Shkrimet e Shenjta
Një Shpjegim i Shkurtër mbi Librin e Mormonit


Një Shpjegim i Shkurtër mbi
Librin e Mormonit

Libri i Mormonit është një anal i shenjtë i popujve në Amerikën e lashtë dhe ishte gdhendur mbi fletë të holla metali. Në këtë libër flitet për katër lloje fletësh prej metali:

  1. Fletët e Nefit, që ishin dy llojesh: Fletët e Vogla dhe Fletët e Mëdha. Të parat, më në veçanti u kushtoheshin më shumë çështjeve shpirtërore, shërbesës dhe mësimeve të profetëve, kurse të dytat kishin të bënin më shumë me historinë laike të atyre popujve (1 Nefi 9:2–4). Megjithatë, që nga koha e Mosias, fletët e mëdha përfshinë edhe çështje me rëndësi të madhe shpirtërore.

  2. Fletët e Mormonit, që përmbajnë një përmbledhje nga Mormoni të Fletëve të Mëdha të Nefit, me shumë komente. Këto fletë përmbanin gjithashtu një vazhdim të historisë nga Mormoni dhe shtesa nga i biri, Moroni.

  3. Fletët e Ethërit, që paraqesin një histori të Jareditëve. Ky anal u përmblodh nga Moroni, i cili përfshiu komente të tija dhe e bashkoi analin me historinë e përgjithshme, nën titullin “Libri i Ethërit.”

  4. Fletët prej tunxhi, të sjella nga njerëzit e Lehit nga Jeruzalemi në vitin 600 para K. Këto përmbanin “pesë librat e Moisiut,…Dhe gjithashtu, një anal të Judenjve që nga fillimi, deri në fillimin e mbretërisë së Zedekias, mbret i Judës; Si dhe profecitë e profetëve të shenjtë” (1 Nefi 5:11–13). Shumë citime nga këto fletë, që përmendin Isaian dhe profetë të tjerë biblikë dhe jobiblikë shfaqen në Librin e Mormonit.

Libri i Mormonit përfshin pesëmbëdhjetë pjesë ose ndarje kryesore, të njohura, me një përjashtim, si libra, secili i emërtuar me emrin e autorit të tij kryesor. Pjesa e parë (gjashtë librat e parë, duke mbaruar me Omnin) është një përkthim nga Fletët e Vogla të Nefit. Mes librave të Omnit dhe të Mosias është një përfshirje e quajtur Fjalët e Mormonit. Kjo përfshirje lidh analin e gdhendur në Fletët e Vogla me përmbledhjen e Mormonit të Fletëve të Mëdha.

Pjesa më e gjatë, nga Mosia te Mormoni, duke përfshirë kapitullin 7, është një përkthim i përmbledhjes së Mormonit të Fletëve të Mëdha të Nefit. Pjesa përfundimtare, nga kapitulli 8 i Mormonit deri në fund të vëllimit, u gdhend nga biri i Mormonit, Moroni, i cili pasi mbaroi analin e jetës së atit të tij, bëri një përmbledhje të analit të Jareditëve (si Libri i Ethërit) dhe më vonë shtoi pjesët e njohura si Libri i Moronit.

Në ose rreth vitit 421 pas K. Moroni, i fundit i profetëve-historianë Nefitë, vulosi analin e shenjtë dhe e fshehu te Zoti, që të sillet në dritë në ditët e mëvonshme, si qe parashikuar nga zëri i Perëndisë nëpërmjet profetëve të tij të lashtë. Më 1823 pas K. i njëjti Moron, atëherë një qenie e ringjallur, vizitoi Profetin Joseph Smith dhe më pas ia dorëzoi fletët e gdhendura atij.