2007
Nga Gjëra të Vogla
Nëntor 2007


Nga Gjëra të Vogla

Si dishepuj të Zotit Jezu Krishti ne kemi përgjegjësi të kujdesemi dhe t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona.

Pamja

“Mabuhahi” [përshëndetje] nga njerëzit e dashur e të mrekullueshëm të Filipineve!

Një nga pyetjet më të vjetra dhe më të thella të shqiptuara në historinë e kësaj toke, erdhi, ç’është më interesantja, nga Kaini në përgjigje të pyetjes që i bëri Perëndia pak pasi kishte vrarë të vëllanë, Abelin: “Mos jam unë rojtari i vëllait tim?”1 Kjo pyetje meriton vëmendje serioze nga ata që kërkojnë të bëjnë vullnetin e Zotit. Një nga përgjigjet gjendet në mësimet e Almës:

“Dhe tani, … ju dëshironi të hyni në grigjën e Perëndisë dhe të quheni populli i tij dhe jeni të gatshëm të mbani barrat e njëri-tjetrit, që ato të mund të jenë të lehta —

Po, dhe jeni të gatshëm të vajtoni me ata që vajtojnë; po, dhe të ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen.”2

Si dishepuj të Zotit Jezu Krishti ne kemi përgjegjësi të kujdesemi dhe t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona. Duke treguar shëmbëlltyrën e Samaritanit të mirë, Jezu Krishti jo vetëm bëri që armiqtë e Tij të hutohen, por edhe u la një mësim të madh të gjithë atyre që kërkonin t’i shkonin pas. Nevojitet që ne ta zgjerojmë rrethin e ndikimit tonë. Shërbimi ynë ndaj të tjerëve nuk duhet të varet nga raca, ngjyra, pozita apo marrëdhëniet. Në fund të fundit, urdhërimi “ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur”3 nuk u dha me përjashtime.

Ka shumë që besojnë se shërbimi, në mënyrë që të jetë kuptimplotë, duhet të përfshijë hartimin e planeve të hollësishme dhe ngritjen e një komiteti. Megjithëse shumë nga këto projekte të vlefshme ndihmojnë, shumica e shërbimit që i nevojitet sot botës ka të bëjë me shoqërimin tonë të përditshëm me njëri-tjetrin. Shpeshherë këto mundësi ne i gjejmë brenda kufijve të shtëpisë, fqinjërisë dhe lagjes sonë.

Këshilla në vazhdim, të cilën personazhi i Gajtanit mashtrues i jep të nipit, Krimb-drurit, në librin e Klajv S. Ljuisit “Letrat e Gajtanit”, përshkruan një sëmundje të zakonshme që prek shumë prej nesh sot: “Bëj si të dëshirosh, do të ketë ndonjë dashamirësi, si edhe ndonjë urrejtje, në shpirtin e pacientit tënd. Çështja kryesore është ta drejtosh urrejtjen drejt fqinjëve të afërt që ai takon çdo ditë dhe ta shtysh dashamirësinë e tij drejt periferisë së largët, drejt njerëzve që ai nuk i njeh. Në këtë mënyrë urrejtja bëhet plotësisht reale dhe dashamirësia kryesisht imagjinare.”4

Teksti i një himni të njohur përshkruan kurimin e përsosur:

A u lehtësua barra e dikujt sot,

Ngaqë isha i gatshëm ta ndaja me të?

Të sëmurët dhe të lodhurit a u ndihmuan udhës së tyre?

Kur u nevojitej ndihma ime, ku isha unë?

Zgjohu atëherë dhe bëj diçka më shumë,

Sesa të ëndërrosh për banesën tënde në qiell.

Të bësh të mirën është kënaqësi, jashtë mase gëzim,

Është një bekim i detyrës dhe i dashurisë.5

Në vazhdim përshkruhen ngjarje që kam pasur privilegjin t’i dëshmoj, të cilat më kanë mësuar se si mund të na ndihmojnë veprime të thjeshta shërbimi neve dhe ata që na lejojnë t’i ndikojmë. Ati ynë Qiellor vë njerëz të dashur të na ndihmojnë në udhëkryqin e vendimeve të rëndësishme, në mënyrë që ne të mos lihemi të vetmuar të endemi në errësirë. Këta burra dhe gra ndihmojnë me anë të shembullit dhe me durim e dashuri. E tillë ishte përvoja ime.

