2007
Të Dobëtit dhe të Thjeshtët e Kishës
Nëntor 2007


Të Dobëtit dhe të Thjeshtët e Kishës

Asnjë anëtar i Kishës nuk vlerësohet nga Zoti më shumë apo më pak se një tjetër.

Pamja

Nderojmë Presidentin Xhejms E. Faust. Na mungon ai. Gruaja e tij e dashur, Ruthi, është me ne këtë mëngjes dhe i shprehim asaj dashurinë tonë. U urojmë mirëseardhjen atyre që janë emëruar në funksionet që Presidenti Hinkli ka përvijuar.

Duke folur në emrin e të gjithëve ne që na keni mbështetur sot, ne zotohemi të bëjmë gjithçka mundemi për të qenë të denjë për mirëbesimin që na është dhënë.

Ne kemi mbështetur zyrtarët e përgjithshëm të Kishës, në një procedurë solemne dhe të shenjtë. Kjo procedurë e zakonshme zhvillohet kurdoherë që udhëheqësit ose mësuesit thirren apo lirohen nga detyra, ose kurdoherë që bëhet një riorganizim në një kunj, ose lagje, ose kuorum, ose në një organizatë ndihmëse (shih DeB 124:123, 144; shih edhe DeB 20:65-67; 26:2). Ajo është unike për Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Ne e dimë gjithmonë se kush thirret për të udhëhequr apo dhënë mësim dhe kemi mundësinë ta mbështesim apo ta kundërshtojmë veprimin. Ajo procedurë nuk ka ardhur si shpikje e njeriut, por shpjegohet në zbulesat: “Nuk do t’i jepet askujt që të shkojë për të predikuar ungjillin tim, ose për të ngritur kishën time, përveçse nëse ai shugurohet nga dikush që ka autoritet e njihet prej kishës që ka autoritet dhe është shuguruar në mënyrë të rregullt nga krerët e kishës” (DeB 42:11; theksimi shtohet). Në këtë mënyrë, Kisha mbrohet nga çfarëdo mashtrues që do të dëshironte të merrte kontrollin e një kuorumi, një lagjeje, një kunji ose të Kishës.

Është edhe një parim tjetër që i përket vetëm Kishës së Zotit. Të gjithë pozicionet e mësimdhënies dhe udhëheqjes plotësohen nga anëtarët e Kishës. Edhe kjo është shprehur në shkrimet e shenjta. Një varg në Doktrina dhe Besëlidhje shpjegoi rendin e udhëheqjes në Kishë për të gjithë kohërat. Ishte i pashembullt, sigurisht jo si është e zakonshme në kishat e krishtera atëherë apo tani:

“Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime; …

Gjërat e dobëta të botës do të vijnë dhe do të dërrmojnë gjërat e fuqishme dhe të forta, …

… Që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës;

Që besimi gjithashtu të mund të rritet në tokë;

Që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet;

Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve.

Vini re, unë jam Perëndi dhe e kam thënë atë; këto urdhërime janë nga unë dhe iu dhanë shërbëtorëve të mi në dobësinë e tyre, sipas gjuhës së tyre, që ata të mund të arrijnë të kuptojnë” (DeB 1:17, 19-24).

Jam thellësisht mirënjohës për ato shkrime të shenjta, që shpjegojnë se Zoti do të përdorë “gjërat e dobëta të botës”.

Secili anëtar ka përgjegjësinë të pranojë thirrjen për të shërbyer.

Presidenti J. Ruben Klark i Riu ka thënë: “Në shërbimin e Zotit, nuk ka rëndësi ku shërbeni, por si shërbeni. Në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, secili merr detyrën në të cilën thirret siç duhet, detyrë të cilën as e kërkon dhe as e refuzon” (në Conference Report, prill 1951, 154). Kisha nuk ka klerikë profesionistë. Njerëzit nga kongregacioni janë ata që thirren në pozita udhëheqëse në mbarë botën. Ne nuk kemi shkolla për trainimin e udhëheqësve profesionistë.

