2007
Lartësimi i Synimeve
Nëntor 2007


Lartësimi i Synimeve

Sigurohuni që do t’i kaloni me lehtësi standardet minimale për shërbim si misionar dhe se ju vazhdimisht po e ngrini stekën.

Pamja

Unë pata privilegjin muajin e fundit të caktohesha të marr pjesë në një seminar me presidentët e misioneve nga Zona Perëndimore e Amerikës së Veriut. Ndër presidentët e misioneve pjesëmarrës ishte edhe djali im, Li. Ai ishte thirrur të shërbente përpara se unë të kisha mbushur një vit emërimi në Presidencinë e Europës Qendrore. Kishin kaluar tre vjet përpara se të kisha kaluar ndonjë kohë me tim bir, përveç vizitave të shkurtra gjatë udhëtimeve nëpër zonën e tij kur ndodhesha në thirrje të tjera.

Pas një darke njohëse me të gjithë presidentët e misioneve dhe bashkëshortet e tyre, Li dhe unë, me bashkëshortet, shkuam në dhomën e hotelit tim për një takim. Biseda jonë, sigurisht, u përqendrua në punën misionare. Li shpjegoi se çfarë kishte ndodhur me misionarët e tij qysh kur Presidenti Hinkli na kërkoi të rrisnim standardet e kualifikimeve për shërbimin misionar. Ai më tregoi për një përmirësim të dukshëm të arritur në përgatitjen e misionarëve që arrinin në vendin e misionit. Biseda na çoi në kujtimin e një përvoje që Li dhe unë kishim patur kur ai ndiqte shkollën e mesme.

Li ishte anëtar i skuadrës së atletikës të shkollës — ai ishte për garat e shpejtësisë dhe për kërcim së larti. Gjatë Lojrave Olimpike Verore të 1968-ës në Meksiko, bota u magjeps me atletin pak të njohur të kërcimit së larti Dik Fosbëri. Ai kishte eksperimentuar një teknikë të re të kërcimit së larti që përfshinte vrapimin diagonal drejt stekës, pastaj përkulej dhe kërcente mbrapsh mbi stekë. Ajo mori emrin “kërcimi Fosbëri.”

Si shumë të tjerë, Li ishte intriguar nga kjo teknikë e re, por deri në fillimin e vitit të ri shkollor ai nuk kishte një vend ku ta praktikonte. Një mbrëmje vij në shtëpi dhe e gjej duke praktikuar kërcimin Fosbëri në bodrum. Ai kishte sajuar dy mbajtëse steke duke vendosur karrige njëra mbi tjetrën dhe po kërcente mbi një bisht fshese të vendosur mbi karriget, duke përdorur për rënie një divan. Ishte shumë e qartë për mua se divani nuk do t’i rezistonte këtij trajtimi prandaj i kërkova ta ndërpriste kërcimin së larti në salla të mbyllura. Në vend të kësaj e ftova të vinte me mua në një dyqan artikujsh sportivë, ku blemë material shkume mbushëse që ta përdornim për rënien dhe mbajtëse steke për kërcim së larti që ai ta zhvendoste veprimtarinë në ambient të hapur.

Pas eksperimentimit të kërcimit Fosbëri, Li vendosi t’i rikthehej teknikës perëndimore të rrotullimit që e kishte përdorur më parë. Përsëri, nga fundi i verës deri në vjeshtë, praktikoi kërcimin së larti për shumë orë në kopshtin pas shtëpisë.

Një mbrëmje kur u ktheva nga puna në shtëpi, e gjej Liun duke praktikuar kërcimin e vet. Pyeta: “Sa lart është steka?”

Ai tha: “Një e shtatëdhjetë.”

“Pse kaq lart?”

Ai u përgjigj: “Duhet të kalosh këtë lartësi që të kualifikohesh për garat e atletikës të shtetit.”

“Ti si po ecën?” e pyeta.

“Unë mund ta kaloj në çdo kërcim. Nuk kam dështuar.”

Unë ia ktheva: “Atëhere le ta ngremë stekën dhe të shohim si do të jetë kërcimi.”

