Vorbullat e Erërave Shpirtërore


Neil L. Andersen
Mos i lejoni vorbullat e erërave që t’ju tërheqin poshtë. Këto janë ditët tuaja – për të qëndruar të fortë, si dishepuj të Zotit Jezu Krisht.

Ju përshëndes këtë mëngjes – veçanërisht të rinjtë që janë këtu në Qendrën e Konferencave si dhe në mbarë botën. Ju jeni një brez i zgjedhur me një fat të veçantë dhe unë ju flas veçanërisht juve.

Shumë vite më parë, ndërsa po vizitonim familjen tonë në Florida, një tornado ra jo shumë larg prej nesh. Një grua që jetonte në një shtëpi të lëvizshme, u fut në banjë për të qenë e sigurt. Shtëpia filloi të dridhej. Pak çaste kaluan. Atëherë ajo dëgjoi zërin e fqinjit të saj: “Ndodhem këtu, në dhomën e ndenjjes”. Duke dalë nga banja, për habinë e saj të madhe, ajo zbuloi se tornadoja e kishte ngritur dhe mbartur në ajër shtëpinë e saj, duke e vendosur tërësisht drejt e mbi shtëpinë e lëvizshme të fqinjit të saj.

Miqtë e mi të rinj, bota nuk do të rrëshqasë me qetësi drejt Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit. Shkrimet e shenjta shpallin se “gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë”1. Brigam Jangu tha: “Mua m’u zbulua në fillimin e kësaj Kishe, që Kisha do të përhapej, përparonte, rritej e zgjerohej dhe në përpjesëtim të drejtë me shpërndarjen e Ungjillit mes kombeve të tokës, po ashtu do të rritej fuqia e Satanit”2.

Më shqetësuese se tërmetet dhe luftërat e profetizuara3, janë vorbullat e erërave shpirtërore, të cilat mund t’ua shkulin nga rrënjët themelet tuaja shpirtërore dhe mund ta vendosin shpirtin tuaj në vende që asnjëherë nuk i përfytyruat të mundura, nganjëherë duke mos e vënë re fare se jeni lëvizur.

Vorbullat më të këqija janë tundimet e kundërshtarit. Mëkati gjithmonë ka qenë pjesë e botës, por kurrë nuk ka qenë kaq i arritshëm, i pangopshëm dhe i pranueshëm. Gjendet, sigurisht, një forcë e fuqishme që do t’i mposhtë vorbullat e mëkatit. Ajo quhet pendim.

Jo të gjitha vorbullat në jetë shkaktohen nga veprimet tuaja. Disa vijnë për shkak të zgjedhjeve të gabuara të të tjerëve dhe disa vijnë thjesht ngaqë jetojmë në vdekshmëri.

Kur ishte djalë i ri, Presidenti Bojd K. Paker vuajti nga sëmundja gjymtuese e poliomielitit. Kur Plaku Dallin H. Ouks ishte shtatë vjeç, babai i tij vdiq papritur. Kur Motra Karol F. Mek-Konki, e presidencës së përgjithshme të Të Rejave, ishte adoleshente, prindërit e saj u divorcuan. Sfidat do t’ju vijnë juve, por kur mirëbesoni te Perëndia, ato do ta forcojnë besimin tuaj.

Në natyrë, pemët që rriten në një mjedis plot erë, bëhen më të forta. Teksa erërat fshikullojnë përreth një fidani të njomë, forcat brenda pemës bëjnë dy gjëra. Së pari, ato i nxitin rrënjët që të rriten më shpejt dhe të shpërndahen më larg. Së dyti, forcat brenda në pemë fillojnë të krijojnë struktura qelizore që në fakt i bëjnë trungun dhe degët më të trasha e më elastike ndaj trysnisë së erës. Këto rrënjë dhe degë më të forta e mbrojnë pemën nga erërat që patjetër do të kthehen.4

Ju jeni pafundësisht më të çmuar për Perëndinë sesa një pemë. Ju jeni biri i Tij ose bija e Tij. Ai e bëri shpirtin tuaj të fortë dhe të aftë për të qenë i patundur kundrejt vorbullave të jetës. Vorbullat e erës në rininë tuaj, sikurse era kundrejt një peme të njomë, mund ta rritin forcën tuaj shpirtërore, duke ju përgatitur për vitet e ardhshme.

