2007
Urdhërimi i Madh
Nëntor 2007


Urdhërimi i Madh

Kur ne kërkojmë të ndihmojmë më të vegjlit e fëmijëve të Atit Qiellor, këtë ne ia bëjmë Atij.

Pamja

Vëllezër dhe motra, do të dëshiroja të bëj një pyetje shumë të rëndësishme. Çfarë cilësie na përcakton më mirë ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme?

Sot unë do të doja të flas mbi përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Në shekullin e parë pas Krishtit, anëtarët e Kishës në rritje të Korintit ishin entuziastë për ungjillin. Gati të gjithë ishin të kthyer së fundi në Kishë. Shumë tërhiqeshin atje nga predikimet e Apostullit Pal dhe të të tjerëve.

Por shenjtorët në Korint ishin gjithashtu të prirur për grindje. Ata kishin sherre ndërmjet tyre. Disa ndiheshin më lart se të tjerët. Ata hidhnin njëri-tjetrin në gjyq.

Kur Pali e dëgjoi këtë, me një ndjenjë pakënaqësie, u shkroi një letër ku u lutej të ishin më të bashkuar. Ai iu përgjigj shumë pyetjeve mbi të cilat ata debatonin. Pastaj, nga fundi, ai u tha se donte t’u tregonte “një udhë shumë më të lartë.”1

A i kujtoni fjalët që ai shkroi më pas?

“Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.”2

Mesazhi i Palit për këtë grup të ri shenjtorësh ishte i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: asgjë nga çka bëni nuk do të ketë shumë efekt nëse nuk keni dashuri hyjnore. Ju mund të flisni me gjuhë, të keni dhuntinë e profecisë, të dini të gjitha misteret dhe të zotëroni gjithë njohuritë — madje edhe nëse keni besimin për të lëvizur malet, pa dashuri e gjitha kjo nuk do t’ju sillte dobi.3

“Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit.”4 Shpëtimtari dha shembullin e asaj dashurie dhe dha mësim për të madje edhe kur persekutohej nga ata që e përbuznin dhe e urrenin Atë.

Në një rast farisejtë u përpoqën ta futnin në kurth Jezusin duke i bërë një pyetje që dukej e pamundur të kishte përgjigje: “Mësues,” e pyetën ata “cili është urdhërimi i madh i ligjit?”5

Farisejtë e kishin debatuar shumë këtë pyetje dhe kishin përcaktuar më se 600 urdhërime.6 Nëse renditja e tyre sipas rëndësisë ishte aq e vështirë për dijetarët, atëherë, menduan, kjo pyetje do të ishte e pamundur për këtë djalë karpentieri nga Galilea.

Por kur farisejtë dëgjuan përgjigjen e Tij, duhet të jenë turbulluar, sepse ajo tregonte dobësinë e madhe të tyre. Ai u përgjigj:

“Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.

Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.

Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”

Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”7

Qysh nga ajo ditë, ky deklarim i frymëzuar është përsëritur ndër shumë breza. Tani për ne, masa e dashurisë tonë është masa e madhësisë së shpirtrave tanë.

Shkrimet e shenjta na tregojnë se “në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.”8 Ç’premtim i mrekullueshëm — të jesh i njohur prej Tij. Të gëzohet shpirti të mendosh se Krijuesi i qiellit dhe i tokës mund të na njohë dhe të na dojë me një dashuri të pastër dhe të përjetshme.

Në vitin 1840 Profeti Jozef i dërgoi një letër të Dymbëdhjetëve ku ai na mëson se “dashuria është një nga karakteristikat kryesore të Perëndisë dhe duhet të shfaqet nga ata që aspirojnë të jenë bij të Perëndisë. Një njeri i mbushur me dashurinë e Perëndisë nuk është i kënaqur me bekimin vetëm të familjes së tij, por shkon nëpër të gjithë botën, i dëshiruar të bekojë të gjithë racën njerëzore.”9

Kur ne ndihmojmë me dashuri ata që kemi përreth, ne plotësojmë gjysmën tjetër të urdhërimit të madh: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.”10

Të dy urdhërimet janë të nevojshme sepse kur mbajmë barrët e njëri-tjetrit, ne përmbushim ligjin e Krishtit.11

Dashuria është fillimi, mesi dhe fundi i shtegut të të qenit dishepull. Ajo qetëson, këshillon, shëron dhe ngushëllon. Ajo na drejton nëpër luginat e errëta dhe nëpër perden e vdekjes. Në fund, dashuria na drejton tek lavdia dhe madhështia e jetës së përjetshme.