Ai u përgjigj: “Atëhere mund të mos e kaloj.”

E pyeta: “Nëse nuk ngre stekën, si do ta dish se çfarë force ke?”

Kështu filluam ta ngremë stekën deri në një e shtatëdhjetë e nëntë, pastaj në një e tetëdhjetë; dhe kështu me radhë, ndërsa ai kërkonte të përmirësohej. Liu u bë një atlet më i mirë i kërcimit së larti, ngaqë ai nuk ishte i kënaqur thjesht me arritjen e standardit minimal. Ai mësoi se edhe nëse kjo do të përmbante humbje, ai donte të vazhdonte të ngrinte më lart stekën për t’u bërë një atlet aq i mirë sa ishte i aftë të bëhej.

Duke kujtuar këtë përvojë me djalin tim më erdhi në mendje mesazhi i Plakut M. Rasëll Ballard në sesionin e priftërisë në Konferencën e Përgjithshme të tetorit 2002, ku ai i ftoi të rinjtë e Kishës të bëhen brezi më i shkëlqyer i misionarëve. Ai njoftoi se steka për standardin minimal të shërbimit misionar ishte ngritur më lart. Ai i udhëzoi të rinjtë e Priftërisë Aarone të përgatiten më fort për të arritur këtë standard më të lartë minimal. Ai gjithashtu udhëzoi baballarët, peshkopët dhe presidentët e kunjeve mbi ndihmën për të rinjtë që të përgatiten për mision kohëplotë. (Shih “The Greatest Generation of Missionaries”, Liahona, nëntor 2002, fq. 46-49.)

Në konkluzionet e tij të mbylljes në po atë sesion priftërie, Presidenti Hinkli komentoi mbi bisedën e Plakut Ballard. Ai tha: “Plaku Ballard ju foli lidhur me misionarët. Unë dëshiroj ta miratoj atë që tha ai. Unë shpresoj se të rinjtë tanë dhe të rejat tona do të ngrihen në lartësinë e sfidës që paraqiti ai. Ne duhet ta ngremë stekën lidhur me vlerat dhe kualitetet e atyre që shkojnë nëpër botë si ambasadorë të Zotit Jezu Krisht” (“To Men of the Priesthood”, Liahona, nëntor 2002, fq. 57).

Shpejt pas kësaj, në një letër datuar 11 dhjetor 2002, Presidencia e Parë udhëzoi udhëheqësit e Kishës mbi parimet e pranueshmërisë për mision me kohë të plotë. Në udhëzimet thuhet: “Shërbimi në mision me kohë të plotë është një privilegj për ata që janë thirrur nëpërmjet frymëzimit nga Presidenti i Kishës. Peshkopët dhe presidentët e kunjeve kanë detyrën serioze për të gjetur anëtarë të denjë të kualifikuar, që janë shpirtërisht, fizikisht dhe emocionalisht të përgatitur për këtë shërbim të shenjtë dhe që mund të rekomandohen pa rezerva. Individët që nuk janë të aftë t’u përgjigjen kërkesave fizike, mendore dhe emocionale të punës misionare me kohë të plotë janë ndershmërisht të falur dhe nuk duhet të rekomandohen. Ata mund të thirren të shërbejnë në kapacitete të tjera shpërblyese.”

Steka ishte ngritur nga udhëheqësit e Kishës dhe tani standardi minimal për të marrë pjesë në punë misionare është një denjësi morale absolute; shëndet dhe forcë fizike; zhvillim intelektual, shoqëror dhe emocional. Në çdo garë kërcimi së larti ka një minimum lartësie ku fillon gara. Atleti i kërcimit së larti nuk mund të kërkojë të fillojë nga një lartësi më e vogël. Po kështu, ju nuk mund të prisni që standardet të ulen që t’ju lejojnë të shkoni në mision. Nëse doni të jeni misionar, ju duhet të jeni në gjendje të kaloni standardet minimale.

