2007
Mos e Lër për Nesër Atë që Mund ta Bësh Sot
Nëntor 2007


Mos e Lër për Nesër Atë që Mund ta Bësh Sot

Tani është koha për të kryer detyrat që na ka dhënë Perëndia në lidhje me familjen.

Pamja

Më 23 shtator 1995, Presidencia e Parë dhe Kuorumi i të Dymbëdhjetë Apostujve i paraqitën Kishës dhe botës një dokument të titulluar “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”. Po citoj nga paragrafi që thotë: “Bashkëshorti dhe bashkëshortja kanë një përgjegjësi solemne të duan dhe të kujdesen për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre.”1 Jetojmë në një ditë e një kohë kur kjo këshillë është vërtet shumë e rëndësishme. Shumë prindër thonë se nuk kanë kohë për familjen e tyre. Stili i një ritmi të shpejtë të ditës së jetës moderne dhe sasia e tepërt e punës po tërheqin vëmendjen e prindërve nga ajo që është më e rëndësishmja: të kushtojnë kohë, të kushtojnë kohë nga vetja për familjen e vet.

Zoti na mësoi se çdo burrë ka përgjegjësi të sigurojë për familjen e vet2, por kjo nuk do të thotë vetëm të mbushë shtëpinë me ushqime dhe sende të tjera të nevojshme ose të dëshiruara. Duhet të kemi kohë edhe për të furnizuar familjen tonë me mësime. Çfarë duhet t’u mësojmë?

Ati ynë na ka mësuar se prindërit janë të detyruar t’u mësojnë ungjillin fëmijëve të tyre.3 Profeti Lehi e kuptoi mirë përgjegjësinë e tij për t’u dhënë mësime fëmijëve të tij. Nefi deklaroi se ai u mësua “në të gjithë diturinë e atit [të tij].”4

Zoti na udhëzoi si të kujdesemi për familjet tona kur Ai na tha, nëpërmjet profetëve të Tij, në proklamatën drejtuar botës: “Prindërit kanë një detyrë të shenjtë për të rritur fëmijët e tyre me dashuri dhe drejtësi, për të plotësuar nevojat e tyre fizike dhe shpirtërore, për t’i mësuar ata ta duan dhe t’i shërbejnë njëri-tjetrit, për të zbatuar urdhërimet e Perëndisë dhe për të qenë qytetarë që u binden ligjeve kudo që jetojnë.”5

Ne e dimë se Perëndia na ka mësuar përgjatë shekujve si t’i mbrojmë e si të kujdesemi për familjet tona. Ne gjithashtu e dimë dhe mund ta shohim se kundërshtari po e sulmon familjen. Tani është koha për t’i përdorur gjithë ato mësime. Tani është koha për të kryer detyrat që na ka dhënë Perëndia në lidhje me familjen.

Presidenti Xheims E. Faust na dha tre gjëra kyç që mund të bëjmë për të mbrojtur dhe forcuar familjet tona:

  1. Lutja familjare. Prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve të tyre se janë fëmijët e Perëndisë, prandaj duhet t’i luten Atij çdo ditë.

  2. Mbrëmja familjare në shtëpi. Siç na mësoi Presidenti Faust, mbrëmja familjare në shtëpi është për të gjithë ne, pavarësisht në cilën etapë të jetës ndodhemi. Mbrëmjet e të hënës duhet t’i kemi të lira nga çdo aktivitet që mund të na largojë nga mbledhja së bashku në familje.

  3. Studimi vetjak dhe familjar i shkrimit të shenjtë. Duhet të ndihmojmë fëmijët tanë të forcojnë besimin dhe dëshminë e tyre nëpërmjet këtij zakoni themelor.6

Ndërsa ndjekim këshillën e urtë të Presidentit Faust, do të mbrojmë familjen nga sulmet e Satanit si dhe do të forcojmë besimin dhe dëshminë e tyre për Zotin Jezu Krisht.

Në Proklamatën e Familjes ne mësojmë gjithashtu se “nëpërmjet planit hyjnor, etërit duhet të kryesojnë familjet e tyre me dashuri e drejtësi dhe janë përgjegjës për të siguruar gjërat e nevojshme për jetën dhe mbrojtjen për familjet e tyre. Nënat janë kryesisht përgjegjëse për edukimin e fëmijëve të tyre. Në këto përgjegjësi të shenjta, etërit dhe nënat kanë detyrim të ndihmojnë njëri-tjetrin si partnerë të barabartë.”7

Është në shtëpi vendi ku familja mëson dhe zbaton parimet e ungjillit. Nevojitet dashuri e madhe për t’i dhënë mësim dhe për të drejtuar familjen. Etër dhe nëna të dashura do të mësojnë fëmijët e tyre të adhurojnë Perëndinë në shtëpinë e tyre. Kur një shpirt adhurimi përhapet në shtëpi, ai qëndrim/shpirt shtrihet në jetën e secilit anëtar të familjes. Ai do t’i përgatitë ata të bëjnë çfarëdo sakrifice të nevojshme për të qenë në gjendje të kthehen në praninë e Perëndisë dhe që të qëndrojnë së bashku si një familje për gjithë përjetësinë.

Proklamata e familjes na ndihmon të kuptojmë më tepër nga dashuria së cilës i referohej Shpëtimtari kur Ai na tha se duhet “ta [duam] njëri-tjetrin.”8 Ai na dha shembullin më të lartë të dashurisë kur deklaroi: “Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.”9 Më vonë ai shleu për gjithë mëkatet tona dhe së fundi, dha jetën e Tij për të gjithë ne.

