Të Kthyer në Besim te Zoti

Nga Plaku Dejvid A. Bednar,

i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve


Dejvid A. Bednar
Të diturit se ungjilli është i vërtetë është thelbi i një dëshmie. Të qenit vazhdimisht i vërtetë ndaj ungjillit është thelbi i kthimit në besim.

Mesazhi im përqendrohet te marrëdhënia midis marrjes së një dëshmie se Jezusi është Krishti dhe të qenit të kthyer në besim tek Ai dhe ungjilli i Tij. Zakonisht, ne flasim për temat e dëshmisë dhe kthimit në besim veçmas dhe në mënyrë të pavarur. Sidoqoftë, ne marrim largpamësi dhe bindje më të madhe shpirtërore ndërsa i mbajmë parasysh këto dy çështje të rëndësishme së bashku.

Unë lutem që Fryma e Shenjtë do ta udhëzojë dhe lartësojë secilin prej nesh.

Kush thoni se jam unë?

Ne mund të mësojmë shumë rreth dëshmisë dhe kthimit në besim nga shërbesa e Apostullit Pjetër.

Kur Jezusi erdhi në brigjet e Cezaresë së Filipit, Ai u drejtoi këtë pyetje tejpërshkuese dishepujve të Tij: “Kush thoni se jam unë?”

Pjetri u përgjigj menjëherë:

“Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.

Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ‘I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej’” (Mateu 16:15–17).

Sikurse duket në përgjigjen e Pjetrit dhe në udhëzimin e Shpëtimtarit, një dëshmi është njohuri vetjake e të vërtetave shpirtërore të fituara nëpërmjet zbulesës. Një dëshmi është një dhuratë nga Perëndia dhe është e disponueshme për të gjithë fëmijët e Tij. Çdo kërkues i sinqertë i së vërtetës mund të fitojë një dëshmi duke ushtruar “pjesëz[ën] e besimit” të nevojshme si “një provë” (Alma 32:27) dhe “të provo[jë] virtytin e fjalës” (Alma 31:5), të dëgjojë “thirrjet e Frymës së Shenjtë” (Mosia 3:19) dhe të zgj[ohet] në Perëndi (shih Alma 5:7).

Kërkimi dhe të fituarit e një dëshmie për të vërtetën shpirtërore kërkon pyetje, kërkim dhe trokitje (shih Mateu 7:7; 3 Nefi 14:7) me një zemër të sinqertë, me synim të vërtetë dhe besim te Shpëtimtari (shih Moroni 10:4). Përbërësit bazë të një dëshmie janë dijenia se Ati Qiellor jeton dhe na do, se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë dhe se plotësia e ungjillit është rivendosur në tokë në këto ditë të mëvonshme.

Kur të Jesh Kthyer

Kur Shpëtimtari u dha mësim dishepujve të Tij në Darkën e Fundit, Ai i tha Pjetrit:

“Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri:

Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu” (Lluka 22:31–32).

Është interesante se ky Apostull i madh pati folur dhe pati ecur me Mësuesin, kishte dëshmuar mrekulli të shumta dhe kishte një dëshmi të fortë për hyjnueshmërinë e Shpëtimtarit. Prapëseprapë madje edhe Pjetri kishte nevojë për udhëzim shtesë nga Jezusi rreth kthimit në besim dhe fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë dhe përgjegjësisë së tij për të shërbyer me besnikëri.

Thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit përfshin një ndryshim themelor e të qëndrueshëm në vetë natyrën tonë që u bë i mundur përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit. Kthimi i vërtetë në besim sjell një ndryshim në bindjet, zemrën dhe jetën e dikujt për të pranuar dhe për t’iu bindur vullnetit të Perëndisë (shih Veprat e Apostujve 3:19; 3 Nefi 9:20) dhe përfshin një zotim të ndërgjegjshëm për t’u bërë një dishepull i Krishtit.

