2007
Biblioteka e Historisë Familjare Feston Tradita nga mbarë Bota
Prill 2007


Biblioteka e Historisë Familjare Feston Tradita nga mbarë Bota

Thurja e zbukurimeve të Krishtlindjes skandinave dhe të kënduarit e versionit skocez të këngës “Auld Lang Syne”, ishin vetëm dy nga aktivitetet e dhjetorit në Bibliotekën e Historisë Familjare në Solt Lejk Siti. Ata që morën pjesë në klasat pa pagesë të mbrëmjeve të mbajtura nga 28 nëntori deri më 22 dhjetor mësuan rreth traditave të festave nga vende dhe grupe etnike të ndryshme.

Shumica e klasave të shkurtra u planifikuan dhe mësuan nga amëtarë të vendeve të ndryshme, të cilët diskutuan tema të tilla si festimet, ushqimet, zbukurimet dhe muzika e dhjetorit. Klasat ishin të hapura për publikun dhe u ofruan gjithashtu aktivitete familjare.

Familjet u nxitën të bënin një version të tabelës së prejardhjes familjare për fëmijët. Fëmijëve iu kërkua të bënin një vizatim të vetes së tyre, prindërve dhe gjyshërve/gjysheve në tabelë. Secili mori një karamele me mente dhe ato familje që mund të plotësonin një tabelë me katër breza, morën një stilolaps me fjalët e gdhendura “Historia familjare është argëtuese!”

Lista me ide për mbrëmje familjare në shtëpi dhe për historinë familjare ishin të disponueshme për familjet për t’i marrë me vete. Një fletë shpjegonte se si fëmijët dhe prindërit mund të intervistonin gjyshërit dhe gjyshet.

Vendet e paraqitura përfshinë: Norvegjinë, Francën, Gjermaninë, Skocinë, Holandën, Republikën Çeke, Suedinë dhe Danimarkën. Traditat judease dhe pioniere u diskutuan gjithashtu.

Dajen Lusli, administratore e shërbimit për fillestarët, tha që kjo është hera e parë që biblioteka ka sponsorizuar këtë eveniment.

Motra Lusli shpjegoi se aktivitetet patën si synim të sillnin njerëz që normalisht nuk vijnë në Bibliotekën e Historisë Familjare. Ajo tha: “Një nga qëllimet e bibliotekës është ta bëjë ardhjen aty një përvojë më të mirë. Ne duam që njerëzit të vijnë dhe të zbulojnë se është më pak e komplikuar sesa ata menduan se do të ishte”.

Biblioteka kryesore e Historisë Familjare të Kishës është biblioteka më e madhe e llojit të saj dhe është e hapur pa pagesë për publikun në përgjithësi. Është vlerësuar se 1900 ose më shumë përdorues e vizitojnë bibliotekën çdo ditë që ajo është hapur.

Klasa pa pagesë ofrohen për njerëz me përvoja të ndryshme, përfshirë klasa për fillestarët dhe 125 pjesëtarë stafi profesionistë, që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, janë në dispozicion për të ndihmuar. Gjithashtu afërsisht 400 vullnetarë të trajnuar dhurojnë nga koha e tyre për të ndihmuar. Për më shumë informacion, vizitoni faqen www.familysearch.org.