Të Qenit më Shumë i Krishterë si Krishti

Nga Plaku Robert D. Hejls,

i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


Robert D. Hejls
Kjo është thirrja e Krishtit për çdo të krishterë sot: “Kulloti qengjat e mi! … Ki kujdes për delet e mia”.

Çfarë do të thotë të jesh i krishterë?

Një i krishterë ka besim në Zotin Jezu Krisht, se Ai është Biri i vërtetë i Perëndisë, i dërguar nga Ati i Tij për të vuajtur për mëkatet tona në veprimin suprem të dashurisë, që e njohim si Shlyerja.

Një i krishterë beson se nëpërmjet hirit të Perëndisë Atit dhe Birit të Tij, Jezu Krishtit, ne mund të pendohemi, të falim të tjerët, të zbatojmë urdhërimet dhe të trashëgojmë jetën e përjetshme.

Fjala të krishterë nënkupton të marrim mbi vete emrin e Krishtit. Ne e bëjmë këtë nëpërmjet pagëzimit dhe marrjes së dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, nga ata të cilët mbajnë autoritetin e Tij të priftërisë.

Një i krishterë e di se gjatë gjithë epokave, profetët e Perëndisë gjithmonë kanë dëshmuar për Jezu Krishtin. Po i njëjti Jezus, i shoqëruar nga Ati Qiellor, iu shfaq Profetit Jozef Smith në vitin 1820 dhe rivendosi ungjillin e organizimin e Kishës së Tij të hershme.

Me anë të shkrimit të shenjtë dhe dëshmisë së Jozef Smithit, ne e dimë se Perëndia, Ati ynë Qiellor, ka një trup të përlëvduar e të përsosur prej mishi e kockash. Jezu Krishti është Biri i Tij i Vetëmlindur në mish. Fryma e Shenjtë është një personazh i shpirtit, funksioni i të cilit është të dëshmojë për Atin dhe Birin. Kreu-Perëndi përbëhet nga tri qenie të ndara dhe të ndryshme, të bashkuara në qëllim.

A mund të ketë ndonjë dyshim apo pikëpyetje që ne, si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me këto doktrina si baza e besimit tonë, jemi të krishterë? Megjithatë për çdo të krishterë, qëndron pyetja e thjeshtë: çfarë lloj të krishterësh jemi? Me fjalë të tjera, si po ecim në udhëtimin tonë për të ndjekur Krishtin?

Mendoni me mua përvojën e dy dishepujve të krishterë:

“Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë;

dhe u tha atyre: ‘Ndiqmëni dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish’.

Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën.”1

Si të krishterë sot, ne kemi mundësinë të veprojmë pa u vonuar, menjëherë dhe me vendosmëri, pikërisht siç bënë Pjetri dhe Andrea: “ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën”2. Ne gjithashtu jemi thirrur t’i lëmë rrjetat tona, t’i refuzojmë veset, zakonet dhe traditat e botës. Neve na bëhet thirrje edhe që t’i braktisim mëkatet tona. “Pastaj [Jezusi] e thirri pranë vetes turmën … dhe iu tha: ‘Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.’”3 Mohimi i vetvetes nga sjellja e pafe është fillimi i pendimit, që sjell një ndryshim të fuqishëm të zemrës derisa të mos kemi “më prirje të bëjmë keq”4.

Ky ndryshim i zemrës, i quajtur kthim në besim, është i mundur vetëm nëpërmjet Shpëtimtarit. Jezusi premtoi: “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. … Hiri im është i mjaftueshëm për të gjithë njerëzit që përulen para meje; pasi në qoftë se ata përulen para meje dhe kanë besim tek unë, atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta në ta5. Kur bëhemi më të mirë përmes Krishtit, vetë natyra jonë ndryshon dhe ne nuk dëshirojmë më t’u kthehemi veseve tona të vjetra.

Edhe pse kështu, të krishterët besnikë gjithmonë do të bekohen për të përjetuar vështirësi dhe zhgënjime. Kur vijnë këto sfida gdhendëse, ne mund të tundohemi për t’iu kthyer veseve tona të vjetra. Pas kryqëzimit të Shpëtimtarit, Ai iu shfaq grave dhe u tha atyre se vëllezërit do ta gjenin Atë në Galile. Kur Pjetri, Apostulli më i vjetër, u kthye në Galile, ai gjithashtu iu kthye asaj që dinte – asaj që u ndie i qetë të bënte. “Po shkoj të peshkoj”6, shpjegoi ai, dhe mori disa dishepuj me vete.

