2007
Mos e Shuani Frymën e Cila i Jep Jetë Njeriut të Brendshëm
Nëntor 2007


Mos e Shuani Frymën e Cila i Jep Jetë Njeriut të Brendshëm

Kur ne ftojmë Frymën e Shenjtë për të mbushur mendjen tonë me dritë dhe njohuri, Ai na “gjallëron” ose, si të thuash, e ndriçon dhe e ngjall burrin apo gruan e brendshme.

Pamja

Tek 1 Thesalonikasve kapitulli 5, Pali i këshilloi anëtarët që të silleshin ashtu siç u takon shenjtorëve. Ai vazhdoi më tej duke renditur veti dhe sjellje të përshtatshme. Në vargun 19, Pali këshilloi me këto katër fjalë të thjeshta: “Mos e shuani Frymën.”

Në mënyrë interesante, afro 500 vjet përpara shkrimeve të Palit, një profet i Librit të Mormonit i quajtur Jakob, u përpoq t’i mësonte ungjillin e Jezu Krishtit një populli rezistues. Ai me guxim u kërkoi atyre sa më poshtë: “A do t’i hidhni poshtë fjalët e profetëve dhe a do … ta mohoni fjalën e mirë të Krishtit … dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë, dhe të shuani Shpirtin e Shenjtë?”1

Në ditët tona, kaq shumë shekuj pas Palit edhe Jakobit, ne gjithashtu duhet të jemi të kujdesshëm për të mos penguar, shpërfillur apo ta shuar Shpirtin në jetën tonë.

Ftesat tërheqëse të botës përpiqen ta shmangin vëmendjen tonë nga shtegu i ngushtë dhe i ngushtuar. Kundërshtari punon për të na mpirë ndjeshmërinë ndaj nxitjeve të Shpirtit, qofshim ne adoleshentë, të rinj në moshë madhore apo burra ose gra të rritura. Roli i Shpirtit, i Frymës së Shenjtë, është thelbësor në çdo stinë të jetës sonë të vdekshme.

Që nga fillimi Ati i ka premtuar secilit nga bijtë dhe bijat e Tij shpirtërorë se nëpërmjet Shlyerjes dhe Ringjalljes së Birit të Tij të Dashur, të gjithë ne mund të kthehemi në prani të Perëndisë dhe të trashëgojmë bekimet e jetës së përjetshme në shkallën më të lartë të mbretërisë çelestiale.

Secili nga ne e dinte se udhëtimi drejt ekzaltimit do të ishte i gjatë, i mundimshëm dhe ndonjëherë i vetmuar, por ne gjithashtu e dinim se ne nuk do të udhëtonim të vetëm. Ati Qiellor u siguron të gjithë atyre që plotësojnë kërkesat e besimit, pendimit dhe pagëzimit, një mik dhe udhërrëfyes, Frymën e Shenjtë.

Shtegu për tek jeta e përjetshme nuk kalon nëpër një pllajë. Më saktë, është një e tatëpjetë, që shkon gjithmonë lart e më lart. Prandaj, për të arritur destinacionin tonë, kërkohet një kuptim shpirtëror dhe energji gjithmonë në rritje. Për shkak se kundërshtimi shkatërrues i Satanit vazhdon, udhëheqja ndriçuese e vazhduar e Frymës së Shenjtë, është absolutisht thelbësore. Ne nuk duhet të rrezikojmë duke penguar, shpërfillur apo shuar nxitjet e Frymës së Shenjtë. Megjithatë, kur vjen puna për të përfituar nga nxitjet dhe bekimet që rrjedhin nga Fryma e Shenjtë, ne shpesh “kënaqemi me shumë më pak sesa mund të na jepet.”2

Tek Perla me Vlerë të Madhe, Moisiu shkroi se Adami, pasi u pagëzua dhe mori Frymën e Shenjtë: “u gjallërua në njeriun e brendshëm.”3

Kur ne ftojmë Frymën e Shenjtë për të mbushur mendjen tonë me dritë dhe njohuri, Ai na “gjallëron” ose, si të thuash, e ndriçon dhe e ngjall burrin apo gruan e brendshme.4 Si pasojë ne vëmë re një ndryshim të ndjeshëm në shpirtin tonë. Ne ndihemi të forcuar, të mbushur me paqe dhe gëzim. Ne zotërojmë energji dhe entuziazëm shpirtëror, të cilat i rrisin aftësitë tona natyrore. Ne mund të përmbushim më shumë sesa mund të bënim nga vetja jonë. Ne jemi të etur për t’u bërë një person më i shenjtë.

A doni ta dini çmimin që duhet paguar për privilegjet që ofrohen pasi kemi marrë Frymën e Shenjtë? Çmimi nuk është një shumë e paracaktuar apo e fiksuar; më saktë, ajo përcaktohet nga secili prej nesh individualisht.

Nëse e vendosni pagesën tuaj, domethënë përpjekjen tuaj vetjake, shumë të ulët, ju mund të mos jeni në gjendje të merrni për veten tuaj gjithçka që Shpirti ka për të ofruar. Ju madje mund ta shuani Frymën! Megjithatë, nëse i caktoni kontributet tuaja personale të larta, ju do të mblidhni një korrje të bollshme nga Shpirti. Pagesa së cilës i referohem, natyrisht nuk është para, por është një zotim dhe një përfshirje më e madhe në përpjekje dhe sjellje shpirtërore individuale.

