2007
Lum Ata Që Janë të Pastër në Zemër
Nëntor 2007


Lum Ata Që Janë të Pastër në Zemër

Perëndia i bekoftë përpjekjet tona të çiltra për të qenë të pastër në zemër dhe në mendje, që “virtyti [të mund] t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim”.

Pamja

Duke ecur përgjatë një plazhi në Karaibe një mëngjes me diell, disa vite më parë, gruaja ime dhe unë pamë disa varka të vogla peshkimi që ishin tërhequr në bregun me rërë. Kur ndaluam për t’i parë varkat, mësova diçka mbi peshkimin që nuk e kam harruar kurrë. Në vend që të përdornin rrjeta, fill, apo grepa, peshkatarët vendas përdornin çarqe të thjeshta të bëra me tela. Secili çark kishte formën e një kutie. Peshkatarët hapnin të çara vertikale rreth 20 cm të gjata në secilën anë të çarkut dhe më pas i përkulnin telat e prera përbrenda, duke krijuar të çara të ngushta nëpër të cilat peshqit mund të hynin.

Mendoj se mund ta marrim me mend si funksiononte çarku. Peshkatarët e merrnin në det çarkun me karrem brenda dhe e lëshonin në ujë. Kur një peshk i një madhësie të konsiderueshme për t’u ngrënë, vinte pranë çarkut dhe nuhaste karremin, gjente një të çarë në anë të çarkut dhe notonte brenda, duke u futur me vështirësi ndër telat e prerë. Më pas, kur një peshk i zënë brenda përpiqej të notonte jashtë, do të zbulonte se ishte e lehtë të çaje përmes telave të këputur për t’u futur brenda çarkut, por ishte e pamundur të notoje kundër atyre telave të mprehtë për të dalë jashtë — ai zihej brenda. Kur peshkatarët ktheheshin, ata e nxirrnin çarkun nga uji dhe peshku shpejt kthehej në një ushqim të freskët deti.

Ka një rrëfim në Dhjatën e Vjetër mbi dikë i cili ra pre e një kurthi të ngjashëm. Ai njeri ishte Mbreti i madh David, dhe ajo që i ndodhi është një nga historitë më të trishtuara të shkrimeve të shenjta.

“Me fillimin e vitit të ri, … në kohën kur mbretërit shkojnë të luftojnë, Davidi dërgoi Joabin me shërbëtorët e tij dhe me tërë Izraelin për të [luftuar kundër Amonit]. Por Davidi mbeti në Jeruzalem.

Një mbrëmje u ngrit nga shtrati i tij dhe filloi të shëtisë në tarracën e pallatit mbretëror. Nga taraca pa një grua që po bënte banjo; dhe gruaja ishte shumë e bukur” (2 Samuelit 11:1-2).

Davidi mësoi se emri i gruas ishte Bath-Sheba. Bashkëshorti i saj, Uriah, një ushtar, ishte duke luftuar Amonitët me pjesën tjetër të ushtrisë, atje ku Davidi, mbreti i tyre duhet të kishte qenë. Davidi bëri që Bath-Sheba të sillej në pallatin e tij. Ata kryen shkelje kurore, ajo mbeti me barrë dhe Davidi filloi të frikësohej se shkelja e tyre e kurorës do të zbulohej. Duke shpresuar të mbulonte mëkatin e tij, Davidi urdhëroi që Uriah të dërgohej përsëri në Jeruzalem. Uriah u kthye, por refuzoi për shkak të parimeve të tij morale të futej në shtëpinë e tij për të vizituar Bath-Sheban. Davidi atëherë bëri që Uriah të vritej në betejë (shih 2 Samuelit 11:3-17). Vargu i vendimeve të tmerrshme sollën vdekjen e Uriahs dhe mjerimin e Davidit, Bath-Shebas dhe më pas të të gjithë mbretërisë. Me një zvogëlim të theksuar të situatës, Bibla thotë: “Ajo që Davidi kishte bërë nuk i pëlqeu Zotit” (2 Samuelit 11:27).

A e shihni se si Davidi u zu në këtë kurth? Ai ishte në majë të tarracës së oborrit të pallatit të tij dhe duke vështruar më poshtë në një oborr fqinj, ai pa diçka që nuk duhet ta kishte parë kurrë. Ai ishte karremi i kundërshtarit. Modestia, dëlirësia dhe gjykimi i shëndoshë kërkonin që Davidi të kthehej menjëherë dhe të mos shihte, por ai nuk bëri asnjë nga ato. Në vend të kësaj, ai e lejoi mendjen e tij të kthehej në fantazi të ndaluara, ato mendime çuan në veprime dhe gjërat shpejt rrodhën nga një situatë e keqe, në një akoma më të keqe dhe më pas në një gjendje fatale. Davidi u zu në kurth dhe pasojat për të ishin të përjetshme.

