2007
Shembulli i Një Personi
Prill 2007


Shembulli i Një Personi

Pamja

T itulli i postës së fundit elektronike më solli lajme të trishtueshme: “Varrimi për Uendi Knaup”. Ndërsa fshihja lotët, mendova për atë ditë kur, më shumë se 40 vjet më parë, shoku im misionar dhe unë u takuam me Uendi dhe Pol Knaup pranë një dyqani lulesh, brenda stacionit të trenit në Frankfurt. Si një çift i ri amerikan që kishin ardhur në Gjermani me detyrë ushtarake, ata ndodheshin larg shtëpisë dhe prisnin fëmijën e tyre të parë. Për shkak se presidenti ynë i misionit na kishte nxitur të ishim “në çdo çast misionarë”, filluam një bisedë me ta.

Ndërsa u mësonim diskutimet misionare, më bëri përshtypje drita në shpirtin e Uendit. Ajo ishte gazmore, e zgjuar dhe shumë e gjallë shpirtërisht. E ndjente kuptimin e Rivendosjes me instinkte të sigurta. Ishte privilegj që t’i qëndroje aq pranë dhe të shihje teksa dëshmia e saj rritej dhe teksa ajo dritë në fytyrën e saj forcohej gjithmonë e më shumë.

Më shumë se 30 vjet më pas, Uendi rikujtoi vizitën e saj të parë me ne: “Do ta kujtoj gjithmonë ndjenjën që përjetova kur dëgjova për herë të parë historinë e Jozef Smithit! Mund të përfytyroj apartamentin tonë të vogël në katin e sipërm, që ndoshta kishte madhësinë e dhomës tonë të gjumit sot, ndërsa ne qëndronim të ulur në anën e divanit-krevat [përballë misionarëve]. Më kujtohet që ndieja një mahnitje dhe lehtësim. Gjithmonë e kam ndier se duhet të ekzistojë diçka e tillë diku në botë. Nuk kishte kuptim që Perëndia të na linte të pengoheshim verbërisht, siç faktikisht po ndodhte… . Dukej aq e drejtë dhe unë e besova.”

Megjithatë, menjëherë pasi Uendi dhe Poli vendosën të pagëzoheshin, dëgjuan një pjesëtar të familjes i cili kritikoi politikën e Kishës mbi personat që mund të merrnin priftërinë. Ata ndjenë konfuzion dhe shkurajim. Na thanë se nuk duhej t’u bënim më vizita—përveçse edhe një herë të fundit për t’u thënë lamtumirë. Nuk dinim se si t’u përgjigjeshim pyetjeve të tyre, por e dinim se kishim edhe një rast të fundit. Ndërsa po bisedonim, u ndjeva i nxitur për t’u lexuar një shkrim të shenjtë, të cilin e kisha vënë re gjatë studimit tim të fundit personal, historinë e Pjetrit dhe Kornelit, tek Veprat e Apostujve 10–11. Atë mbrëmje kuptova përmbushjen e premtimit të Zotit për misionarët: “Do t’ju jepet në orën e duhur, po, në çastin e duhur, se çfarë duhet të thoni… . [dhe] Fryma e Shenjtë do të derdhet për të dhënë dëshmi për të gjitha gjërat që ju do të thoni” (DeB 100: 6, 8). Ndërsa luteshim së bashku, të gjithë ndjemë shpirtin e paqes.

Disa vite më vonë Uendi foli pikërisht për këtë përvojë: “Nuk e mbaj mend se çfarë na thanë apo për çfarë biseduam, por ajo dritë … Shpirti … u kthye dhe unë e dija se ishte e vërtetë dhe, edhe pse nuk kuptova plotësisht gjithçka, mesazhi ishte ende i vërtetë dhe ne duhet ta pranonim, pasi një ditë në të ardhmen do ta kuptonim.”

Poli dhe Uendi u pagëzuan. Shumë shpejt u vulosën në tempull. Midis sprovave të zakonshme të jetës familjare, ata rritën pesë fëmijë që si rrjedhojë u bënë të gjithë aktivë në Kishë. Disa shërbyen në mision. Poli ishte mësues shkolle. Poli dhe Uendi këndonin duete të mrekullueshme në kishë së bashku. Uendi udhëhoqi korin e saj të lagjes për vite të tëra. E donin tempullin dhe arritën të njihnin për veten e tyre “gëzimin e shenjtorëve” (Enosi 1:3).

