2007
Guri që Shkëputet nga Mali
Nëntor 2007


Guri që Shkëputet nga Mali

Zoti po përmbush premtimin që ungjilli i Tij do të jetë si guri që shkëputet pa duar nga mali.

Pamja

Tani, vëllezër dhe motra të mia, ne jetojmë me një fenomen interesant. Një solist e këndon të njëjtën këngë vazhdimisht. Një orkestër përsërit të njëjtën muzikë. Por një folës pritet të dalë me diçka të re sa herë që flet. Do ta shkel atë traditë këtë mëngjes dhe deri diku do të përsëris ato që kam thënë në një rast tjetër.

Kisha është bërë një familje e madhe e përhapur anembanë botës. Tani ka më shumë se 13 milionë prej nesh në 176 kombe dhe treva. Po ndodh diçka mahnitëse dhe e mrekullueshme. Zoti po përmbush premtimin që ungjilli i Tij do të jetë si guri që shkëputet pa duar nga mali dhe do të zmadhohet derisa të ketë mbushur tërë tokën, siç e pa Danieli në vegim (shih Danieli 2:31-45; DeB 65:2). Një mrekulli e madhe po ndodh pikërisht para syve tanë.

Po ju kthej 184 vite prapa, në vitin 1823. Ishte muaji shtator — nata ndërmjet 21 dhe 22 shtatorit, për saktësi.

Djaloshi Jozef Smith ishte lutur atë natë para se të shkonte të flinte. I kërkoi Zotit t’ia falte mendjelehtësinë. Një gjë e mrekullueshme ndodhi pastaj. Ai thotë:

“Ndërsa isha duke i thirrur Perëndisë, zbulova një dritë që u shfaq në dhomën time, e cila vazhdoi të rritej derisa dhoma ishte më e shndritshme se në mesditë, kur papritur një personazh u shfaq pranë shtratit tim… .

Ai më thirri me emër dhe më tha se ishte një lajmëtar i dërguar nga prania e Perëndisë … dhe se emri i tij ishte Moroni, se Perëndia kishte një punë për mua për ta bërë dhe se emri im do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve, ose që do të flitej si për mirë, edhe për keq mes gjithë popujve” (Joseph Smith — Historia 1:30, 33).

Djaloshi duhet të jetë tronditur nga ato që dëgjoi. Në sytë e atyre që e njihnin, ai ishte thjesht një djalë ferme i varfër e i pamësuar. Nuk kishte pasuri. Fqinjët e tij ishin në të njëjtën gjendje. Prindërit ishin fermerë që përpiqeshin së tepërmi. Zona ku jetonin ishte zonë fshatare dhe praktikisht e panjohur. Ata ishin thjesht njerëz të zakonshëm që përpiqeshin të mbijetonin duke punuar shumë.

E megjithatë, një engjëll i Perëndisë tha se emri i Jozefit “do të mbahej për mirë e për keq mes të gjitha kombeve, fiseve dhe gjuhëve”. Si ishte e mundur? Ky është përshkrimi që i shkon për shtat mbarë botës.

Tani, kur shohim 177 vjet prapa tek organizimi i Kishës, mrekullohemi me atë që tashmë ka ndodhur. Kur Kisha u organizua më 1830, kishte vetëm gjashtë anëtarë, vetëm një grusht besimtarësh, të gjithë banues në një fshat praktikisht të panjohur. Sot jemi bërë kisha e katërt a e pestë nga madhësia në Amerikën Veriore, me grupime anëtarësh në çdo qytet të çdo zone të rëndësishme banimi. Kunjet e Sionit sot lulëzojnë në çdo shtet të Shteteve të Bashkuara, në çdo provincë të Kanadasë, në çdo shtet të Meksikës, në çdo komb të Amerikës Qendrore dhe kudo në Amerikën Jugore.

Grupimet e anëtarëve gjenden kudo në Ishujt Britanikë dhe Evropë, ku mijëra vetë janë anëtarësuar në Kishë gjatë viteve. Kjo punë është shtrirë deri tek kombet e Baltikut dhe gjer poshtë nëpër Bullgari e Shqipëri dhe zona të tjera të asaj pjese të botës. Ajo shkon përmes zonës së gjerë të Rusisë. Arrin deri lart në Mongoli dhe kalon poshtë nëpër kombet e Azisë deri në ishujt e Paqësorit, Australi, Zelandën e Re dhe në Indi e Indonezi. Ajo po lulëzon në shumë kombe të Afrikës.

Konferencat tona të përgjithshme transmetohen me satelit dhe mënyra të tjera në 92 gjuhë të ndryshme.

Dhe ky është vetëm fillimi. Kjo punë do të vazhdojë të rritet e të përparojë dhe të ecë anembanë botës. Duhet ta bëjë këtë, nëse duhet plotësuar premtimi që Moroni i bëri Jozefit.

Kjo punë është unike dhe e mrekullueshme. Ndryshon që në themel nga çdo pjesë tjetër e doktrinave fetare që njoh unë.

