“Mos Ki Frikë, Sepse Unë Jam me Ty”


Xhin A. Stivens
Kur zhvillojmë besim dhe mirëbesim më të madh te Zoti, ne mund të kemi të drejtën për fuqinë e Tij për të na bekuar dhe shpëtuar.

Pak ndjenja krahasohen me ndjenjat e dhembshura të bërjes prind. Nuk ka asgjë më të ëmbël se marrja e një fëmije të çmuar, drejtpërdrejt nga qielli. Një nga vëllezërit e mi e ka përjetuar këtë ndjenjë në një mënyrë veçanërisht prekëse. Djali i tij i parë, i vogël lindi para kohe dhe peshonte vetëm 1.3 kg. Hanteri i kaloi dy muajt e tij të parë të jetës në njësinë e kujdesit intensiv për të porsalindurit në spital. Ata muaj ishin një kohë mallëngjyese për të gjithë familjen, ndërsa shpresuam dhe i kërkuam Zotit për ndihmën e Tij.

Hanteri i vogël ishte aq i varur [nga aparaturat]. Ai luftoi për të fituar forcën e nevojshme për të jetuar. Dora e fortë e babait të tij të dashur shpesh kapi dorën e vogël të të birit për ta inkurajuar fëmijën e tij të vogël, të dobët.

Dhe po kështu është për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Ati ynë në Qiell zgjat dorën drejt secilit prej nesh me dashurinë e Tij të pafundme. Ai ka fuqi mbi të gjitha gjërat dhe dëshiron të na ndihmojë të mësojmë, të rritemi dhe të kthehemi tek Ai. Kjo përkufizon qëllimin e Atit tonë: “Të bëj[ë] të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”1.

Kur zhvillojmë besim dhe mirëbesim më të madh te Zoti, ne mund të kemi të drejtën për fuqinë e Tij për të na bekuar e shpëtuar.

Libri i Mormonit e ndërthur në të gjitha faqet e tij këtë temë të bukur të fuqisë së Zotit për të shpëtuar fëmijët e Tij. Nefi e paraqet atë që në kapitullin e parë të librit. Në vargun 20, ne lexojmë: “Por vini re, unë, Nefi, do t’ju tregoj se mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre, për t’i bërë ata të pushtetshëm madje deri në fuqinë e çlirimit”2.

Shumë vite më parë arrita t’i kuptoj në një mënyrë shumë vetjake të vërtetat e shprehura në këtë varg. Unë arrita të kuptoj pikërisht se sa pranë është Ati ynë në Qiell dhe pikërisht se sa shumë Ai dëshiron të na ndihmojë.

Një mbrëmje ndërsa ishte duke rënë nata, po udhëtoja në makinë me fëmijët e mi kur vura re një djalë që po ecte përgjatë një rruge të shkretë. Pasi e kaluam atë, unë pata një përshtypje të qartë që duhej të kthehesha dhe ta ndihmoja. Por e shqetësuar se mund të trembej nga një e huaj që ndalonte pranë tij natën, vazhdova duke ngarë makinën. Përshtypja e fortë erdhi përsëri me fjalët në mendjen time: “Shko ndihmoje atë djalë!”

E ktheva makinën mbrapsht për tek ai dhe e pyeta: “A ke nevojë për ndihmë? Pata një ndjenjë që duhet të të ndihmoja.”

Ai u kthye drejt nesh dhe me lot që i rridhnin nëpër faqe tha: “A do të më ndihmonit? Unë isha duke u lutur që dikush të më ndihmonte.”

Lutja e tij për ndihmë mori përgjigje me frymëzimin që erdhi tek unë. Kjo përvojë e marrjes së një udhëzimi kaq të qartë nga Shpirti la një gjurmë të paharrueshme që qëndron ende në zemrën time.

Dhe tani, pas 25 vitesh, dhe nëpërmjet një mëshire të dhembshur, unë u lidha sërish me këtë djalë për herë të parë vetëm pak muaj më parë. Unë zbulova se përvoja nuk është thjesht historia ime – ajo është historia e tij gjithashtu. Derik Nenci tani është një baba me një familje të vetën. Edhe ai nuk e ka harruar kurrë këtë përvojë. Ajo na ndihmoi të hidhnim një themel besimi, që Perëndia i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Të dy e kemi përdorur atë për t’u mësuar fëmijëve tanë që Perëndia kujdeset për ne. Ne nuk jemi vetëm.