Për mua, Profeti Jozef Smith gjithnjë ka dhënë shembullin e dashurisë së pastër të Krishtit. Shumë kanë pyetur përse ai fitoi kaq shumë pasues dhe i mbajti ata. Përgjigja e tij ishte: “Kjo ndodh sepse unë zotëroj parimin e dashurisë.”12

Historia është treguar nga një djalë 14-vjeçar që kishte ardhur në Nauvu në kërkim të vëllait të tij që jetone atje pranë. Djali i ri kishte arritur në dimër, pa të holla dhe pa miq. Kur pyeti për vëllanë e tij, djalin e morën në një shtëpi të madhe që dukej si hotel. Atje ai takoi një burrë që e ftoi: “Hyr brenda, bir, ne do të kujdesemi për ty.”

Djali pranoi dhe u fut në shtëpinë ku i dhanë për të ngrënë, u ngroh dhe i dhanë një krevat të flinte.

Ditën tjetër ishte një i ftohtë i hidhur, por megjithatë, djali u përgatit të ecte trembëdhjetë kilometra për tek vendi ku ndodhej vëllai i tij.

Kur i zoti i shtëpisë e pa këtë, i tha djalit të ri të priste pak. Ai tha se shpejt do të vinte një grup kuajsh, kështu që mund të shkonte me ta.

Kur djali protestoi duke thënë se nuk kishte para, burri i tha të mos mërzitej për këtë se ata do të kujdeseshin për të.

Më vonë djali mësoi se burri i shtëpisë ishte pikërisht Jozef Smithi, profeti mormon. Ky djalë e kujtoi këtë akt dhembshurie gjatë gjithë jetës së tij.13

Në një mesazh të kohëve të fundit të Korit Mormon të Tabernakullit, “Muzikë dhe Fjalë e Folur”, u tregua një histori mbi një burrë dhe grua të moshuar që ishin martuar prej dekadash. Ngaqë gruaja ishte duke humbur gradualisht shikimin, ajo nuk mund të kujdesej më tej për veten siç kishte bërë për kaq vite. Pa ia kërkuar, bashkëshorti filloi t’i lyente thonjtë me manikyr.

“Ai e dinte se ajo mund të shihte thonjtë e gishtave kur i vendoste pranë syve në një kënd të përshtatshëm dhe ato e bënin të buzëqeshte. Atij i pëlqente ta shihte të lumtur, kështu që vazhdoi t’ia lyente me manikyr thonjtë e saj për më se pesë vjet para se ajo të vdiste.”14

Ky është një shembull i dashurisë së pastër të Krishtit. Ndonjëherë dashuria më e madhe nuk gjendet në skena dramatike që shkruhen nga poetë dhe shkrimtarë. Shpesh manifestimet më të mëdha të dashurisë janë akte të thjeshta mirësie dhe kujdesi që ne tregojmë për ata që takojmë në rrugën e jetës.

Dashuria e vërtetë zgjat për gjithnjë. Ajo duron dhe fal përjetësisht. Ajo beson, shpreson dhe duron gjithçka. Kjo është dashuria që ka Ati ynë Qiellor për ne.

Ne të gjithë duam të përjetojmë një dashuri si kjo. Edhe kur bëjmë gabime, ne shpresojmë se të tjerët do të na duan me gjithë të metat — madje edhe nëse nuk e meritojmë atë.

Oh, është e mrekullueshme të dish se Ati ynë Qiellor na do — madje me të gjitha gabimet tona! Dashuria e tij është e tillë që edhe nëse ne bëhemi të pashpresë për veten, Ai jo, nuk bëhet kurrë kështu.

