2007
Sakramenti— dhe Sakrifica
Prill 2007


Klasiket e Ungjillit

Sakramenti— dhe Sakrifica

Dejvid B. Hait i lindi më 2 shtator 1906 në Oukli, Idaho, çiftit Hektor C. dhe Klara Tatëll Hait. Ai u martua me Rubi Olson në Tempullin e Solt Lejkut në 4 shtator 1930. Përpara se të thirrej si autoritet i përgjithshëm, ai kishte një karrierë të suksesshme në tregëtinë me pakicë; shërbeu si kryetar bashkie i Palo Alto, Kaliforni dhe kryesoi mbi Misionin Skocez. U shugurua Apostull në 8 janar 1976. Vdiq më 31 korrik 2004, në moshën 97 vjeçare.

Pamja

Para gjashtë muajsh, në konferencën e prillit, m’u dha leje për të mos folur meqë po merrja veten nga një operacion i rëndësishëm. Jeta m’u kursye dhe tani kam mundësinë e këndshme për të vënë në dukje bekimet, ngushëllimin dhe ndihmën e gatshme të Vëllezërve të mi në Presidencinë e Parë dhe Kuorumin e të Dymbëdhjetëve, si dhe të kolegëve dhe miqve të tjerë të mrekullueshëm të cilëve u detyrohem aq shumë dhe të cilët rrethuan gruan time të dashur Rubin dhe familjen time me kohën, vëmendjen dhe lutjet e tyre… .

Mbrëmjen që pata kriza shëndetësore, e kuptova se më kishte ndodhur diçka tepër e rëndë. Ngjarjet ndodhën shumë shpejt—dhimbja goditi me shumë forcë, Rubi im i dashur telefonoi doktorin dhe familjen, unë qëndroja në gjunjë mbi vaskë për mbështetje dhe qetësim dhe shpresoja çlirim nga dhimbja. Po i lutesha Atim tim Qiellor të më kursente jetën edhe pak, për të më dhënë edhe pak kohë për të bërë punën e Tij, nëse ishte vullneti i Tij.

Ndërkohë që po lutesha, fillova të humbja ndjenjat. Sirena e ambulancës ishte gjëja e fundit që kujtoj përpara se të humbja ndjenjat, gjë e cila do të zgjaste edhe për disa ditë të tjera në vijim.

Dhimbja e tmerrshme dhe gjendja e shqetësuar e njerëzve rreshti. Tashmë ndodhesha në një vend të qetë dhe të paqtë; gjithçka ishte e kthjellët dhe e patrazuar. Pashë dy persona në distancë në një kodër, njëri duke qëndruar në një vend më të ngritur se tjetri. Detajet e tjera nuk ishin të dukshme. Personi në vendin më të ngritur po tregonte diçka të cilën nuk mund ta shihja.

Nuk dëgjova zëra, por isha i ndërgjegjshëm që ndodhesha në një prani dhe atmosferë të shenjtë. Gjatë orëve dhe ditëve në vazhdim, më mbeti në mënyrë të vazhdueshme në mendje misioni i përjetshëm dhe pozita e ekzaltuar e Birit të Njeriut. Unë ju dëshmoj se Ai është Jezu Krishti, Biri i Perëndisë, Shpëtimtari i të gjithëve, Shëlbuesi i të gjithë njerëzimit, Dhuruesi i dashurisë, mëshirës dhe faljes së pafundme, Drita dhe Jeta e botës. E dija këtë të vërtetë edhe më parë—nuk e kisha vënë kurrë në dyshim dhe as nuk kisha qenë mosbesues. Por tani i dija, për shkak të ndjenjave të Shpirtit në zemrën dhe shpirtin tim, këto të vërteta hyjnore në një mënyrë shumë të pazakontë.

Po më tregohej një panoramë e gjerë e shërbesës së Tij tokësore: pagëzimi i Tij, mësimdhënia e Tij, shërimet e të sëmurëve dhe të çalëve prej Tij, Kryqëzimi, Ringjallja dhe Ngjitja e Tij në Qiell. Në mendjen time u shfaqën skena të shërbesës së Tij tokësore me detaje mbresëlënëse, duke vërtetuar historitë e dëshmitarëve okularë nga shkrimet e shenjta. Po më mësohej dhe sytë e të kuptuarit tim u hapën nga Shpirti i Shenjtë i Perëndisë në mënyrë që të vështroja shumë gjëra.