Kthimi në besim është një shtim, thellim dhe zgjerim i bazës themelore të dëshmisë. Ai është rezultat i zbulesës prej Perëndisë, i shoqëruar nga pendimi, bindja dhe zelli. Çdo kërkues i sinqertë i së vërtetës mund të bëhet i kthyer në besim duke përjetuar ndryshimin e madh të zemrës dhe të qenit të lindur shpirtërisht nga Perëndia (shih Alma 5:12–14). Kur i respektojmë ordinancat dhe besëlidhjet e shpëtimit dhe të ekzaltimit (shih DeB 20:25), “shko[jmë] përpara me një vendosmëri në Krisht” (2 Nefi 31:20) dhe durojmë me besim deri në fund (shih DeB 14:7), ne bëhemi krijesa të reja në Krisht (shih 2 Korintasve 5:17). Kthimi në besim është një dhurim i vetvetes, i dashurisë dhe besnikërisë që ne ia bëjmë Perëndisë në mirënjohje për dhuratën e dëshmisë.

Shembuj të Kthimit në Besim në Librin e Mormonit

Libri i Mormonit është plot me tregime frymëzuese të kthimit në besim. Amaleki, një pasardhës i Jakobit, shpalli: “Unë do të doja që ju të vini te Krishti, që është i Shenjti i Izraelit dhe të merrni pjesë në shpëtimin e tij dhe në fuqinë e shlyerjes së tij. Po, ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij” (Omni 1:26).

Dijenia nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë se Jezusi është Krishti, është e rëndësishme dhe e nevojshme. Por ardhja tek Ai me zell dhe dhurimi i tërë shpirtrave tanë si një dhuratë kërkon shumë më tepër se sa thjesht ta dish këtë. Kthimi në besim kërkon gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tonë (shih DeB 4:2).

Populli i mbretit Beniamin iu përgjigj mësimeve të tij duke thirrur: “Po, ne i besojmë të gjitha fjalët që ti na ke folur; dhe ne gjithashtu dimë për sigurinë dhe vërtetësinë e tyre, për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2). Pranimi i fjalëve të folura, marrja e një dëshmie për vërtetësinë e tyre dhe ushtrimi i besimit në Krisht, sollën një ndryshim të madh të zemrës dhe një vendosmëri të patundur për t’u përmirësuar e për t’u bërë më të mirë.

Lamanitët e kthyer në besim në librin e Helamanit përshkruhen se ishin “në shtegun e detyrës së tyre dhe ecin me kujdes para Perëndisë dhe përpiqen të zbatojnë urdhërimet e tij dhe statutet dhe gjykimet e tij. …

… Dhe se po përpiqen me zell të vazhdueshëm, që të mund të sjellin mbetjen e vëllezërve të tyre në njohurinë e së vërtetës” (Helamani 15:5–6).

Ashtu sikurse theksojnë këto shkrime, karakteristikat kyçe të shoqëruara me kthim në besim po përjetojnë një ndryshim të madh në zemrat tona, duke pasur një prirje për të bërë mirë vazhdimisht, duke shkuar përpara në shtegun e detyrës, duke ecur me vigjilencë përpara Perëndisë, duke zbatuar urdhërimet dhe duke shërbyer me zell të pashtershëm. Duket qartë se këta bij shpirtërorë besnikë qenë bërë thellësisht të përkushtuar ndaj Zotit dhe mësimeve të Tij.

Të Kthehesh në Besim

Për shumë prej nesh, kthimi në besim është një proces i vazhdueshëm dhe jo një ngjarje që ndodh vetëm një herë e që vjen si pasojë e një përvoje të fuqishme ose dramatike. Rresht pas rreshti dhe parim pas parimi, gradualisht dhe pothuajse pa u kuptuar, shtysat tona, mendimet tona, fjalët tona dhe veprat tona pajtohen me vullnetin e Perëndisë. Kthimi në besim te Zoti kërkon si këmbëngulje ashtu edhe durim.

