2007
Bëni Tani
Nëntor 2007


Bëni Tani

Tani është koha të paqësohemi me Perëndinë nëpërmjet procesit të mëshirshëm të ndryshimit që na ka dhënë Shëlbuesi.

Pamja

Kur biri ynë më i madh (që tani është baba me tre fëmijë dhe ndodhet në këtë grumbullim priftërie këtë mbrëmje) ishte 11 vjeç, i dhanë detyrë që, së bashku me nxënës të tjerë të klasave te pesta të shkollës së tij, të paraqiste recetën e gatimit të preferuar të familjes së tij. Si një kontribut për panairin e mbledhjes së fondeve të pranverës, klasa e pestë do të përgatiste një libër gatimi që do të shpërndahej në komunitet. Kur mësuesi u njoftoi projektin dhe afatin njëjavor deri të premten, biri ynë Bret menjëherë mendoi se kishte mjaft kohë që ta kryente më vonë këtë punë dhe e fshiu nga mendja. Nga fillimi i javës tjetër, kur mësuesi i rikujtoi nxënësit për afatin që ishte të premten, Breti vendosi se mund ta kryente lehtë detyrën e kërkuar në mbrëmjen e të enjtes dhe se deri atëherë mund të merrej me gjëra të tjera më të këndshme.

Mëngjesin e së premtes së caktuar, mësuesi i vuri nxënësit të mblidhnin recetat para klasës. Shtyrja e detyrës për më vonë nga Breti, kishte bërë që ai ta harronte atë dhe të ishte krejt i papërgatitur. I shqetësuar, ai u kthye nga një bashkënxënës i ulur pranë dhe i rrëfeu problemin. Duke u përpjekur ta ndihmonte, shoku i klasës i tha: “Unë kam marrë edhe një recetë tepër. Nëse dëshiron, përdor një nga recetat e mia.” Breti e rrëmbeu shpejt recetën, shkroi mbi të emrin e vet dhe e dorëzoi, duke menduar se u kishte shpëtuar pasojave për shkak të mungesës së përgatitjes.

Një mbrëmje, disa javë më vonë, u ktheva në shtëpi nga puna sa për t’u rregulluar para se të shkoja në mbledhjet e mia të Kishës në mbrëmje. Pak ditë më parë isha thirrur si president kunji, pasi kisha shërbyer disa vjet si peshkop. Ishim disi të njohur në komunitetin tonë si anëtarë të Kishës që përpiqeshim të jetonim sipas parimeve themelore të besimit tonë. “Duhet të shohësh diçka”, më tha gruaja ime, Diana, ndërsa hyra në derë. Më dorëzoi një libër të lidhur që kishte një faqe të shënuar. Pasi i hodha një sy kapakut me titullin “Recetat e Preferuara të Shkollës Noelani — 1985”, e hapa tek faqja e shënuar dhe lexova: “Receta e Preferuar e Familjes Hallstrom — Kek me Rum Bakardi [një lloj pijeje alkoolike].”

Shumë prej nesh e vendosin veten në rrethana që kanë pasojë shumë më tepër se një siklet, për shkak të lënies për më vonë të kthimit tonë të plotë në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit. Ne e dimë çka është e drejtë, por e vonojmë përfshirjen e plotë shpirtërore për shkak të përtacisë, frikës, arësyetimit përligjës ose mungesës së besimit. Ne e bindim veten se “ndonjë ditë do ta bëj atë.” Megjithatë, për shumë vetë ajo “ndonjë ditë” nuk vjen kurrë dhe madje edhe për të tjerë që vërtet bëjnë një ndryshim, ka mungesë të pazëvendësueshme të përparimit dhe sigurisht kthim pas.

Si një mënyrë e pjesshme për të vlerësuar veten nëse po shtyjmë për më vonë në lidhje me çështjet shpirtërore, le të pyesim, cili është qëndrimi ynë kur marrim pjesë në mbledhjet e Kishës? A është që të mësojmë “me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118), ajo që na bën të veprojmë në përputhje me atë që mësojmë? Apo kemi mendësinë “e kam dëgjuar më parë të gjithë këtë” që menjëherë bllokon hyrjen e Shpirtit në mendjen dhe në zemrën tonë dhe bën që shtyrja për më vonë të bëhet pjesë kryesore e karakterit tonë?

Për një kërkues të hershëm e të spikatur të Kishës së rivendosur, që besëlidhi se do t’i bindej çfarëdo urdhëri që Zoti do t’i jepte, u tha: “Dhe ai e pranoi fjalën me gëzim, por menjëherë Satani e tundoi atë; … dhe përkujdesjet e botës e bënë ta mohonte fjalën” (DeB 40:2). Krahasojeni këtë me deklaratën e qartë të Zotit: “Ai që e pranon ligjin tim dhe e bën atë, ai është dishepulli im” (DeB 41:5).

Alma, me emocion të thellë, deklaroi: “Dhe tani, vëllezërit e mi, unë dëshiroj nga pjesa më e thellë e zemrës sime, po, me padurim të madh madje deri në dhembje, që ju t’i dëgjoni fjalët e mia dhe t’i dëboni mëkatet tuaja dhe të mos e shtyni ditën e pendimit tuaj” (Alma 13:27).

Amuleku, miku dhe shok i Almës në mësimdhënie, e përforcoi mesazhin duke shpallur:

“Pasi vini re, kjo jetë është koha për njerëzit që të përgatiten të takohen me Perëndinë; po, vini re, dita e kësaj jete është dita për njerëzit që të kryejnë punët e tyre.