Atë natë, Deriku kishte qëndruar pas shkollës për një aktivitet dhe e kishte humbur autobusin e fundit. Si një adoleshent i ri, ai u ndje i sigurt se mund t’ia dilte të shkonte në shtëpi, kështu që filloi të ecte.

Një orë e gjysmë kishte kaluar ndërsa po ecte në rrugën vetmuar. Ende kilometra larg shtëpisë dhe pa asnjë shtëpi përreth, ai u frikësua. Në dëshpërim, ai shkoi prapa një pirgu zhavorri, u ul në gjunjë dhe i kërkoi Atit Qiellor për ndihmë. Vetëm pak minuta pasi Deriku u kthye në rrugë, unë ndalova për të dhënë ndihmën për të cilën u lut ai.

Dhe tani, kaq shumë vite më vonë, Deriku reflekton: “Zoti u kujtua për mua, një djalë të dobët, dritëshkurtër. Dhe pavarësisht nga çdo gjë tjetër që po ndodhte në botë, Ai ishte në dijeni të situatës sime dhe më donte mjaftueshëm për të më dërguar ndihmë. Zoti u është përgjigjur lutjeve të mia shumë herë që nga ajo rrugë e braktisur. Përgjigjet e Tij nuk janë gjithmonë aq të menjëhershme dhe të qarta, por vëmendja e Tij ndaj meje është po aq e qartë sot sikurse ishte atë natë të vetmuar. Sa herë që hijet e errëta të jetës mbulojnë botën time, unë e di që Ai gjithmonë ka një plan për t’u kujdesur që të më shohë sërish të sigurt në shtëpi.”

Ashtu si u shpreh Deriku, jo çdo lutje merr përgjigje në mënyrë kaq të shpejtë. Por me të vërtetë, Ati ynë na njeh dhe i dëgjon lutjet e zemrave tona. Ai i përmbush mrekullitë e Tij duke iu përgjigjur lutjeve një e nga një, njerëzve një e nga një.

Ne mund të besojmë se Ai do të na ndihmojë, jo domosdoshmërisht në mënyrën që ne duam, por në mënyrën që do të na ndihmojë më mirë që të rritemi. Nënshtrimi i vullnetit tonë ndaj vullnetit të Tij mund të jetë i vështirë, por është thelbësor për t’u bërë si Ai dhe për të gjetur paqen që na ofron Ai.

Ne mund të arrijmë të ndihemi, ashtu si K. S. Ljuis përshkroi: “Unë lutem, sepse nuk mund ta ndihmoj veten time. … Unë lutem, sepse e ndiej nevojën të rrjedhë nga brenda meje gjithë kohës, zgjuar apo fjetur. Ajo nuk e ndryshon Perëndinë. Ajo më ndryshon mua.”3

Ka shumë rrëfime në shkrimet e shenjta të atyre që e kanë vënë besimin e tyre te Zoti dhe të cilët janë ndihmuar dhe shpëtuar nga Ai. Mendoni për Davidin e ri, i cili i shpëtoi vdekjes së sigurt në duart e Goliathit të fuqishëm duke u mbështetur te Zoti. Merrni parasysh Nefin, lutjet e të cilit drejtuar Perëndisë me besim, i sollën çlirim nga vëllezërit e tij që u përpoqën t’i merrnin jetën. Kujtoni të rinë Jozef Smith, i cili me lutje kërkoi ndihmën e Zotit. Ai u çlirua nga fuqia e errësirës dhe mori një përgjigje të mrekullueshme. Secili prej tyre u përball me sfida të vërteta dhe të vështira. Secili veproi me besim dhe e vendosi mirëbesimin e vet te Zoti. Secili e mori ndihmën e Tij. Dhe ende në ditët tona, fuqia dhe dashuria e Perëndisë janë të dukshme në jetën e fëmijëve të Tij.

Unë e kam parë atë kohët e fundit në jetën e shenjtorëve plot besim në Zimbabve dhe Botsvana. Në një mbledhje agjërimi dhe dëshmish në një degë të vogël, unë u përula dhe u frymëzova nga dëshmitë e dhëna prej shumë njerëzve – fëmijë, të rinj dhe të rritur njëlloj. Secili përçoi një shprehje të fuqishme të besimit te Zoti Jezu Krisht. Me sfidat dhe rrethanat e vështira që i rrethojnë, ata jetojnë çdo ditë duke e vënë besimin e tyre te Perëndia. Ata e pranojnë dorën e Tij në jetën e tyre dhe shpesh e shprehin atë me thënien: “Unë i jam kaq shumë mirënjohës Perëndisë”.