Çdo gjë që bëhet në Kishë, udhëheqja, mësimdhënia, thirrja, ordinanca, lutja, kënga, përgatitja e sakramentit, këshillimi dhe gjithçka tjetër, bëhet nga anëtarë të zakonshëm, “gjërat e dobëta të botës.”

Shohim në kishat e krishtera mundim për të plotësuar nevojën e tyre për klerikë. Ne nuk e kemi atë problem. Pasi predikohet ungjilli dhe organizohet Kisha, ka një furnizim të pashtershëm me vëllezër e motra besnike që e kanë atë dëshmi dhe dëshirën për t’iu përgjigjur thirrjes për shërbim. Ata zotohen për të kryer punën e Zotit dhe jetojnë sipas standardeve që u kërkohen.

Anëtarëve u jepet dhurata e Frymës së Shenjtë pas pagëzimit të tyre (shih DeB 33:15; 35:6). Fryma e Shenjtë do t’u japë atyre mësim e ngushëllim. Atëherë ata janë të përgatitur për të marrë udhërrëfim, drejtim dhe korrigjim, çfarëdo që kërkon pozicioni apo nevoja e tyre. (Shih Gjoni 14:26; DeB 50:14; 52:9; 75:10.)

Këto parime e bëjnë Kishën të ndryshme nga të gjitha kishat e tjera të krishtera në botë. Ne gjendemi në një pozicion të pazakontë që kemi burime të pafundme mësuesish dhe udhëheqësish, midis çdo kombi, dhe fisi, dhe gjuhe, dhe njerëzish, në të gjithë botën. Ka një barazi unike midis anëtarëve. Askush prej nesh nuk duhet ta konsiderojë veten më me vlerë se dikush tjetër (shih DeB 38:24-25). “Perëndia nuk tregohet i anshëm; por, në çfarëdo kombi, ai që ka frikë prej tij dhe që vepron drejtësisht, është i pranuar nga ai” (Veprat e Apostujve 10:34-35; shih gjithashtu Romakëve 2:11; DeB 1:35; 38:16).

Kur isha i ri, isha mësuesi i shtëpisë i një motre shumë të moshuar. Ajo më mësoi nga përvoja e jetës së saj.

Kur ishte vajzë e vogël, Presidenti Brigam Jang shkoi në Brigam Siti, një ngjarje e rëndësishme në qytezën që kishte marrë emrin e tij. Për ta nderuar, fëmijët e Fillores, të veshur të gjithë me të bardha, ishin rreshtuar në rrugën e hyrjes në qytet dhe mbanin secili nga një shportë me lule që do t’i hidhnin para karrocës së Presidentit të Kishës.

Diçka nuk i pëlqeu asaj. Në vend të hidhte lulet, ajo shqelmoi një gur para karrocës duke thënë: “Ai nuk është aspak më i mirë se gjyshi im Lovland.” Kjo u dëgjua dhe atë e qortuan rreptë.

Jam mjaft i sigurtë se Presidenti Brigam Jang do të ishte i pari që do të ishte dakord me Xheni Stidin e vogël. Ai nuk do ta konsideronte veten se ishte më me vlerë se gjyshi Lovland ose kushdo anëtar tjetër i denjë i Kishës.

Vetë Zoti qe mjaft i qartë: “Dhe kushdo prej jush që do të dojë të jetë i pari, qoftë skllavi juaj” (Mateu 20:27). “Po ai caktohet të jetë më i madhi, pavarësisht se është më i vogli dhe shërbëtori i të gjithëve” (DeB 50:26).

Vite më parë, kur për herë të parë u caktova në një detyrë që solli si rezultat botimin e fotografisë sime në gazetë, një nga mësuesit e mi të shkollës së mesme, mesa duket mjaft i habitur, kishte thënë: “Kjo provon se nuk mund të kuptosh nga pamja e një bretkose se sa larg do të kërcejë ajo!”

Imazhi i asaj bretkose, që qëndronte në baltë në vend që të kërcente, sqaron se sa i papërshtatshëm ndihesha kur përballesha me përgjegjësitë që më kishin ardhur.

Këto ndjenja bëjnë që më pas, askush të mos ndjehet më i mirë se dikush tjetër, as edhe njëri.