Ne e përcaktojmë nivelin e kontributit tonë të tanishëm personal duke ekzaminuar zgjedhjet dhe përparësitë tona të tanishme përkundrejt pyetjeve të tilla:

  1. A shpenzoj më shumë kohë me sporte sesa me pjesëmarrjen ose thirrjet në Kishë?

  2. Nëse kam një ditë të lirë, a zgjedh të vizitoj tempullin apo të vizitoj një qendër tregtare?

  3. A e shpenzoj kohën time me lojra kompjuterike ose duke eksploruar në Internet, në vend që të ofroj shërbim kuptimplotë ndaj të tjerëve në shtëpinë dhe komunitetin tim?

  4. A e lexoj rregullisht gazetën, por e kam të vështirë t’i lexoj shkrimet e shenjta përditë?

Ka pyetje të tjera që mund të formuloni ju, të cilat do t’ju zbulojnë sa me vend janë zgjedhjet dhe përparësitë tuaja të tanishme.

Çfarëdo niveli të zhvillimit shpirtëror që secili nga ne mund të ketë momentalisht, gjithmonë ekziston një nivel më i lartë që ne mund të arrijmë. Koha është një mjet mjaft i çmuar. A do të mendonit për të investuar më shumë nga koha juaj në gjërat e përjetësisë, në mënyrë që të meritoni shoqërinë e vazhdueshme të Frymës së Shenjtë dhe të përfitoni më plotësisht nga ndikimi i Tij?

Nëse përgjigjja juaj është “po”, oferta fillestare në këtë përpjekje për një shpirtshmëri më të thellë, është një dëshirë e rritur për të marrë një frymëzim më të madh dhe për t’u bërë më i shenjtë. Kur këto dëshira e mbushin zemrën tonë, ne do të rrisim me zell çmimin që paguajmë për të patur ndihmën e qiellit.

Kontributi tjetër i ynë ndaj kësaj përpjekjeje do të jetë ta zhysim veten më rregullisht në fjalët e Krishtit dhe të profetëve. Kur përpjekjet tona për të studiuar rriten, po ashtu do të rritet edhe ndikimi i Frymës së Shenjtë në jetën tonë. Le të shqyrtojmë shkrimet e shenjta me laps në dorë, duke shënuar frymëzime të reja dhe duke regjistruar nxitje shpirtërore. Më pas, le të përpiqemi të vëmë në zbatim atë që kemi mësuar në jetën tonë personale. Shpirti do t’i japë jetë personit tonë të brendshëm; një kuptim i ri do të vijë parim pas parimi.

Për t’u siguruar që ne nuk do ta shuajmë Frymën, por që më saktë do ta ftojmë praninë e Tij, ka edhe një hap tjetër për t’u bërë. Le të lutemi shpesh dhe me zjarr. Premtimi i dashur dhe gjithëpërfshirës i Shpëtimtarit, është shënuar në Doktrina e Besëlidhje:

  • “M’u afroni pranë dhe unë do të afrohem pranë jush.”

  • “Kërkoni me zell dhe do të më gjeni.”

  • “Lypni dhe do të merrni.”

  • “Trokisni dhe do t’ju çelet.”

  • “Çfarëdo që i kërkoni Atit në emrin tim, do t’ju jepet, ajo që është e domosdoshme për ju.”5

Vini re radhën, vëllezër dhe motra. Ne i afrohemi më pranë Shpëtimtarit ndërsa i mbajmë me përpikmëri urdhërimet e Tij. Ne me zell i lutemi Atit në emrin e Krishtit. Më pas, nëpërmjet nxitjeve të Frymës së Shenjtë, ne marrim një drejtim hyjnor dhe një kuptim të qartë.

Ndërsa agjërojmë, përtërijmë besëlidhjet tona gjatë sakramentit dhe ndërsa frekuentojmë tempullin, ne mund të ndiejmë akoma më shumë Shpirtin. Në këto mjedise, Fryma e Shenjtë mund ta tregojë ndikimin e Tij në një masë më të madhe.

Tempulli është një vend i mrekullueshëm për të kërkuar zbulesë personale. Kur ne marrim pjesë sa më shpesh që mundemi dhe dëgjojmë me kujdes, duke menduar thellë premtimet dhe shpresat e lavdishme, ne largohemi prej andej me një kuptim të rritur të planit të Atit Qiellor për ne. Fryma e Shenjtë e rrit vizionin tonë dhe bën që ajo perspektivë e përjetshme të ndikojë në vendimet që marrim në jetën tonë të përditshme.

Nëse e bëjmë këtë përpjekje dhe nuk e shuajmë Frymën, qenia jonë e brendshme gjallërohet. Ndërsa ngulmojmë në këtë gjë, jeta e përjetshme na pret. Kështu, ne nuk guxojmë ta shuajmë Frymën nëpërmjet mosbindjes ose neglizhencës. Në vend të kësaj, le të “rrojmë në Frymë”6, duke rritur rolin e shenjtë dhe thelbësor të Frymës së Shenjtë në vetë jetën tonë. Unë dëshmoj se ndërsa ne me të vërtetë kërkojmë Shpirtin, ne do të përfitojmë më plotësisht nga veprat e qeta, por jetësore, të Frymës së Shenjtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Jakobi [LiM] 6:8.

  2. Brigam Jang, Discourses of Brigham Young, përzgjedhur nga John A. Widtsoe (1954), fq. 32.

  3. Moisiu 6:65.

  4. Shih Parley P. Pratt, Key to the Science of Theology, botimi i 9-të (1965), fq. 101: “Dhurata e Frymës së Shenjtë … i gjallëron të gjitha aftësitë intelektuale, i rrit, zgjeron dhe shpalos të gjitha pasionet dhe dhembshuritë natyrore; dhe i përshtat ato, nëpërmjet dhuratës së urtësisë, në përdorimin e tyre të ligjshëm.”

  5. Doktrina e Besëlidhje 88:63-64.

  6. Galatasve 5:25.