Disa vite më parë, një familje besnike u bë shembull i po atij besimi te Zoti për anëtarët e lagjes sonë. Arn dhe Venita Gatrell po bënin një jetë të lumtur kur Arni u diagnostikua me një kancer agresiv. Prognoza ishte shkatërruese – ai kishte vetëm disa javë jetë. Familja dëshironte të ishte së bashku një herë të fundit. Kështu që, të gjithë fëmijët u mblodhën, disa prej tyre nga vende të largëta. Ata kishin vetëm 48 orë të çmuara për të kaluar së bashku. Familja Gatrell zgjodhi me kujdes çfarë kishte më shumë rëndësi për ta – një fotografi familjare, një darkë familjare dhe një sesion në Tempullin e Solt-Lejkut. Venita tha: “Kur dolëm jashtë dyerve të tempullit, ishte hera e fundit që ne do të ishim ndonjëherë së bashku në këtë jetë”.

Por ata u larguan me sigurinë se ka shumë më tepër për ta sesa thjesht kjo jetë. Për shkak të besëlidhjeve të shenjta të tempullit, ata kanë shpresë te premtimet e Perëndisë. Ata mund të jenë së bashku përgjithmonë.

Dy muajt pasues u mbushën me bekime tepër të shumta për t’u treguar. Besimi dhe mirëbesimi i Arnit dhe Venitës te Zoti ishin duke u rritur, siç dëshmohet në fjalët e Venitës: “Unë pata mbështetje. Mësova se mund të ndieni paqe mes shqetësimit. E dija se Zoti po kujdesej për ne. Në qoftë se besoni te Zoti, me të vërtetë ju mund të kapërceni çfarëdo sfide të jetës.”

Një nga bijat e tyre shtoi: “Ne vëzhguam prindërit tanë dhe pamë shembullin e tyre. E pamë besimin e tyre dhe se si e përdorën atë. Unë kurrë nuk do ta kisha kërkuar këtë sprovë, por unë kurrë nuk do të hiqja dorë prej saj. Ne u rrethuam nga dashuria e Perëndisë.”

Sigurisht, vdekja e Arnit nuk ishte përfundimi për të cilën kishte shpresuar familja Gatrell. Por kriza e tyre nuk ishte një krizë besimi. Ungjilli i Jezu Krishtit nuk është një listë e gjërave për t’u bërë; përkundrazi, ai jeton në zemrat tona. Ungjilli “nuk është barrë; ai është krahë”4. Ai na mbështet. Ai e mbështeti familjen Gatrell. Ata ndien paqe në mes të stuhisë. Ata u kapën fort pas njëri-tjetrit dhe besëlidhjeve të tempullit që kishin bërë dhe mbajtur. Ata u rritën në aftësinë e tyre për të besuar te Zoti dhe u forcuan prej besimit të tyre te Jezu Krishti dhe te fuqia e Tij shlyese.

Kudo që e gjejmë veten nëpër shtegun e të qenit dishepull, çfarëdo qofshin shqetësimet dhe sfidat tona, ne nuk jemi vetëm. Ju nuk jeni të harruar. Ashtu si Deriku, shenjtorët e Afrikës dhe familja Gatrell, ne mund të zgjedhim të arrijmë dorën e Perëndisë kur kemi nevojë. Ne mund të përballemi me sfidat tona me lutje dhe besim te Zoti. Dhe gjatë kësaj ne bëhemi më shumë si Ai.

Duk i folur secilit prej nesh, Zoti thotë: “Mos … ki frikë, … Unë jam me ty: mos e humb; sepse unë jam Perëndia yt: Unë të forcoj; … të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime”5.

Unë jap dëshminë time të përulur, por të sigurt, që Perëndia, Ati ynë na njeh personalisht dhe afrohet që të na ndihmojë. Nëpërmjet Birit të Tij të Dashur, Jezu Krishtit, ne mund t’i mposhtim sfidat e kësaj bote dhe të çohemi të sigurt në shtëpi. Paçim besim për t’i mirëbesuar Atij, unë lutem në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Moisiu 1:39.

  2.  

    2.  1 Nefi 1:20.

  3.  

    3. Thënë nga personazhi i C. S. Lewis siç portretizohet në veprën e William Nicholson, Shadowlands (1989), f. 103.

  4.  

    4. Harry Emerson Fosdick, Twelve Tests of Character (1923), f. 88.

  5.  

    5.  Isaia 41:10.