Skena e parë ishte ajo e Shpëtimtarit dhe Apostujve të Tij në katin e sipërm në mbrëmjen kur Ai u tradhëtua. Pas darkës së Pashkës, Ai udhëzoi dhe përgatiti sakramentin e Darkës së Zotit për miqtë e Tij më të dashur si kujtim për sakrificën e Tij që po afrohej. M’u portretizua në mënyrë aq mbresëlënëse—dashuria tronditëse e Shpëtimtarit për secilin. Dëshmova shqetësimin e Tij të kujdesshëm për detaje kuptimplote—larja e këmbëve me pluhur të secilit Apostull, thyerja dhe bekimi prej Tij i bukës së zezë dhe bekimi i verës, dhe pastaj shpallja e frikshme prej Tij që njëri do ta tradhëtonte.

Ai shpjegoi nisjen e Judas dhe u tha të tjerëve për ngjarjet që do të ndodhnin së shpejti.

Më pas erdhi shprehja solemne e Shpëtimtarit kur Ai u tha të Njëmbëdhjetëve: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!” (Gjoni 16:33).

Shpëtimtari iu lut Atit të Tij dhe e njohu Atin si burimin e autoritetit dhe fuqisë së Tij—madje në dhënien e jetës së përjetshme të gjithë atyre që janë të denjë.

Ai u lut: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar”.

Jezusi pastaj me nderim shtoi:

“Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.

Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota” (Gjoni 17:3–5).

Ai u lut jo vetëm për dishepujt e thirrur nga bota të cilët kishin qenë besnikë ndaj dëshmisë për Të, “por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre” (Gjoni 17:20).

Pasi kënduan një himn, Jezusi dhe të Njëmbëdhjetët shkuan në Malin e Ullinjve. Atje, në një kopsht, në një mënyrë matanë të kuptuarit tonë, Shpëtimtari mori mbi Vete barrën e mëkateve të njerëzimit nga Adami deri në mbarim të botës. Agonia e tij në kopsht, Lluka na thotë, ishte aq e madhe sa “djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë” (Lluka 22:44). Ai vuajti një agoni dhe një barrë të tillë që asnjë qenie njerëzore nuk do të ishte në gjendje ta mbante. Në atë orë vuajtjeje Shpëtimtari kapërceu të gjithë fuqinë e Satanit.

Zoti i përlavduar i zbuloi Jozef Smithit këtë paralajmërim për të gjithë njerëzimin:

“Prandaj unë të urdhëroj të pendohesh… .

Pasi … unë, Perëndia … [vuajta] … për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; …

Vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por, …

Si rrjedhim, unë të urdhëroj përsëri të pendohesh, përndryshe do të të përul me fuqinë time të plotfuqishme; dhe që ti të rrëfesh mëkatet e tua, përndryshe do t’i vuash këto ndëshkime” (DeB 19:15–16, 18, 20).

Gjatë atyre ditëve që kisha humbur ndjenjat, m’u dha, nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë, një njohuri më e përkryer e misionit të Tij. M’u dha gjithashtu një kuptim më i plotë i asaj se çfarë do të thotë të ushtrosh, në emrin e Tij, autoritetin për të zbuluar të fshehtat e mbretërisë së qiejve për shpëtimin e të gjithë atyre që janë besnik. Shpirtit tim iu mësuan herë pas here ngjarjet e tradhëtisë, gjykimit të padrejtë, fshikullimit të mishit madje të një anëtari të Kreut Perëndi. Dëshmova vuajtjet e Tij ndërsa i ngjitej kodrës dhe gjendjen e Tij të dobësuar ndërsa po mbante kryqin, trupin e tij të shtrirë në tokë mbi kryq që gozhdët e ashpra t’i nguleshin me një çekiç në duart, kyçet dhe këmbët e Tij për t’i mbajtur trupin ndërsa varej mbi kryq për t’u soditur nga njerëzit.

Kryqëzimi—vdekja e tmerrshme dhe e dhimbshme të cilën Ai vuajti—ishte zgjedhur që nga fillimi. Nga ajo vdekje torturuese, Ai zbriti nën gjithçka, ashtu siç është shkruar, se nëpërmjet Ringjalljes së Tij Ai do të ngjitet mbi të gjitha gjërat (shih DeB 88:6).

Jezu Krishti vdiq në të njëjtën mënyrë siç do të vdesim të gjithë. Trupi i tij u vu në një varr. Shpirti i pavdekshëm i Jezusit, i zgjedhur si Shpëtimtari i njerëzimit, shkoi tek ato mori shpirtrash, të cilët ishin larguar nga jeta e vdekshme në shkallë të ndryshme drejtësie ndaj ligjeve të Perëndisë. Ai u mësoi atyre “lajmet e lavdishme të shëlbimit nga skllavëria e vdekjes dhe të shpëtimit të mundshëm … [që ishte] pjesë e shërbimit të paracaktuar dhe të veçantë të Shpëtimtarit [tonë] për familjen njerëzore”1.