Ne e shohim veten në kuptimin se çfarë ishim dje dhe çfarë sot. Ati ynë Qiellor na sheh në kuptimin se çfarë mund të jemi. Megjithëse ne mund të kënaqemi me pak, Ati Qiellor nuk do ta bënte këtë, sepse Ai na sheh si qenie të lavdishme që ne kemi mundësi të bëhemi.

Ungjilli i Jezu Krishtit është një ungjill i transformimit. Ai na merr ne si burra dhe gra të tokës dhe na pastron duke na bërë njerëz të përjetësisë.

Mjeti i këtij pastrimi është dashuria jonë si e Krishtit. Nuk ka dhimbje që ajo nuk mund ta zbutë, nuk ka hidhërim që ajo nuk mund ta heqë, nuk ka urrejtje që ajo nuk mund ta ndryshojë. Dramaturgu grek Sofokliu ka shkruar: “Një fjalë na çliron nga të gjitha barrët dhe dhimbjet në jetë. Kjo fjalë është dashuria.”15

Momentet më të çmuara dhe më të shenjta të jetës tonë janë ato të mbushura me shpirtin e dashurisë. Sa më e madhe masa e dashurisë, aq më i madh gëzimi ynë. Në fund të fundit, zhvillimi i një dashurie të tillë është masa e suksesit në jetë.

A e doni Zotin?

I kushtoni kohë Atij. Meditoni për fjalët e Tij. Merrni mbi vete zgjedhën e Tij. Përpiquni të kuptoni dhe të bindeni, sepse “kjo është dashuria e Perëndisë: që ne të zbatojmë urdhërimet e tij.”16 Kur ne duam Zotin, bindja pushon së qeni një barrë. Bindja bëhet kënaqësi. Kur ne duam Zotin, ne kërkojmë më pak për gjëra që na sjellin përfitim dhe i drejtojmë zemrat drejt gjërave që do të bekojnë dhe lartësojnë të tjerët.

Ndërsa dashuria jonë për Zotin thellohet, mendja dhe zemra jonë pastrohen. Ne përjetojmë “një ndryshim të madh … në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht.”17

Vëllezër dhe motra, kur ju shqyrtoni duke u lutur se çfarë mund të bëni që të rritni harmoninë, shpirtshmërinë dhe të ndërtoni mbretërinë e Perëndisë, mendoni për detyrën tuaj të shenjtë që të mësoni të tjerët të duan Zotin dhe njerëzit e tjerë. Ky është qëllimi kryesor i ekzistencës tonë. Pa dashuri — ose dashurinë e pastër të Krishtit — çfarëdo tjetër që të bëjmë ka pak rëndësi. Me të gjithçka tjetër bëhet e zjarrtë dhe e gjallë.

Kur ne frymëzojmë dhe mësojmë të tjerët të mbushin zemrat me dashuri, bindja buron nga brendësia në veprime vullnetare të vetësakrificës dhe të shërbimit. Po, ata që shkojnë në mësime të shtëpisë për shkak të detyrës, për shembull, mund të realizojnë detyrimin e tyre. Por ata që kryejnë mësim shtëpie me dashurinë e vërtetë për Zotin dhe për njerëzit e tjerë me shumë gjasa do ta kryenin këtë detyrë me një qëndrim shumë të ndryshëm.

Duke u rikthyer te pyetja ime e fillimit: çfarë cilësie na përcakton më mirë ne si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme? Unë do të përgjigjesha: ne jemi një popull që e do Zotin me gjithë zemrën, me gjithë shpirtin dhe mendjen e tij dhe ne duam fqinjët tanë si veten tonë.

Kjo është karakteristika jonë si popull. Ajo është si një fener për botën, që sinjalizon se dishepuj të kujt jemi.18

Në ditën e fundit Shpëtimtari nuk do të pyesë për natyrën e thirrjeve tona. Ai nuk do të hetojë për pasuritë tona materiale apo për famën. Ai do të pyesë nëse u kemi shërbyer të sëmurëve, nëse u kemi dhënë bukë dhe ujë të uriturve, nëse i kemi vizituar të burgosurit, apo u kemi dhënë ndihmë të dobtëve.19 Kur ne kërkojmë të ndihmojmë më të vegjlit e fëmijëve të Atit Qiellor, këtë ne ia bëjmë Atij.20 Ky është thelbi i ungjillit të Jezu Krishtit.