Por pasi i arrini ato standarde, a nuk duhet të përpiqeni ta mbani në ngritje stekën? Unë po ju bëj juve të njëjtën pyetje që i kam bërë djalit tim vite më parë: “Nëse nuk e ngrini stekën, si do ta dini se çfarë force keni?” Sfida ime për ju është të njihni se ka një standard minimal — dhe ju duhet ta arrini atë që të shërbeni si misionarë me kohë të plotë — por mos u ndalni aty. Brezi më i shkëlqyer i misionarëve nuk do të arrijë fuqinë e tij të plotë, veç nëse e mban stekën në ngritje.

Më lejoni të bëj disa sugjerime mbi çfarë mund të bëjë secili nga ju për të ngritur stekën edhe më lart nga niveli që përgatiteni për shërbimin tuaj misionar.

Standardi fizik minimal për shërbim misionar me kohë të plotë ka të bëjë me një shëndet dhe forcë fizike të madhe të misionarit. Për shembull, një nga pyetjet në modelarin e rekomandimit për mision është nëse ju “mund të punoni 12 deri në 15 orë në ditë, të ecni 10 deri në 13 kilometra në ditë, të ngisni biçikletën për 16 deri në 24 kilometra në ditë dhe të ngjiteni çdo ditë shkallëve.” Puna misionare është e rëndë dhe misionarët me kohë të plotë duhet të jenë në gjendje të mirë fizike për të shërbyer. Ngritja e stekës në një standard më të lartë fizik mund të kërkojë kalitje të mëtejshme fizike.

Ajo mund të përfshijë gjithashtu përmirësimin e paraqitjes tuaj fizike. Një misionar kërkohet të vishet në një mënyrë të caktuar, duke rrezatuar pamje të përcaktuar qartë, që përfshin të kesh një qethje të përshtatshme, të jesh i rruar pastër, të veshësh këmishë të bardhë të pastër, një kollare dhe një kostum të hekurosur mirë — deri te këpucët e llustruara mirë. Filloni tani të përgatiteni për një mision me kohë të plotë duke adaptuar paraqitjen e një misionari me kohë të plotë.

Ngrijeni më lart stekën në përgatitjen tuaj intelektuale. Merreni seriozisht shkollimin tuaj. Është e rëndësishme të jeni në gjendje të lexoni, të flisni dhe të shkruani me inteligjencë. Zgjerojini njohuritë mbi botën rreth jush duke lexuar libra të mira. Mësoni si të studioni. Pastaj, zbatoni shprehitë tuaja të përmirësuara të studimit në mësimin e ungjillit të Jezu Krishtit. Lexoni sistematikisht dhe rregullisht nga Libri i Mormonit.

Mos lini pas dore mundësinë për pjesëmarrje në klasat e seminareve dhe të instituteve. Merrni pjesë dhe fitoni gjithshka mundeni nga shkrimet e shenjta që mësohen në këto sisteme të mrekullueshme të arsimit fetar. Ato do t’ju përgatisin të përcillni mesazhin e ungjillit të rivendosur tek ata që keni rastin të takoni. Studioni nga “Predikoni Ungjillin Tim”, duke theksuar doktrinat bazë që jepen në kapitullin 3. Sa herë që ju kërkojnë të flisni në kishë ose në një mbrëmje familjare, përqendrohuni në këto doktrina bazë.

Në Doktrina e Besëlidhje 11:21, Zoti na thotë: “Mos kërko të shpallësh fjalën time, por së pari ta fitosh fjalën time dhe atëhere gjuha jote do të zgjidhet; atëhere, nëse dëshiron, ti do të kesh Shpirtin tim dhe fjalën time, po, fuqinë e Perëndisë për të bindur njerëzit.” Mosha paramisionare është një kohë ideale për të vendosur më lart stekën ndërsa përgatiteni mendërisht të fitoni dritën dhe të vërtetën e ungjillit të Jezu Krishtit.

