2007
Kërkoni Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha
Nëntor 2007


Kërkoni Premtimet e Çmueshme dhe Shumë të Mëdha

Zoti bën premtime bujare dhe jep siguri që Ai nuk do të ndryshojë nga këto premtime.

Pamja

Ju sjell dashurinë dhe përshëndetjet e shenjtorëve besnikë të Paqësorit të Jugut.

Parimi i parë i ungjillit është besimi tek Zoti Jezu Krishti. Ky përfshin besimin tek lindja e Tij hyjnore dhe trashëgimi i Tij qiellor dhe besimin që, nën drejtimin e Atit të Tij, Ai krijoi tokën dhe të gjitha gjërat që banojnë në të (shih Gjoni 1:10; Mosia 3:8). Pikërisht në zemër të besimit tonë te Krishti, ndodhet siguria që përmes sakrificës së Tij shlyese, edhe sikur mëkatet tona të jenë të kuqe flakë, ato mund të bëhen të bardha si bora (shih Isaia 1:18).

Besimi te Krishti përfshin dijen që, mbas Kryqëzimit të Tij, Ai u ngrit nga varri dhe Ringjallja e Tij i bëri të mundur gjithë njerëzimit të jetojë përsëri (shih 1 Korintasve 15:21-23). Besimi te Krishti është siguria që Ai dhe Ati i Tij Qiellor iu shfaqën një të riu, Jozef Smithit, duke shtruar udhën për Rivendosjen e të gjitha gjërave në periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave. Jezu Krishti është kreu i Kishës, e cila mban emrin e Tij të Shenjtë.

Besimi tek Zoti Jezu Krishti shfaqet kur besojmë mësimet e Tij dhe kërkojmë “premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha” e bëhemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore” (2 Pjetri 1:4). Premtime të panumërta shpallen nga profetët e Tij dhe Zoti na siguron: “Fjala ime nuk do të kalojë, por do të përmbushet e gjitha, qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (DeB 1:38).

Në këto ditë të mëvonshme Zoti na zbuloi që, “kur ne fitojmë ndonjë bekim nga Perëndia, është me anë të bindjes ndaj atij ligji mbi të cilin ai bazohet” (DeB 130:21). Zoti bën premtime bujare dhe jep siguri që Ai nuk do të ndryshojë nga këto premtime, sepse Ai tha: “Unë, Zoti, lidhem kur ju bëni çfarë ju them; por kur nuk e bëni çfarë ju them, ju nuk keni premtim” (DeB 82:10).

Premtime të Çmueshme dhe Shumë të Mëdha

Premtimet e panumërta të çmueshme dhe shumë të mëdha të Zotit përfshijnë faljen e mëkateve tona kur “[i rrëfejmë] ato e [i braktisim] ato” (DeB 58:43; shih edhe DeB 1:32). Hapja e dritareve të qiellit është një premtim që mund të kërkohet nga ata që paguajnë të dhjetën me besnikëri (shih Malakia 3:10) dhe gjetja e “[thesareve të mëdha të diturisë]” u shtohet atyre që zbatojnë Fjalën e Urtësisë (DeB 89:19).

Të bëhesh i panjollosur nga bota, është një premtim për ata që mbajnë të shenjtë Shabatin (shih DeB 59:9; Eksodi 31:13). Drejtimi dhe frymëzimi hyjnor u premtohet atyre që “[ushqehen] me bollëk me fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3) dhe që “[ia përshtatin] të gjitha shkrimet e shenjta” vetvetes (1 Nefi 19:23).

Zoti premtoi gjithashtu se “çdo gjë që ju do t’i kërkoni Atit në emrin tim, që është e drejtë, duke besuar se do ta merrni, vini re, ajo do t’ju jepet” (3 Nefi 18:20). Na premtohet që Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm, kur “virtyti … t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim” (shih DeB 121:45-46). Mund të kërkojmë premtimin e çlirimit shpirtëror që vjen nga agjërimi, i cili do të “[thyejë] zinxhirët e ligësisë”, do të zgjidhë “verigat e zgjedhës” sonë dhe do të “dërrmojë çdo zgjedhë” (Isaia 58:6).

Ata që janë vulosur në tempujt e shenjtë dhe që i mbajnë besnikërisht besëlidhjet e tyre, do të marrin lavdinë e Perëndisë, e cila “do të jetë një plotësi dhe vazhdimësi e farës përherë e përgjithmonë” (DeB 132:19).

Ndonjëherë, me padurimin tonë të kësaj bote, mund të humbasim objektivin e bekimeve të çmueshme të Zotit dhe të mënjanojmë bindjen tonë nga plotësimi i këtyre premtimeve. Zoti ka shpallur:

“Kush jam unë, thotë Zoti, që kam premtuar dhe nuk e kam plotësuar?

Unë urdhëroj dhe njerëzit nuk binden; unë anuloj dhe ata nuk e marrin bekimin.