Ka një kurth shpirtëror sot të quajtur pornografi, dhe shumë vetë, të joshur nga mesazhet e saj provokative, hyjnë në atë kurth vdekjeprurës. Si çdo kurth, është e lehtë të hysh por e vështirë të çlirohesh prej tij. Disa vetë arsyetojnë se ata mund të shohin nga pak pornografi pa vuajtur efektet e saj të këqia. Ata thonë në fillim: “Kjo nuk është shumë e keqe” ose “Pse ta vrasësh mendjen? Nuk do të bëjë ndonjë ndryshim”, ose “Jam thjesht kureshtar”. Por ata gabojnë. Zoti ka paralajmëruar: “Dhe ai që e sheh një grua për ta dëshiruar atë, do të mohojë besimin dhe nuk do ta ketë Shpirtin; dhe nëse nuk pendohet, ai duhet të dëbohet” (DeB 42:23). Kjo është pikërisht ajo që i ndodhi Davidit: ai pa Bath-Sheban, e dëshiroi atë dhe humbi Shpirtin. Sa e ndryshme do të kishte qenë jeta e Davidit, nëse ai thjesht do të kishte parë më tutje.

Përveç se humbin Shpirtin, përdoruesit e pornografisë gjithashtu humbasin perspektivën dhe gjykimin e shëndoshë. Si Mbreti David, ata përpiqen ta fshehin mëkatin e tyre, duke harruar se asnjë gjë nuk i fshihet Zotit (shih 2 Nefi 27:27). Pasojat e vërteta fillojnë të grumbullohen ndërsa respekti për veten dobësohet, marrëdhëniet e ëmbla hidhërohen, martesat vyshken, ndërsa viktimat e pafajshme rreshtohen. Kur zbulojnë se ajo që kanë parë nuk i kënaq më, ata eksperimentojnë me pamje akoma më ekstreme. Ata dalëngadalë fillojnë të bëhen vartës edhe nëse nuk e dinë ose e mohojnë këtë dhe, ashtu si Davidi, sjellja e tyre përkeqësohet dhe standardet e tyre morale shpërbëhen.

Ndërkohë që kultura popullore nëpër botë degjeneron, fëlliqësia po pushton gjithmonë e më shumë mjetet e informacionit, argëtimin, reklamat dhe internetin. Por popullariteti sipas normave mbizotëruese të botës është një peshore tepër e rrezikshme për tpërdorur, nëse duam të masim ç’është e drejtë ose madje çfarë nuk është e rrezikshme. Një film apo një shfaqje televizive mund të jetë mjaft e njohur dhe mjaft e pëlqyer nga miliona shikues dhe megjithatë të portretizojë pamje dhe sjellje të cilat janë pornografike. Nëse diçka në një film “nuk është shumë e keqe”, ajo automatikisht do të thotë se nuk është as shumë e mirë. Kështu, fakti që të tjerët shohin filma ose hapin faqe interneti që nuk janë të përshtatshme, nuk është një shfajësim për ne. Jeta e mbajtësve të priftërisë duhet të pasqyrojë standardet e Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij, jo standardet e botës.

Shpëtimtari na mësoi: “Dhe të bekuar janë të gjithë të kulluarit në zemër, pasi ata do të shohin Perëndinë” (3 Nefi 12:8). Premtimet e ungjillit janë lartësuese dhe fisnikëruese, madje ekzaltuese. Ne i marrim ato premtime nëpërmjet besëlidhjeve të cilat kushtëzohen nga një jetë e jona me pastërti dhe moral. Kur jetojmë siç duhet dhe kërkojmë të pastrojmë zemrën tonë, ne afrohemi më pranë Perëndisë dhe Shpirtit. Gjendja e zemrës sonë përcakton se sa prova të hyjnisë shohim në botë tani dhe na cilëson për përmbushjen përfundimtare të premtimit që të kulluarit “do të shohin Perëndinë.” E jona është një kërkesë për pastëri. Kështu, Apostulli Gjon shkroi:

“Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.

Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai” (1 Gjonit 3:2-3).

Nëse jeni tashmë të zënë në kurthin e pornografisë, tani është koha ta çlironi veten me ndihmën e Shpëtimtarit. Ka një mënyrë për të dalë, por ju duhet ndihma e Tij për t’u çliruar. Shërimi juaj i plotë do të varet nga pendimi juaj i plotë. Shkoni te peshkopi juaj menjëherë. Kërkoni drejtimin e tij të frymëzuar. Ai do t’ju ndihmojë të vendosni një plan pendimi që do të rivendosë vlerësimin tuaj tek vetja dhe do t’ju sjellë përsëri Shpirtin në jetën tuaj. Fuqia shëruese e Shlyerjes së Zotit Jezu Krisht prek të gjitha mundimet, madje edhe këtë. Nëse do të ktheheni tek Shpëtimtari juaj me gjithë zemrën tuaj dhe do të ndiqni këshillën e peshkopit tuaj, do të gjeni shërimin për të cilin keni nevojë. Shpëtimtari do t’ju ndihmojë të gjeni forcën për t’i bërë ballë tundimit dhe fuqinë për të kapërcyer varësinë. Siç na mësoi Moroni:

“[Ejani] te Krishti dhe të merrni çdo dhuratë të mirë dhe të mos prekni dhuratën e ligë, as gjënë e papastër.

Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht” (Moroni 10:30, 32).

Perëndia i bekoftë përpjekjet tona të çiltra për të qenë të pastër në zemër dhe në mendje, që “virtyti [të mund] t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim” (DeB 121:45). Unë dëshmoj për dashurinë shëlbuese të Shpëtimtarit dhe fuqinë pastruese të Shlyerjes së Tij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.