Ju duhet të njihni që shërbimi misionar është me kërkesa emocionale. Ju nuk do ta keni më sistemin tuaj të mbështetjes kur të lini shtëpinë dhe të shkoni jashtë nëpër botë. Shumë mënyra që përdorni tani për t’i bërë ballë stresit emocional — si dalja jashtë me miq, qëndrimi vetëm, përdorimi i lojërave kompjuterike, apo dëgjimi i muzikës — nuk lejohen nga rregullat e sjelljes së misionarit. Do të ketë ditë refuzimi dhe zhgënjimi. Mësoni tani mbi caqet tuaja emocionale dhe mësoni si t’i kontrolloni emocionet tuaja në rrethanat ku do të gjendeni si misionar. Duke bërë këtë, ju e ngrini stekën në lartësi më të mëdha dhe, në fakt, forconi veten ndaj sfidave emocionale gjatë shërbimit tuaj misionar.

Edhe pse Presidenti Hinkli nuk e përmendi këtë, misionarët e ardhshëm duhet gjithashtu të jenë të përgatitur me aftësitë shoqërore që duhen për të shërbyer në mision. Gjithnjë e më shumë të rinj po veçohen nga të tjerët duke luajtur lojëra kompjuterike, duke mbajtur kufje dhe duke komunikuar me celularë, e-mail, mesazhe në celular e kështu me radhë në vend të komunikimit direkt. Shumë nga puna misionare përfshin komunikimin ballë për ballë me njerëzit dhe pavarësisht se ju e vendosni stekën më lart në zhvillimin e aftësive tuaja shoqërore, ju do ta gjeni veten me përgatitje të pamjaftueshme. Më lejoni të ofroj një sugjerim të thjeshtë: futuni në një punë që përfshin ndërveprim me njerëz. Si një motivim më të lartë vendosni një objektiv që të fitoni mjaft të holla nga puna juaj me kohë të pjesshme apo të plotë që të paguani të paktën një pjesë të rëndësishme të misionit tuaj. Unë ju premtoj bekime të mëdha — shoqërore, fizike, mendore, emocionale dhe shpirtërore — për çdo të ri që paguan për një pjesë të rëndësishme të misionit të tij.

Vlera personale është minimumi i standardit shpirtëror për të shërbyer në një mision. Kjo do të thotë se ju jeni i vlefshëm me çdo mënyrë që të kryeni dhe të mbani besëlidhjet e tempullit. Mos u skualifikoni nga bekimet që u jepen atyre që shërbejnë në këtë thirrje shumë të veçantë, për shkak të kryerjes së veprimeve shkelëse të cilat do t’ju bëjnë të papranueshëm të shërbeni.

Njihni ju lutem se, ndërsa mësimi tuaj si misionar mund të jetë bindës, vetëm Shpirti kthen në besim. “Predikoni Ungjillin Tim” jep një përshkrim të mirë të asaj çka është e gjithë puna misionare. Ai thotë: “Si një përfaqësues i autorizuar i Jezu Krishtit, ju mund t’i mësoni njerëzit me fuqinë dhe autoritetin që ‘shëlbimi erdhi nëpërmjet Mesias së Shenjtë’ dhe se askush ‘nuk mund të banojë në prani të Perëndisë, veçse nëpërmjet meritave dhe mëshirës dhe hirit të Mesias së Shenjtë’ (2 Nefi 2:6, 8)” ([2004], 2).

Ne ju kujtojmë se atje ku është dhënë shumë, kërkohet shumë. Ne bëjmë përsëri thirrjen për të gjithë të rinjtë e kualifikuar shpirtërisht, fizikisht dhe emocionalisht që të vijnë të përgatitur të bëhen misionarë në Kishën e Jezu Krishtit. Sigurohuni që do t’i kaloni me lehtësi standardet minimale për shërbim si misionar dhe se ju vazhdimisht po e ngrini stekën. Përgatituni të jeni më të efektshëm në këtë thirrje të madhe.

Perëndia ju bekoftë që kjo të jetë dëshira juaj kur të largoheni nga kjo seancë e priftërisë e konferencës së përgjithshme dhe të filloni tani të përgatiteni për shërbimin e lavdishëm që është përpara jush si misionarë të Zotit Jezu Krisht. Ne emrin e Jezu Krishtit, amen.