Një herë, në Londër, ndërsa ishim në kishë, gruaja ime, Maria, dhe unë takuam një grua me emrin Libi Kasas nga Mein (SHBA). Për shkak se çifti Knaup ishin njerëzit e vetëm që njihnim atëherë nga Meini, e pyetëm nëse edhe ajo i njihte. Fytyra e saj ndriçoi: “A i njoh? Uendi është shoqja ime e dashur. Ajo më njohu me ungjillin!” Uendi e kishte takuar Libin në një lavanderi—dy nëna që lanin rrobat e shtëpisë—dhe ndau me të ungjillin, ashtu siç ne kishim bërë me Uendin në stacionin e trenit. Ajo që së pari i bëri Libit më shumë përshtypje për Kishën ishte fuqia e shembullit vetjak të Uendit—si nënë, bashkëshorte dhe njeri. Për Libin, të paktën në fillim, vetë Uendi ishte mesazhi i Rivendosjes.

Çifti Knaup më vonë jetoi në Oregon. Më pas, vitin e kaluar, pasi morëm vesh se Uendi kishte kancer, u bekuam kur morëm vesh se ata po vizitonin Jutën gjatë konferencës së përgjithshme. Bashkëshorti i Uendit, djali i tyre i kthyer nga misioni dhe unë i dhamë një bekim. Folëm për përvojat tona përgjatë katër dhjetëvjeçarëve të fundit. Ishte e qartë se për ta ungjilli ishte gjithçka. Ishte qendra dhe qëllimi i jetës së tyre dhe i jetës së fëmijëve të tyre. Poli dhe Uendi donin jashtëzakonisht të ishin të shëndetshëm, në mënyrë që të mund të realizonin ëndrrën e tyre për të shërbyer në një mision së bashku.

Jo shumë kohë para se të vdiste, Uendi më shkroi këto fjalë në një letër: “Ndiej vërtet se ndodhem në krahët e Zotit. Ai mund të bëjë gjithçka që dëshiron dhe unë gjendem nën përkujdesjen e Tij.” Ajo shprehu mirënjohje për ungjillin dhe familjen dhe më pas shkroi: “A nuk është Zoti i mrekullueshëm?!”

Tani Uendi ka ndërruar jetë dhe familjen e saj e merr jashtëzakonisht malli. Kur i biri na shkroi për vdekjen e saj, ai tha: “Faleminderit që e sollët mamanë në dritën e ungjillit. Ajo jetoi me bindje ndaj urdhërimeve.” Ai tha se një herë mamaja e tij i kishte shkruar: “E dua Zotin dhe i jam përjetësisht mirënjohëse [Atij] që më solli ungjillin e çmuar në jetën time. Unë dua të tregoj më shumë se çdo gjë tjetër se jam besnike dhe se po mundohem të qëndroj e tillë.”

Për shkak se për Uendin dhe familjen e saj ungjilli ishte gjithçka, ne, të cilët ishim misionarët e saj, e kuptojmë “sa i madh do të jetë gëzimi juaj” (DeB 18:15) me të në mbretërinë e Atit tonë. Ungjilli ishte gjithçka për të, kështu që edhe përvoja ime misionare me të është gjithçka për mua. Nuk është i habitshëm fakti që Zoti tha se bërja e punës misionare është “gjëja që do të jetë më me vlerë për ty” (DeB 15:6; theksimi i shtuar).

Presidenti Gordon B. Hinkli ka thënë: “Unë dua t’u përgjërohem shenjtorëve që të bëjnë gjithçka munden për të siguruar rekomandime [për njerëz] që [misionarët] mund t’i mësojnë… . Çdo njeri që e shikoni të vijë në Kishë për shkak të përpjekjeve tuaja do t’ju sjellë lumturi në jetë. E them këtë si një premtim për secilin prej jush” (“Mendime Frymëzuese”, Liahona, 3 tetor 2003, fq.3).

E kam provuar vetë se ç’kuptim ka ai premtim. Edhe unë ju përgjërohem që të njihni me Kishën këtë vit sikur edhe një person—dhe të mos dorëzoheni kur ata të përballen me ndonjë kundërshtim. Nëse siguroheni që të mos t’i lini këto mundësi t’ju ikin, do të thoni së bashku me Uendi Knaup: “A nuk është Zoti i mrekullueshëm?!”