Për një kohë të gjatë, diçka më fuste në mendime. Dyzet e gjashtë vjet më parë, isha një mbikqyrës seminari 37 vjeçar. Thirrja ime në Kishë ishte ndihmësmësues në një klasë në Lagjen Lindon.

Për habinë time të madhe, më thirrën të takoja Presidentin David O. Mek-Kei. Më mori të dy duart e mija në të vetat dhe më thirri të bëhem një nga Autoritetet e Përgjithshëm, një Asistent për Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve.

Pak ditë më vonë, erdha në Salt Lejk Siti që të takohesha me Presidencinë e Parë dhe të veçohesha si një nga Autoritetet e Përgjithshme të Kishës. Kjo ishte hera e parë që takohesha me Presidencinë e Parë —Presidentin David O. Mek-Kei dhe këshilltarët e tij, Presidentin Hju B. Braun dhe Presidentin Henri D. Moil.

Presidenti Mek-Kei shpjegoi se një nga përgjegjësitë e një Asistenti të të Dymbëdhjetëve ishte të bashkohet me Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve si dëshmitar i veçantë dhe të japë dëshmi se Jezusi është Krishti. Ajo çka tha më pas, më hutoi: “Përpara se të vazhdojmë me veçimin tënd, të kërkoj të na japësh dëshmi neve. Duam ta dimë nëse ti e ke atë dëshmi.”

Bëra më të mirën që munda. Dhashë dëshminë time njëlloj si do ta kisha dhënë në një mbledhje agjërimi dhe dëshmishë në lagjen time. Për çudinë time, Vëllezërit e Presidencisë u dukën të kënaqur dhe vazhduan duke më konfirmuar në atë detyrë.

Kjo më vuri shumë në mendime, sepse mendoja se dikush që thirrej në një pozitë të tillë duhet të kishte një dëshmi dhe fuqi shpirtërore të pazakontë, të ndryshme dhe shumë më të madhe.

Më vuri në mendime për një kohë të gjatë derisa më në fund munda ta kuptoj se unë e kisha tashmë atë që duhej: një dëshmi të qendrueshme në zemrën time për Rivendosjen e plotësisë së ungjillit nëpërmjet Profetit Jozef Smith, se ne kemi një Atë Qiellor dhe se Jezu Krishti është Shëlbyesi ynë. Mund të mos dija gjithçka për këto, por unë e kisha vërtet një dëshmi dhe isha i gatshëm të mësoja.

Ndoshta nuk ndryshoja nga ata për të cilët flitet në Librin e Mormonit: “Dhe kushdo që vjen tek unë me një zemër të thyer dhe një shpirt të penduar, atë do ta pagëzoj me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë, madje ashtu si Lamanitët, për shkak të besimit të tyre në mua, në kohën e kthimit të tyre në besim, u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë dhe ata nuk e dinin” (3 Nefi 9:20; theksimi shtohet).

Gjatë viteve, kam kuptuar se sa fort e rëndësishme është ajo dëshmi e thjeshtë. Kam arritur të kuptoj se Ati ynë Qiellor është Ati i shpirtrave tanë (shih Numrat 16:22; Hebrenjve 12:9; DeB 93:29). Ai është një atë me gjithë dashurinë e dhembshur të një ati. Jezusi tha: “Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia” (Gjoni 16:27).

Disa vjet më parë, isha me Presidentin Marion G. Romni, në takim me presidentë misioni dhe gratë e tyre në Gjenevë të Zvicrës. Ai u tregoi atyre se 50 vjet më parë, kur ishte një djalosh misionar në Australi, një pasdite vonë ai kishte shkuar të studionte në bibliotekë. Kur doli jashtë, ishte bërë natë. Ai pa lart qiellin me yje dhe ajo ndodhi. Shpirti e preku atë dhe një dëshmi e sigurtë lindi në shpirtin e tij.

