Unë e Di Këtë. Unë e Jetoj Këtë. Unë e Dua Këtë.

Nga En M. Dib,

Këshilltare e Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Të Rejave


En M. Dib
Ne jemi pasues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Një kthim i tillë në besim dhe besim në vetvete është rezultati i një përpjekjeje të zellshme dhe të qëllimshme. Është individual. Është proces që kryhet gjatë të gjithë jetës.

Unë frymëzohem nga shembujt që jepen prej anëtarëve të drejtë të Kishës, përfshirë rininë fisnike. Ju shihni me kurajë drejt Shpëtimtarit. Ju jeni besnikë, të bindur dhe të dëlirë. Bekimet që merrni për shkak të mirësisë suaj, ndikojnë jo vetëm në jetën tuaj por gjithashtu dhe në jetën time si dhe në jetën e shumë të tjerëve në mënyra të thella por shpesh të panjohura.

Disa vite më parë, isha në radhë për të blerë diçka te ushqimorja e lagjes sime. Para meje qëndronte një vajzë e re, afërsisht 15 vjeçe. Ajo dukej e sigurt në vetvete dhe e lumtur. Vura re bluzën me mëngë të shkurtra të saj dhe nuk mund të qëndroja pa i folur. Unë fillova: “Ti nuk je nga ky shtet, apo jo?”

Ajo u çudit nga pyetja ime dhe u përgjigj: “Po, nuk jam. Jam nga Kolorado. Nga e kuptove ti?”

Unë shpjegova: “Për shkak të bluzës tënde”. E bëra hamendësimin tim të saktë pasi lexova fjalët në bluzën e saj: “Unë Jam Mormone. Po ti a je?”

Unë vazhdova: “Duhet të të them se më bëri përshtypje siguria jote për t’u dalluar dhe për të veshur një deklarim kaq të guximshëm. Unë shoh një dallim te ti dhe do të dëshiroja që çdo e re dhe çdo anëtar i Kishës të mund të kishte të njëjtën bindje dhe të njëjtën siguri.” Pasi mbaruam blerjet, u përshëndetëm dhe u ndamë.

Megjithatë, për ditë dhe javë pas këtij çasti të rastit e të rëndomtë, e gjeta veten duke menduar seriozisht për këtë takim. Vrisja mendjen se si kjo e re nga Kolorado arriti të zotëronte një siguri të tillë në identitetin e saj si anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Nuk mund të mos e vrisja mendjen se çfarë fraze kuptimplote do të zgjidhja në mënyrë të figurshme, që ta kisha të shtypur te bluza ime, që të pasqyronte besimin dhe dëshminë time. Në mendjen time, mora parasysh shumë thënie të mundshme. Përfundimisht, mendova një deklaratë ideale që do ta vishja me krenari: “Unë jam Mormone. Unë e di këtë. Unë e jetoj këtë. Unë e dua këtë.”

Sot dëshiroj ta përqendroj fjalën time rreth kësaj deklarate të guximshme dhe plot shpresë.

Pjesa e parë e deklaratës është një deklarim me vetëbesim, pa shfajësim: “Unë jam Mormone”. Pikërisht si vajza e re që takova te ushqimorja, nuk kishte frikë t’ia tregonte botës se ajo ishte anëtare e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë shpresoj se ne kurrë nuk do të kemi frikë ose ngurrim që ta pranojmë: “Unë jam Mormon”. Ne duhet të kemi besim në vetvete, ashtu siç kishte Apostull Pali kur shpalli: “Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson”.1 Si anëtarë, ne jemi pasues të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit. Një kthim i tillë në besim dhe besim në vetvete është rezultati i një përpjekjeje të zellshme dhe të qëllimshme. Është individual. Është proces që kryhet gjatë të gjithë jetës.

Pjesa tjetër e deklarimit pohon: “Unë e di këtë”. Në botën e sotme ka një mori aktivitetesh, çështjesh dhe interesash që konkurrojnë për çdo minutë të vëmendjes sonë. Me kaq shumë gjëra që na tërheqin vëmendjen, a kemi forcë, disiplinë dhe zotim që të mbetemi të përqendruar në atë çfarë ka më shumë rëndësi? A jemi gjithashtu aq të ditur për të vërtetat e ungjillit saç jemi në studimet, karrierat, hobitë, sportet tona, apo mesazhet në celular dhe në Twitter? A kërkojmë aktivisht t’i gjejmë përgjigjet për pyetjet tona duke u ushqyer me bollëk me shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve? A kërkojmë pohimin e Shpirtit?

