2007
Një Zemër të Thyer dhe një Shpirt të Penduar
Nëntor 2007


Një Zemër të Thyer dhe një Shpirt të Penduar

Ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo dhe gjithçka që u kërkon Perëndia.

Pamja

Sa e dua Plakun Xhozef B. Uirthlin! Poeti Rudjard Kipling shkroi fjalët e mëposhtme më 1897, që ishin një paralajmërim për Perandorinë Britanike kundrejt krenarisë:

Zhurmat e britmat fashiten;

Kapitenët dhe mbretërit vdesin.

Por ende mbetet sakrifica jote e lashtë,

një zemër e përulur dhe e penduar.

(“God of Our Fathers, Known of Old”, Hymns, nr. 80.)

Kur Kiplingu fliste për një zemër të penduar si një “sakrificë e lashtë”, ndoshta ai kishte në mendje fjalët e mbretit David në Psalmin e 51-të: “Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; … [zemër] e thyer dhe [e] penduar” (vargu 17). Fjalët e Davidit tregojnë se edhe në kohën e Dhjatës së Vjetër, njerëzit e Zotit e kuptonin se zemrat e tyre duhet t’i jepeshin Perëndisë, se vetëm ofertat që digjeshin nuk mjaftonin.

Sakrificat e urdhëruara gjatë periudhës ungjillore të Moisiut përfaqësonin simbolikisht sakrificën shlyese të Mesias, që është e vetmja që mund të ripajtojë njeriun mëkatar me Perëndinë. Siç na mësoi Amuleku: “Vini re, ky është i tërë kuptimi i ligjit, çdo pjesë e vogël duke vënë në dukje atë flijim të madh dhe të fundit; … [Birin e] Perëndisë” (Alma 34:14).

Pas Ringjalljes së Tij, Jezu Krishti i deklaroi njerëzve në Botën e Re:

“Flijimet tuaja dhe olokaustet tuaja do të marrin fund, pasi unë nuk do të pranoj asnjë nga [ato]… .

Dhe ju do të më ofroni për fli një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar. Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer … , atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë” (3 Nefi 9:19-20).

Çfarë janë një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar? Dhe përse konsiderohen një sakrificë?

Ashtu si për të gjitha gjërat, jeta e Shpëtimtarit na ofron një shembull të përkryer: megjithëse Jezusi i Nazaretit ishte plotësisht i pamëkatë, Ai e jetoi jetën me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, si një shfaqje të nënshtrimit të Tij ndaj vullnetit të Atit. “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). Dishepujve të Tij Ai u tha: “Mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra” (Mateu 11:29). Dhe kur erdhi koha të paguante sakrificën e fundit që ishte pjesë e domosdoshme e Shlyerjes, Krishti nuk refuzoi që të pinte kupën e hidhur, por iu nënshtrua plotësisht vullnetit të Atit të Tij.

Nënshtrimi i përsosur i Shpëtimtarit ndaj Atit të Përjetshëm është shembulli i përsosur i një zemre të thyer dhe shpirti të penduar. Shembulli i Krishtit na mëson se një zemër e thyer është një tipar i përjetshëm i perëndishmërisë. Kur zemrat tona thyhen, ne jemi plotësisht të hapur ndaj Shpirtit të Perëndisë dhe e kuptojmë varësinë tonë nga Ai për gjithçka kemi dhe për gjithçka jemi. Sakrifica e nevojshme kështu, është një sakrificë e krenarisë në të gjitha format e saj. Ashtu si balta e lakueshme në duart e një poçari të zotë, zemra e thyer mund të modelohet e të marrë formë në duart e Mjeshtrit.

Një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar janë gjithashtu kushtet paraprake për pendim. Lehi na mësoi:

“Kështu që, shëlbimi vjen nëpërmjet Mesias së Shenjtë… .

Vër re, ai ofron veten si sakrificë për mëkatin, për t’iu përgjigjur kërkesave të ligjit, për të gjithë ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar; dhe për askënd tjetër nuk mund të plotësohen kërkesat e ligjit” (2 Nefi 2:6-7).

Kur mëkatojmë dhe dëshirojmë të marrim falje, një zemër e thyer dhe një shpirt i penduar do të thotë të provojmë “trishtim sipas Perëndisë [që] sjell pendim” (2 Korintasve 7:10). Kjo vjen kur dëshira jonë që të pastrohemi nga mëkati është kaq e fuqishme saqë zemra na dhemb nga hidhërimi dhe jemi të etur të ndjehemi në paqe me Atin tonë në Qiell. Ata që kanë një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo dhe gjithçka që u kërkon Perëndia, pa qëndresë ose keqardhje. Ne ndalojmë së bëri gjërat sipas mënyrës sonë dhe, në vend të kësaj, mësojmë që t’i bëjmë sipas mënyrës së Perëndisë. Në kushte të tilla nënshtrimi, Shlyerja mund të funksionojë dhe mund të ndodhë pendimi i vërtetë. I penduari atëherë do të provojë fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë, që do ta mbushë me paqen e ndërgjegjes dhe gëzimin e ripajtimit me Perëndinë. Në një bashkim të mrekullueshëm tiparesh hyjnore, vetë Perëndia që na mëson të ecim me një zemër të thyer, na fton të gëzohemi e të ngazëllohemi.

Pasi të kemi marrë falje për mëkatet, një zemër e thyer shërben si një mburojë hyjnore kundër tundimit. Nefi u lut: “Qofshin dyert e ferrit të mbyllura përherë para meje, se zemra ime është e thyer dhe shpirti im është penduar!” (2 Nefi 4:32). Mbreti Beniamin e mësoi popullin e tij se nëse ata do të ecnin në thellësitë e përulësisë, ata do të mund të gëzoheshin gjithmonë, “të [mbushur] me dashurinë e Perëndisë dhe gjithmonë do të [mbanin] një heqje të mëkateve” (Mosia 4:12). Kur ia japim zemrën tonë Zotit, tërheqjet e botës thjesht e humbasin shkëlqimin.

Ka edhe një përmasë tjetër të një zemre të thyer, pikërisht mirënjohja jonë e thellë për vuajtjen e Krishtit për ne. Në Gjetseman, Shpëtimtari “zbriti nën gjithçka” (DeB 88:6) kur Ai mbajti barrën e mëkatit për çdo qenie njerëzore. Në Golgota, Ai “[përkushtoi] jetën e tij deri në vdekje” (Isaia 53:12) dhe zemra e madhe e Tij fizike vërtet u ça për hir të një dashurie të plotë për fëmijët e Perëndisë. Kur kujtojmë Shpëtimtarin dhe vuajtjen e Tij, zemra jonë gjithashtu do të çahet nga mirënjohja për të Vajosurin.

Kur bëjmë sakrificë për Të, me gjithçka kemi dhe me gjithçka jemi, Zoti do t’i mbushë zemrat tona me paqe. Ai do të “[lidhë] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer” (Isaia 61:1) dhe do të hijeshojë jetën tonë me dashurinë e Perëndisë, “më [e] ëmbël se çdo gjë që është e ëmbël … dhe [e] kulluar mbi çdo gjë që është e kulluar” (Alma 32:42). Për këtë unë dëshmoj në emrin e Jezu Krishtit, amen.