2007
Nëna Që Dinë
Nëntor 2007


Nëna Që Dinë

Mëmësia ka fuqi dhe ndikim të përjetshëm.

Pamja

Në Librin e Mormonit ne lexojmë për 2000 të rinj shembullorë të cilët qenë jashtëzakonisht të guximshëm, trima dhe të fortë. “Po, ata ishin njerëz që i përmbaheshin së vërtetës dhe njerëz seriozë të cilëve u ishte mësuar t’u bindeshin urdhërimeve të Perëndisë dhe të ecnin drejtësisht para tij” (Alma 53: 21). Këta të rinj besnikë nderonin nënat e tyre. Ata thanë: “nënat tona e dinin atë” (Alma 56:48). Ma do mendja se edhe nënat e Kapiten Moronit, Mosias, Mormonit dhe udhëheqësve të tjerë të mëdhenj e dinin.

Përgjegjësia që kanë nënat sot, s’ka kërkuar ndonjëherë vigjilencë më të madhe. Më shumë se në secilën etapë të historisë së botës, kemi nevojë për nëna që dinë. Fëmijët lindin në një botë ku “beteja [e tyre] nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12).1 Megjithatë, nënat nuk duhet të kenë frikë. Kur nënat e dinë se cilat janë dhe se cili është Perëndia dhe kanë bërë besëlidhje me Të, ato do të kenë fuqi dhe ndikim të madh për mirë tek fëmijët e tyre.

Nënat Që Dinë, Lindin Fëmijë

Nënat që dinë, dëshirojnë të lindin fëmijë. Ndërkohë që në shumë kultura në botë fëmijët po “vlerësohen më pak”,2 në kulturën e ungjillit ne ende besojmë tek lindja e fëmijëve. Profetë, shikues dhe zbulues, që u mbështetën në këtë konferencë, kanë deklaruar se “urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm.”3 Presidenti Ezra Taft Benson na mësoi se çiftet e reja nuk duhet ta shtyjnë lindjen e fëmijëve dhe se “nga këndvështrimi i përjetësisë, fëmijët — jo pronat, jo pozita, jo prestigji — janë xhevahiret tona më të mëdha.”4

Bijat besnike të Perëndisë dëshirojnë fëmijë. Në shkrimet e shenjta ne lexojmë për Evën (shih Moisiu 4:26), Sarën (shih Zanafilla 17:16), Rebekën (shih Zanafilla 24:60) dhe Marien (shih 1 Nefi 11:13–20), të cilat u parashuguruan të jenë nëna para se t’u lindnin fëmijët. Disa grave nuk iu jepet përgjegjësia e lindjes së fëmijëve në vdekshmëri, por amá, ashtu si Ana e Dhjatës së Vjetër u lut plot zjarr të kishte fëmijën e saj (shih 1 Samuelit 1:11), vlera që gratë i çmojnë amësisë në këtë jetë dhe cilësitë prej nëne që ato arrijnë këtu, do të ngrihen me to në Ringjallje (shih DeB 130:18). Grave që dëshirojnë dhe punojnë për të arritur këtë bekim në këtë jetë, u premtohet se do ta marrin atë për gjithë përjetësinë dhe përjetësia është shumë, shumë më e gjatë se vdekshmëria. Mëmësia ka fuqi dhe ndikim të përjetshëm.

Nënat Që Dinë, Nderojnë Besëlidhjet dhe Ordinancat e Shenjta

Nënat që dinë, nderojnë besëlidhjet dhe ordinancat e shenjta. Kam vizituar mbledhje sakramenti në disa nga vendet më të varfëra të botës, ku nënat vishen me kujdes të madh me rrobat më të mira për të dielën, megjithëse duhet të ecin kilometra të tërë në rrugë plot pluhur dhe të përdorin transport publik të vjetëruar. Ato i sjellin bijat me rroba të pastra e të hekurosura, me flokë të krehur në mënyrë të përsosur; bijtë e tyre veshin këmisha të bardha e kravata dhe flokët i kanë të prerë si misionarët. Ato nëna e dinë se po shkojnë në mbledhjen e sakramentit, ku besëlidhjet përtërihen. Ato nëna i kanë bërë dhe i nderojnë besëlidhjet e tempullit. Ato e dinë që, nëse nuk po i drejtojnë fëmijët e tyre tek tempulli, ato nuk po i drejtojnë tek qëllimet e përjetshme të dëshiruara. Ato nëna kanë ndikim dhe fuqi.

Nënat Që Dinë Janë Nëna që Ushqejnë

Nënat që dinë, janë nëna që ushqejnë. Kjo është detyra dhe roli i tyre i veçantë sipas planit të lumturisë.5 Të ushqesh do të thotë të kultivosh, të kujdesesh dhe të rritësh. Prandaj, nënat që dinë, krijojnë një mjedis për rritje shpirtërore dhe materiale në shtëpitë e tyre. Një tjetër fjalë që ka kuptimin e të ushqyerit, është amvisëria. Amvisëria përfshin gatimin, larjen e rrobave dhe të enëve, si dhe mbajtjen e shtëpisë në rregull. Shtëpia është vendi ku gratë kanë fuqinë dhe ndikimin më të madh, prandaj, gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet të jenë amvisat më të mira në botë. Puna krah për krah me fëmijët për të kryer punët në shtëpi, krijon mundësi për t’i mësuar dhe jep shembullin e cilësive që fëmijët duhet të imitojnë. Nënat që ushqejnë janë të ditura, por gjithçka që do të arrijnë gratë e arsimuara, nuk do t’u sjellë asnjë dobi, nëse ato nuk kanë aftësinë të kenë një shtëpi që krijon klimën për rritje shpirtërore. Rritja bëhet më mirë në një “shtëpi rregulli” dhe gratë duhet t’i modelojnë shtëpitë e tyre sipas shtëpisë së Zotit (shih DeB 109). Ushqyerja kërkon organizim, durim, dashuri dhe punë. Ndihma për rritjen nëpërmjet ushqyerjes, është një rol vërtet i fuqishëm e plot ndikim, i cili u jepet grave.

