2007
Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta
Nëntor 2007


Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta

E zbulofshim rishtas fuqinë hyjnore të lutjes së përditshme, të ndikimit bindës të Librit të Mormonit dhe të përkushtimit të vërtetë kur marrim sakramentin.

Pamja

Cilido që do të jetojë ungjillin e Jezu Krishtit çdo ditë dhe do të durojë deri në fund, do të fitojë jetë të përjetshme – ky është premtimi i Zotit.1 Në parimet e tij bazë, ungjilli është i thjeshtë, i lehtë për t’u kuptuar dhe i përshtatur me aftësinë e më të dobtëve.2 Alma, profeti i Librit të Mormonit, bëri me vend vërejtjen: “Tani, ti mund të mendosh se kjo është marrëzi nga ana ime; por … nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen; … dhe me mjete fare të vogla Zoti i ngatërron të urtët dhe realizon shpëtimin e shumë shpirtrave.”3

Këto kohët e fundit, pata privilegjin të vëreja këtë proces në jetën e një vëllai me emrin Sten, i cili kishte qenë pak aktiv për rreth 45 vjet. Ai kishte jetuar drejt dhe kishte mbështetur edhe të shoqen edhe të birin në aktivitetin e tyre si anëtarë besnikë të Kishës. Megjithatë, për arsye personale, ai zgjodhi të mbetej jashtë aktiviteteve në Kishë. Pavarësisht nga kjo, çdo muaj ai mirëpriste mësuesit e shtëpisë.

Gjatë shkurtit 2006, Stenit iu ndërruan mësuesit e shtëpisë. Vizita e tyre e parë qe mjaft e këndshme, ndonëse Steni nuk shfaqi interes të vërtetë për ungjillin ose për ndonjë çështje tjetër të lidhur në ndonjë farë mënyre me gjërat shpirtërore. Vizita tjetër e tyre bëri pak për të ndryshuar vrojtimet e tyre të fillimit, ndonëse Steni ishte pak më i ngrohtë dhe pak më miqësor. Megjithatë, në vizitën e tyre të tretë, pati një ndryshim të dukshëm në shprehjen e fytyrës dhe sjelljen e Stenit. Për çudinë e tyre të madhe dhe madje më parë se ata të ishin në gjendje të paraqitnin mesazhin e tyre, Steni i ndërpreu me një numër pyetjesh të matura. Gjatë diskutimit në vijim, ai gjithashtu rrëfeu përvojat e tij të muajit të fundit, në të cilin ai dhe gruaja e tij kishin filluar të lexonin nga një kapitull në ditë të Librit të Mormonit.

Plaku Brus R. MekKonki përshkroi me gojëtari llojin e zgjimit që provoi Steni: “Ja ku është një burrë që merr një kopje të këtij libri të bekuar, fillon ta lexojë atë dhe vazhdon … derisa, pasi e ka lexuar të gjithë, shpirti i tij i uritur mbushet me bukën e jetës. Ai nuk mund ta lërë mënjanë ose të shpërfillë mësimet e tij. Është sikur ujërat e jetës të rrjedhin në shkretëtirat shterpe të shpirtit të tij, duke ngopur ndjenjën e shkretë, boshe që deri atëherë e ndanin atë nga Perëndia i tij.”4

Mësuesit e shtëpisë u kujtuan për fuqinë e mrekullueshme të Librit të Mormonit dhe sa i vërtetë është ndikimi i Shpirtit të Zotit kur i drejtohemi faqeve të tij të shenjta. Ata gjithashtu e kuptuan më plotësisht deklaratën e Profetit Jozef Smith “se Libri i Mormonit [është] më i sakti nga cilido libër mbi tokë … dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur porosive të tij, se të çfarëdo libri tjetër.”5

Etja e Stenit për të mësuar dhe rizbuluar ungjillin e rivendosur shpejt e zgjeroi leximin e tij përtej një kapitulli në ditë, të shoqëruar nga kërkimi i thellë me shpirt dhe lutja e zjarrtë.

