2007
Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër
Nëntor 2007


Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër

Qëllimi ynë shpirtëror është të mposhtim edhe mëkatin, edhe dëshirën për mëkat, si njollën, ashtu dhe zgjedhën e mëkatit.

Pamja

Kam kujtime të dashura fëmijërie për nënën time që më lexonte histori nga Libri i Mormonit. Ajo kishte një mënyrë që i bënte të gjalla historitë e shkrimit të shenjtë në përfytyrimin tim rinor dhe nuk e vija në dyshim që nëna kishte një dëshmi për vërtetësinë e atij dokumenti të shenjtë. Veçanërisht kujtoj përshkrimin e saj për ardhjen e Shpëtimtarit në kontinentin amerikan mbas Ringjalljes së Tij dhe mësimet e Tij për njerëzit në tokën e Begatisë. Nëpërmjet përputhjes së thjeshtë të shembullit dhe të dëshmisë së saj, nëna ndezi tek unë flakët e para të besimit tek Shpëtimtari dhe tek Kisha e Tij e ditëve të mëvonshme. Arrita të di unë vetë se Libri i Mormonit është një dhiatë tjetër e Jezu Krishtit dhe përmban plotësinë e ungjillit të Tij të përjetshëm (shih DeB 27:5).

Sot dëshiroj të hedh me ju një vështrim mbi një nga ngjarjet e mia më të preferuara të Librit të Mormonit: shfaqjen e Shpëtimtarit në Botën e Re, dhe të diskutoj mbi udhëzimin që i dha turmës për fuqinë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Lutem për vete dhe për ju të drejtohemi nga Shpirti.

Shërbesa e Shpëtimtarit në Botën e Re

Gjatë shërbesës treditore të Zotit në Botën e Re, Ai u mësoi doktrinën e Tij, autorizoi dishepujt e Tij të kryenin ordinanca priftërore, shëroi të sëmurët, u lut për njerëzit dhe me dashuri bekoi fëmijët. Kur koha e qëndrimit të Shpëtimtarit me njerëzit po

përfundonte, Ai përmblodhi shkurt dhe qartë parimet themelore të ungjillit të Tij.

Ai tha: “Tani, ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20).

Parimet bazë të përvijuara nga Mjeshtri në këtë shkrim, është e domosdoshme që t’i kuptojmë dhe zbatojmë ne në jetën tonë. I pari ishte pendimi, “të kthesh zemrën dhe vullnetin drejt Perëndisë dhe të heqësh dorë nga mëkati” (Bible Dictionary, “Repentance”, fq. 760). Kur kërkojmë në mënyrën e duhur dhe marrim dhuratën shpirtërore të besimit tek Shëlbuesi, atëherë kthehemi dhe mbështetemi në meritat, mëshirën dhe hirin e Mesias së Shenjtë (shih 2 Nefi 2:8). Pendimi është fryti i ëmbël që vjen nga besimi tek Shpëtimtari dhe përfshin kthimin drejt Perëndisë dhe largimin nga mëkati.

Zoti i ringjallur shpjegoi pastaj rëndësinë e të shkuarit drejt Tij. Turma e mbledhur së bashku në tempull u ftua, në kuptimin e vërtetë të fjalës, të vinte përpara Shpëtimtarit “një nga një” (3 Nefi 11:15), për të prekur shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e Mjeshtrit dhe për ta vënë dorën në ijën e Tij. Çdo njeri që e përjetoi këtë gjë, “[mësoi] me siguri, dhe [dëshmoi] se ishte ai” (vargu 15), madje Jezu Krishti, i cili kishte ardhur.