Si do të përgatiteni për vorbullat tuaja të erës? “Mbani mend … është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, biri i Perëndisë, që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, … shigjetat e tij në shtjellë të erës, … kur i gjithë breshëri i tij dhe furtuna e tij e fuqishme do të lëshohen mbi ju, nuk do të ketë fuqi … t’ju tërheqë … për shkak të shkëmbit mbi të cilin jeni ndërtuar.”5 Kjo është siguria juaj në vorbullën e erës.

Presidenti Tomas S. Monson ka thënë: “[Atje ku] dikur standardet e Kishës dhe standardet e shoqërisë përgjithësisht përputheshin, tani ka një ndryshim të madh midis nesh dhe ai po rritet gjithnjë e më shumë”6. Ky ndryshim, për disa njerëz, trazon vorbulla të forta shpirtërore. Më lejoni të jap një shembull.

Muajin që shkoi, Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Të Dymbëdhjetëve botuan një letër për udhëheqësit e Kishës në mbarë botën. Pjesërisht ajo thoshte: “Ndryshimet në ligjin civil nuk e ndryshojnë, në të vërtetë nuk mund ta ndryshojnë, ligjin moral që Perëndia ka themeluar. Perëndia pret nga ne që t’i mbajmë të pandryshuara dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, pavarësisht nga mendimet ose prirjet e ndryshme në shoqëri. Ligji i Tij për dëlirësinë është i qartë: marrëdhëniet seksuale janë të përshtatshme vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë zyrtarisht dhe ligjërisht të martuar si bashkëshort e bashkëshorte. Ne ju nxitim të rishikoni … doktrinën që përmbahet në ‘Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës’.”7

Ndërsa bota rrëshqet larg prej ligjit të Zotit për dëlirësinë, ne nuk rrëshqasim. Presidenti Monson tha: “Shpëtimtari i njerëzimit e përshkroi veten që ishte në botë, por jo prej bote. Ne, gjithashtu, mund të jemi në botë, por jo prej bote kur kundërshtojmë konceptet false dhe mësimet false dhe qëndrojmë të vërtetë në atë që Perëndia ka urdhëruar.”8

Ndërkohë që shumë qeveri dhe njerëz me qëllime të mira e kanë ripërcaktuar martesën, Zoti nuk e ka ripërcaktuar. Që nga fillimi fare, Perëndia e përcaktoi martesën midis një burri dhe një gruaje – Adamit dhe Evës. Ai i përcaktoi qëllimet e martesës që të shtrihen përtej kënaqësisë dhe arritjes vetjake të të rriturve dhe, më e rëndësishme, duke përparuar drejt një vendndodhjeje ideale ku fëmijët të linden, rriten dhe ushqehen shpirtërisht. Familjet janë thesari i qiellit.9

Përse mendoni se vazhdojmë të flasim për këtë? Sikurse tha Pali: “Ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen”10. Si Apostujt të Zotit Jezu Krisht, ne kemi përgjegjësinë të japim mësim planin e Krijuesit tonë për fëmijët e Tij dhe të paralajmërojmë për pasojat e shpërfilljes së urdhërimeve të Tij.

Kohët e fundit fola me një vajzë të Dafinave nga Shtetet e Bashkuara. Po citoj nga mesazhi i saj elektronik:

“Vitin që shkoi, disa shokë dhe shoqe të mia në Facebook filluan të shkruanin qëndrimin e tyre lidhur me martesën. Shumë mbanin anën e martesës midis njerëzve të së njëjtës gjini dhe disa të rinj SHDM shënuan se i ‘pëlqenin’ ato diskutime. Unë nuk bëra asnjë koment.