Ai u tregoi atyre presidentëve të misioneve që ai nuk e dinte me më shumë siguri, sesa kur ishte anëtar i Presidencisë së Parë, që Perëndia Atë jeton; që Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë, i Vetëmlinduri i Atit; dhe që plotësia e ungjillit është rivendosur, sesa kur qe një misionar i ri 50 vjet më parë në Australi. Ai tha se dëshmia e tij kishte ndryshuar në atë që ishte shumë më e lehtë të merrte përgjigje nga Zoti. Prania e Zotit ishte më e afërt dhe ai e njihte Zotin shumë më mirë sesa 50 vjet më parë.

Është një prirje e natyrshme të shohim ata që mbështeten në pozita kryesuese dhe t’i konsiderojmë më të lartë dhe më të vlefshëm në Kishë apo për familjet e tyre, sesa një anëtar i thjeshtë. Ne ndiejmë disi që ata janë më të vlefshëm për Zotin sesa ne vetë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë!

Si unë edhe gruaja ime do të çuditeshim shumë nëse ndonjë nga bijtë tanë do të mendonte se ne mendojmë që jemi më të vlefshëm për familjen apo për Kishën, sesa janë ata, ose të mendojmë që një thirrje në Kishë vlerësohet më tepër se një tjetër, ose që ndonjë thirrje do të mendohej se është më pak e rëndësishme.

Kohët e fundit, një prej bijëve tanë u mbështet si udhëheqësi i misionit në lagje. Gruaja e tij na tregoi sa i emocionuar ishte ai për thirrjen. I përshtatet kërkesave shumë të forta të punës së tij. Ai ka shpirt misionari dhe do të gjejë përdorim të mirë për spanjishten e tij, të cilën vazhdon ta mbajë aktive që nga ditët kur ishte vetë misionar. Edhe ne u kënaqëm shumë për thirrjen e tij.

Ajo që biri im dhe gruaja e tij po bëjnë për fëmijët e tyre të vegjël, është më e rëndësishme se gjithshka që mund të bëjnë ata në Kishë ose jashtë saj. Asnjë shërbim nuk mund të ishte më i rëndësishëm për Zotin, sesa përkushtimi për njëri-tjetrin dhe për fëmijët e tyre të vegjël. Dhe kështu është me të gjithë fëmijët tanë të tjerë. Qëllimi përfundimtar i gjithë veprimtarisë së Kishës përqendrohet tek shtëpia dhe familja.

Si Autoritete të Përgjithshme të Kishës, ne jemi njësoj si ju dhe ju jeni njësoj si ne. Ju e keni të njëjtë si edhe ne disponueshmërinë për fuqitë e zbulesës, për familjet tuaja, për punën tuaj dhe për thirrjet tuaja.

Gjithashtu është e vërtetë se ka një rregull për gjërat në Kishë. Kur thirreni në një detyrë, ju atëherë merrni zbulesë që i përket asaj detyre, zbulesë që nuk do t’u jepet të tjerëve.

Asnjë anëtar i Kishës nuk vlerësohet nga Zoti më shumë apo më pak se një tjetër. Kjo thjesht nuk është e vërtetë! Kujtoni Ai është një atë — Ati ynë. Zoti “nuk është i anshëm”.

Ne nuk vlejmë më shumë për përparimin e punës së Zotit sesa vëllai dhe motra Toutai Paletu’a në Nuku’alofa, në Tonga; ose sesa vëllai dhe motra Karlos Cifuentes në Santiago, në Kili; ose sesa vëllai dhe motra Peter Dalebout në Hollandë; ose sesa vëllai dhe motra Tacui Sato nga Japonia; ose sesa qindra të tjerë që kam takuar gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë!

E kështu Kisha shkon përpara. Ajo mbështetet mbi supet e anëtarëve të denjë që jetojnë jetë të zakonshme në familje të zakonshme, të udhëhequr nga Fryma e Shenjtë dhe Drita e Krishtit, e cila është tek ata.

Jap dëshmi se ungjilli është i vërtetë dhe që vlera e shpirtrave është e madhe në shikimin e Perëndisë — çdo shpirt — dhe se jemi të bekuar që jemi anëtarë të Kishës. Unë kam atë dëshmi që do të më cilësonte për thirrjen që kam. E kam pasur atë që kur takova Presidencinë e Parë në ato shumë vjet të shkuara. Jua jap atë juve në emrin e Jezu Krishtit, amen.