Nënat Që Dinë Janë Udhëheqëse

Nënat që dinë, janë udhëheqëse. Në partneritet të barabartë me bashkëshortët e tyre, ato udhëheqin një organizatë të madhe dhe të përjetshme. Këto nëna planifikojnë të ardhmen e organizatës së tyre. Ato planifikojnë misionet, martesat në tempull dhe arsimimin. Ato planifikojnë lutje, studim të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmje familjare në shtëpi. Nënat që dinë, u japin fëmijëve formën e udhëheqësve të ardhshëm dhe janë shembulli i parë sesi duhet të jetë një udhëheqës. Ato nuk e braktisin planin e tyre duke u dorëzuar para trysnisë shoqërore dhe modeleve të prindit sipas botës. Këto nëna të mençura që dinë, janë përzgjedhëse për aktivitetet dhe përfshirjet e veta, që ta ruajnë forcën e tyre të kufizuar, në mënyrë që të rrisin në maksimum ndikimin e tyre atje ku ka më shumë rëndësi.

Nënat Që Dinë Janë Mësuese

Nënat që dinë, janë gjithmonë mësuese. Meqenëse ato nuk janë dado, ato asnjëherë nuk janë jashtë shërbimi. Një mik i mirëmësuar më tha se ai nuk kishte mësuar asnjë gjë në kishë që nuk e kishte mësuar tashmë në shtëpi. Prindërit e tij përdornin studimin familjar të shkrimit të shenjtë, lutjen, mbrëmjen familjare në shtëpi, kohën e ngrënies dhe çastet e tjera së bashku për të dhënë mësim. Mendoni për fuqinë e forcës sonë të ardhshme misionare, nëse nënat i konsiderojnë shtëpitë si një qendër paraprake trajnimi për misionarë. Atëherë doktrinat e ungjillit që mësohen në QTM do të jenë një përsëritje dhe jo një zbulim. Ky është ndikim; kjo është fuqi.

Nënat Që Dinë, Lejojnë Më Pak

Nënat që dinë, lejojnë më pak. Ato lejojnë më pak gjëra që nuk do të sillnin fryte të mira nga këndvështrimi i përjetësisë. Ato lejojnë më pak mjete informative në shtëpitë e tyre, më pak argëtime, më pak veprimtari që do t’i tërhiqte fëmijët larg shtëpisë. Nënat që dinë janë të gatshme të jetojnë me më pak e të konsumojnë më pak nga të mirat e botës në mënyrë që të kalojnë më shumë kohë me fëmijët e tyre: më shumë kohë duke ngrënë së bashku, më shumë kohë duke punuar së bashku, më shumë kohë duke lexuar së bashku, më shumë kohë duke folur, duke qeshur, duke kënduar dhe duke dhënë shembull. Këto nëna zgjedhin me kujdes dhe nuk zgjedhin të bëjnë e të kenë gjithçka. Qëllimi i tyre është të përgatisin një brez të ri fëmijësh që do ta çojë ungjillin e Jezu Krishtit në të gjithë botën. Qëllimi i tyre është të përgatisin etër e nëna të ardhshme që do të jenë ndërtuesit e mbretërisë së Zotit në 50 vitet e ardhshme. Ky është ndikim; kjo është fuqi.

Nënat Që Dinë Janë të Paepura dhe të Patundura

Kush do ta përgatisë këtë brez të drejtë bijsh e bijash? Gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme do ta bëjnë këtë — gra që dinë, që e duan Zotin dhe japin dëshmi për Të, gra të cilat janë të paepura dhe të patundura dhe që nuk dorëzohen gjatë kohëve të vështira dhe shkurajuese. Ne udhëhiqemi nga një profet i frymëzuar i Perëndisë, i cili iu ka kërkuar grave të Kishës të “jenë të paepura dhe të patundura për atë që është e saktë dhe e duhur sipas planit të Zotit.”6 Ai na ka kërkuar të “fillojmë brenda vetë shtëpive [tona]”7 t’u mësojmë fëmijëve udhët e së vërtetës. Gratë shenjtore të ditëve të mëvonshme duhet të jenë më të mirat në botë për krijimin, ushqyerjen dhe mbrojtjen e familjeve. Kam besim të plotë se gratë tona do ta bëjnë këtë dhe do të arrijnë të njihen si nëna që “dinin” (Alma 56:48). Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih Gordon B. Hinckley, “Standing Strong and Immovable”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 21.

  2. James E. Faust, “Challenges Facing the Family”, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 2.

  3. “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, tetor 2004, fq. 49.

  4. To the Mothers in Zion, (pamflet, 1987), fq. 3.

  5. Shih “Familja: Një Proklamatë Drejtuar Botës”.

  6. Gordon B. Hinckley, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 20.

  7. Gordon B. Hinckley, Worldwide Leadership Training Meeting, 10 janar 2004, fq. 20.