Vendosa ta shpreh bindjen time lidhur me martesën tradicionale në një mënyrë të kujdesshme.

Te fotografia e profilit tim, shtova fjalët: ‘Unë besoj në martesën midis një burri dhe një gruaje’. Pothuajse menjëherë fillova të marr mesazhe. ‘Je egoiste’. ‘Ke paragjykime’. Dikush më krahasoi me një pronare skllevërish. Dhe mora këtë shënim nga një shoqe e ngushtë, e cila është anëtare e fortë e Kishës: ‘Ke nevojë që të arrish te mendimet e kohës. Gjërat po ndryshojnë dhe duhet të ndryshosh edhe ti.’

“Unë nuk kundërveprova”, tha ajo, “por nuk e hoqa deklarimin tim”.

Ajo përfundon: “Nganjëherë, siç tha Presidenti Monson: ‘Duhet të qëndroni vetëm’. Shpresoj se si të rinj, ne vërtet do të qëndrojmë së bashku për të qenë të vërtetë ndaj Perëndisë e ndaj mësimeve të profetëve të Tij të gjallë.”11

Me shumë shqetësim për ne duhet të jenë ata që po ndeshen me tërheqjen fizike ndaj së njëjtës gjini. Kjo është një vorbull me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Dua të shpreh dashurinë dhe admirimin tim për ata që po ndeshen plot kurajë me këtë sprovë të besimit dhe po qëndrojnë të vërtetë ndaj urdhërimeve të Perëndisë!12 Por çdokush, pavarësisht nga vendimet dhe bindjet e tij ose të saj, meriton mirësinë dhe vëmendjen tonë.13

Shpëtimtari na mësoi të duam jo vetëm miqtë tanë, por edhe ata që nuk janë dakord me ne – dhe madje ata që na hedhin poshtë. Ai tha: “Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? … Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë?”14

Profeti Jozef Smith na paralajmëroi të “[ruhemi] prej vetëkënaqjes” dhe ta zmadhojmë zemrën kundrejt gjithë burrave dhe grave derisa të ndiejmë se “i marrim ata mbi supet tanë”15. Në ungjillin e Jezu Krishtit nuk ka vend për tallje, kërcënim apo fanatizëm.

Nëse keni një pyetje lidhur me këshillën nga udhëheqësit e Kishës, ju lutemi t’i diskutoni shqetësimet tuaja me ndershmëri me prindërit dhe udhëheqësit tuaj. Ju keni nevojë për forcën që vjen nga mirëbesimi i profetëve të Zotit. Presidenti Harold B. Li tha: “E vetmja siguri që ne kemi si anëtarë të kësaj kishe, është të … mësojmë t’u vëmë veshin fjalëve dhe urdhërimeve që Zoti do të japë përmes profetit të Tij. … Do të ketë disa gjëra që kërkojnë durim dhe besim. Ju mund të mos e pëlqeni atë që vjen. … Mund të kundërshtojë pikëpamjet tuaja politike … pikëpamjet tuaja shoqërore … mund të ndërhyjë në … jetën tuaj shoqërore. Por nëse ua vini veshin këtyre gjërave, si nga goja e Vetë Zotit, … ‘portat e ferrit nuk do të hapen kundër jush … dhe Zoti Perëndi do t’i shpërndajë fuqitë e errësirës përpara jush …’ (DeB 21:6).”16

Një tjetër mbrojtje e fuqishme nga vorbullat e jetës është Libri i Mormonit.

Kur Presidenti Henri B. Ajring ishte adoleshent, familja e tij lëvizi në një qytet të ri. Fillimisht ai e mendoi lëvizjen të pakëndshme dhe bëri pak miq. Ai ndjeu se nuk përshtatej me studentët në shkollën e tij të mesme. Vorbullat po e rrethonin. Çfarë bëri ai? E drejtoi energjinë e tij te Libri i Mormonit, duke e lexuar shumë herë.17 Vite më vonë, Presidenti Ajring dëshmoi: “Më [pëlqen të] kthehem te Libri i Mormonit dhe të ushqehem thellësisht dhe shpesh”18. “[Ai] është dëshmia më e fuqishme, e shkruar që kemi, se Jezusi është Krishti.”19

Zoti ju ka dhënë një mënyrë tjetër për të qëndruar të patundur, një dhuratë shpirtërore më të fuqishme sesa vorbullat e erërave të kundërshtarit! Ai tha: “Qëndroni … në vende të shenjta dhe mos lëvizni”20.

