Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull


Xhefri R. Holland
Jini të fortë. Jetojeni ungjillin me besnikëri edhe pse të tjerët përreth jush nuk e jetojnë.

Presidenti Monson, ne ju duam. Ju ia keni dhënë jetën tuaj dhe shëndetin tuaj çdo thirrjeje që Zoti u ka dhënë ndonjëherë, veçanërisht detyrës së shenjtë që mbani tani. Kjo Kishë e tërë ju falënderon për shërbimin tuaj të palëkundur dhe për përkushtimin tuaj të padështueshëm ndaj detyrës.

Me admirim dhe inkurajim për çdo njeri që do të duhet të mbetet i palëkundur në këto ditë të mëvonshme, unë u them të gjithëve dhe veçanërisht rinisë së Kishës se, në qoftë se nuk e keni përjetuar tashmë, ju një ditë do ta gjeni veten të thirrur për ta mbrojtur besimin tuaj apo ndoshta për të duruar njëfarë abuzimi vetjak, thjesht ngaqë jeni anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Çaste të tilla do të kërkojnë si kurajë edhe mirësjellje nga ana juaj.

Për shembull, një motër misionare më shkroi kohët e fundit: “Unë dhe shoqja ime pamë një burrë të ulur në një stol në qendër të qytetit duke ngrënë drekën e tij. Teksa i shkuam më afër, ai ngriti sytë dhe pa etiketat tona misionare. Me një shikim të tmerrshëm në sy, ai u ngrit me rrëmbim dhe ngriti dorën që të më qëllonte. Iu shmanga tamam në kohë, vetëm që ai të arrinte ta pështynte ushqimin e tij kudo mbi mua dhe të fillonte të na shante me fjalët më të tmerrshme. U larguam pa thënë asnjë fjalë. U përpoqa ta fshija ushqimin nga fytyra ime, vetëm që të ndieja një masë pureje patatesh që më goditi në kokë nga pas. Nganjëherë është e vështirë të jesh një misionare, sepse pikërisht në atë çast doja të kthehesha, ta mbërtheja atë burracak dhe t’i thoja: ‘Ç’TË ZURI!’ Por nuk e bëra.”

Kësaj misionareje të përkushtuar unë i them, fëmijë e dashur, ti, në vetë mënyrën tënde të përulur, ke hedhur hapin brenda një rrethi burrash dhe grash tepër të spikatur, të cilët, sikurse tha profeti Jakob i Librit të Mormonit, e kanë “konsider[uar] vdekjen e [Krishtit] dhe [kanë] dur[uar] kryqin e tij, dhe [kanë] mbaj[tur] turpin e botës”1.

Në të vërtetë, për Jezusin Vetë, vëllai i Jakobit, Nefi, shkroi: “Dhe bota, për shkak të paudhësisë së vet, do ta gjykojë atë të jetë një gjë pa vlerë; prandaj ata e fshikullojnë atë dhe ai e duron atë, dhe ata e godasin atë dhe ai e duron atë. Po, ata pështyjnë mbi të dhe ai e duron atë, për shkak të dashurisë së përzemërt të tij dhe të shpirtmirësisë së tij kundrejt fëmijëve të njerëzve.”2

Në përputhje me përvojën e vetë Shpëtimtarit, ka pasur një histori të gjatë mospranimi dhe një çmim mjaft të dhimbshëm, të paguar nga profetët dhe apostujt, misionarët dhe anëtarët në çdo brez – nga të gjithë ata që janë përpjekur ta nderojnë thirrjen e Perëndisë për ta lartësuar familjen njerëzore drejt “një udh[e] më të shkëlqyer”3.

“Dhe ç’të them më … [për ata]?” pyet shkruesi i librit të Hebrenjve.

“[Ata] të cilët … ua zunë grykën luanëve,

fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, … u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë [në luftë] …,

[I panë] të vdekurit e tyre … të ringjall[en]; … [ndërkohë që] të tjerët u torturuan … :

Dhe … hoqën përqeshje dhe goditje [mizore], … pranga dhe burgime.

U vranë me gurë, … me sharrë, u prenë, [u tunduan], u vranë nga shpata, … u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikëlluar [e] të keqtrajtuar

([ata për të cilët] bota nuk ishte e denjë) … u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.”4

Sigurisht engjëjt e qiellit vajtuan ndërsa shënonin këtë çmim të të qenit dishepull në një botë që është shpesh armiqësore ndaj urdhërimeve të Perëndisë. Shpëtimtari Vetë derdhi lotët e Tij për ata që, për qindra vjet, nuk ishin pranuar dhe ishin vrarë në shërbimin e Tij. Dhe tani, Ai nuk po pranohej dhe do të vritej.

“Jeruzalem, Jeruzalem”, thirri Jezusi, “që i vret profetët dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu ashtu si i mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët!

Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë.”5

Dhe atje gjendet një mesazh për çdo të ri dhe të re në këtë Kishë. Ju mund të pyesni veten nëse ia vlen të mbani një qëndrim moral të guximshëm në shkollën e mesme apo të shkoni në një mision, vetëm që t’i shihni bindjet tuaja më të vyera të fyhen ose të ndeshen me shumë gjëra në një shoqëri e cila ndonjëherë e përqesh një jetë përkushtimi fetar. Po, ia vlen ajo, sepse zgjedhja tjetër është që t’i kemi “shtëpitë” tona të lëna “të shkreta” – individët të shkretë, familjet të shkreta, lagjet e banimit të shkreta dhe kombet të shkreta.

Prandaj këtu ne kemi barrën e atyre që thirren për ta mbartur mesazhin e Mesias. Përveç mësimdhënies, nxitjes dhe përgëzimit të njerëzve (kjo është pjesa e këndshme e të qenit dishepull), herë pas here po këta lajmëtarë thirren për t’u shqetësuar, për të paralajmëruar dhe nganjëherë thjesht për të vajtuar (kjo është pjesa e dhembshme e të qenit dishepull). Ata e dinë fare mirë se rruga që çon drejt tokës së premtuar “ku rrjedh qumështi dhe mjalti”6 i domosdoshmërisë, kalon nëpërmjet udhës së Malit Sinai, ku rrjedhin gjërat që “do të” dhe “nuk do të” bëjmë.7

Për fat të keq, lajmëtarët e urdhërimeve të caktuara në mënyrë hyjnore, shpesh nuk janë më të pëlqyer sot sesa ishin në lashtësi, ashtu sikurse mund ta vërtetojnë tani të paktën ato dy motra misionare që u pështynë dhe u spërkatën me patate. Urrejtja është një fjalë e shëmtuar, por gjenden ata njerëz sot të cilët do të thonin me Ahabin e mbrapshtë: “Unë e urrej [profetin Mikajah], sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm [profetizon] të keqen”8. Ajo lloj urrejtjeje për ndershmërinë e një profeti pati si çmim për Abinadin jetën e tij. Kur ai i tha mbretit Noe: “Meqë unë ju kam thënë të vërtetën, ju jeni zemëruar me mua. … Pasi unë kam folur fjalën e Perëndisë, ju më keni gjykuar që jam i çmendur”9 ose, ne mund të shtojmë, provincial, patriarkal, fanatik, i pasjellshëm, mendjengushtë, i dalë mode dhe i moshuar.

Është sikurse Zoti Vetë iu drejtua në vajtim profetit Isaia:

“[Këta] bij … nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,

[ata] u thonë shikuesve: ‘Mos kini vegime’, dhe profetëve: ‘Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.

Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!’”10

Mjaft trishtueshëm, miqtë e mi të rinj, është një tipar i epokës sonë që, nëse njerëzit duan ndonjë perëndi, ata duan që ato të jenë perëndi që nuk kërkojnë shumë, perëndi të rehatshme, perëndi të buta, të cilët jo vetëm që nuk e lëkundin varkën, por as nuk e bëjnë atë të lundrojë, perënditë që na bien krahëve me përgëzim, na bëjnë të qeshim nën hundë, pastaj na thonë të shkojmë e të mbledhim lule.11

S’është veçse njeriu që po e krijon Perëndinë sipas vetë shëmbëlltyrës së tij! Nganjëherë – dhe kjo duket ironia më e madhe e të gjithave – këta njerëz e citojnë emrin e Jezusit si dikush që ishte po ky lloj i Perëndisë “së rehatshme”. Vërtet? Ai, i cili tha se jo vetëm nuk duhet t’i thyejmë urdhërimet, por as nuk duhet ta mendojmë thyerjen e tyre. Dhe nëse vërtet mendojmë rreth thyerjes së tyre, ne tashmë i kemi thyer ato në zemrën tonë. A tingëllon kjo si doktrinë “e rehatshme”, e këndshme për t’u dëgjuar dhe e mirënjohur te lokali i preferuar?

Po për ata që thjesht dëshirojnë ta shohin mëkatin apo ta prekin atë nga një largësi? Jezusi tha prerazi, nëse syri yt të çon në mëkat, hiqe. Nëse dora jote të çon në mëkat, preje.12 “Nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”13, i paralajmëroi Ai ata që menduan se fliste vetëm fjalë të rëndomta qetësuese. S’ka dyshim përse, predikim pas predikimi, komunitetet vendore iu “lut[ën] … që të largohej nga krahina e tyre”14. S’ka dyshim përse, mrekulli pas mrekullie, fuqia e Tij nuk u njoh si prej Perëndisë, por si prej djallit.15 Është e dukshme që parulla e mirënjohur ku pyetet “Çfarë do të bënte Jezusi”, nuk do të sjellë gjithmonë një përgjigje të mirëpritur.