Në të vërtetë, Pjetri dhe të tjerët peshkuan gjithë natën pa kapur asnjë peshk. Të nesërmen në mëngjes Jezusi u shfaq në breg dhe u thirri atyre matanë ujit: “Hidhni rrjetën [tuaj] në anën e djathtë”. Dishepujt të cilët qëndruan në barkë, ndoqën udhëzimet e Shpëtimtarit, dhe shpejt zbuluan se rrjetat e tyre ishin mbushur mrekullisht derisa po derdheshin jashtë. Gjoni menjëherë e njohu zërin e Shpëtimtarit, dhe Pjetri u hodh menjëherë në ujë dhe notoi drejt bregut.7

Të krishterët që u janë kthyer veseve të tyre të vjetra e më pak besnike, të marrin parasysh shembullin besnik të Pjetrit. Mos u vononi. Hajdeni, dëgjojeni dhe pranojeni thirrjen e zërit të Mësuesit. Pastaj kthehuni menjëherë tek Ai dhe merrini edhe një herë bekimet e Tij me bollëk.

Kur vëllezërit u kthyhen në breg, ata gjetën një banket me peshq dhe bukë. “Ejani të hani mëngjes”8, i ftoi Shpëtimtari. Pasi i ushqeu ata, Ai e pyeti Pjetrin tri herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?” Kur Pjetri shprehu dashurinë e tij, Shpëtimtari iu lut: “Kulloti qengjat e mi! … Ki kujdes për delet e mia.”9

Kjo është thirrja e Krishtit për çdo të krishterë sot: “Kulloti qengjat e mi! … Ki kujdes për delet e mia” – ndani ungjillin tim me këdo pavarësisht moshës, duke i lartësuar, bekuar, ngushëlluar, inkurajuar dhe duke i ngritur moralisht, veçanërisht ata të cilët mendojnë dhe besojnë në mënyrë të ndryshme nga ne. Ne i kullosim qengjat e Tij në shtëpitë tona nëpërmjet mënyrës si e jetojmë ungjillin: duke zbatuar urdhërimet, duke u lutur, duke studiuar shkrimet e shenjta dhe ndjekur shembullin e Tij se si të tregojmë dashuri. Ne i kullotim delet e Tij në Kishë kur shërbejmë në kuorumet e priftërisë dhe organizatat ndihmëse. Dhe ne i kullotim delet e Tij kudo në botë duke qenë fqinj të krishterë, duke ushtruar fenë e pastër nëpërmjet vizitave dhe shërbimit ndaj të vejave, jetimëve, të varfërve dhe atyre që janë në nevojë.

Për shumë vetë, thirrja për të qenë i krishterë mund të duket kërkuese, madje dërrmuese. Por ne nuk duhet të jemi të frikësuar apo të ndihemi të papërshtatshëm. Shpëtimtari ka premtuar se Ai do të na bëjë të përshtatshëm dhe të aftë për të bërë punën e Tij. “Ndiqmëni”, tha Ai, “dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish.”10 Kur ne e ndjekim Atë, Ai na bekon me dhurata, talente dhe forcë për të bërë vullnetin e Tij, duke na lejuar të shkojmë përtej zonave të rehatisë dhe të bëjmë gjëra që ne kurrë nuk i kemi menduar më parë se janë të mundura. Kjo mund të nënkuptojë ndarjen e ungjillit me fqinjët, shpëtimin e atyre që janë të humbur shpirtërisht, shërbimin në një mision kohëplotë, punën në tempull, rritjen e fëmijës me nevoja të veçanta, të treguarit e dashurisë ndaj plangprishësit, shërbimin ndaj një shoku/shoqeje të sëmurë, durimin e keqkuptimeve apo vuajtjen e hidhërimeve. Do të thotë ta përgatisësh veten për t’iu përgjigjur thirrjes së Tij duke thënë: “Do shkoj ku ti do që të shkoj; do them çfar’ ti do që un’ të them; do jem çfar’ ti do që të jem”11.

Për të qenë njerëzit që Ati Qiellor dëshiron që ne të jemi, ne ndjekim Jezu Krishtin. Unë dëshmoj se Ai po na thërret vazhdimisht për ta ndjekur. Nëse sapo e keni mësuar se shenjtorët e ditëve të mëvonshme janë të krishterë të zotuar apo nëse nuk keni marrë pjesë plotësisht në Kishë dhe dëshironi ta ndiqni Atë sërish – mos u druani! Dishepujt e parë të Shpëtimtarit qenë të gjithë anëtarë të rinj të Kishës, të sapokthyer në besim në ungjillin e Tij. Jezusi me durim i dha mësim secilit. Ai i ndihmoi ata t’i përmbushnin përgjegjësitë e tyre. Ai i quajti ata miq të Tij dhe ka dhënë jetën për ta. Dhe Ai tashmë ka bërë të njëjtën gjë për ju dhe për mua.

Unë dëshmoj se përmes dashurisë dhe hirit të Tij të pafund, ne mund të bëhemi më shumë të krishterë si Krishti. Merrni parasysh cilësitë vijuese si të Krishtit. Si po veprojmë për t’i forcuar ato brenda vetes?