Kur unë isha adoleshent, kishte vetëm 13 tempuj në Kishë. Tani ka 142. Tetëdhjetë e pesë përqind e anëtarëve të Kishës jetojnë brenda një largësie prej 320 km nga një tempull. Zoti i ka dhënë brezit tuaj një mundësi më të madhe për të hyrë në tempujt e Tij të shenjtë, sesa ndonjë brezi tjetër në historinë e botës.

A keni qëndruar ndonjëherë në tempull, të veshur në të bardha, duke pritur që të bëni pagëzime? Si u ndiet? Ka një ndjenjë të fuqishme shenjtërie në tempull. Paqja e Shpëtimtarit i nënshtron vorbullat rrethuese të botës.

Mënyra se si ndiheni në tempull është një model për mënyrën si dëshironi të ndiheni në jetën tuaj.21

Gjejini gjyshërit e gjyshet tuaja dhe kushërinjtë tuaj të largët, të cilët jetuan përpara jush. Merrini me vete emrat e tyre në tempull.22 Kur mësoni për paraardhësit tuaj, ju do të shihni modele të jetës, të martesës, të fëmijëve; modele të drejtësisë; dhe me raste, modele që ju do të dëshironi t’i shmangni.23

Më vonë në tempull ju do të mësoni më shumë rreth Krijimit të botës, rreth modeleve në jetën e Adamit dhe të Evës dhe, më e rëndësishmja, rreth Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të reja, sa shumë ju duam, ju admirojmë dhe lutemi për ju. Mos i lejoni vorbullat e erërave që t’ju tërheqin poshtë. Këto janë ditët tuaja – për të qëndruar të fortë, si dishepuj të Zotit Jezu Krisht.24

Ndërtojeni themelin tuaj më vendosmërisht mbi shkëmbin e Shëlbuesit tuaj.

Çmojini më plotësisht jetën dhe mësimet e Tij të pakrahasueshme.

Ndiqini më zellshmërisht shembullin e Tij dhe urdhërimet e Tij.

Përqafojini më thellësisht dashurinë e Tij, mëshirën dhe hirin e Tij dhe dhuratat e fuqishme të Shlyerjes së Tij.

Ndërsa i bëni këto, unë ju premtoj se ju do t’i shihni vorbullat për çfarë janë në të vërtetë – prova, tundime, shpërqendrime ose sfida që ju ndihmojnë të rriteni. Dhe ndërsa jetoni me drejtësi vit pas viti, ju siguroj se përvojat tuaja do t’ju pohojnë herë pas here se Jezusi është Krishti. Shkëmbi shpirtëror nën këmbët tuaja do të jetë i fortë dhe i sigurt. Ju do të ngazëlleheni që Perëndia ju ka vendosur këtu që të jeni pjesë e përgatitjeve përfundimtare për kthimin e lavdishëm të Krishtit.

Shpëtimtari tha: “Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju”25. Ky është premtimi i Tij për ju. Unë e di se ky premtim është i vërtetë. Unë e di se Ai jeton, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Doktrina e Besëlidhje 88:91.

  2.  

    2.  Discourses of Brigham Young, përzgj. John A. Widtsoe (1954), f. 72.

  3.  

    3. Shih Dallin H. Oaks, “Preparation for the Second Coming”, Liahona, maj 2004, f. 7–10.

  4.  

    4. Shih A. Stokes, A. H. Fitter dhe M. P. Coutts, “Responses of Young Trees to Wind and Shading: Effects on Root Architecture”, Journal of Experimental Botany, vëll. 46, nr. 290 (shtator 1995), f. 1139–1146.