Shpëtimtari gjithashtu e mësoi popullin të shkonte drejt Tij nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta dhe u kujtoi që ata ishin “fëmijët e besëlidhjes” (3 Nefi 20:26). Ai theksoi rëndësinë e përjetshme të ordinancave të pagëzimit (shih 3 Nefi 11:19-39) dhe të marrjes së Frymës së Shenjtë (shih 3 Nefi 11:35-36; 12:6; 18:36-38). Në të njëjtën mënyrë, ju dhe unë këshillohemi të kthejmë drejt Krishtit e të mësojmë prej Tij dhe të shkojmë tek Ai nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave të ungjillit të Tij të rivendosur. Kur veprojmë kështu, ne më në fund dhe përfundimisht do të arrijmë ta njohim Atë (shih Gjoni 17:3), “në vetë kohën e tij dhe në vetë mënyrën e tij, dhe sipas vetë vullnetit të tij” (DeB 88:68), ashtu si populli në tokën e Begatisë.

Pendimi dhe ardhja tek Krishti nëpërmjet besëlidhjeve dhe ordinancave, janë parakusht dhe përgatitje për t’u shenjtëruar nga marrja e Frymës së Shenjtë dhe për t’u gjendur pa njollë para Perëndisë në ditën e fundit. Tani dëshiroj të përqendrojmë vëmendjen tek ndikimi shenjtërues që mund të ketë Fryma e Shenjtë në jetën tonë.

Udhëtimi Ynë Shpirtëror

Dera e pagëzimit të çon drejt shtegut të ngushtë dhe të ngushtuar, për të mbërritur tek zhveshja e njeriut të natyrshëm dhe për t’u bërë një shenjtor nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit Zot (shih Mosia 3:19). Qëllimi i udhëtimit tonë në jetën e vdekshme nuk është thjesht të kënaqemi me panoramat e tokës ose të shpenzojmë me veprimtari vetjake kohën që na caktohet; përkundrazi, ne duhet “të ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4), të shenjtërohemi nga dhënia e zemrave tona Perëndisë (shih Helamani 3:35) dhe të fitojmë “mendjen e Krishtit” (1 Korintasve 2:16).

Ne urdhërohemi dhe udhëzohemi të jetojmë në një mënyrë të tillë që natyra jonë e rënë të ndryshojë me anë të fuqisë shenjtëruese të Frymës së Shenjtë. Presidenti Marion G. Romni mësonte se pagëzimi nga zjarri me anë të Frymës së Shenjtë “[na] kthen nga natyra mishtore në atë shpirtërore. Ai e pastron, e shëron dhe e dëlir shpirtin… . Besimi tek Zoti Jezu Krishti, pendimi dhe pagëzimi me ujë janë së bashku hapa paraprakë dhe parakushte për të, por [pagëzimi me zjarr] është përfundimi i kërkuar. Të marrësh [këtë pagëzim nga zjarri], do të thotë të të pastrohen rrobat në gjakun shlyes të Jezu Krishtit” (Learning for the Eternities, përpilim George J. Romney [1977], fq. 133; shih edhe 3 Nefi 27:19-20).

Prandaj, kur lindim rishtas dhe përpiqemi të kemi gjithmonë Shpirtin e Tij me ne, Fryma e Shenjtë e shenjtëron dhe e pastron shpirtin tonë si me zjarr (shih 2 Nefi 31:13-14, 17). Si përfundim, ne duhet të gjendemi të panjollë para Perëndisë.

Ungjilli i Jezu Krishtit përfshin shumë më tepër se shmangien, mposhtjen dhe pastrimin nga mëkati dhe ndikimet e këqija në jetën tonë; ai gjithashtu kërkon të bësh të mirën, të jesh i mirë dhe të bëhesh më i mirë. Pendesa për mëkatet dhe kërkimi i faljes, janë shpirtërisht të nevojshme dhe ne duhet të veprojmë përherë ashtu. Por heqja e mëkatit nuk është qëllimi i vetëm, madje as përfundimtar, i ungjillit. Përgjegjësia që kemi pranuar me besëlidhje, është që me anë të Shpirtit të Shenjtë të ndryshojmë zemrën aq sa “ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:2), ashtu si populli i Mbretit Beniamin. Ky ndryshim i madh nuk është thjesht rezultat i një pune më të zellshme ose i vendosjes së një disipline më të fortë vetjake. Më saktë, ai është rrjedhoja e një ndryshimi themelor të dëshirave tona, motiveve tona dhe natyrës sonë, të mundësuar përmes Shlyerjes së Krishtit Zot. Qëllimi ynë shpirtëror është të mposhtim edhe mëkatin, edhe dëshirën për mëkat, si njollën, ashtu dhe zgjedhën e mëkatit.