Kur Jezusi jetonte mbi tokë, Ai tha: “Kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3).

Jozefi, kur ishte 14 vjeç, pati në atë Vegim të Parë të lavdishëm një përvojë që ishte ndryshe nga çdo përvojë tjetër e dokumentuar e ndonjë njeriu. Në asnjë kohë tjetër për të cilën kemi ndonjë dokument, nuk janë shfaqur në tokë së bashku Perëndia, Ati ynë i Përjetshëm dhe Biri i Tij i Dashur, Zoti i ringjallur.

Në kohën e pagëzimit të Jezusit nga Gjoni në lumin Jordan, zëri i Perëndisë u dëgjua, por Ai nuk u pa. Në Malin e Shpërfytyrimit përsëri zëri i Perëndisë u dëgjua, por nuk ka dëshmi se Ai u shfaq. Stefani e pa Zotin në të djathtën e Atit, por Ata nuk iu drejtuan atij me fjalë ose ta mësonin.

Mbas Ringjalljes së Tij, Jezusi iu shfaq nefitëve në Hemisferën Perëndimore. Zëri i të Plotfuqishmit u dëgjua tre herë, duke prezantuar Krishtin e ringjallur, por nuk pati shfaqje të Atit.

Sa i shquar që ishte vërtet ai vegim në vitin 1820, kur Jozefi u lut në korije dhe iu shfaqën përpara të dy, Ati dhe Biri. Njëri prej tyre i foli, duke e thirrur në emër dhe, duke treguar nga tjetri, tha: “Ky Është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!” (Joseph Smith — Historia 1:17).

Asgjë e tillë nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë. Dikush mund të pyesë veten pse kishte aq rëndësi të shfaqeshin edhe Ati, edhe Biri. Mendoj se ishte ngaqë Ata po nisnin periudhën ungjillore të plotësisë së kohërave, periudhën e fundit dhe përmbyllëse të ungjillit, kur do të mblidheshin në një pjesët përbërëse të të gjitha periudhave të mëparshme. Ky duhet të ishte kapitulli përfundimtar i kronikës së gjatë të veprimtarisë së Perëndisë me burrat dhe gratë mbi tokë.

Mbas vdekjes së Shpëtimtarit, Kisha që kishte themeluar Ai, u shmang nga kursi derisa e braktisi atë. U plotësuan fjalët e Isaias, i cili tha: “Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme” (Isaia 24:5).

Duke pranuar rëndësinë e njohjes së natyrës së vërtetë të Perëndisë, njerëzit u përpoqën të gjenin një mënyrë për të përkufizuar Atë. Klerikë të ditur debatonin me njëri-tjetrin. Kur Konstantini u bë i krishterë, në shekullin e katërt, thirri së bashku në një kuvend të madh njerëz të ditur, me shpresën se ata mund të arrinin në një përfundim mirëkuptimi në lidhje me natyrën e vërtetë të Hyjnisë. Gjithçka që u arrit prej tyre, ishte një kompromis pikëpamjesh të ndryshme. Rezultati ishte Deklarata e Nikesë e vitit 325 pas Krishtit. Qysh atëherë, kjo dhe besimet që e pasuan atë janë bërë deklarata doktrinore për shumicën e krishtërimit lidhur me natyrën e Hyjnisë.

I kam lexuar të gjitha ato disa herë. Nuk mund t’i kuptoj. Mendoj se të tjerët nuk mund t’i kuptojnë dot. Jam i sigurt se Zoti gjithashtu e dinte që shumë njerëz nuk do t’i kuptonin ato. Dhe kështu më 1820, në atë vegim të pakrahasueshëm, Ati dhe Biri iu shfaqën djaloshit Jozef. Ata i folën me fjalë të cilat mund të dëgjoheshin, dhe ai foli me Ta. Ata mund të shihnin. Ata mund të flisnin. Ata mund të dëgjonin. Ishin persona. Ishin prej lënde të prekshme. Nuk ishin qenie imagjinare. Ishin qenie në trup prej mishi. Dhe prej asaj ngjarjeje ka ardhur kuptimi ynë unik dhe i vërtetë i natyrës së Hyjnisë.

Nuk është çudi që, kur Jozefi shkroi në vitin 1840 Nenet e Besimit, deklaroi në vend të parë: “Ne besojmë në Perëndinë, Atin e Përjetshëm, dhe në Birin e Tij, Jezu Krishtin, dhe në Frymën e Shenjtë” (Nenet e Besimit 1:1).

Sikurse të gjithë e dini, ndër vite pasoi një “re … dëshmimtarësh” të vërtetë, siç e përshkroi në mënyrë profetike Pali (shih Hebrenjve 12:1).