Samuel Lamaniti përcaktoi pesë elemente bazë të kthyerjes në besim te Zoti: 1) besimi në mësimet dhe profecitë e profetëve të shenjtë ashtu siç shënohen në shkrimet e shenjta, 2) ushtrimi i besimit në Zotin Jezu Krisht, 3) pendimi, 4) përjetimi i një ndryshimi të madh të zemrës dhe 5) të bërit “të vendosur dhe të paepur” (shih Helamani 15:7–8). Ky është modeli që të çon drejt kthimit në besim.

Dëshmia dhe Kthimi në Besim

Dëshmia është fillimi dhe një kusht paraprak për vazhdimësinë e kthimit në besim. Dëshmia është një pikë nisjeje; nuk është një pikë mbërritjeje përfundimtare. Dëshmia e fortë është themeli mbi të cilin ngrihet kthimi në besim.

Vetëm dëshmia nuk është dhe nuk do të jetë e mjaftueshme për të na mbrojtur nga stuhia e ditës së mëvonshme e errësirës dhe e së keqes në të cilën po jetojmë. Dëshmia është e rëndësishme dhe e nevojshme, por e pamjaftueshme për të siguruar forcën shpirtërore dhe mbrojtjen që na duhet. Disa anëtarë të Kishës me dëshmi janë dobësuar shpirtërisht dhe janë larguar. Njohuria shpirtërore dhe zotimi i tyre nuk qenë të mjaftueshme për sfidat që ata përballuan.

Një mësim i rëndësishëm rreth lidhjes mes dëshmisë dhe kthimit në besim është i dukshëm në punët misionare të bijve të Mosias.

“Të gjithë ata që u sollën në njohurinë e së vërtetës, nëpërmjet predikimit të Amonit dhe vëllezërve të tij, sipas shpirtit të zbulesës dhe të profecisë dhe të fuqisë së Perëndisë, që bën mrekulli në ta–po, … sikurse Zoti jeton, po kështu të gjithë Lamanitët që besuan në predikimin e tyre dhe që u kthyen në besim te Zoti, nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre.

Pasi ata u bënë një popull i drejtë; ata ulën armët e rebelimit të tyre dhe nuk luftuan më kundër Perëndisë. …

Tani, këta ishin ata që u kthyen në besim te Zoti” (Alma 23:6–8).

Në këto vargje përshkruhen dy elemente kryesore: 1) njohuria e së vërtetës, që mund të kuptohet se është një dëshmi, dhe 2) të kthyerit në besim te Zoti, që unë e kuptoj se është kthimi në besim te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij. Kështu, kombinimi i fuqishëm i dëshmisë ashtu edhe i kthimit në besim te Zoti solli vendosmërinë e palëkundshmërinë dhe siguroi mbrojtje shpirtërore.

Ata nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre dhe i ulën “armët e rebelimit të tyre që ata nuk luftuan më kundër Perëndisë”. Mënjanimi i “armëve” të dashura “të rebelimit” të tilla si egoizmi, krenaria dhe mosbindja kërkon më shumë se sa thjesht të besosh e të dish. Bindja e patundur, përulësia, pendimi dhe nënshtrimi u paraprijnë armëve tona të rebelimit. A zotërojmë ende ju dhe unë armë rebelimi që na pengojnë të kthehemi në besim te Zoti? Nëse po, atëherë duhet të pendohemi tani.

Vini re se lamanitët nuk u kthyen në besim prej misionarëve që u dhanë mësim atyre, ose prej programeve të shkëlqyera të Kishës. Ata nuk u kthyen në besim prej personalitetit të udhëheqësve të tyre apo prej ruajtjes së një trashëgimie kulturore ose traditave të etërve të tyre. Ata u kthyen në besim te Zoti – tek Ai si Shpëtimtar dhe hyjnueshmëria dhe doktrina e Tij – dhe ata nuk hoqën dorë kurrë nga besimi i tyre.