Për ata që ndonjëherë janë të shqetësuar nëse Zoti i dëgjon vërtet lutjet e tyre, Shpëtimtari na kujton:

“Nëse një bir do t’i kërkojë bukë ndonjërit prej jush që është atë, a do t’i japë ai atij një gur? ose nëse kërkon një peshk, a do t’i japë ai një gjarpër në vend të peshkut?…

Nëse ju pra, duke qenë të ligj, dini si t’i jepni dhurata të mira bijve tuaj, sa herë më tepër Ati juaj në qiell do t’u japë dhurata të mira, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë, atyre që i kërkojnë atij?”6

Profeti ynë i dashur, Presidenti Gordon B. Hinkli, gjithashtu na këshilloi: “Ju nuk mund ta bëni vetëm… . Juve ju duhet ndihma e Zotit … dhe gjëja e mrekullueshme është, që ju keni mundësinë të luteni dhe të prisni që lutjet tuaja të dëgjohen dhe të marrin përgjigje… . Ai qëndron gati për të ndihmuar.”7

Gjatë gushtit 2006, Steni rrezikoi dhe shkoi, së bashku me gruan e tij gjithnjë besnike, në mbledhjen e sakramentit të lagjes — e para herë pas 45 vjetësh. Atje, me një zemër të përulur e plot lutje, ai dëgjoi lutjet e thjeshta të sakramentit të ofruara nga priftërinjtë e rinj në moshë. Duke e ndier veten të padenjë dhe duke kuptuar diçka nga thellësia dhe kuptimi i kësaj më të shenjtës ordinancë, ai mendoi thellë dhe me dhembje, pa marrë bukën ose ujin për disa javë.

Presidenti Jozef Fillding Smith, në një dëshmi emocionuese shumë vjet më parë, tha: “Sipas mendimit tim, mbledhja e sakramentit është më e shenjta, më e shenjtëruara, nga të gjitha mbledhjet e Kishës. Kur meditoj për mbledhjen e Shpëtimtarit dhe apostujve të tij në atë natë të paharrueshme kur ai paraqiti sakramentin …, zemra ime mbushet me mrekulli dhe prekem thellë. E konsideroj atë mbledhje si një nga më solemnet e më të mrekullueshmet që nga fillimi i kohërave.”8

Steni vazhdoi të studionte, të lutej, të merrte pjesë në kishë dhe të merrte këshillën dhe nxitjen e duhur nga mësuesit e tij të shtëpisë. Më pas mbërriti dita kur ai, i gëzuar, e ndjeu se ishte gati të zgjaste duart e të merrte sakramentin e çmuar. Kur marrim denjësisht, mendueshëm e me nderim sakramentin e shenjtë, mundësohemi të bëhemi pjesëmarrës të “natyrës së shenjtë”9, për shkak të Shlyerjes së Krishtit dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Kur Steni u kthye në aktivitet në Kishë, ai mori një thirrje dhe, disa muaj më vonë, u shugurua në pozitën e plakut. Në korrik 2007, Steni dhe gruaja e tij u gjunjëzuan tek altari i shtëpisë së Zotit dhe, me anë të autoritetit dhe ligjit të përjetshëm të Perëndisë, u martuan për kohën dhe gjithë përjetësinë.10

Vëllezër dhe motra, e zbulofshim rishtas fuqinë hyjnore të lutjes së përditshme dhe të ndikimit bindës të Librit të Mormonit dhe të shkrimeve të shenjta. Të dielave, kur marrim sakramentin, lutem që ta bëjmë këtë me shpirtin e përkushtimit të vërtetë ndaj Atij që është dhënësi i të gjitha gjërave.11

Për shkak të përpjekjeve tona më të mira e shumë të kufizuara dhe për shkak të mirësisë së pafund të Zotit, “gjëra të mëdha bëhen” nëpërmjet “gjërave të vogla dhe të thjeshta”.

Së fundi, në lidhje me këto parime të shenjta, më lejoni të shtoj dëshminë dhe bindjen time, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih 3 Nefi 27:13-18; DeB 14:7.

  2. Shih Mateu 11:28-30; Jakobi 4:14; Alma 37:44; DeB 133:57-58.

  3. Alma 37:6-7.

  4. A New Witness for the Articles of Faith (1985), fq. 414.

  5. History of the Church, 4:461.

  6. History of the Church, 4:461. Lluka 11:11, 13; shih Përkthimin e Jozef Smithit në poshtëshënimin shoqërues 13a.

  7. Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), fq. 468.

  8. Conference Report, tetor 1929, fq. 60-61.

  9. 2 Pjetri 1:4; shih edhe 3 Nefi 18:1-14.

  10. Shih Mateu 19:3-6; DeB 131:1-4.

  11. Shih Moroni 6.