Ndër kohëra profetët kanë theksuar kërkesat e dyfishta të 1) shmangies dhe kapërcimit të së keqes dhe 2) bërjes të së mirës dhe që të bëhesh më i mirë. Merrni parasysh pyetjet mendjemprehta që parashtron Psalmisti:

“Kush do t’i ngjitet malit të Zotit? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Njeriu i pafajshëm nga duart dhe i pastër nga zemra, që nuk e ngre shpirtin për t’u dukur dhe nuk betohet në mënyrë të rreme” (Psalmet 24:3-4).

Vëllezër dhe motra, ekziston mundësia të kemi duar të pafajshme, por të mos kemi zemrën të pastër. Ju lutem vini re se që të dyja, duart e pafajshme dhe zemra e pastër, kërkohen për t’iu ngjitur malit të Zotit dhe për të qëndruar në vendin e Tij të shenjtë.

Më lejoni të sugjeroj se duart bëhen të pafajshme përmes procesit të zhveshjes së njeriut të natyrshëm dhe nëpërmjet mposhtjes së mëkatit dhe ndikimeve të liga në jetën tonë me anë të Shlyerjes së Shpëtimtarit. Zemra pastrohet kur marrim fuqinë e tij forcuese për të bërë të mirën dhe për t’u bërë më të mirë. Të gjitha dëshirat e denja dhe veprat tona të mira, sido që janë të nevojshme, nuk mund të prodhojnë duar të pafajshme dhe zemër të pastër. Është Shlyerja e Jezu Krishtit ajo që siguron qoftë pastrimin dhe fuqinë shëlbuese që na ndihmon të kapërcejmë mëkatin, qoftë shenjtërimin dhe fuqinë forcuese që na ndihmon të bëhemi më të mirë nga sa mund të ishim duke u mbështetur vetëm tek forca jonë. Shlyerja e pafundme është si për mëkatarin, ashtu dhe për shenjtorin tek secili prej nesh.

Në Librin e Mormonit gjejmë mësime mjeshtërore të Mbretit Beniamin lidhur me misionin dhe Shlyerjen e Jezu Krishtit. Doktrina e thjeshtë e mësuar prej tij shkaktoi që turma të binte në tokë, pasi frika e Zotit kishte ardhur mbi ta. “Dhe ata kishin parë veten e tyre në gjendjen e tyre trupore, madje më të paktë se pluhuri i tokës. Dhe ata të gjithë thirrën lart me një zë, duke thënë: O, ki mëshirë dhe përdor gjakun shlyes të Krishtit, që ne të mund të marrim faljen e mëkateve tona dhe zemrat tona të mund të pastrohen; pasi ne besojmë në Jezu Krishtin, Birin e Perëndisë, që krijoi qiellin dhe tokën dhe të gjitha gjërat; i cili do të vijë poshtë mes fëmijëve të njerëzve” (Mosia 4:2, me theksim shtesë).

Përsëri në këtë varg gjejmë bekimin e dyfishtë të faljes së mëkatit, që nënkupton duar të pafajshme, dhe shndërrimin e natyrës sonë, domethënë zemër të pastër.

Ndërsa përfundonte mësimin e tij, Mbreti Beniamin përsëriti rëndësinë e këtyre dy aspekteve bazë të zhvillimit shpirtëror.

“Dhe tani, për hirin e këtyre gjërave që unë ju kam folur — që është për hirin e ruajtjes së një heqjeje të mëkateve tuaja nga dita në ditë, që ju të mund të ecni të pafajshëm para Perëndisë — unë do të doja që ju t’u jepni nga pasuria juaj të varfërve” (Mosia 4:26, me theksim shtesë).

