Çfarë Lloj Njerëzish?


Donald L. Hallstrom
Çfarë ndryshimesh kërkohen nga ne që të bëhemi lloji i njerëzve që duhet të jemi?

Teksa e përfytyrojmë këtë mbledhje mbarëbotërore, na kujtohet se nuk ka asgjë të krahasueshme me këtë mbledhje – asgjëkundi. Qëllimi i sesionit të priftërisë të konferencës së përgjithshme, është që t’i mësojë mbajtësit e priftërisë se çfarë lloj njerëzish ne duhet të jemi (shih 3 Nefi 27:27) dhe të na frymëzojë që ta arrijmë atë model të përkryer.

Në vitet e mia në Priftërinë Aarone në Havai gjysmë shekulli më parë dhe si misionar në Angli, ne do të mblidheshim në godinat e kishave dhe (me përpjekje të vëmendshme) do të dëgjonim sesionin e priftërisë duke përdorur një lidhje telefonike. Në vitet e mëvonshme, satelitët lejuan transmetime për vendndodhje të përzgjedhura të Kishës me disa saçe marrës gjigandë, me qëllim që ne të mund të dëgjonim dhe të shihnim punimet e konferencave. Ne ishim të mahnitur prej asaj teknologjie! Pak mund ta kishin përfytyruar botën e sotme, ku çdonjëri që ka mundësi të përdorë internetin me një telefon smart, tabletë apo kompjuter, mund t’i marrë mesazhet e kësaj mbledhjeje.

Megjithatë, kjo mundësi e zgjeruar së tepërmi për t’i dëgjuar zërat e shërbëtorëve të Zotit, që janë njësoj si të ishte zëri i vetë Zotit (shih DeB 1:38), ka pak vlerë nëse ne nuk jemi të gatshëm për ta fituar fjalën (shih DeB 11:21) dhe më pas për ta ndjekur atë. E thënë thjesht, qëllimi i konferencës së përgjithshme dhe i këtij sesioni të priftërisë përmbushet vetëm nëse ne jemi të gatshëm të veprojmë – nëse jemi të gatshëm të ndryshojmë.

Disa dekada më parë, po shërbeja si peshkop. Për një kohë të gjatë, u takova me një burrë në lagjen tonë, i cili ishte shumë më i madh në moshë se unë. Ky vëlla kishte një marrëdhënie plot probleme me gruan e tij dhe nuk fliste me fëmijët që kishin së bashku. Ai nuk arrinte të qëndronte i punësuar, nuk kishte miq të afërt dhe e kishte kaq të vështirë të ndërvepronte me anëtarët e lagjes sa më së fundi nuk ishte i gatshëm të shërbente në Kishë. Gjatë një diskutimi të zjarrtë rreth sfidave në jetën e tij, ai u përkul drejt meje – si të ishte përfundimi i tij për bisedat tona të shumta – dhe tha: “Peshkop, unë jam gjaknxehtë dhe kjo është thjesht mënyra se si jam!”

Ajo thënie më shushati atë natë dhe më ka shqetësuar që nga ajo kohë. Sapo ky burrë vendosi – sapo secili prej nesh arrin në përfundimin – “Kjo është thjesht mënyra se si jam”, ne heqim dorë nga aftësia jonë për të ndryshuar. Prandaj mund të ngremë flamurin e bardhë, t’i dorëzojmë armët, ta pranojmë humbjen e betejës dhe thjesht të heqim dorë – çfarëdo dëshirë për fitore humbet. Ndërkohë që disa prej nesh mund të mendojnë se kjo nuk na përshkruan ne, ndoshta secili prej nesh vë në dukje, me të paktën një ose dy zakone të këqija, shprehjen “Kjo është thjesht mënyra se si jam”.

Por, ne takohemi në këtë mbledhje të priftërisë, sepse cilët jemi, nuk është cilët mund të bëhemi. Ne mblidhemi këtu sonte në emrin e Jezu Krishtit. Ne mblidhemi me vetëbesimin që Shlyerja e Tij i jep secilit prej nesh – pavarësisht nga dobësitë tona, brishtësitë tona, varësitë tona – aftësinë për të ndryshuar. Ne mblidhemi me shpresën se e ardhmja jonë, pavarësisht nga historia jonë, mund të jetë më e mirë.