Rëndësia e fitimit të diturisë është një parim i përjetshëm. Profeti Jozef Smith “e donte diturinë për fuqinë që rrjedh nga përdorimi i drejtë i saj”2. Ai tha: “Dituria është e nevojshme për jetën dhe perëndishmërinë. … Dëgjoni, të gjithë ju vëllezër, këtë çelës të madhërishëm: dituria është fuqia e Perëndisë për shpëtimin.”3

E gjithë e vërteta dhe dituria është e rëndësishme, por midis shpërqendrimeve të vazhdueshme të jetës sonë të përditshme, ne duhet t’i kushtojmë vëmendje veçanërisht rritjes së diturisë sonë të ungjillit, që të mund të kuptojmë se si t’i zbatojmë parimet e ungjillit në jetën tonë4. Kur dituria jonë për ungjillin rritet, ne do të fillojmë të ndiejmë siguri në dëshmitë tona dhe do të jemi në gjendje të pohojmë: “Unë e di këtë”.

Pastaj është deklarata: “Unë e jetoj këtë”. Shkrimet e shenjta na mësojnë se duhet të jemi “bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues”5. Ne e jetojmë ungjillin dhe bëhemi “bërës të fjalës” duke ushtruar besim, duke qenë të bindur, duke u shërbyer të tjerëve me dashuri dhe duke ndjekur shembullin e Shpëtimtarit. Ne veprojmë me integritet moral dhe bëjmë atë që e dimë se është e drejtë “në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”6, pavarësisht se kush mund të jetë duke vështruar ose jo.

Në gjendjen tonë në vdekshmëri, askush nuk është i përsosur. Madje dhe në përpjekjet tona më të zellshme për të jetuar ungjillin, të gjithë ne do të bëjmë gabime dhe të gjithë ne do të mëkatojmë. Çfarë sigurimi ngushëllues është që të dish se, nëpërmjet sakrificës shëlbuese të Shpëtimtarit, ne mund të marrim falje dhe të bëhemi të pastër sërish. Ky proces i pendimit të vërtetë dhe faljes forcon dëshminë tonë dhe vendosmërinë tonë për t’iu bindur urdhërimeve të Zotit dhe për ta jetuar jetën tonë sipas standardeve të ungjillit.

Kur mendoj për frazën: “Unë e jetoj këtë”, më kujtohet një e vajzë e re që kam takuar, që quhet Karigan. Ajo shkroi: “Kam qenë anëtare e Kishës për pak më shumë se një vit. … Për mua, kur po kërkoja, një shenjë se kjo ishte Kisha e vërtetë erdhi sepse e ndieva që më në fund gjeta një kishë që jepte mësim për thjeshtësinë dhe standardet. E kam parë me vetë sytë e mi se çfarë u ndodh njerëzve kur shpërfillin urdhërimet dhe zgjedhin shtegun e gabuar. E ndava mendjen, shumë kohë më parë, që të jetoj standarde të larta morale. … Ndihem kaq e bekuar që kam gjetur të vërtetën dhe jam pagëzuar. Jam kaq e lumtur.”7

Fraza përfundimtare në deklarimin tim shpallës është: “Unë e dua këtë”. Fitimi i diturisë për ungjillin e Jezu Krishtit dhe të jetuarit me zell i parimeve të ungjillit në jetën tonë të përditshme bën që shumë anëtarë të Kishës të thërrasin me entuziazëm: “Unë e dua ungjillin!”

Kjo ndjenjë vjen kur ndiejmë Frymën e Shenjtë që na dëshmon se ne jemi fëmijë të Atit tonë Qiellor, se Ai kujtohet për ne dhe se jemi në shtegun e drejtë. Dashuria jonë për ungjillin rritet kur përjetojmë dashurinë e Atit tonë në Qiell dhe paqen e premtuar nga Shpëtimtari kur i tregojmë Atij se jemi të gatshëm t’i bindemi dhe ta pasojmë Atë.

