2007
Të Mësosh Ligjin e Zotit
Prill 2007


Të Mësosh Ligjin e Zotit

Bazuar në një histori të vërtetë

“Sillni gjithë të dhjetat në shtëpinë e thesarit, që të ketë ushqim në shtëpinë time” (Malakia 3:10).

Kjo do të jetë ngarkesa e 10-të” i thirri babai Dejvidit. “Çoje karrocën në kodrinë.” Djaloshi Dejvid O. MekKei pa përmes fushës, aty ku po tregonte me gisht i ati. Nëntë ngarkesat e para me bar që mblodhën ishin të një cilësie më të ulët. Dejvidi e dinte se kjo ngarkesë e dhjetë që kishte barin më të mirë do të shkonte në shtëpinë e ruajtjes së peshkopit, si pagesë e tyre e së dhjetës. Por ai nuk e kuptonte përse nuk mund t’i jepnin Zotit të njëjtin bar që mblidhnin për vete.

Dejvidi i thirri të atit: “Jo, le të mbledhim barin pa e përzgjedhur”.

Babai i Dejvidit nuk u përgjigj. Dejvid u bë gati të përsëriste atë që tha, ndërkohë pa që i ati po kthehej dhe po ecte në drejtim të tij. Befas, puhiza në fushën e barit nuk ndihej më dhe dielli filloi të bëhej shumë i nxehtë. Dejvidi fshiu djersën nga balli dhe nga mbrapa qafës. E dinte se i ati nuk po përshkonte gjithë fushën për t’i rënë shpatullave për përgjigjen e tij të pakëndshme. Ai po bënte gjithë atë rrugë për t’u siguruar që Dejvid të kuptonte diçka.

“Jo, Dejvid.” I ati i foli rreptë, megjithatë qetësia në zërin e tij bëri që Dejvid t’i kushtonte më shumë vëmendje. “Kjo është ngarkesa e dhjetë dhe vetëm më e mira është e mjaftueshme për Zotin.” Babai i Dejvidit pa nga afër fytyrën e djalit të tij për t’u siguruar se ai po e dëgjonte. Më pas u kthye dhe u largua.

Dejvidi u gëlltit dhe më pas e çoi karrocën me kuaj në kodrinë. Ndërsa ngarkonte barin e prerë në karrocë, filloi të mendonte për çka babai po mundohej t’i mësonte. Edhe pse e dinte se e dhjeta ishte ligj, po aq sa ç’është bindja dhe sakrifica, Dejvidi donte të vendoste në plan të parë nevojat e tij vetjake. Por Perëndia kishte thënë që të merreshin të parëlindurit e bagëtive—më të mirët—dhe t’i jepeshin Atij (shih Ligji i Përtërirë 12:6).

“Im at ia jep më të mirën Perëndisë dhe të mirat e tjera i marrim ne”, mendoi Dejvid. “Ndoshta kjo është mënyra se si e bëjmë Zotin qendrën e mendimeve dhe jetës sonë.”

Ka pasur raste kur Dejvid kishte parë të ëmën e tij të paguante para për të dhjetën. Në vend që t’i harxhonte paratë për atë që kishte nevojë dhe pastaj të shpresonte se do të mbeteshin disa për të dhjetën, ajo ia dërgonte menjëherë paratë e së dhjetës peshkopit dhe kullundrisej me atë që mbetej. E para dhe më e mira i jepej gjithmonë Perëndisë.

Dejvid e ktheu karrocën me bar poshtë rrugës me pluhur drejt shtëpisë së ruajtjes së peshkopit. E çoi karrocën deri në oborr dhe shkarkoi barin. Ishte sakrificë për babain e tij që barin më të mirë t’ia jepte Zotit, por Dejvid e dinte se babai i tij nuk mund të pranonte të ndodhte ndryshe. Ai donte t’ia jepte më të mirën Zotit, ashtu si Ati Qiellor dha Birin e Tij të përsosur për botën.

Ndërsa Dejvid po e kthente tufën me kuaj drejt shtëpisë, një ndjenjë e mirë e pushtoi. Ndihej i lumtur që i ati i kishte mësuar ligjin e së dhjetës. Ishte një mësim që nuk do ta harronte sa të kish jetë.

Përshtatur nga Teachings of Presidents of the Church: David O. McKay (2003), xv. Presidenti MekKei (1873–1970) shërbeu si Presidenti i nëntë i Kishës, nga viti 1951 deri në vitin 1970.

Pamja

“Pagimi i së dhjetës është provë që tregon se pranojmë ligjin e sakrificës. Ai na përgatit gjithshtu për ligjin e përkushtimit dhe për ligjet e tjera të larta të mbretërisë çelestiale.”

Plaku Dallin H. Ouks i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, “Tithing”, Ensign, maj 1994, faqe 34.