Kur marrim pjesë në këtë mbledhje me “qëllim të vërtetë” për të ndryshuar (Moroni 10:4), Shpirti ka lejim të plotë për t’i arritur zemrat dhe mendjet tona. Sikurse Zoti i zbuloi Profetit Jozef Smith: “Dhe do të ndodhë që, për aq sa … ushtrojnë besim në mua” – kujtoni, besimi është një parim fuqie dhe veprimi – “unë do ta derdh Shpirtin tim mbi ta në ditën që ata të mblidhen së bashku” (DeB 44:2). Kjo do të thotë sonte!

Nëse mendoni se sfidat tuaja janë të pakapërcyeshme, më lejoni t’ju tregoj për një burrë që e takuam në një fshat të vogël në rrethinat e Hajderabadit, në Indi, në vitin 2006. Ky burrë u bë shembull i gatishmërisë për të ndryshuar. Apa Rao Nulu u lind në një zonë fshatare të Indisë. Kur ishte tre vjeç, ai kaloi sëmundjen e poliomielitit dhe mbeti i gjymtuar fizikisht. Rendi shoqëror i mësoi atij se potenciali i tij ishte tej mase i kufizuar. Megjithatë, kur ishte i ri në moshë madhore, u takua me misionarët tanë. Ata i mësuan për një potencial më të madh, si në këtë jetë, ashtu edhe në përjetësinë që do të vijë. Ai u pagëzua dhe u konfirmua një anëtar i Kishës. Me një këndvështrim tepër të zgjeruar, ai i caktoi vetes synim që të merrte Priftërinë Melkizedeke dhe të shërbente një mision kohëplotë. Në vitin 1986 ai u shugurua plak dhe u thirr të shërbente në Indi. Ecja nuk ishte e lehtë – ai bëri ç’ishte e mundur, duke përdorur nga një bastun në secilën dorë, dhe u rrëzua shpesh – por heqja dorë nuk ishte kurrë një mundësi. Ai bëri një zotim, që të shërbente me nder e përkushtim në mision, dhe e mbajti atë.

Kur u takuam me Vëllanë Nulu, rreth 20 vjet pas misionit të tij, ai plot ngazëllim na përshëndeti atje ku mbaronte rruga dhe na zbriti nëpër një shteg të pashtruar plot pluhur drejt shtëpisë me dy dhoma, ku jetonte me gruan dhe tre fëmijët e tij. Ishte një ditë jashtëzakonisht e nxehtë dhe e parehatshme. Ai ende ecte me shumë vështirësi, por nuk kishte aspak keqardhje për veten. Nëpërmjet zellit vetjak, ai është bërë mësues, duke siguruar shkollim për fëmijët e fshatit. Kur hymë në shtëpinë e tij të thjeshtë, ai menjëherë më çoi te një cep dhe nxori një kuti që përmbante gjërat e tij më të rëndësishme. Donte që unë të shihja një fletë letre. Ajo lexonte: “Me urime të mira dhe bekime për Plakun Nulu, një misionar kurajoz dhe i lumtur; [data] 25 qershor 1987; [nënshkruar] Bojd K. Paker”. Në atë rast, kur Plaku Paker i atëhershëm vizitoi Indinë dhe u foli një grupi misionarësh, ai ia pohoi Plakut Nulu potencialin e tij. Në thelb, ajo që Vëllai Nulu po më tregonte atë ditë në vitin 2006, ishte se ungjilli e kishte ndryshuar atë – njëherë e mirë!

Në këtë vizitë te shtëpia e familjes Nulu, ne u shoqëruam nga presidenti i misionit. Ai ishte atje për të intervistuar Vëllanë Nulu, gruan e tij dhe fëmijët e tij – që prindërit të merrnin indaumentet e tyre dhe të vuloseshin së bashku dhe që fëmijët të vuloseshin me prindërit e tyre. Ne gjithashtu i paraqitëm familjes përgatitjet e bëra për ta që të udhëtonin për këto ordinanca për në Tempullin e Hong-Kongut në Kinë. Ata derdhën lot gëzimi ngaqë ëndrra e tyre e shumëpritur do të bëhej realitet.

Çfarë pritet nga një mbajtës i priftërisë së Perëndisë? Çfarë ndryshimesh kërkohen nga ne që të bëhemi lloji i njerëzve që duhet të jemi? Unë bëj tre sugjerime:

  1. 1.

