2015
100 Vite Mbrëmje Familjare
Prill 2015


100 Vite Mbrëmje Familjare

Ky muaj shënon 100 vjet që kur Presidenca e Parë i nxiti anëtarët të bënin mbrëmje familjare. Fragmenti vijues vjen nga letra e Presidencës së Parë që paraqet mbrëmjen familjare. Ajo u lëshua për botim në prill të 1915-ës dhe u shtyp te Improvement Era në qershor të 1915-ës (faqet 733–734). Përdorimi i germës së madhe dhe i shenjave të pikësimit është modernizuar.

Pamja
A portrait of eight of the sons of Joseph F. Smith. All are identified

Fotografi me mirësinë e Bibliotekës së Historisë së Kishës

Të Dashur Vëllezër e Motra:

Ne i këshillojmë shenjtorët e ditëve të mëvonshme ta zbatojnë me përpikëri urdhërimin e Zotit të dhënë në seksionin e 68-të të Doktrinës e Besëlidhjeve:

“Dhe përsëri, për aq sa prindërit kanë fëmijë në Sion … të cilët nuk i mësojnë të kuptojnë doktrinën e pendimit, të besimit në Krishtin, Birin e Perëndisë së gjallë, dhe të pagëzimit e të dhuratës së Frymës së Shenjtë me anë të vënies së duarve, kur janë tetë vjeç, mëkati qoftë mbi kokat e prindërve. …

Dhe ata gjithashtu duhet t’i mësojnë fëmijët e tyre të luten dhe të ecin drejt përpara Zotit” [shih DeB 68:25–28].

Fëmijët e Sionit duhet të zbatojnë më plotësisht edhe urdhërimin e Zotit dhënë Izraelit të lashtë dhe përsëritur për shenjtorët e ditëve të mëvonshme:

“Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep” [Eksodi 20:12].

Këto zbulesa gjejnë zbatim fuqishëm për shenjtorët e ditëve të mëvonshme dhe u kërkohet etërve dhe nënave në këtë Kishë që këto urdhërime të jepen mësim e të zbatohen në shtëpitë e tyre.

Për këtë qëllim, ne këshillojmë dhe nxitim fillimin e një “mbrëmjeje familjare” në mbarë Kishën, kohë në të cilën etërit dhe nënat të mund të mbledhin së bashku djemtë e vajzat e tyre në shtëpi dhe t’u mësojnë atyre fjalën e Zotit. Kështu ata mund të mësojnë më plotësisht nevojat dhe kërkesat e familjeve të tyre, duke u njohur, në të njëjtën kohë, ata vetë dhe fëmijët e tyre në mënyrë më të plotë me parimet e ungjillit të Jezu Krishtit. Kjo mbrëmje familjare duhet t’i kushtohet lutjes, këndimit të himneve, këngëve, muzikës instrumentale, leximit të shkrimeve të shenjta, temave familjare dhe udhëzimeve të veçanta mbi parimet e ungjillit dhe mbi problemet morale të jetës, si edhe detyrave e detyrimeve të fëmijëve ndaj prindërve, shtëpisë, Kishës, shoqërisë dhe kombit. Për fëmijët më të vegjël mund të paraqiten recitime, këngë, histori dhe lojëra të përshtatshme. Mund të shërbehen gosti të lehta të llojit që mund të përgatiten më shumë në shtëpi.

Formalizmi dhe ashpërsia duhet të shmangen me maturi dhe e gjithë familja duhet të marrë pjesë në aktivitete.

Këto mbledhje do të sigurojnë mundësi për mirëbesim të ndërsjellë mes prindërve dhe fëmijëve, mes vëllezërve dhe motrave, si edhe do të japin mundësi për fjalë paralajmërimi, këshille dhe këshillimi nga prindërit për djemtë dhe vajzat e tyre. Ato do të ofrojnë mundësi për djemtë dhe vajzat që të nderojnë atin dhe nënën dhe të tregojnë vlerësimin e tyre për bekimet e shtëpisë në mënyrë që premtimi i Zotit për ta vërtet të mund të plotësohet dhe jeta e tyre të zgjatet e të bëhet e lumtur. …

Ne … i nxitim të rinjtë të qëndrojnë në shtëpi atë mbrëmje dhe të përdorin të gjitha energjitë e tyre që ta bëjnë atë sa më udhëzuese, të dobishme dhe interesante.

Nëse shenjtorët i binden kësaj këshille, ne premtojmë se bekime të mëdha do të pasojnë. Dashuria në shtëpi dhe bindja ndaj prindërve do të rriten. Besimi do të zhvillohet në zemrat e rinisë së Izraelit dhe ata do të fitojnë fuqi për të luftuar ndikimet e liga dhe tundimet që i mësyjnë ata.

Vëllezërit tuaj,

Jozef F. Smith

Anton H. Land

Çarls W. Penrous

Presidenca e Parë