Më kujtohet një udhëkryq veçanërisht i rëndësishëm — vendimi për të shkuar në një mision me kohë të plotë. Qëndrova në atë udhëkryq për një kohë mjaft të gjatë. Ndërsa përpiqesha të vendosja se cilën rrugë të zgjidhja, familja ime, miqtë dhe udhëheqësit e priftërisë erdhën të më merrnin për dore. Ata më inkurajuan e më nxitën dhe ofruan lutje të panumërta për mua. Motra ime misionare me kohë të plotë, më shkruante rregullisht dhe asnjëherë nuk u dorëzua.

Madje sot, unë ende gjej mbështetje nga burra dhe gra bujare. Ma do mendja të gjithë gjejmë mbështetje. Në njëfarë mënyre të gjithë mbështetemi tek njëri-tjetri që të jemi në gjendje të kthehemi në shtëpinë tonë qiellore.

Përhapja e mesazhit të ungjillit është një nga mënyrat më shpërblyese me të cilën mund t’u bëjmë shërbim atyre që nuk janë të besimit tonë. Më kujtohet një përvojë fëmijërie me dikë që do ta quaj thjesht Xha Fredi.

Kur isha gjashtë vjeç, Xha Fredi ishte tmerri im më i madh. Ai ishte fqinj me ne dhe ishte gjithnjë i dehur. Një nga argëtimet e tij më të pëlqyera ishte të qëllonte me gurë shtëpinë tonë.

Ngaqë nëna ime gatuante mjaft mirë, anëtarë të rritur beqarë nga dega jonë e vogël vizitonin shpesh shtëpinë tonë. Një ditë kur Xha Fredi ishte esëll, këta anëtarë i bënë shoqëri atij dhe e ftuan në shtëpinë tonë. Kjo ngjarje e re më tmerroi. Ai nuk ishte më vetëm jashtë, por edhe brenda shtëpisë sonë. Kjo ndodhi edhe disa herë të tjera derisa, më në fund, ata arritën ta bindnin Xha Fredin të dëgjonte diskutimet e misionarëve. Ai e pranoi ungjillin dhe u pagëzua. Shërbeu me kohë të plotë në një mision, u kthye me nder, vazhdoi të arsimohej më tej dhe u martua në tempull. Tani ai është bashkëshort, baba dhe udhëheqës i drejtë i priftërisë. Ta shohësh sot Xha Fredin, vështirë se dikush beson që njëherë ai i sillte tmerr jetës së një djali gjashtëvjeçar. Qofshim përherë të aftë të shquajmë mundësitë për përhapjen e ungjillit.

Nëna ime ishte një shembull i madh i ndihmës së të tjerëve, duke u dhënë çfarë u nevojitej. Ajo na mësoi shumë mësime të rëndësishme. Një nga mësimet që ka pasur ndikimin më të zgjatur në jetën time, ishte dëshira e saj për të ndihmuar cilindo vizitor nevojtar që na vinte në shtëpi. Shqetësohesha duke parë shumë prej tyre që iknin me ushqimet tona, rrobat tona dhe madje me paratë tona. Ngaqë isha i ri dhe ne ishim të varfër, nuk më pëlqente ajo që shihja. Si mund t’u jepte ajo të tjerëve, kur familjes sonë madje as nuk i mjaftonte? Ishte gabim të plotësoje në fillim nevojat tona? Nuk meritonim një jetë më të rehatshme?

Për vite më kanë munduar këto pyetje. Shumë më vonë në jetë, më në fund kuptova atë që Nëna po na mësonte. Madje edhe kur e mundonin pasojat e një sëmundjeje gjymtuese, ajo nuk pushonte së dhëni atyre që ishin nevojtarë.

“Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe.”6 Shërbimi ndaj të tjerëve nuk është e nevojshme të vijë nga ngjarje madhështore. Shpeshherë është veprimi i thjeshtë i përditshëm ai që u jep ngushëllim, që lartëson, inkurajon, përkrah dhe u sjell një buzëqeshje të tjerëve.

Qofshim përherë të aftë të gjejmë mundësi për të shërbyer, është lutja ime në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Zanafilla 4:9; Moisiu 5:34.

  2. Mosia 18:8-9.

  3. DeB 81:5.

  4. The Complete C. S. Lewis Signature Classics (2002), fq. 201.

  5. “Have I Done Any Good”, Hymns, nr. 223.

  6. DeB 64:33.