    Ne kemi nevojë të jemi burra të priftërisë! Qofshim të rinj që mbajmë Priftërinë Aarone apo burra që mbajmë Priftërinë Melkizedeke, ne kemi nevojë të jemi burra të priftërisë, duke treguar pjekuri shpirtërore ngaqë i kemi bërë besëlidhjet. Siç tha Pali: “Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë, kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore” (1 Korintasve 13:11). Ne duhet të jemi të ndryshëm, sepse mbajmë priftërinë – s’duhet të jemi mendjemëdhenj ose krenarë apo mospërfillës, por të jemi të përulur, të mësueshëm dhe zemërbutë. Marrja e priftërisë dhe e detyrave të ndryshme të saj duhet të ketë njëfarë kuptimi për ne. Nuk duhet të jetë një “rit” i përciptë “i kalimit” që ndodh automatikisht në mosha të caktuara, por një veprim i shenjtë i besëlidhjes së bërë plot mendim. Ne duhet të ndihemi kaq të privilegjuar dhe kaq mirënjohës sa çdo veprim që bëjmë, e tregon atë. Nëse mendojmë rrallë rreth priftërisë, ne kemi nevojë të ndryshojmë.

  2. 2.

    Ne kemi nevojë të shërbejmë! Thelbi i mbajtjes së priftërisë është ta lartësojmë thirrjen tonë (shih DeB 84:33) duke u shërbyer të tjerëve. Shmangia e detyrës sonë më të rëndësishme për t’u shërbyer bashkëshorteve tona dhe fëmijëve tanë, mospranimi i thirrjeve ose përmbushja e tyre me plogështi në Kishë, ose moskujdesja për të tjerët nëse nuk është e volitshme, nuk është lloji i njeriut që duhet të jemi. Shpëtimtari shpalli: “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde” (Mateu 22:37) dhe më pas shtoi: “Nëse më do, duhet të më shërbesh” (DeB 42:29). Egoizmi është antiteza e përgjegjësisë së priftërisë dhe nëse ai është një tipar i karakterit tonë, ne kemi nevojë të ndryshojmë.

  3. 3.

    Ne kemi nevojë të jemi të denjë! Unë mund të mos kem aftësinë e Plakut Xhefri R. Holland kur ai foli në një sesion të priftërisë, pak vite më parë, për të “qëndr[uar] … pranë jush, kokë më kokë me shumë [zjarr sa t’ju përcëlloj vetullat]” (“Ne Jemi të Gjithë të Rekrutuar”, Liahona, nëntor 2011, f. 45); por, vëllezër të dashur, ne kemi nevojë të zgjohemi nga mënyra se si praktika të pranuara gjerësisht në botë e mbytin fuqinë tonë në priftëri. Nëse mendojmë se madje mund të flirtojmë me pornografinë ose me shkelje të dëlirësisë apo pandershmëri të ndonjë lloj forme dhe kjo nuk do të ndikojë për keq te ne dhe familjet tona, ne mashtrohemi. Moroni shpalli: “Shikoni që të bëni të gjitha gjërat në mënyrë të denjë” (Mormoni 9:29). Zoti fuqishëm na udhëzoi: “Dhe unë tani ju jap një urdhërim të hapni sytë për veten tuaj, t’u vini veshin me zell fjalëve të jetës së përjetshme” (DeB 84:43). Nëse kemi ndonjë mëkat për të cilin s’jemi penduar, që e pengon denjësinë tonë, ne kemi nevojë të ndryshojmë.

E vetmja përgjigje e plotë ndaj pyetjes së ngritur nga Jezu Krishti: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” është ajo që dha Ai në mënyrë të përmbledhur dhe të thellë: “Madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27). Ftesa “ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32) kërkon ndryshim, si edhe shpreson për të. Zemërgjerësisht, Ai nuk na ka lënë vetëm. “Dhe në qoftë se njerëzit vijnë tek unë, unë do t’u tregoj atyre dobësinë e tyre. … Atëherë unë do të bëj që gjërat e dobëta, të bëhen të forta” (Ethëri 12:27). Duke u mbështetur te Shlyerja e Shpëtimtarit, ne mund të ndryshojmë. Për këtë jam i sigurt. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.