  5.  

    5.  Helamani 5:12.

  6.  

    6. Tomas S. Monson, “Fuqia e Priftërisë”, Liahona, maj 2011, f. 66.

  7.  

    7. Letër e Presidencës së Parë, 6 mars 2014; shih edhe Dejvid A. Bednar, “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Liahona, maj 2013, f. 41–44; Dallin H. Oaks, “Nuk do të Kesh Perëndi të Tjerë”, Liahona, nëntor 2013, f. 72–75; Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2011), f. 35–37.

  8.  

    8. Tomas S. Monson, “Fuqia e Priftërisë”, Liahona, maj 2011, f. 67.

  9.  

    9. Plaku Rasëll M. Nelson tha: “Martesa është farkëtuesi i rendit shoqëror. … Ai bashkim nuk është thjesht midis bashkëshortit dhe bashkëshortes; ai përfshin një bashkëpjesëmarrje me Perëndinë” (“Nurturing Marriage”, Liahona, maj 2006, f. 36). Shih edhe Mateu 19:5–6.

  10.  

    10.  2 Korintasve 4:18.

  11.  

    11. Letërkëmbim dhe bashkëbisedim vetjak, 17 mars 2014; shih edhe Tomas S. Monson, “Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”, Liahona, nëntor 2011, f. 60–67.

  12.  

    12. Shih Jeffrey R. Holland, “Helping Those Who Struggle with Same-Gender Attraction”, Liahona, tetor 2007, f. 40–43.

  13.  

    13. Edhe kur antikrishti Korihor kërkoi që ta shkatërronte besimin e njerëzve, ligjet e Perëndisë e mbrojtën atë kundrejt ndëshkimit: “Tani, nuk kishte ndonjë ligj kundër besimit të një njeriu; pasi ishte rreptësisht në kundërshtim me urdhërimet e Perëndisë, që të kishte një ligj i cili do t’i sillte njerëzit në një gjendje pabarazie. … Në qoftë se një njeri dëshironte t’i shërbente Perëndisë, ishte privilegji i tij; … por në qoftë se nuk besonte në të, nuk kishte ndonjë ligj për ta ndëshkuar” (Alma 30:7, 9). Neni i njëmbëdhjetë i besimit thotë: “Ne shpallim privilegjin e adhurimit të Perëndisë së Plotfuqishëm në përputhje me zërin e ndërgjegjes sonë dhe u lejojmë të gjithë njerëzve të njëjtin privilegj, që ata duhet të adhurojnë si, ku dhe çfarë të zgjedhin”.

  14.  

    14.  Mateu 5:46–47.

  15.  

    15.  Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2007), f. 456, 457.

  16.  

    16.  Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 84–85; shih edhe Robert D. Hejls, “Konferenca e Përgjithshme: Forcimi i Besimit dhe i Dëshmisë”, Liahona, nëntor 2013, f. 6–8.

  17.  

    17. Shih Robert I. Eaton dhe Henry J. Eyring, I Will Lead You Along: The Life of Henry B. Eyring (2013), f. 40.

  18.  

    18. Henry B. Eyring, Choose Higher Ground (2013), f. 38.

  19.  

    19. Henry B. Eyring, To Draw Closer to God (1997), f. 118.

  20.  

    20.  Doktrina e Besëlidhje 87:8; shih edhe Doktrina e Besëlidhje 45:32.

  21.  

    21. Shih Doktrina e Besëlidhje 52:14.

  22.  

    22. Shih Neil L. Andersen, “Find Our Cousins!” (fjalim i mbajtur në RootsTech 2014 Family History Conference, 8 shkurt 2014); lds.org/prophets-and-apostles/unto-all-the-world/find-our-cousins.

  23.  

    23. Shih Dejvid A. Bednar, “Zemrat e Fëmijëve Do të Kthehen”, Liahona, nëntor 2011, f. 24–27.

  24.  

    24. Shih Helamani 7:9.

  25.  

    25.  Gjoni 14:18.