Dhe tani, … pasi keni pasur kaq shumë dëshmi, si rrjedhim, ju lutem shumë që të mos e shtyni ditën e pendimit tuaj deri në fund” (Alma 34:32-33).

Kur isha në moshën e një mësuesi në Priftërinë Aarone, dukej se për muaj me radhë, çdo të shtunë në mëngjes zgjohesha nga zhurma e babait që punonte kopshtin jashtë, tek dritarja e dhomës time të gjumit. (Më kërkoi mjaft kohë që të kuptoja përse ai gjithmonë e fillonte punën poshtë dritares time.) Pas një farë kohe që mundohesha të mos merrja parasysh zhurmën, unë ngrihesha dhe bashkohesha me babain në përgjegjësinë time javore për ta ndihmuar në mirëmbajtjen e kopshtit rreth shtëpisë sonë.

Ndoshta pas disa mëngjesesh që nuk ngrihesha shumë shpejt ose për shkak të ndodhive të tjera të ngjashme kur duhej nxitje e përsëritur prej tij para se unë të veproja, një ditë babai u ul bashkë me mua dhe më tregoi një fotografi të madhe të një majmuni të Bengalit, një kafshë e njohur për përtacinë e saj. Pastaj ai hapi Doktrina e Besëlidhje dhe më vuri të lexoja: “Sepse vini re, nuk është e përshtatshme që unë duhet të urdhëroj për gjithçka; sepse ai që detyrohet në gjithçka, po ai është një shërbëtor i ngathët dhe jo i mençur; si rrjedhim ai nuk merr shpërblim” (DeB 58:26, me theksim shtesë). Që nga ajo ditë, ai imazh dhe mësimi i tij kanë qenë pasuri të çmueshme në jetën time.

Një nga nxitjet e efektshme të Presidentit Spencer W. Kimball është thënia koncize “Bëje Atë.” Më pas ai e zgjeroi në “Bëje Atë Tani” për të na mësuar prerazi nevojën për kohën e duhur.

Presidenti Kimball gjithashtu na mësoi parimin e thellë që “shtyrja çon në humbjen e ekzaltimit”. Ai tha: “Një nga defektet më serioze njerëzore në të gjitha kohërat është shtyrja për më vonë, një mosdashje për të pranuar përgjegjësitë personale tani… . Shumë vetë i kanë lejuar vetes të ndërrojnë drejtimin dhe janë bërë … të varur nga plogështia mendore dhe shpirtërore dhe kërkimi i kënaqësisë së botës” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], fq. 4-5).

Shumë prej nesh kërkojnë rrugë të thjeshtë — procesin që nuk do të kërkojë punë dhe sakrificë serioze. Mirë, një herë mendova se e kisha gjetur. Duke udhëtuar me makinë pas një lugine të gjelbëruar mbi qytetin e Honolulus, ngrita sytë dhe ja ku ishte — Rruga e Lehtë! Ndërsa po ëndërroja përfitimet që të ndryshojnë jetën, që do të vinin nga zbulimi im, nxora aparatin fotografik që të regjistroja çastin e hareshëm. Megjithatë, kur vështrova përmes objektivit të aparatit, qendra e vëmendjes sime realisht dhe figurativisht u bë më e qartë. Një tabelë e madhe e verdhë më ktheu në realitet — Rruga e Lehtë ishte një rrugë qorre!

Shtyrja për më vonë mund të duket si rruga e lehtë, meqenëse përkohësisht mënjanon përpjekjen e nevojshme për të përmbushur diçka me vlerë. Ironikisht, me kalimin e kohës, shtyrja për më vonë prodhon një barrë të rëndë të lidhur me fajin dhe një boshllëk të mungesës së përmbushjes. Qëllimet materialiste dhe, madje më shumë, ato shpirtërore nuk do të arrihen duke shtyrë për më vonë.

Tani është koha të ushtrojmë besimin tonë. Tani është koha të zotohemi për ndershmërinë. Tani është koha të bëjmë çfarëdo që kërkohet për të zgjidhur rrethanat tona të padëshiruara. Tani është koha të paqësohemi me Perëndinë nëpërmjet procesit të mëshirshëm të ndryshimit që na ka dhënë Shëlbuesi i njerëzimit.

Ne i bëjmë thirrje:

  • Cilitdo që ka marrë një dëshmi të vërtetësisë së ungjillit dhe të Kishës së Jezu Krishtit të Ditëve të Mëvonshme dhe që nuk është pagëzuar e konfirmuar.

  • Cilitdo mbajtësi të Priftërisë Aarone ose Melkizedeke i cili, ose nëpërmjet shkeljes, ose thjesht duke mos bërë gjë, po jeton në kundërshtim me një betim dhe besëlidhje të shenjtë (shih DeB 84:33-39).

  • Cilitdo anëtari të Kishës që ka marrë indaumentin, i cili nuk kualifikohet tani për një rekomandim tempulli.

  • Cilitdo anëtari që është fyer nga veprimet e një tjetri dhe e ka ndarë veten në një farë mënyre nga Kisha.

  • Cilitdo që po bën një jetë me dyfaqësi dhe mban barrën e mëkatit të pazgjidhur.

Dëshmia ime është që ju dhe të gjithë ne mund të ndryshojmë dhe kjo mund të jetë tani. Mund të mos jetë e lehtë, por pikëllimet tona mund të “[përfshihen] … në gëzimin për Krishtin” (Alma 31:38). Kështu dëshmoj unë në emrin e Jezu Krishtit, amen.