Nëse duam të mësojmë me të vërtetë të duam, gjithçka ne kemi nevojë të bëjmë është të mendojmë jetën e Shpëtimtarit tonë. Kur ne marrim pjesë në sakrament, ne kujtohemi për shembullin më të madh në të gjithë historinë e botës. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin.”21

Dashuria e Shpëtimtarit për ne ishte aq e madhe saqë ajo bëri “madje [Perëndinë], më i madhi i të gjithëve, të [dridhet] për shkak të dhembjes, e [t’i] dalë gjak nga çdo por.”22

Për shkak se Shpëtimtari dha jetën e Tij për ne,23 ne kemi një dritë shprese, një besim dhe siguri se kur të dalim nga kjo ekzistencë e botës, ne do të jetojmë përsëri me Të. Nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit ne mund të pastrohemi nga mëkati dhe të qëndrojmë si pjesëmarrës të dhuratës së Atit tonë të Gjithëfuqishëm. Pastaj ne do të mësojmë mbi lavdinë që Perëndia “ka përgatitur për ata që e duan atë.”24

Kjo është fuqia transformuese e dashurisë.

Kur Jezusi u dha dishepujve të Tij një urdhërim të ri: “ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”25, Ai u dha atyre çelësin e madh të lumturisë në këtë jetë dhe lavdinë në tjetrën.

Dashuria është më e madhja nga të gjitha urdhërimet — të gjitha të tjerat varen nga ajo. Ajo është fokusi ynë si ndjekës të Krishtit të gjallë. Ajo është një karakteristikë që nëse zhvillohet do të zhvillojë shumë jetën tonë.

Unë dëshmoj se Perëndia jeton. Dashuria e Tij është e pafund dhe e përjetshme. Ajo u drejtohet të gjithë fëmijëve të Tij. Ngaqë Ai na do ne, Ai na ka dhënë profetë dhe apostuj për të na drejtuar në kohën tonë. Ai na ka dhënë Frymën e Shenjtë, i cili na mëson, na qetëson dhe na frymëzon.

Ai na ka dhënë shkrimet e Tij të shenjta. Dhe unë jam në mënyrë të papërshkrueshme mirënjohës që Ai na ka dhënë, secilit nga ne, një zemër të aftë të përjetojë dashurinë e vërtetë të Krishtit.

Unë lutem që zemrat tona të mund të mbushen me këtë dashuri dhe që ne të mund të shkojmë tek Ati ynë Qiellor dhe te të tjerët me vizion dhe besim të ri. Unë dëshmoj se kur ne e bëjmë këtë, ne do të zbulojmë një pasuri më të madhe në jetë. Në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. 1 Korintasve 12:31.

  2. 1 Korintasve 13:1.

  3. Shih 1 Korintasve 13:1-2.

  4. Moroni 7:47.

  5. Mateu 22:36.

  6. Shih Frederic W. Farrar, The Life of Christ (Salt Lake City: Bookcraft, 1994), fq. 528-529.

  7. Mateu 22:37-40.

  8. 1 Korintasve 8:3.

  9. History of the Church, 4:227.

  10. Galatasve 5:14.

  11. Galatasve 6:2.

  12. History of the Church, 5:498.

  13. Mark L. McConkie, Remembering Joseph: Personal Recollections of Those Who Knew the Prophet Joseph Smith (2003), fq. 57.

  14. “Selflessness”, 23 shtator 2007, transmetim i Music and the Spoken Word; gjendet tek adresa www.musicandthespokenword.com/ messages.

  15. Oedipus at Colonus, në The Oedipus Cycle, përkth. Dudley Fitts dhe Robert Fitzgerald (New York: Harcourt Brace & Company, 1949), fq. 161-162.

  16. 1 Gjoni 5:3.

  17. Mosia 5:2.

  18. Shih Gjoni 13:35.

  19. Shih Mateu 25:31-40.

  20. Shih Mateu 25:40.

  21. Gjoni 3:16.

  22. DeB 19:18.

  23. Shih Gjoni 15:13.

  24. 1 Korintasve 2:9; shih edhe Isaia 64:4.

  25. Gjoni 13:34.