Në kulmin e shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi tha: “Ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve”16. Për t’u siguruar që ata e kuptuan saktësisht se çfarë lloj dashurie ishte ajo, Ai tha: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia”17 dhe “ai … që do të shkelë një nga … urdhërime[t] më të vogla, dhe do t’u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet … më i vogli në mbretërinë e qiejve”18. Dashuria si e Krishtit është gjëja që na nevojitet më shumë të kemi në këtë planet, pjesërisht ngaqë drejtësia gjithmonë mendohej se e shoqëronte atë. Kështu, nëse dashuria pritet të jetë motoja jonë, sikurse duhet të jetë, atëherë me anë të fjalës së Atij që është personifikimi i dashurisë, ne duhet ta braktisim shkeljen dhe çfarëdo grimce të nxitjes së saj tek të tjerët. Jezusi qartësisht e kuptoi atë që shumë njerëz në kulturën tonë moderne duket se e harrojnë: që ka një ndryshim thelbësor midis urdhërimit për ta falur mëkatin (gjë të cilën Ai pati një aftësi të pafundme për ta bërë) dhe paralajmërimit kundrejt tolerimit të mëkatit (gjë të cilën Ai kurrë nuk e bëri, as edhe një herë).

Miq, veçanërisht miqtë e mi të rinj, merrni zemër. Dashuria e pastër si e Krishtit, duke rrjedhur nga drejtësia e vërtetë, mund ta ndryshojë botën. Unë dëshmoj se ungjilli i vërtetë dhe i gjallë i Jezu Krishtit është mbi tokë dhe ju jeni anëtarë të Kishës së Tij të vërtetë dhe të gjallë, duke u përpjekur për ta shpërndarë atë. Unë jap dëshmi për këtë ungjill dhe për këtë Kishë, me një dëshmi të veçantë për çelësat e rivendosur të priftërisë, të cilët i hapin udhë fuqisë dhe efektshmërisë së ordinancave shpëtuese. Unë jam më i sigurt që ata çelësa janë rivendosur dhe që ato ordinanca janë, edhe një herë, të disponueshme nëpërmjet Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, sesa jam i sigurt që qëndroj para jush te kjo foltore dhe ju qëndroni të ulur para meje në këtë konferencë.

Jini të fortë. Jetojeni ungjillin me besnikëri edhe pse të tjerët përreth jush nuk e jetojnë. Mbrojini bindjet tuaja me mirësjellje dhe me dashamirësi, por mbrojini ato. Një histori e gjatë e zërave të frymëzuar, përfshirë ata që do t’i dëgjoni në këtë konferencë dhe zërin që ju dëgjuat nga vetë Presidenti Tomas S. Monson, ju tregojnë udhën drejt shtegut të të qenit dishepuj të krishterë. Ai është një shteg i ngushtë dhe i ngushtuar, pa shumë liri veprimi, por në të udhëtimi mund të bëhet me emocion dhe sukses, “me … vendosmëri në Krisht[in], … [me] një ndriçim të përkryer të shpresës dhe një dashuri për Perëndinë dhe për gjithë njerëzit”19. Duke ndjekur plot kurajë një udhë të tillë, ju do të farkëtoni besim të patundur, do të gjeni siguri kundrejt erërave të liga që fryjnë, madje shigjeta në shtjellën e erës, dhe do ta ndjeni forcën si të një shkëmbi të Shëlbuesit tonë, mbi të cilën, nëse e ndërtoni veten tuaj si dishepuj të përkushtuar, ju nuk mund të bini.20 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Trego Referencat

  1.  

    1.  Jakobi [LiM] 1:8.

  2.  

    2.  1 Nefi 19:9.

  3.  

    3.  1 Korintasve 12:31; Ethëri 12:11.

  4.  

    4.  Hebrenjve 11:32–38.

  5.  

    5.  Mateu 23:37–38.

  6.  

    6.  Eksodi 3:8.

  7.  

    7. Shih Eksodi 20:3–17.

  8.  

    8.  2 Kronikave 18:7.

  9.  

    9.  Mosia 13:4.

  10.  

    10.  Isaia 30:9–11.

  11.  

    11. Shih Henry Fairlie, The Seven Deadly Sins Today (1978), f. 15–16.

  12.  

    12. Shih Mateu 5:29–30.

  13.  

    13.  Mateu 10:34.

  14.  

    14.  Marku 5:17.

  15.  

    15. Shih Mateu 9:34.

  16.  

    16.  Gjoni 15:12.

  17.  

    17.  Gjoni 14:15.

  18.  

    18.  Mateu 5:19; theksimi i shtuar.

  19.  

    19.  2 Nefi 31:20.

  20.  

    20. Shih Helamani 5:12.