Nuk mund t’ju them se sa shumë mbresë këto skena kanë lënë në shpirtin tim. Ndiej kuptimin e tyre të përjetshëm dhe e kuptoj se “asgjë në të gjithë planin e shpëtimit nuk mund të krahasohet në ndonjë mënyrë në rëndësi me ngjarjen më frymëzuese nga të gjitha, sakrificën shlyese të Zotit tonë. Është gjëja më me rëndësi që ka ndodhur ndonjëherë në të gjithë historinë e gjërave të krijuara; është themeli i gurtë mbi të cilin qëndron ungjilli dhe të gjitha gjërat e tjera” 2, siç është deklaruar.

At Lehi mësoi birin e tij Jakobin dhe ne sot:

“Kështu që, shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë; pasi ai është plot hir dhe vërtetësi.

Vër re, ai ofron veten si sakrificë për mëkatin, për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit, për të gjithë ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar; dhe për askënd tjetër nuk mund të plotësohen kërkesat e ligjit.

Kështu që, sa e madhe rëndësia që këto gjëra t’u bëhen të njohura banorëve të tokës, që ata të mund të dinë se nuk ka mish që mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë, i cili jep jetën e tij sipas mishit dhe e merr rishtas nëpërmjet fuqisë së Shpirtit, që ai të mund të shkaktojë ringjalljen e të vdekurve, duke qenë ai i pari që do të ngrihet.

Kështu që, ai është fruti i parë i Perëndisë, për aq sa ai do të bëjë ndërmjetësim për të gjithë fëmijët e njerëzve; dhe ata që besojnë në të, do të shpëtohen” (2 Nefi 2:6–9).

Përvoja jonë adhuruese më me vlerë në mbledhjen e sakramentit është ordinanca e shenjtë e sakramentit, për shkak se na jep mundësinë për të përqendruar mendjen dhe zemrën tonë tek Shpëtimtari dhe sakrifica e Tij.

Apostulli Pal i paralajmëroi shenjtorët e hershëm që të mos ta hanin këtë bukë dhe mos ta pinin këtë kupë të Zotit të padenjë (shih 1 Korintasve 11:27–30).

Vetë Shpëtimtari ynë i udhëzoi Nefitët: “Kushdo që ha dhe pi mishin dhe gjakun tim, duke qenë i padenjë, [sjell] mallkimin e shpirtit të tij” (3 Nefi 18:29).

Marrësit e denjë të sakramentit janë në harmoni me Zotin dhe e vendosin veten e tyre nën besëlidhje me Të për të kujtuar gjithmonë sakrificën e Tij për mëkatet e botës, për të marrë mbi vete emrin e Krishtit, për ta kujtuar gjithmonë Atë dhe për të mbajtur urdhërimet e Tij. Shpëtimtari na premton se, ne që e bëjmë këtë do të kemi Shpirtin e Tij me ne dhe se, nëse jemi besnikë deri në fund, mund të trashëgojmë jetën e përjetshme.

Zoti jonë i zbuloi Jozef Smithit se “nuk ka dhuratë më të madhe sesa dhurata e shpëtimit” (DeB 6:13), plan i cili përfshin ordinancën e sakramentit si një kujtues i vazhdueshëm i sakrificës shlyese të Shpëtimtarit. Ai udhëzoi se “është e domosdoshme që kisha të takohet së bashku shpesh për të marrë bukë dhe verë në kujtim të Zotit Jezus” (DeB 20:75).

Pavdekësia na vjen të gjithëve si një dhuratë falas vetëm nëpërmjet mëshirës së Perëndisë, pa vepra drejtësie. Jeta e përjetshme, megjithatë, është shpërblimi i bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij.

Ju dëshmoj të gjithë juve se Ati ynë Qiellor u përgjigjet lutjeve tona të drejta. Njohuria shtesë që më ka ardhur ka lënë një mbresë të madhe në jetën time. Dhurata e Frymës së Shenjtë është një zotërim i paçmuar dhe hap dyert e njohurisë sonë të vazhdueshme për Perëndinë dhe gëzimin e përjetshëm.

Nga një bisedë e konferencës së përgjithshme të vitit 1989; shkrimi me gërma të mëdha dhe pikësimi janë modernizuar.

Shënime

  1. James E. Talmage, Jesus the Christ, botimi i 6-të (1922), 671.

  2. Bruce R. McConkie, Mormon Doctrine, botimi i 2-të (1966), 60.