Një dëshmi është njohuri shpirtërore e së vërtetës fituar nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Kthimi i vazhdueshëm në besim është përkushtim i qëndrueshëm ndaj të vërtetës së zbuluar që kemi marrë – me një zemër të gatshme dhe për arsye të drejta. Të diturit se ungjilli është i vërtetë është thelbi i një dëshmie. Të qenit vazhdimisht i vërtetë ndaj ungjillit është thelbi i kthimit në besim. Ne duhet ta dimë se ungjilli është i vërtetë dhe të jemi të vërtetë ndaj ungjillit.

Dëshmia, Kthimi në Besim dhe Shëmbëlltyra e Dhjetë Virgjëreshave

Tani dëshiroj të përdor një nga shumë interpretimet e mundshme të shëmbëlltyrës së dhjetë virgjëreshave për të theksuar marrëdhënien mes dëshmisë dhe kthimit në besim. Dhjetë virgjëreshat, pesë prej të cilave ishin të mençura dhe pesë budallaçka, i morën llambat e tyre dhe i dolën para dhëndrit. Ju lutem të mendoni për llambat e përdorura nga virgjëreshat si llamba e dëshmisë. Budallaçkat, i morën llambat e tyre të dëshmisë, por nuk morën me vete vajin. Vajin konsiderojeni si vaji i kthimit në besim.

“Kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin [e dëshmisë] në enët e tyre.

Duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.

Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: ‘Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!’.

Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre [të dëshmisë].

Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: ‘Na jepni nga vaji juaj [madje vaji i kthimit në besim], sepse llampat tona [të dëshmisë janë të zbehta dhe] po na fiken’.

Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: ‘Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini’” (Mateu 25:4–9).

A qenë pesë virgjëreshat egoiste dhe jo të gatshme për të ndarë [vajin], apo po vinin ato në dukje me të drejtë se vaji i kthimit në besim nuk mund të merret hua? A mund t’i jepet një njeriu tjetër forca shpirtërore që vjen si pasojë e bindjes së vazhdueshme ndaj urdhërimeve? A mund t’i kalohet dikujt që ka nevojë, njohuria e fituar nëpërmjet studimit të zellshëm dhe meditimit mbi shkrimet e shenjta? A mund t’i përçohet një individi që po përjeton fatkeqësi ose sfidë të madhe, paqja që i sjell ungjilli një shenjtori besnik të ditëve të mëvonshme? Përgjigjja e qartë për secilën prej këtyre pyetjeve është jo.

Sikurse e përforcuan siç duhej virgjëreshat e mençura, secili prej nesh duhet “të shko[jë të] ble[jë]”. Këto gra të frymëzuara nuk po përshkruanin një transaksion biznesi; përkundrazi, ato po theksonin përgjegjësinë tonë individuale për ta mbajtur ndezur llambën tonë të dëshmisë dhe për të marrë një furnizim të mjaftueshëm për vajin e kthimit në besim. Vaji i çmuar fitohet pikë pas pike – “rresht pas rreshti [dhe] parim pas parimi” (2 Nefi 28:30), me durim dhe këmbëngulje. Nuk ka asnjë rrugë më të lehtë; nuk është e mundur një përgatitje e beftë në minutën e fundit.

“Si rrjedhim, jini besnikë, gjithmonë duke u lutur, duke i patur llampat tuaja të rregulluara e të ndezura dhe vaj me vete, që të mund të jeni gati për ardhjen e Dhëndrit” (DeB 33:17).

Dëshmia

Unë ju premtoj se, ndërsa vijmë te njohuria e së vërtetës dhe kthehemi në besim te Zoti, ne do të mbetemi të vendosur e të paepur dhe nuk do të heqim dorë kurrë nga besimi ynë. Ne do t’i ulim me padurim armët tona të rebelimit. Ne do të bekohemi me dritë të shkëlqyer nga llambat e dëshmisë dhe një furnizim të mjaftueshëm të vajit të kthimit në besim. Dhe teksa secili prej nesh kthehet më plotësisht në besim, ne do të forcojmë familjet dhe të njohurit tanë. Për këto të vërteta unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.