Ne mund të japim jetën tonë për ata që duam, jo duke vdekur fizikisht për ta, por më tepër, duke jetuar për ta — duke dhënë nga koha jonë; duke qenë gjithmonë të pranishëm në jetën e tyre; duke i shërbyer atyre; duke qenë të njerëzishëm, të dashur dhe duke treguar dashuri të vërtetë për anëtarët e familjes sonë dhe për të gjithë njerëzit — ashtu si na mësoi Shpëtimtari.

Ne nuk e dimë se çfarë mund të na ndodhë nesër, prandaj sot është koha të filloni të shfaqni dashurinë tuaj nëpërmjet veprimeve të vogla si një përqafim dhe një “të dua” drejtuar gruas dhe fëmijëve si dhe njerëzve të tjerë rreth jush.

Kohët e fundit lexova një tekst që shpreh ngutin për të mos lënë për nesër atë që ju mund ta bëni sot. Në korrik të këtij viti Brazili përjetoi aksidentin ajror më shkatërrues të historisë së vet. Aty vdiqën 199 vetë, përfshirë pasagjerë, punonjës të linjës ajrore, anëtarë të ekuipazhit dhe të tjerë që gjendeshin aty kur ndodhi aksidenti. Teksti që përmenda thuhet se u postua në bordin e komunikimit të linjës ajrore nga bashkëshorti i njërës prej shoqërueseve të fluturimit, e cila vdiq në aksident. Ai titullohet “E Nesërmja nuk Vjen Kurrë” dhe bazohet në një vjershë të Norma Kornet Marek.

Po ta dija se kjo do të ishte hera e fundit, do të të vështroja tek flije,

do të të përqafoja më fort. Do t’i përgjërohesha Zotit të të mbronte.

Po ta dija se kjo do të ishte hera e fundit që të vështroja teksa dilje nga dera,

do të të përqafoja e puthja dhe do të të thërrisja përsëri, të të përqafoja dhe puthja edhe një herë.

Po ta dija se kjo do të ishte hera e fundit, do të dëgjoja zërin tënd tek luteshe,

do të regjistroja çdo gjest, çdo vështrim, çdo buzëqeshje, çdo fjalë tënden,

që të mund ta dëgjoja më vonë, çdo ditë.

Po ta dija se kjo do të ishte hera e fundit,

do të shpenzoja edhe një apo dy minuta të tjera për të të thënë “të dua”, në vend që të mendoja se ti e dije këtë tashmë.

Po ta dija se kjo do të ishte hera e fundit, çasti ynë i fundit,

do të isha përkrah teje, duke kaluar ditën me ty, në vend që të mendoja:

“Epo, jam i sigurt se do të vijnë mundësi të tjera, pra mund ta lë të shkojë kjo ditë.”

Natyrisht, do të ketë një ditë për të ndrequr gjërat,

dhe ne do të kemi një mundësi të dytë për t’i bërë gjërat siç duhet.

Natyrisht, do të ketë një ditë tjetër për ne për të thënë “të dua”.

Dhe sigurisht do të ketë një mundësi tjetër për t’i thënë njëri-tjetrit: “A mund të të ndihmoj?”

Por në rastin tim, nuk ka më!

Nuk të kam pranë meje dhe sot është dita e fundit që kemi — lamtumira jonë.

Prandaj dua të të them sa fort të dua,

dhe shpresoj të mos ta harrosh kurrë.

E nesërmja nuk i premtohet askujt, qoftë i ri apo i moshuar.

Sot mund të jetë mundësia jote e fundit për të shtrënguar dorën e asaj që do dhe për t’i treguar gjithë ndjenjat e tua.

Nëse po pret të nesërmen, pse të mos ta bësh sot?

Sepse nëse e nesërmja nuk vjen kurrë, sigurisht do të pendohesh për gjithë jetën,

që nuk harxhove edhe pak kohë për një buzëqeshje, një bisedë, një përqafim, një puthje,

sepse ishe tepër i zënë t’i plotësoje atij njeriu atë që qe dëshira e tij e fundit.

Prandaj përqafojini sot ata që doni, miqtë tuaj, familjarët tuaj,

dhe pëshpëritini në vesh sa shumë i doni dhe sa shumë dëshironi t’i keni pranë.

Përdoreni kohën tuaj për të thënë:

“Më vjen keq”,

“Të lutem”,

“Më fal”,

“Faleminderit”,

ose madje:

“S’ka përse”,

“Në rregull”,

Sepse nëse e nesërmja nuk vjen kurrë, nuk do të pendohesh për të sotmen.

E shkuara nuk kthehet dhe e ardhmja mund të mos vijë kurrë!10

Le t’i shprehim sot dashurinë tonë bashkëshortes/tit dhe fëmijëve tanë, vëllezërve dhe motrave tona. E di se Perëndia jeton. E di se Jezusi është Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di se Jozef Smithi është një profet i Zotit dhe se Gordon B. Hinkli është profeti i gjallë i Perëndisë në këtë tokë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  2. Shih DeB 75:28.

  3. Shih DeB 68:25.

  4. 1 Nefi 1:1.

  5. Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  6. Shih “Challenges Facing the Family”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 2-3.

  7. Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  8. Gjoni 13:34.

  9. Gjoni 15:13.

  10. Shih në adresën www.heartwhispers.net; u përdor me leje.