Dëshira jonë e sinqertë duhet të jetë të kemi duar të pafajshme si edhe zemër të pastër — një heqje të mëkateve nga dita në ditë si edhe një ecje të pafajshme para Perëndisë. Nuk do të mjaftojnë vetëm duar të pafajshme, kur të qëndrojmë para Atij që është i pastër dhe i cili, si “[qengji i] patëmetë dhe [i] panjollë” (1 Pjetri 1:19), derdhi bujarisht gjakun e Tij të çmuar për ne.

Rresht pas Rreshti

Ndonjë që dëgjon ose lexon këtë mesazh, mund të mendojë se përparimi shpirtëror që po përshkruaj nuk është i arritshëm në jetën e tij. Ndoshta besojmë se këto të vërteta zbatohen për të tjerë, por jo për ne.

Ne nuk do ta arrijmë gjendjen e përkryerjes në këtë jetë, por mund dhe duhet të shkojmë përpara me një vendosmëri në Krisht nëpër shtegun e ngushtë dhe të ngushtuar e të bëjmë përparim të vazhdueshëm drejt fatit tonë të përjetshëm. Modeli i Zotit për përparim shpirtëror është “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” (2 Nefi 28:30). Përmirësimet e vogla, të vazhdueshme, që vijnë në rritje, janë hapa të cilat Zoti do që ne t’i bëjmë. Përgatitja për të ecur i pafajshëm para Perëndisë, është një nga qëllimet parësore të jetës së vdekshme dhe veprimtari e gjithë kësaj jete; ajo nuk vjen nga çaste veprimtarie shpirtërore intensive të rastësishme.

Unë dëshmoj se Shpëtimtari do të na forcojë dhe ndihmojë të bëjmë një përparim të gjatë dhe ritmik. Shembulli tek Libri i Mormonit, ku “pati shumë, jashtëzakonisht shumë” (Alma 13:12) në Kishën e vjetër të cilët ishin të pastër dhe pa njollë para Perëndisë, është për mua një burim nxitjeje dhe ngushëllimi. Ma do mendja që ata anëtarë të Kishës së lashtë ishin burra dhe gra të zakonshme ashtu si ju dhe unë. Ata njerëz nuk mund ta shihnin mëkatin përveçse me urrejtje të madhe dhe “u pastruan dhe hynë në prehjen e Zotit, Perëndisë së tyre” (vargu 12). Dhe këto parime e ky proces i përparimit shpirtëror gjejnë zbatim tek secili prej nesh, njëlloj dhe kurdoherë.

Ftesa Përmbyllëse e Moronit

Kërkesa për zhveshjen e njeriut natyror dhe për t’u bërë shenjtor, për të shmangur dhe kapërcyer të keqen e për t’u bërë më të mirë, për të pasur duar të pafajshme dhe zemër të pastër, është temë që përsëritet në të gjithë Librin e Mormonit. Në të vërtetë, ftesa përmbyllëse e Moronit, në fund të librit, është një përmbledhje e kësaj teme.

“Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të dhe i mohoni vetes çdo ligësi; dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju, se me anë të hirit të tij ju mund të bëheni të përsosur në Krisht… .

Dhe përsëri, në qoftë se ju me anë të hirit të Perëndisë jeni të përkryer në Krisht dhe nuk mohoni pushtetin e tij, atëherë do të shenjtëroheni në Krisht me anë të hirit të Perëndisë, nëpërmjet derdhjes së gjakut të Krishtit, që është në besëlidhjen e Atit për heqjen e mëkateve tuaja, që ju të bëheni të shenjtë, pa njollë” (Moroni 10:32-33, me theksim shtesë).

U pendofshim ju edhe unë me sinqeritetin e zemrës dhe ardhshim me të vërtetë te Krishti. Unë lutem që ne të kërkojmë përmes Shlyerjes së Shpëtimtarit të kemi edhe duar të pafajshme, edhe një zemër të pastër, që të bëhemi të shenjtë, pa njollë. Dëshmoj se Jezu Krishti është Biri i Atit të Përjetshëm dhe Shpëtimtari ynë. Ai, i cili është pa njollë, na shëlbon nga mëkati dhe na forcon të bëjmë të mirën dhe të bëhemi më të mirë. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.