksa Ai e frymëzon, i lehtëson barrët, e forcon, e çliron, e mbron, e shëron dhe e “ndihmo[n] popullin e tij” në ndonjë mënyrë tjetër, edhe kur ai pengohet përgjatë shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar.11

Pendimi është dhurata e kurdogjendur e Perëndisë që na lejon dhe mundëson të kalojmë nga dështimi në dështim pa e humbur asnjëherë entuziazmin. Pendimi nuk është plani i Tij rezervë në rastin kur ne mund të dështojmë. Pendimi është plani i Tij, duke e ditur që do të dështojmë. Ky është ungjilli i pendimit dhe siç ka vërejtur President Rasëllll M. Nelson, ai do të jetë “një program mësimor sa vetë jeta”.12

Në këtë program mësimor pendimi sa vetë jeta, sakramenti është mënyra që Zoti ka caktuar për sigurimin e qasjes së vazhdueshme në faljen e Tij. Nëse e marrim atë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, Ai na ofron falje të përjavshme teksa përparojmë nga dështimi në dështim gjatë shtegut të besëlidhjes. Pasi “pavarësisht nga mëkatet e tyre, brendësia ime mbushet me dhembshuri për ta”.13

Por saktësisht sa herë do të na falë Ai? Sa zgjat përmbajtja e Tij? Në një rast Pjetri e pyeti Shpëtimtarin: “Zot, në se vëllai im mëkaton kundër meje, sa herë duhet ta fal? Deri shtatë herë?”14

Pamja
Pjetri dhe Gjoni

Me sa duket, Pjetri mendoi se shtata ishte një numër i madh mjaftueshëm për ta theksuar marrëzinë e faljes së tepërt dhe që mirëdashja duhet të ketë kufijtë e saj. Në përgjigje, Shpëtimtari në thelb i tha Pjetrit që as të mos e numëronte – as të caktonte kufij për faljen.

“Jezusi i tha: ‘Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë’.”15

Dukshëm, Shpëtimtari nuk po caktonte një kufi maksimal prej 490 herësh. Kjo do të ishte e krahasueshme me të thënit se marrja e sakramentit ka një kufi prej 490 herësh dhe se, herën e 491-të, një kontrollor qiellor ndërhyn dhe thotë: “Më vjen keq, por kartës sate të pendimit sapo i mbaroi afati – nga kjo pikë e tutje, je vetëm”.

Zoti e përdori llogaritjen matematikore shtatëdhjetë herë shtatë si një metaforë për Shlyerjen e Tij të pafundme, dashurinë e Tij të pakufishme dhe hirin e Tij të pakufizuar. “Po, dhe kurdo që njerëzit e mi pendohen, unë do t’ua fal shkeljet që kanë bërë kundër meje.”16

Kjo nuk do të thotë se sakramenti bëhet lejë për të mëkatuar. Kjo është një nga arsyet pse kjo frazë u përfshi në librin e Moronit: “Por, kurdoherë që pendoheshin dhe kërkonin ndjesë me dëshirë të sinqertë, ata faleshin”.17

Me dëshirë të sinqertë nënkuptohet me përpjekje të vërtetë dhe ndryshim të vërtetë. “Ndryshimi” është fjala kryesore që përdoret tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta për të përkufizuar fjalën pendim: “Një ndryshim i mendjes dhe zemrës që sjell një qëndrim të ri ndaj Perëndisë, vetes dhe jetës në përgjithësi”18. Ai lloj ndryshimi sjell rritje shpirtërore. E pra, suksesi ynë, nuk është kalimi nga dështimi në dështim, por rritja nga dështimi në dështim pa e humbur asnjëherë entuziazmin.

Për sa i përket ndryshimit, mbajeni parasysh këtë ide të thjeshtë: “Gjërat që nuk ndryshojnë, mbeten njësoj”. Kjo e vërtetë e ditur nuk ka për qëllim t’ju fyejë inteligjencën, por është këshilla e thellë e Presidentit Bojd K. Paker, i cili në atë kohë shtoi: “Dhe kur mbaron ndryshimi ynë – mbarojmë ne19.

Për shkak se nuk duam të mbarojmë derisa të bëhemi siç është Shpëtimtari,20 nevojitet të vazhdojmë të ngrihemi sa herë që rrëzohemi, me një dëshirë për të vazhduar rritjen dhe përparimin pavarësisht nga dobësitë tona. Në dobësinë tonë, Ai na jep siguri: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi”.21

Rritjen tonë fizike mund ta dallojmë vetëm me metoda si ajo e renditjes në kohë të imazheve ose grafikët e rritjes. Në mënyrë të ngjashme, rritja jonë shpirtërore zakonisht është e pakuptueshme përveçse me thjerrat e retrospektivës. Do të ishte diçka e mençur që të hedhim një vështrim të brendshëm te vetja nëpërmjet atyre thjerrave për ta dalluar përparimin tonë dhe për të na frymëzuar që të “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht, duke pasur një ndriçim të përkryer të shpresës”.22

Jam mirënjohës në përjetësi për dashamirësinë, durimin dhe përmbajtjen e dashur të Prindërve Qiellorë dhe Shpëtimtarit, të cilat na lejojnë të kemi mundësi të dyta të panumërta në rrugëtimin tonë të kthimit për në praninë e Tyre. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.