Dashuria e krishterë. Jezusi e çmoi gjithsecilin. I këndshëm dhe i dhembshur ndaj të gjithëve, Ai la të nëntëdhjetë e nëntat për të gjetur njërën,12 pasi “edhe flokët e kokës janë … të numëruara”13 për Të.

Besimi i krishterë. Pavarësisht tundimeve, sprovave dhe përndjekjeve, Shpëtimtari i mirëbesoi Atit tonë Qiellor dhe zgjodhi të ishte besnik e i bindur ndaj udhërimeve të Tij.

Sakrifica e krishterë. Gjatë gjithë jetës së Tij, Shpëtimtari dha nga koha e Tij, energjia e Tij dhe, përfundimisht, përmes Shlyerjes, dha Veten në mënyrë që të gjithë fëmijët e Perëndisë të mund të ringjallen dhe të kenë mundësinë për të trashëguar jetën e përjetshme.

Kujdesi i krishterë. Sikurse Samaritani i mirë, Shpëtimtari po ofrohej vazhdimisht që t’i shpëtonte, t’i donte dhe t’i ushqente njerëzit përreth Tij, pa dallim kulture, besimi apo rrethanash.

Shërbimi i krishterë. Qoftë duke marrë ujë nga pusi, duke gatuar një vakt me peshq ose duke larë këmbët e pluhurosura, Shpëtimtari i kaloi ditët e Tij duke u shërbyer të tjerëve – duke lartësuar të këputurin dhe duke forcuar të dobëtin.

Durimi i krishterë. Gjatë pikëllimit dhe vuajtjes së Tij vetjake, Shpëtimtari shpresoi tek Ati i Tij. Me durim për ne, Ai shpreson te ne që të bëjmë atë që është e drejtë dhe të vijmë në shtëpi.

Paqja e krishterë. Gjatë gjithë shërbesës së Tij, Ai nxiti mirëkuptim dhe përkrahu paqen. Sidomos midis dishepujve të Tij, Ai dha mësim se të krishterët nuk mund të debatojnë me të krishterët e tjerë, pavarësisht mospajtimeve të tyre.

Falja e krishterë. Ai na mësoi t’i bekojmë ata që na mallkojnë. Na tregoi mënyrën duke u lutur, që të faleshin ata që e kryqëzuan.

Kthimi i krishterë në besim. Sikurse Pjetri dhe Andrea, shumë e njohën të vërtetën e ungjillit sapo e dëgjuan. Ata janë kthyer në besim menjëherë. Për të tjerët mund të zgjasë më shumë. Në një zbulesë dhënë Jozef Smithit, Shpëtimtari dha mësim: “Ajo që është prej Perëndisë, është dritë; dhe ai që merr dritë e vazhdon në Perëndinë, merr më shumë dritë; dhe ajo dritë shkëlqen gjithnjë e më shumë, derisa dita është e plotë”14, dita e përsosur e kthimit tonë në besim. Jezu Krishti është “drita dhe Shëlbuesi i botës; Shpirti i së vërtetës”15.

Durimi i krishterë deri në fund. Gjatë gjithë jetës së Tij, Shpëtimtari nuk u dorëzua kurrë duke bërë vullnetin e Atit të Tij, por vazhdoi në drejtësi, mirësi, mëshirë dhe të vërtetë deri në fund të jetës së Tij të vdekshme.

Këto janë disa prej tipareve të atyre që e dëgjojnë dhe ua vënë veshin zërit të Shpëtimtarit. Si një nga dëshmitarët e Tij të veçantë në tokë, unë jap dëshminë time të krishterë se Ai po ju thërret sot: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”16. Ejani ecni në shtegun që të çon drejt lumturisë së përjetshme, gëzimit dhe jetës së përjetshme në mbretërinë e Atit tonë Qiellor. Në emrin e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit e Shëlbuesit tonë, amen.

Show References

  1.  

    1.  Mateu 4:18–20.

  2.  

    2.  Marku 1:18.

  3.  

    3.  Marku 8:34.

  4.  

    4.  Mosia 5:2.

  5.  

    5.  Ethëri 12:27; theksimi i shtuar.

  6.  

    6.  Gjoni 21:3.

  7.  

    7. Shih Gjoni 21:3–8.

  8.  

    8.  Gjoni 21:12.

  9.  

    9. Shih Gjoni 21:15–17.

  10.  

    10.  Mateu 4:19; theksimi i shtuar.

  11.  

    11. Shih “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve , f. 46.

  12.  

    12. Shih Mateu 18:12–14.

  13.  

    13.  Lluka 12:7.

  14.  

    14.  Doktrina e Besëlidhje 50:24.

  15.  

    15.  Doktrina e Besëlidhje 93:9.

  16.  

    16.  Lluka 18:22.