Në kohë të ndryshme në jetën tonë, qoftë nëse jemi të sapokthyer në besim në Kishë apo anëtarë gjatë gjithë jetës, mund të shohim se ky entuziazëm kumbues është venitur. Nganjëherë kjo ndodh kur kohët janë sfiduese dhe na duhet të ushtrojmë durim. Nganjëherë ndodh në kulmin e mirëqenies dhe bollëkut tonë. Kurdoherë që e kam këtë ndjenjë, e di se duhet t’i ripërqendroj përpjekjet e mia për rritjen e diturisë sime për ungjillin dhe për të jetuarit e parimeve të ungjillit më plotësisht në jetën time.

Një nga parimet e ungjillit më efikase por nganjëherë të vështira për t’i zbatuar, është përulësia dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Perëndisë. Në lutjen e Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit, Ai i shprehu Atit: “Mos u bëftë vullneti im, por yti”8. Kjo duhet të jetë lutja jonë po ashtu. Shumë herë, pikërisht në këto çaste të qeta e plot lutje, ne ndihemi të rrethuar nga dashuria e Atit Qiellor dhe ato ndjenja të gëzueshme e të dashura përtërihen.

Në një mbledhje të udhëheqëseve të Të Rejave në Juxhin të Oregonit, pata privilegjin të takoja dhe të bisedoja me motrën Kami Vilberger. Historia që më tregoi motra Vilberger, ishte një dëshmi e fuqisë dhe bekimeve prej të diturit, të jetuarit dhe të dashurit të ungjillit prej një të reje.

E bija 19-vjeçare e motrës Vilberg, Bruku, kishte vdekur në mënyrë tragjike disa vite më parë, kur ishte në pushimet verore pas vitit të saj të parë në universitet. Motra Vilberg kujtoi: “Ishte një kohë e vështirë dhe brengosëse për familjen tonë. Megjithatë, Bruku na kishte dhënë një dhuratë të madhe. Ne nuk e dalluam këtë kur ajo po rritej, por për çdo vit dhe çast të jetës së saj të shkurtër, Bruku na kishte dhënë dhuratën më të madhe që një bijë mund t’u japë prindërve të saj. Bruku ishte një bijë e drejtë e Perëndisë. … Për shkak të kësaj dhurate dhe veçanërisht për shkak të fuqisë mundësuese të Shlyerjes, unë kam pasur forcën, ngushëllimin dhe paqen e premtuar prej Shpëtimtarit. Nuk kam dyshim se ku është Bruku tani dhe mezi pres ribashkimin tonë të dashur.”9

Unë kam një dëshmi për planin e madh të lumturisë së përjetshme të Atit tonë Qiellor. Unë e di se Ai na njeh dhe na do. Unë e di se Ai na dërgoi një profet, Presidentin Tomas S. Monson, që të na japë kurajë dhe të na ndihmojë të udhëhiqemi sërish tek Ai. Unë lutem që secili prej nesh do të bëjë përpjekje që të jetë në gjendje të deklarojë me besim në vetvete: “Unë jam Mormon. Unë e di këtë. Unë e jetoj këtë. Unë e dua këtë.” Unë i them këto gjëra përulësisht në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënim: Për studim të mëtejshëm, rekomandoj të lexohet Alma 32 dhe biseda e Plakut Dallin H. Ouks: “The Challenge to Become” [“Sfida për t’u Bërë”] (Liahona, janar 2001, f. 40-43; Ensign, nëntor 2000, f. 32-34).

Show References

  1.  

    1.  Romakëve 1:16.

  2.  

    2. George Q. Cannon, në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 277.

  3.  

    3.  Mësimet: Jozef Smith, f. 281; shih edhe Martha Jane Knowlton Coray, fletore shënimesh, Church History Library, Salt Lake City.

  4.  

    4. Shih përvojën për vlerën e dijes, numër 1, Të Rejat Përparimi Personal (broshurë, 2009), f. 38.

  5.  

    5.  Jakobit [Bibla] 1:22.

  6.  

    6.  Mosia 18:9.

  7.  

    7. Letërkëmbim vetjak.

  8.  

    8.  Lluka 22:42.

  9.  

    9. Letërkëmbim vetjak.