Atëherë ata thonë në zemrat e tyre: Kjo nuk është puna e Zotit, sepse premtimet e tij nuk plotësohen. Por mjerë të tillët, sepse shpërblimi i tyre fshihet poshtë dhe jo nga lart” (DeB 58:31-33).

Të Shohësh Premtimet për së Largu

Përbërës të rëndësishëm të besimit janë durimi, zemërbutësia dhe qëndresa deri në fund. Apostull Pali përshkruan besimin e Abelit, Enokut, Noeut, Abrahamit dhe Sarës, duke e përfunduar që “të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për së largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe” (shih Hebrenjve 11:4-13). Këta shenjtorë besnikë e dinin që kjo jetë ishte një udhëtim, jo vendmbërritja e tyre përfundimtare.

Kur Abrami ishte 75 vjeç, Zoti i premtoi: “Unë prej teje do të bëj një komb të madh” — kjo në një kohë kur ai dhe Sarai nuk kishin ende asnjë fëmijë (Zanafilla 12:2). Ai ishte 86 vjeç kur shërbyesja e Sarait, Agari, “lindi Ismaelin për Abramin” (Zanafilla 16:16).

Dhe Zoti ndryshoi emrin e Abramit në Abraham dhe të Sarait në Sara dhe, kur ai ishte afërsisht njëqind dhe ajo 90 vjeçe, iu premtua se Sara do të lindte një djalë që do ta quanin Isak (shih Zanafilla 17:17, 19). Në mes të mosbesimit të tyre Zoti pyeti: “A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?” (Zanafilla 18:14). Dhe “Sara u ngjiz dhe lindi një djalë me Abrahamin në pleqërinë e tij” (Zanafilla 21:2), dhe Zoti premtoi: “Unë … do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit” (Zanafilla 22:17).

I riu Isak u rrit e u bë burrë dhe kur ishte 40 vjeç u martua me Rebekën. Dhe “Isaku e luti Zotin për gruan e tij, sepse ajo ishte shterpë. Zoti ia plotësoi dëshirën dhe Rebeka, gruaja e tij, u ngjiz” dhe lindi dy djem binjakë, Ezaun dhe Jakobin, kur babai i tyre ishte 60 vjeç. (Shih Zanafilla 25:20-26.)

Kur Jakobi arriti pjekurinë dhe moshën e përshtatshme, prindërit e tij e dërguan tek shtëpia e Labanit, ku ai do të takonte dy bijat e Labanit, Lean dhe Rakelën. Jakobi i tha Labanit: “Unë do të të shërbej shtatë vjet për Rakelën, bijën tënde më të vogël… . Kështu Jakobi shërbeu shtatë vjet për Rakelën; dhe iu dukën pak ditë sepse e dashuronte” (Zanafilla 29:18, 20).

Juve do t’ju kujtohet se si e mashtroi Labani të riun Jakob që të martohej në fillim me Lean dhe pastaj me Rakelën. “Zoti, duke parë që për Lean nuk kishte dashuri, ia çeli barkun asaj, ndërsa Rakela ishte shterpë” (Zanafilla 29:31). Dhe Lea lindi Rubenin, pastaj Simeonin, Levin dhe Judën. Ndërkohë Rakela vazhdonte të mos kishte fëmijë (shih Zanafilla 29:32-35).

Me zili që sa vinte e shtohej dhe dëshpërim të madh, një ditë Rakela shfreu duke i kërkuar Jakobit: “Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes” (Zanafilla 30:1). Lea më pas lindi dy djem më shumë dhe një vajzë.

Zoti Nuk Vonon Plotësimin e Premtimit të Tij

Apostull Pjetri dëshmoi se “Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh” (2 Pjetri 3:9). Në këtë epokë të pastrimit kimik një-orësh dhe të tregtisë së ushqimit të shpejtë një-minutësh, mund të na duket nganjëherë sikur një Atë i dashur Qiellor i ka vënë kushedi se ku premtimet e çmuara për ne ose i vonoi apo ia ka dërguar gabimisht dikujt tjetër. Të tilla ndjenja kishte Rakela.

Por, me kalimin e kohës, ne ndeshim pesë nga fjalët më të mrekullueshme në shkrimin e shenjtë: “Perëndia u kujtua edhe për Rakelën” (Zanafilla 30:22). Dhe ajo u bekua me lindjen e Jozefit dhe më vonë me lindjen e Beniaminit. Ka miliona njerëz sot në tokë që janë pasardhës të Jozefit, të cilët kanë përqafuar premtimin e Abrahamit që nëpërmjet përpjekjeve të tyre “të gjitha familjet e tokës do të bekohen, madje me bekimet e Ungjillit, të cilat janë bekimet e shpëtimit, madje të jetës së përjetshme” (Abrahami 2:11).

Kur premtimet e qiellit nganjëherë duken të largëta, lutem që secili nga ne t’i rrokë këto premtime të çmueshme dhe shumë të mëdha e të mos i lëshojë kurrë. Dhe ashtu si Perëndia mbajti mend Rakelën, Ai do t’ju mbajë mend juve. Kështu dëshmoj, në emrin e Jezu Krishtit, amen.