Në fillim erdhi Moroni me fletët prej të cilave u përkthye Libri i Mormonit. Sa gjë e rrallë dhe e jashtëzakonshme ishte! Historia e fletëve të arta të Jozefit ishte e çuditshme. Ishte e vështirë ta besoje dhe e lehtë ta vije në dyshim. Mund ta kishte shkruar atë me aftësinë e vet? Ja tek është, që çdo njeri ta shohë, ta prekë, ta lexojë. Çdo përpjekje për të shpjeguar origjinën e tij, ndryshe nga ajo që dha ai, ka dështuar. Ai ishte praktikisht i paarsimuar; e megjithatë, brenda një kohe shumë të shkurtër, ai solli një përkthim i cili në formë botimi vjen me më shumë se 500 faqe.

Pali shpall se “çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve” (2 Korintasve 13:1).

Bibla kishte qëndruar për shekuj. Ajo është një libër i çmuar e i mrekullueshëm. Tani ka një dëshmitar të dytë që shpall natyrën hyjnore të Krishtit. Libri i Mormonit është i vetmi libër i botuar ndonjëherë, me sa kam dijeni, i cili mbart brenda tij një premtim që, kush e lexon me një shpirt lutjeje dhe pyet për të në lutje, do t’i zbulohet nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë dija që ai është i vërtetë (shih Moroni 10:4).

Që nga koha e botimit të tij të parë në një shtypshkronjë fshati në Palmira të Nju Jorkut, janë prodhuar më shumë se 133 milionë kopje. Është përkthyer në 105 gjuhë. Para pak kohe ai u përmend si një nga 20 librat më me ndikim që janë botuar ndonjëherë në Amerikën Veriore.

Kohët e fundit një kopje e botimit të parë u shit për 105.000 dollarë amerikanë. Por edhe botimi më pak i kushtueshëm, sa i vlefshëm është për lexuesin që e do gjuhën dhe mesazhin e tij.

Gjatë gjithë këtyre viteve kritikët letrarë janë përpjekur ta shpjegojnë atë. Kanë folur kundër tij. Janë tallur me të. Por ai i ka lënë ata pas, dhe sot ndikimi i tij është më i madh se në çdo kohë të historisë së tij.

Në këtë varg ngjarjesh erdhi më pas rivendosja e priftërisë, e dhuruar nga qenie të ringjallura të cilat e mbanin atë në kohën që Shpëtimtari jetonte në tokë. Kjo ndodhi në vitin 1829, kur Jozefi ishte vetëm 23 vjeç.

Pasi u mor priftëria, u organizua Kisha më 6 prill 1830, kur Jozefi ishte djalë pa mbushur ende 25 vjeç. Nga ana tjetër, organizimi është unik dhe i ndryshëm nga ai i krishtërimit tradicional. Ajo funksionon gjerësisht nëpërmjet shërbesës joprofesioniste. Shërbimi vullnetar është tipari i saj i shquar. Ndërsa është rritur dhe përhapur gjerësisht, mijëra e mijëra njerëz besnikë dhe të aftë kanë drejtuar përpjekjet e punës së saj.

Sot unë vazhdoj të habitem nga gjërat që Perëndia i ka zbuluar profetit të Tij të caktuar, kur ishte ende i ri dhe praktikisht i panjohur. Madje gjuha e këtyre zbulesave e kapërcen aftësinë edhe të një njeriu me dituri të madhe.

Studiues që nuk janë të fesë sonë, të cilët nuk i pranojnë doktrinat tona unikale, vihen në mëdyshje nga përmasat e mëdha të shpalosjes së kësaj pune, e cila po prek zemrat e njerëzve anembanë botës. Ne ia detyrojmë gjithë këtë Jozef Profetit, shikuesit dhe zbuluesit, Apostullit të Zotit Jezu Krisht, që u parashugurua të vijë në këtë gjeneratë si një instrument në duart e të Plotfuqishmit në rivendosjen në tokë të asaj që Shpëtimtari mësonte kur ecte rrugëve të Palestinës.

Juve, këtë ditë, ju pohoj dëshminë time për thirrjen e Profetit Jozef, për këtë punë, për vulosjen e dëshmisë së tij me gjakun e tij si një martir i së vërtetës së përjetshme. Secili nga ju mund të japë dëshmi për të njëjtën gjë. Ju dhe unë duhet t’i përgjigjemi pyetjes absolute të pranimit të së vërtetës mbi Vegimin e Parë dhe të asaj që erdhi më pas. Tek çështja e së vërtetës së tij qëndron vetë vlefshmëria e kësaj Kishe. Ai është i vërtetë dhe unë dëshmoj se është, prandaj puna në të cilën jemi zotuar, është puna më e rëndësishme mbi tokë.

Ju lë dëshminë time për të vërtetën e këtyre gjërave dhe lus bekimet e qiellit për ju. Qoftë e mundur të hapen dritaret e qiellit dhe bekimet të derdhen mbi ju ashtu siç ka premtuar Zoti. Kurrë mos harroni që ky ishte premtimi i Tij dhe që Ai ka fuqinë dhe aftësinë të sigurojë që kjo gjë të plotësohet. Kështu lutem, ndërsa ju lë dashurinë dhe bekimin tim në emrin e shenjtë të Shëlbuesit tonë, madje Zotit Jezu Krishtit, amen.